Lajmet

​Vendosja e reciprocitet për targat me Serbinë, kërkohet që Kosova t’iu bëjë ballë trusnive

Njohësit e sigurisë kërkojnë që Qeveria e Kosovës të jetë konsistente.

Published

on

Vendosja e masës së reciprocitetet me Serbinë për targat e automjeteve nuk pritet ta destabilizojë situatën në veri të Kosovës. Kështu të paktën po vlerësojnë njohësit e sigurisë, të cilët këtë masë po e konsiderojnë si veprim të duhur, por edhe pak të ngutshëm. Ata kërkojnë që Qeveria e Kosovës të jetë konsistente dhe mos ta tërheqë këtë masë përkundër çdo lloj trusnie, qoftë edhe nga Bashkimi Evropian apo dikush tjetër.

Në bazë të vendimit, nga sot obligohet që të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në Kosovë, të pajisen me targa të përkohshme. Sipas këtij vendimi, pajisja me këto targa bëhet në të gjitha pikat kufitare të Kosovës.

Targat duhet të vendosen në vende të dukshme dhe për pajisjen me këto targa duhet paguar taksa prej 5 eurove. Vlefshmëria e tyre është 60 ditë.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi derisa e konsideron si vendim të duhur vendosjen e masës së reciprocitetet me targat e automjeteve me shtetin serb, thotë se nuk ka kurrfarë arsye që të destabilizohet situata në pjesën veriore.

Sipas tij, pas këtij veprimit, UNMIK-u do të bëjë presion që të vazhdohet regjistrimi i automjeteve me tabelat KS.

“Nuk ka kurrfarë shkaku apo arsye të destabilizohet situata, organet e rendit kryejnë detyrat e veta, kanë të drejtë që kushdo qoftë të protestoj në këtë rast edhe serbët por realisht puna po kryhet ashtu siç duhet dhe ta duhet t’i pëlqejnë apo respektojnë ato masa çfarë janë bërë. Nuk ka ndalesa në kufi kurrfare, atyre iu jepet mundësia që menjëherë të zëvendësojnë tabelat dhe të vazhdojnë rrugëtimin e tyre…..Vendim shumë të duhur dhe mendoj se duhet vetëm të jetë konsistent, vendimi mos të bie në trusni, qoftë nga BE apo edhe dikush tjetër, sidomos UNMIK-u që do kërkoj vazhdimin e regjistrimit të tabelave KS, por përfundimisht të merret një qëndrim dhe ai të jetë një masë e reciprocitetit, sepse tash me siguri priten edhe masa të tjera çfarë ka premtuar kjo parti në fazën e fushatës”, theksoi Ibishi.

Ibishi po ashtu thotë se nuk është e drejtë nga Bashkimi Evropian që Kosovës t’i bëjë presion që të mos shkaktojë tensionet, pasi këto tensione po shkaktohen nga pjesëtarët serbë që janë të lidhur me Qeverinë e Serbisë.

Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi vlerëson se Kosova ka kapacitet për të mbikëqyrë këtë masë.

“Është jo ferr edhe nga Bashkimi Evropian dhe të tjerët që të ulen tensionet, tensionet duhet të ulen nga reagimet e komuniteti serb në Kosovë me përfaqësuesit e Beogradit, Lista Srpska dhe establishment tjetër por edhe reagimet e Serbisë që pa asnjë nevojë reagojnë duke thirr Këshillin e Sigurisë dhe mundësinë çfarë ata shpesh bëjnë me çështjet të koncentrimit të forcave në kufi…I ka të gjitha kapacitetet mendoj se ka qenë neglizhencë që ajo nuk ka vepruar ose ka qenë në trusni qoftë të Kombeve të Bashkuara gjegjësisht UNMIK-ut që çdoherë ka vazhduar prej një mandate në mandate në tjetri me tabela KS”, u shpreh ai.

Ndonëse e përkrah si vendim, eksperti tjetër i sigurisë, Drizan Shala, vendosjen e masës së reciprocitetit ndaj Serbisë sa i përket targave të automjeteve, e konsideron të ngutshëm.

Shala thotë se me këtë vendim më të atakuarit janë banorët shqiptar që jetojnë në Luginën e Preshevës, për të cilët kërkoi që të lirohen nga kjo masë.

“Mendoj se është veprimi drejtë sa i përket masës së ndërmarrë nga Qeveria për reciprocitet sa i përket targave, por është mirë që ky veprim të ishte marr në një interval kohor të mëvonshëm sepse jemi në proces të dialogut, kemi një fushatë zgjedhore të nivelit lokal kemi shumë çështje të padefinuar sa i përket kësaj mase të reciprocitetit ku ne kemi shumë qytetar tanë të Luginës të cilët më se janë të atakuar në mënyrë të drejtpërdrejt sa i përket kësaj mase. Një veprim i ngutshëm por i drejtë nga ana e ministrisë së Punëve të Brendshme. Tash mendoj se duhet të ulen tensionet dhe vendimit të revidohet apo të gjenden disa alternativa që të gjithë ata qytetar të Kosovë që jetojnë në Luginë Preshevë, Medvegj targat e tyre të mos atakohen nga kjo masë e reciprocitetit. Ndërsa, sa i përket pjesës më të madhe të shtetit serb është mirë që të zbatohet kjo masë”, theksoi ai.

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës përmes të cilit ka nisur zbatimi i masës së reciprocitetit, sa i përket targave të Serbisë, Bashkimi Evropian u bëri thirrje të dyja palëve që të ndërmarrin masa, në mënyrë që të ulen tensionet në veri të Kosovës.

Në anën tjetër në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak këtë masë e kanë kundërshtuar qytetarë të shumë serbe duke vendosur kamionë në rrugë, ndërsa qysh në mëngjes në këto vendkalime kufitare kanë dal edhe njësia speciale e Policisë së Kosovës.

Ndërsa, tash e sa vitet qytetarët e Kosovës që kalonin në pikat kufitare të Serbisëështë dashur t’i heqin targat e tyre ‘RKS’ dhe të vendosin targa të përkohshme.

Botë

Spiegel: Zbulohen emrat e serbëve të lidhur me sulmin në Leipzig. Të kapur me eksplozivë

Published

on

By

Hetuesit gjermanë kanë zbuluar detaje të reja rreth tentativës së sulmit me dron ndaj një aeroplani mallrash ukrainas në aeroportin e Leipzigut, dhe të dhëna kyçe çojnë direkt në Serbi, shkruan e përjavshmja gjermane Spiegel, duke cituar burime në qarqet lokale të sigurisë.

Një nga të dyshuarit në sulmin në Leipzig është i lidhur me një burrë që u arrestua në Serbi në qershor për posedim eksplozivash. Sipas Spiegel, më 11 qershor, policia serbe ndaloi dy makina që po shkonin drejt Bashkimit Evropian pranë kufirit hungarez. Ata ishin Danilo B., i cili ka shtetësi serbe dhe ruse, dhe shtetasi serb Slobodan D.

 

Dronë dhe eksplozivë në kanaçe: “Serbia është një pikë e nxehtë për sabotimin rus”

Në makinën e parë, policia gjeti pjesë të një droni të modifikuar dhe qarqe kontrolli, ndërsa në të dytën, në një ndarje të fshehur, ata zbuluan kanaçe të mbushura me eksplozivë. Të dy kanë qenë në paraburgim që nga qershori, dhe autoritetet gjermane tani po kontrollojnë lidhjen e tyre të drejtpërdrejtë me të dyshuarit në aksionin në Leipzig – një bjellorus dhe një me shtetësi të dyfishtë ruse dhe letoneze.

Përveç kësaj, hetuesit rindërtuan lëvizjet e të dyshuarve dhe zbuluan se njëri prej tyre iku në Rusi pas operacionit nëpërmjet rrugës përmes Serbisë dhe Stambollit. Për shkak të gjithë kësaj, shërbimet evropiane të inteligjencës e shënojnë Serbinë si një “pikë të nxehtë” për sabotimin rus në të gjithë Evropën, duke deklaruar se shërbimet ruse atje rekrutojnë dhe trajnojnë operativë për operacione në terren.

Hetuesit u habitën menjëherë nga metoda identike e prodhimit të pajisjes. Në Leipzig, rreth 600 gramë të eksplozivit plastik jashtëzakonisht shkatërrues Semtex, i cili përdoret edhe nga ushtria, u vendosën në një kanaçe metalike të bashkangjitur në aeroplan, saktësisht e njëjtë me kanaçet e sekuestruara në kufirin serb.

 

Si dështoi sulmi në Leipzig

Vetë sulmi në Leipzig ndodhi më 4 gusht dhe u shmang vetëm nga një kombinim rrethanash. Një dron që mbante eksplozivë fluturoi drejt aeroplanëve të parkuar ukrainas të mallrave Antonov dhe goditi krahun e njërit prej aeroplanëve, por pajisja shpërthyese nuk shpërtheu për shkak të një sigurese të dëmtuar. Aeroplani që goditi droni kishte rezervuarë karburanti plot dhe kishte transportuar ndihmë ushtarake dhe municione në Ukrainë vetëm një ditë më parë.

Aeroporti i Leipzig/Halle është një qendër kyçe logjistike për operacionet e NATO-s dhe dërgimin e armëve në Kiev. Hetuesit përcaktuan se droni i rrëzuar ishte modifikuar shumë: kishte një bateri shtesë për rreze më të gjatë veprimi, një kamerë, një router 5G dhe dy karta SIM, pa drita të jashtme dhe mund të kontrollohej nga një distancë e gjatë përmes një rrjeti celular. Një antenë e veçantë u gjet gjithashtu në një pemë aty pranë që shërbente si përforcues sinjali.

 

Gjurmët e ADN-së dhe zjarrvënia në Poloni

Një përparim në hetim u soll nga gjurmët e ADN-së të izoluara nga një dron, një antenë dhe një kanaçe që përmbante Semtex, të cilat u përputhën përmes bazave të të dhënave në Lituani dhe Finlandë. Hetuesit gjithashtu lidhin një nga të dyshuarit me një sabotim të mëparshëm në qytetin polak të Loxh, ku një zjarr u vu në një dyqan të madh materialesh ndërtimi Leroy Merlin në korrik 2024. Megjithëse fillimisht u mendua se insekticidet ishin ndezur, prokurorët polakë më vonë vërtetuan se ishte sabotim rus.

Sipas vlerësimeve të inteligjencës nga disa shërbime evropiane, të paktën katër rrjete sabotatorësh nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Moskës janë aktualisht aktivë në tokën e Bashkimit Evropian, dhe policia po kontrollon nëse avionë të tjerë morën pjesë në operacionin në Leipzig. Konkretisht, po atë natë, një aeroplan mallrash i DHL goditi një objekt fluturues të panjohur gjatë uljes.

Për shkak të gjithë çështjes, Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, njoftoi publikisht se strukturat shtetërore ruse ishin direkt pas sulmit. Si shenjë hakmarrjeje, Berlini urdhëroi mbylljen e konsullatës ruse në Bon dhe dëbimin e stafit të saj, si dhe ndërpreu kontratën me Shtëpinë Ruse në Berlin. Moska u hakmor duke pretenduar se ishte një gjyq i montuar dhe një provokim dhe mbylli Institutet Gjermane Goethe dhe konsullatën në Shën Petersburg.

Burimi: Index.gr/Spiegel

Continue Reading

Vendi

FSK me përfaqësim në akademitë prestigjioze ushtarake në SHBA

Published

on

By

Një kadet i Qendrës për Studime Universitare (QSU) ka nisur studimet semestrale me bursë në Universitetin Norwich në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shënuar kështu një moment historik për këtë institucion ushtarak.

Kjo është hera e parë që një student nga QSU fiton një mundësi të tillë akademikosh në SHBA. Përzgjedhja e kadetit vlerësohet si dëshmi e ngritjes së nivelit akademik e ushtarak të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe barazimit të standardeve të saj me akademitë më prestigjioze botërore.

Nga institucioni është bërë me dije se ky hap reflekton vizionin e udhëheqjes ushtarake për zhvillimin profesional të kuadrove të reja, duke përfaqësuar një investim afatgjatë në gjeneratën e ardhshme të oficerëve të FSK-së.

Continue Reading

Vendi

SHBA: Reorganizimi i trupave të KFOR-it do të jetë gradual dhe i koordinuar

Published

on

By

Aleanca e NATO-s ka nisur një proces gradual për optimizimin e pranisë së trupave të KFOR-it në Kosovë, proces ky që do të zhvillohet në bashkëpunim me të gjithë aktorët relevantë. Në një përgjigje për Telegrafin, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka bërë të ditur se prioritet kryesor i Uashingtonit mbetet stabiliteti rajonal në Ballkanin Perëndimor.

Sipas zëdhënësit të ambasadës amerikane, gjatë kësaj periudhe pritet vazhdimi i bashkëpunimit mes institucioneve të sigurisë në Kosovë, KFOR-it, EULEX-it dhe partnerëve ndërkombëtarë. SHBA-ja vlerësoi përkushtimin e misionit të NATO-s për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet.

Ky zhvillim vjen në kohën kur KFOR-i po zbaton riorganizimin e trupave në terren, përfshirë edhe praninë te ura e Ibrit në Mitrovicë. Lidhur me hapjen e mundshme të urës për qarkullim, misioni ushtarak ka ripersëritur se ky vendim u takon institucioneve të Kosovës dhe Bashkimit Evropian. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet një i dyshuar për krime lufte në Zubin Potok

Published

on

By

Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) kanë njoftuar se të enjten është arrestuar një person i dyshuar për krime lufte në Zubin Potok.

Arrestimi është kryer nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen lidhur me këtë rast dhe sipas urdhrit të PSRK-së.

Hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale ndaj të arrestuarit. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara