Kulturë

​Vdiq akademikja Edi Shukriu

Mbledhja komemorative do të mbahet në mjediset e ASHAK-ut në orën 11:00.

Published

on

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK) njoftoi se sot (17.01) ka ndërruar jetë akademike Edi Shukriu, një emër i njohur dhe i çmuar në fushën e arkeologjisë, të historisë, të letërsisë, të angazhimeve politike, institucionale dhe kulturore në Kosovë dhe në mbarë hapësirën shqiptare.

Edi Shukriu u lind në Prizren (1950). Shkollimin fillor e të mesëm i kreu në vendlindje, ndërsa studimet për arkeologji në Universitetin e Beogradit (1972). Magjistroi në Universitetin e Beogradit (1979) dhe doktoroi në Universitetin e Prishtinës (1990). Punoi në Muzeun e Kosovës (1974-1979) dhe nga viti 1979 në Universitetin e Prishtinës, duke ligjëruar kurse në nivelin bazik në Degën e Historisë për arkeologjinë dhe historinë e lashtë. Themeloi Grupin e Arkeologëve të Rinj “Shtjefën Gjeçovi” të Universitetit të Prishtinës (1986-1990), organizoi ekspedita arkeologjike, inicioi dhe themeloi Degën e Antropologjisë në Fakultetin Filozofik, me Drejtimet Antropologji Kulturore dhe Arkeologji, ku ligjëroi disa lëndë.

Veprimtarinë shkencore dhe profesionale e përqendroi në hulumtimet arkeologjike dhe të historisë antike, në mbrojtjen e integruar të trashëgimisë kulturore dhe prezantimit të trashëgimisë kulturore në vend dhe jashtë, të menaxhimit dhe të shfrytëzimit të saj për zhvillime shoqërore dhe ekonomike. Udhëhoqi hulumtimet arkeologjike në Vërmicë (1974-1975), Gjonaj (1975), tumat e Porodimes, tumën e Cernicës te Ulpiana (1987) dhe të Komoranit (1974), Kalanë e Veletinit (1986), Gradishën e Vlashnjës (2002) dhe në Ulpianën antike, si hulumtim i parë me bashkëpunim ndërkombëtar në kuadër të kurseve të Universitetit Veror të UP (2006-2010: Stratigraphic Method, Numizmatics: Source & Heritage, Epigraphy speaks, Funeral Archaeology, Archaeology and urbanism). Ishte pjesë e ekipit të hulumtimeve në Kalanë e Prizrenit, Glladnicë te Graçanica, Bajë të Pejës, Romajë dhe Gadime të Epërme. Evidentoi vendbanimet e fortifikuara në Strezovc, Marec, Gushicë, Vuçak, Godanc, Korishë, Batushë, Harilaç etj. Ishte një prej themeluesëve të Muzeut Arkeologjik në Prizren (1973). Organizoi udhëtimin studimor të Studentëve të historisë në Greqi (1988).

Gjatë viteve ‘90 u angazhua në lëvizjen për liri, krijimin e shtetit të Kosovës dhe zhvillimin e proceseve demokratike dhe njëkohësisht edhe për pjesëmarrjen e gruas në nivelet e vendimmarrjes, në jetën publike dhe për jetësimin e barazisë gjinore. Veproi në Ministrinë e Punëve të Jashtme (1991-1998) dhe ishte deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës (1992-1998), ishte bashkëdrejtuese e Departamentit të Kulturës-UNMIK (2000-2001) dhe ishte deputete e Kuvendit të Kosovës (2002-2004).

Bashkëthemeloi Forumin e Gruas të LDK-së (1990) dhe ishte kryetare e tij (1995-2000), më pas bashkëthemeloi partinë Alternativa Demokratike e Kosovës (2004-2013). Ishte Kryetare e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore (2009-2012), anëtare dhe më pas Nënkryetare e PEN Qendrës së Kosovës. Bëri vizita studimore dhe ligjëroi në shumë universitete te në Itali, Amerikë, Austri, Francë, Britani, Belgjikë, Shqipëri, Turqi, Kroaci, Poloni, Spanjë etj.

Edi Shukriu ka një bibliografi të pasur botimesh monografike dhe studimesh nga fusha e arkeologjisë dhe historisë, pastaj vepra letrare, poezi, prozë dhe drama.

Në vitin 2012 u zgjodh anëtare korrespondente e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe në vitin 2020 anëtare e rregullt e saj. Nga viti 2014 është anëtare e Akademisë Europiane të Shkencave dhe të Arteve në Salzburg. Për vepër jetësore në fushën e trashëgimisë kulturore u dekorua me çmimin Dea Dardanicae të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (2017), Çmimin letrar Beqir Musliu (2019), Çmimin e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për librin poetik Nënqielli (1990), Çmimin për librin shkencor të vitit Dardania Paraurbane nga Dukagjini (1996).

Varrimi i të ndjerës do të bëhet më 18 janar 2023, ora 15:00, në varrezat katolike të qytetit të Prizrenit.

Mbledhja komemorative do të mbahet në mjediset e ASHAK-ut në orën 11:00. Homazhet do të bëhen nga ora 12:00-13:00.

Kulturë

45 vjet nga demonstratat e vitit 1981, përkujtohet roli i tyre në rrugën drejt lirisë së Kosovës

Published

on

Mbrëmë u mbajt Akademia Përkujtimore me rastin e 45-vjetorit të demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, ku u theksua rëndësia historike dhe politike e këtyre ngjarjeve në rrugëtimin e vendit drejt lirisë dhe shtetësisë.

Në këtë aktivitet përkujtimor u vlerësua se demonstratat e vitit 1981 përbëjnë një ndër momentet kyçe në historinë moderne të Kosovës, duke shënuar fillimin e një lëvizjeje të organizuar për të drejta politike dhe kombëtare.

Akademia mblodhi përfaqësues institucionalë, pjesëmarrës të asaj kohe dhe studiues, të cilët rikujtuan zhvillimet që çuan në organizimin e protestave. U theksua se demonstratat, të cilat nisën si protesta studentore në Universitetin e Prishtinës, u shndërruan shpejt në një lëvizje të gjerë qytetare me kërkesa të qarta politike.

Në këtë ngjarje morën pjesë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, si dhe ish-kryeministri Bajram Kosumi.

Të pranishëm ishin gjithashtu përfaqësues të shoqatave të të burgosurve politikë dhe personalitete të tjera publike, të cilët theksuan rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe të trashëgimisë së rezistencës për brezat e ardhshëm.

Continue Reading

Kulturë

Shqiptarët “pushtojnë” NBA-n, valle dhe muzikë tradicionale në parketin e Chicago Bulls

Published

on

By

Një moment i veçantë dhe plot krenari për komunitetin shqiptar është shënuar në një nga arenat më të mëdha të basketbollit në botë, gjatë një ndeshjeje të NBA.

Para përballjes mes Chicago Bulls dhe Phoenix SunsUnited Center, ansambli i komunitetit shqiptar në Illinois dhuroi një performancë mbresëlënëse me këngë dhe valle tradicionale.

Tingujt e muzikës shqiptare pushtuan sallën, ndërsa valltarët të veshur me kostume kombëtare sollën energji dhe emocion në parket. Publiku amerikan mbeti i mahnitur nga ritmi dhe gjallëria e valleve, duke e kthyer këtë moment në një spektakël të rrallë në skenën e NBA-së.

Kjo natë e dedikuar komunitetit shqiptar dëshmoi edhe një herë se kultura shqiptare nuk njeh kufij  nga Shqipëria dhe Kosova deri në zemër të Chicago.

Momenti i veçantë tashmë po bën xhiron e rrjeteve sociale, duke treguar para botës bukurinë dhe pasurinë e traditave shqiptare.

Continue Reading

Kulturë

Premiera globale e filmit të ri të Malick më 26 maj

Published

on

Regjisori amerikan Terrence Malick pritet të rikthehet në skenën ndërkombëtare me filmin e tij të ri “The Way of the Wind”, i cili do të ketë premierë globale në Netflix më 26 maj.

Projekti, i cili ka qenë në montazh për rreth shtatë vite, konsiderohet ndër më ambiciozët dhe më personalët në karrierën e tij. Filmi sjell një portret shpirtëror të jetës së Jezusit, ndërsa ka qëndruar për një kohë të gjatë larg vëmendjes së publikut, duke rritur pritshmëritë për rikthimin e regjisorit.

Në reflektimet e tij, Malick thekson se arti nuk njeh kufij dhe se një imazh arrin te publiku pavarësisht vendndodhjes. Ai pranon rëndësinë e kinemave si hapësira të veçanta, por nënvizon edhe përvojën intime që ofron ekrani personal.

Vendimi për publikimin e filmit drejtpërdrejt në Netflix ka befasuar industrinë, duke shënuar një hap ndryshe për një autor të lidhur tradicionalisht me kinemanë.

“The Way of the Wind” pritet të jetë një tjetër kapitull i rëndësishëm në krijimtarinë e Malick, duke vijuar eksplorimin e temave shpirtërore dhe estetike që e karakterizojnë stilin e tij.

Continue Reading

Kulturë

Italia blen kryeveprën e Rilindjes për 12.6 milionë euro

Published

on

Italia ka ndërmarrë një tjetër hap të rëndësishëm në mbrojtjen e trashëgimisë së saj kulturore, duke blerë një vepër të çmuar të periudhës së Rilindjes për 12.6 milionë euro.

Bëhet fjalë për pikturën fetare “Ecce Uomo” të artistit Antonello da Messina, e cila ishte nxjerrë në ankand në New York. Vepra paraqet Jezusin me kurorë gjembash dhe një litar në qafë, në momentin kur Pontius Pilate ia dorëzon turmës për kryqëzim.

Piktura vlerësohet jo vetëm për rëndësinë e saj artistike, por edhe për historinë e veçantë që mbart. Ajo është përdorur për lutje private për vite me radhë dhe është ruajtur në një çantë lëkure, çka ka shkaktuar dëmtime në anën tjetër të panelit, ku paraqitet figura e Shën Jeronimit.

Kjo blerje vjen pak kohë pasi Italia investoi rreth 30 milionë euro për një portret të rrallë nga Caravaggio, një nga shpenzimet më të mëdha shtetërore për një vepër arti.

Ministri i Kulturës, Alessandro Giuli, ka theksuar se ky është vetëm fillimi i një strategjie më të gjerë për të rikthyer në Itali vepra me rëndësi të veçantë dhe për t’i bërë ato të aksesueshme për publikun.

“Ecce Uomo” pritet të ekspozohet fillimisht në Muzeun Kombëtar të Abruzzos, përpara se të prezantohet edhe në institucione të tjera kulturore në të gjithë vendin.

Continue Reading

Të kërkuara