Lajmet

​Vishaj jep detaje për të infektuarin me Omicron: Ishte i vaksinuar me dy dozat

Vishaj në një prononcim për media ka thënë se aktualisht nuk ka pacientë të shtruar me Omicron.

Published

on

Drejtori i Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Arben Vishaj ka dhënë detaje për të infektuarin me variantin Omicron, për të cilin tha se ka rezultuar pozitiv tri ditë pas ardhjes nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), derisa ka bërë të ditur se i njëjti ka qenë i vaksinuar me dy dozat anti-COVID. 

Vishaj në një prononcim për media ka thënë se aktualisht nuk ka pacientë të shtruar me Omicron, por që janë duke u trajtuar katër pacientë me COVID-19. Ndërkohë që ka apeluar të gjithë qytetarët që kanë simptoma të gripit të lajmërohen tek mjeku familjar.

“Më datën 20 të këtij muaji janë diagnostikuar nëntë pacientë me Omicron. Në Klinikën Infektive ka qenë një pacient, i cili ka kërkuar trajtim dhe kolegët nga ambulanca e pranimit e kanë marrë mostrën dhe gjendja e tij ka qenë stabile dhe për këtë arsye pacienti është lëshuar në shtëpi. Ne aktualisht nuk kemi pacientë të hospitalizuar me… variantin Omicron. Dhe, jemi duke i trajtuar katër pacientë, të cilët janë pozitiv me COVID-19”, tha ai derisa shtoi se gjendja e tyre është stabile.

Infektologu Arben Vishaj ka treguar se pacienti ka manifestuar një formë të lehtë të COVID-19, derisa ka shtuar se i njëjti ka marrë dy dozat e vaksinës anti-COVID.

“Aspektet klinike kanë qenë të një aspekti me një formë të lehtë të COVID-19. Ky pacient, tri ditë më përpara ka ardhur nga ShBA, ku edhe punon. Gjendja e tij e përgjithshme ka qenë një simptomatologji e rrugëve të prekjes të frymëmarrjes. Është marrë testi për COVID, të cilin e marrim në mënyrë rutinore, ka rezultuar pas testimit nga Instituti Kombëtar se është pozitiv me Omicron. Përndryshe, sot kemi komunikuar me të, gjendja e tij është stabile… Ka qenë i vaksinuar në ShBA, me dy doza Pfizer. Por, ka manifestuar një formë klinike të lehtë”, tha ai.

Ai ka treguar për simptomat që kanë pasur pacientët e infektuar me Omicron, për të cilat ka thënë se janë pothuajse të njëjta me ato të gripit sezonal.

“Simptomatologjia qoftë e Omicron-it, qoftë e varianteve të tjera është e zakonshme, që fillon me lodhje, me plogështi, me rrjedhje hundësh, me rraskapitje, me vështirësi në frymëmarrje. Pra, është e vështirë që të caktohet se cili tip është. Por, sido që të jetë, çdo qytetarë që ka simptomatologji gripi të lajmërohet te mjeku familjar fillimisht, dhe varësisht nga nevoja Klinika Infektive është e gatshme që të ofrojë shërbime cilësore me qëllim të trajtimit të këtyre pacientëve”, deklaroi ai.

Vishaj ka pohuar se në këtë fazë kanë pasur shumë qytetarë të infektuar nga gripi sezonal, porse ka shtuar se për fat të mirë pacientët nuk kanë pasur nevojë për hospitalizim.

Ndërkohë që ka thënë se si klinikë janë të gatshëm që të ofrojnë shërbime shëndetësore, pa marrë parasysh variantin që vjen. Ai ka thënë se në Klinikën Infektive punëtorët shëndetësorë i janë përgjigjur pozitivisht vaksinimit.

lajme

Protestat vazhdojnë në Prishtinë: Kërkohet që vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare

Published

on

By

Protesta kundër vrasjes së Arlinda Zekajt ka vazhduar edhe sot në Prishtinë, ku qytetarët janë mbledhur për të tretën ditë radhazi në sheshin e kryeqytetit për të kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi institucionale.

Gjatë ditës së sotme, protestuesit janë ndalur edhe para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke shprehur pakënaqësi të thellë ndaj mënyrës se si po menaxhohen e trajtohen rastet e dhunës ndaj grave nga organet kompetente.

Këto aksione po organizohen nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, nën moton kryesore “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”.

Continue Reading

Lajmet

Akil Gjakova mbyll garën pa medalje në Abu Dhabi

Published

on

By

Xhudisti kosovar Akil Gjakova e ka mbyllur pa medalje paraqitjen e tij në Grand Slam-in e Abu Dhabit, pasi u mposht në përballjen e drejtpërdrejtë për vendin e tretë.

Në kategorinë deri në 73 kilogramë, Gjakova u ndal në luftën për medaljen e bronztë nga xhudisti rus Karen Galstian. Pejani e nisi garën i lirë në xhiron e parë, ndërsa në të dytën mposhti me Ippon izraelitin Ohad Moritz. Suksesin më të madh e shënoi në raundin e tretë ku eliminoi nënkampionin e botës, Makhmadbek Makhmadbekov, po ashtu me Ippon në kohën shtesë.

Pasi u mposht në çerekfinale nga azerbajxhanasi Hidayat Heydarov, Gjakova kërkoi suksesin përmes repesazhit, por nuk arriti të ngjitej në podiumin e fituesve. /E.A/

Continue Reading

lajme

Nën hetim për projektin e kryeqytetit: Përparim Rama paraqitet në Prokurorinë Speciale

Published

on

By

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, është paraqitur sot në Prokurorinë Speciale ku po intervistohet në cilësinë e të dyshuarit lidhur me projektin “Arkitekti i Kryeqytetit”.

Rama arriti në prokurori i shoqëruar nga avokati Artan Çerkini, teksa para hyrjes deklaroi shkurtimisht se detyra e tij është ndërtimi i kryeqytetit, ndërsa e organit të ndjekjes është të sigurohet që gjithçka bëhet në përputhje me ligjin. Hetimet për këtë projekt ndërlidhen me procedurat e prokurimit publik, vlerën prej 12 milionë eurosh, si dhe me dyshimet për manipulim të stafit e konflikt interesi.

Intervistimi i kryetarit të Prishtinës vjen pas tensioneve publike dhe paralajmërimeve nga zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje për arrestimin e tij të mundshëm, reagime këto që pasuan ndryshimet e fundit në udhëheqjen e Prokurorisë Speciale, ku pas shkarkimit të Blerim Isufajt, detyra i është besuar prokurorit Dren Paca.

Ndaj deklaratave të përfaqësuesve të pushtetit, Rama u ka bërë thirrje publike organeve të drejtësisë që të merren me ato që i ka cilësuar si kërcënime direkte ndaj tij. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Laura Fazliu fiton të bronztën në Grand Slam

Published

on

By

Laura Fazliu ka fituar medalje të bronztë në Grand Slamin e xhudos në Abu Dabi.

Në luftë për medalje të bronztë, Laura e mposhti bartësen e parë, kroaten Iva Oberan.

Lufta ishte e barabartë, ndërsa në kohën shtesë Laura realizoi hedhje të bukur për fitore me “Ippon”.

Laura fitoi 500 pikë në renditjen botërore. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara