Skuadra kampione e Kosovës, Prishtina 01 ka shënuar një fitore të madhe të enjten mbrëma ndaj kampionit të Kroacisë, Novo Vrijeme, duke siguruar vendin e tretë në Grupin 4 dhe kualifikimin në mesin e 16 skuadrave më të mira të Ligës së Kampionëve të futsallit në “Elite Round”.
Pas humbjes së rëndë 19:1 ndaj Sportingu portugez, dy herë fitues i Ligës së Kampionëve, Prishtina 01 reagoi me një paraqitje fantastike dhe triumfoi 7:6 ndaj skuadrës kroate, nikoqire e ndeshjeve të këtij grupi.
Ndeshja e zhvilluar në Makarska u vendos në sekondat e fundit, kur Ramadan Alaj realizoi golin e fitores vetëm një minutë para fundit të takimit. Alaj, një nga lojtarët më të mirë të futsallit në Kosovë, shënoi golin vendimtar për suksesin e kryeqytetasve.
Halim Selmanaj kontribuoi me tre gola, ndërsa Arif Limani, Jeton Rukovci dhe Fitim Krasniqi shënuan nga një gol secili.
Kryeqytetasit do të përballen me Kairat Almaty të Kazakistanit më 1 nëntor, ndërsa Novo Vrijeme do të ndeshet me Sportingun, por pa gjasa për të kaluar tutje. Tri skuadrat e para të çdo grupi avancojnë në “Elite Round”.
Pas dy ndeshjeve të para, Sporting ka siguruar vendin e parë dhe avancimin si lider me gjashtë pikë, ndërsa Kairat Almaty dhe Prishtina 01 janë në luftë për vendin e dytë, secila me nga tre pikë. Novo Vrijeme mbetet në vendin e fundit pa pikë dhe pa mundësi për t’u kualifikuar.
Shorti për fazën e nokaut do të tërhiqet më 6 nëntor, ndërsa finalja e këtij edicioni të Ligës së Kampionëve të futsallit do të zhvillohet në Pesaro, Itali./S.K/KP/