Lajmet

​Vazhdohen edhe për 30 ditë masat emergjente për furnizim me energji elektrike

Kjo u bë me propozim të Ministrisë së Ekonomisë.

Published

on

Qeveria e Kosovës ka vazhduar afatin për masat emergjente në furnizimin e energjisë edhe për 30 ditët e ardhshme. Kjo u bë me propozim të Ministrisë së Ekonomisë me arsyetimin se gjendja e furnizimit me energji vazhdon të jetë e rëndë dhe se masat e Qeverisë kanë ndikuar pozitivisht në menaxhimin e situatës së krijuar. Në mbledhjen e Qeverisë gjithashtu është votuar edhe plotësimi i Pakos së Ringjalljes Ekonomike edhe me një masë shtesë në të cilën do të përfshihen rezervat shtetërore.

Qeveria e Kosovës ka vendosur t’i dërgojë Kuvendit të Kosovës propozimin me emrat e kandidatëve për anëtarë të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

Avni Sahiti e Fidane Spahija-Gjikolli janë emrat që u bënë të ditur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se të dy kandidatët kanë përgatitje akademike.

“Reformimi i prokurimit publik është ndër pikat më të rëndësishme në luftimin e korrupsionit dhe parandalimin e keqpërdorimit të parasë publike, të kthimit të besimit në institucione si dhe rritjes së perspektives socio-ekonomike dhe të mirëqenies qytetare”, ka thënë Kurti.

E me propozim të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve është votuar për plotësimin e Pakos së Ringjalljes Ekonomike me një masë shtesë, atë 3.8. Kjo është pasuar me miratimin e vendimit për ndarjen e mjeteve buxhetore në vlerë prej 10 milionë euro për masën 3.8.

“Në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë tashmë është programi për rezervat shtetërore mirëpo marrë parasysh ndryshimet e situatës dhe gjendjen në tregjet globale, sa i përket çmimeve të luhatjes së tyre, e kemi parë të nevojshëm që në kuadër të pakos së ringjalljes ekonomike të shtojmë edhe një masë, pra masën 3.8 që ka të bëjë me rritjen e rezervave shtetërore e për këtë pastaj do të kemi edhe pikën në të ndryshme për ndarjen e mjeteve, pra në shumë prej 10 milionë euro shtesë”, ka thënë Murati.

Ndërsa zëvendësministri i Ekonomisë, Mentor Arifaj ka thënë se masat e marra nga Qeveria e Kosovës në dhjetor të vitit të kaluar kanë ndikuar pozitivisht në sigurinë e furnizimit me energji elektrike dhe ka kërkuar që ato të vazhdohen edhe për 30 ditët në vazhdim.

“Arsyeshmëria është për shkak se masat e ndërmarra nga qeveria me vendimin 01/51 të datës 24 dhjetor 2021 dhe miratimin e tij nga Kuvendi i Republikës së Kosovës me datë 29 dhjetor 2021 patën ndikuar pozitivisht në ruajtjen e sigurisë së furnizimit me energji elektrike në rrethana të një krizë energjetike që patëm… Situata gjithashtu e krijuar rreth Ukrainës e shton edhe më tej paparashikueshmërinë e çmimeve të energjisë në tregun evropian të energjisë dhe kjo mund të reflektojë edhe në Kosovë, andaj konsiderojmë se është e nevojshme që të vazhdohet me masat emergjente të furnizimit me energji për një afat shtesë edhe prej 30 ditë”, ka thënë ai.

Lajmet

ATK tregon afatin për ankesat e refuzuara për subvencionin prej 100 eurosh

Published

on

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar se qytetarët të cilëve u është refuzuar aplikimi për mbështetjen prej 100 eurosh nga Pakoja për Përballje me Inflacionin 2.0 kanë të drejtë ankese.

Sipas njoftimit, ankesa mund t’i drejtohet Komisionit të Ankesave në Ministrinë e Financave brenda 30 ditëve nga data e pranimit të vendimit për refuzim.

ATK ka bërë të ditur se formulari për parashtrimin e ankesës mund të plotësohet përmes platformës së dedikuar për ankesa.

Institucioni u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë afatin ligjor për ushtrimin e së drejtës së ankesës në rast se konsiderojnë se aplikimi i tyre është refuzuar padrejtësisht.

Në këtë LINK mund të paraqisni ankesën.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet në Gjakovë i dyshuari për shtatë raste të vjedhjeve

Published

on

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për përfshirje në shtatë raste të veprave penale kundër pasurisë në komunën e Gjakovës.

Sipas policisë, i dyshuari me inicialet B.K. dyshohet se është i përfshirë në pesë raste të veprës penale “Vjedhje e rëndë” dhe dy raste të veprës penale “Vjedhje”.

Hetimet kanë siguruar prova që e lidhin të dyshuarin me rastet e raportuara, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me thyerje dhe hyrje me forcë në lokale afariste në lokacione të ndryshme të qytetit të Gjakovës. Objekt i vjedhjeve kanë qenë kryesisht paratë e gatshme.

Pas arrestimit, i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, sipas policisë, ka pranuar përgjegjësinë për disa nga veprat penale për të cilat dyshohet.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ai është ndaluar për 48 orë.

Policia e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë angazhimin në parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit, si dhe në zbardhjen e rasteve penale me qëllim garantimin e sigurisë publike.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

17 shtete mirëpresin marrëveshjen SHBA-Iran, bëjnë thirrje për zbatim të shpejtë

Published

on

Një grup prej 17 shtetesh ka mirëpritur memorandumin e mirëkuptimit të shpallur ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, duke e cilësuar atë si një mundësi për rikthimin e stabilitetit rajonal dhe mbështetjen e ekonomisë globale.

Në një deklaratë të përbashkët, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Italia, së bashku me 13 shtete të tjera, përgëzuan SHBA-në, Iranin dhe ndërmjetësuesit, përfshirë Pakistanin dhe Katarin, për arritjen e këtij përparimi diplomatik.

Udhëheqësit theksuan se negociatat duhet të përfundojnë sa më shpejt dhe marrëveshja të zbatohet në mënyrë gjithëpërfshirëse, duke shprehur gatishmërinë për të mbështetur procesin.

Në deklaratë u bë thirrje edhe për rihapjen urgjente të Ngushticës së Hormuzit dhe rikthimin e lirisë së plotë të lundrimit, duke e konsideruar këtë një hap të rëndësishëm për stabilitetin ekonomik dhe tregtar.

Shtetet nënshkruese ritheksuan se Irani nuk duhet të zotërojë armë bërthamore dhe shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar me SHBA-në, Iranin dhe Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) për garantimin e këtij objektivi.

Po ashtu, ato deklaruan se janë të gatshme të shqyrtojnë heqjen e sanksioneve përkatëse nëse Irani ndërmerr hapa të qartë dhe të verifikueshëm lidhur me programin e tij bërthamor.

Nënshkruesit u zotuan të punojnë ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe rajonalë për të ruajtur vrullin diplomatik dhe për të arritur një zgjidhje afatgjatë të konfliktit.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Këmbësori goditet nga vetura pranë shkollës “Ismail Qemali” në Prishtinë

Published

on

Një person ka pësuar lëndime trupore pasi është goditur nga një veturë të martën paradite në Prishtinë.

Sipas Policisë, aksidenti ka ndodhur rreth orës 11:30 në rrugën “Enver Maloku”, pranë shkollës “Ismail Qemali”.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, ka bërë të ditur se në aksident janë përfshirë një veturë dhe një këmbësor.

“Rreth orës 11:30 kemi pranuar informatën për një aksident trafiku me lëndime në rrugën Enver Maloku në Prishtinë. Në aksident janë përfshirë një veturë dhe një këmbësor. Sipas informatave fillestare, lëndime ka pësuar një person, i cili ka pranuar tretman mjekësor”, ka deklaruar Pllana.

Policia ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e aksidentit.

/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara