Lajmet

​U dëgjuan 15 dëshmitarë, gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve rikthehet pas tri javësh

Ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-ës nuk kanë parashtruar pyetje për këtë dëshmitar.

Published

on

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, e ka përfunduar dëshminë e tij dëshmitari i pesëmbëdhjetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve. Ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë vendosur të mos parashtrojnë kundërpyetje për këtë dëshmitar.

Avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe në fillim të seancës deklaroi se deri te ky vendim erdhi si rezultat i situatës së djeshme.

Në seancën e së mërkurës dëshmitari në fjalë shpesh herë nuk i ka kuptuar pyetjet që i ka parashtruar ZPS rreth disa dokumenteve.

Madje, ai ka thënë se ka probleme pasi sipas tij vuan edhe nga diabeti.

“Sa i takon kundër-pyetjeve të këtij dëshmitari ne u konsultuam me njëri tjetrin dhe bashkë me kolegët në këtë pikë asnjë nga ekipet e mbrojtjes nuk do të bëjë pyetje këtij dëshmitari. Më duhet tu them që ky vendim u morë si rezultat e situatës së djeshme pasi pamë dëshmitarit. Nëse është nevoja mund t’i bëjmë kundër-pyetjet por bashkërisht morëm vendim që askush nuk do t’i bëjë pyetje këtij dëshmitari”, ka deklaruar ai.

Por, për dallim nga mbrojtja, trupi gjykues ka pasur disa pyetje për dëshmitarin i cili pretendon se vëllai i tij ishte ndaluar nga anëtarë të UÇK-së në vitin 1998, në Drenoc.

Gjykatësi Metro e ka pyetur dëshmitarin nëse i kanë raportuar diku ato që pretendojnë se u kanë ndodhur.

Metro: Pasi ndodhën këto ngjarjet kur iu morën vëllain edhe çdo gjë tjetër gjatë asaj periudhe, ti a u përpoqe t’i tregoje ndokujt apo të raportoje ndokujt këtë që i ndodhi të afërmit tuaj?

Dëshmitari: Po.

Metro: A mund të na tregosh kujt ia tregova këto ngjarje?

Përgjigjet e dëshmitarit lidhur me këtë janë transmetuar me përmbajtje të redaktuar për publikun.

Me përfundimin e kësaj dëshmie, Gjykata Speciale i ka përfunduar seancat për këtë sezon ndërsa procesi gjyqësor do të vazhdojë nga data 14 gusht.

E ish-krerët e UÇK-së seancën e sotme gjyqësore e kanë ndjekur nga qendra e paraburgimit, përmes video-lidhjes.

Deri më tani në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve kanë dëshmuar pesëmbëdhjetë dëshmitarë të ZPS-së, pothuajse të gjithë të mbrojtur, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.

Dëshmia publike dhe pa masa mbrojtëse ka ardhur vetëm nga ish-komandanti i Zonës operative të Llapit, Rrustem Mustafa si dhe një oficer i ushtrisë britanike i cili ka shërbyer gjatë luftës në Kosovë, në kuadër të misionit të OSBE-së.

Gjykimi kundër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse, ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

lajme

Kosova në kutitë e votimit… sërish

Published

on

By

Që nga ora 07:00 e mëngjesit, janë hapur vendvotimet në të gjitha komunat e Kosovës, duke shënuar fillimin e procesit zgjedhor.

Të drejtë vote kanë 2.092.174 qytetarë, të cilët do të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike gjatë ditës së sotme. Sipas njoftimeve zyrtare, të gjitha përgatitjet e nevojshme janë përfunduar me kohë për të siguruar një proces të rregullt dhe të qetë votimi.

Përveç qendrave të rregullta të votimit, në secilën komunë është organizuar edhe nga një qendër për votim me kusht, për t’u mundësuar votimin qytetarëve që plotësojnë kriteret për këtë formë votimi.

Procesi zgjedhor po zhvillohet në 949 qendra votimi me gjithsej 2550 vendvotime në mbarë vendin. Institucionet përgjegjëse u kanë bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në votim dhe të kontribuojnë në një proces demokratik dhe të rregullt.

Foto: Kosovapress

Continue Reading

Aktualitet

Rektori Hajrizi zhvillon takime strategjike në Global UBT London dhe nënshkruan marrëveshje me partnerë nga India

Published

on

By

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, në kuadër të vizitës së tij në Mbretërinë e Bashkuar, zhvilloi një vizitë pune edhe në Londër, në ambientet e Global UBT London, një qendër e rëndësishme e ekosistemit ndërkombëtar të UBT-së, e krijuar për të fuqizuar bashkëpunimin global në arsim, teknologji dhe inovacion.

Gjatë qëndrimit në Londër, Prof. Dr. Edmond Hajrizi zhvilloi takime me përfaqësues të kompanive dhe institucioneve nga vende të ndryshme të botës, me fokus zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit ndërkombëtar, krijimin e partneriteteve të reja strategjike, si dhe promovimin dhe shtrirjen globale të shërbimeve dhe produkteve inovative të Global UBT.

Në kuadër të këtyre takimeve, u nënshkrua edhe një marrëveshje e rëndësishme bashkëpunimi me partnerë nga India, e cila synon zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fushën e digjitalizimit dhe aplikimit të inteligjencës artificiale për rritjen e produktivitetit shkencor, akademik dhe inovativ.

Marrëveshja parasheh gjithashtu bashkëpunim për promovimin dhe shpërndarjen e platformave digjitale të UBT-së në vendet e Azisë, duke krijuar mundësi të reja për shkëmbimin e njohurive, zhvillimin teknologjik dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në sektorin e arsimit dhe kërkimit shkencor.

Sipas Prof. Dr. Edmond Hajrizit, zgjerimi i pranisë së UBT-së në qendrat kryesore ndërkombëtare dhe krijimi i partneriteteve me institucione dhe kompani lidere globale përbëjnë elemente kyçe të strategjisë së internacionalizimit të UBT-së dhe të zhvillimit të ekosistemit të saj inovativ.

Kjo vizitë në Global UBT London përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të rolit të UBT-së në skenën globale të arsimit, teknologjisë, inovacionit dhe transformimit digjital.

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 6 qershor 1993-1998?

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 

Foto: Senatori Robert Dol

 

6 qershor 1994

Në Kanë u protestua kundër apartheidit në Kosovë

“Mjaft me apartheid në Kosovë”, “Fashizmi po lind në zemër të Evropës”, “Zagreb, Sarajevë e Beograd përkrahni demokratët”, dhe “Radovan Karaxhiqi para gjyqit”, ishin parullat kryesore të protestës, të shtunën e kaluar në Kanë, së cilës i prinin 50-të shkencëtarë e veprimtarë francezë.

Siç njoftoi RFI, protesta kishte për qëllim t’u tërhiqte vërejten pjesëmarrësve të manifestimit përkujtues të 50-të vjetorit të zbarkimit të forcave aleate në Normandi për një lindje të dytë të fashizmit në zemër të Evropës dhe për krimet mosntruoze në rajonin e ish-Jugosllavisë.

Tubimin e organizoi Lëvizja franceze për Paqe.

 

6 qershor 1995

Senatori Dol: Sanksionet derisa nuk rijetësohen të drejtat njerëzore e qytetare të popullatës shqiptare në Kosovë

Senatori Robert Dol, lider i republikanëve në Senatin Amerikan dhe kandidat presidencial në një intervistë që i dha të përjavshmes “Koha” në Prishtinë u përgjigj në disa pyetje lidhur me politikën aktuale amerikane ndaj problemeve në rajonin e Ballkanit, duke përfshirë edhe çështjen e Kosovës.

Senatori Dol tha se gjëja që mungon sa herë që flitet për ish-Jugosllavinë nuk janë idetë, por udhëheqja e Shteteve të Bashkuara.

Shihet qart pafatësia e Evropës për të kontrolluar situatën e tillë. Shtetet e Bashkuara do të duhej të prinin në hulumtimet për gjetjen e zgjidhjes së drejtë për ish-Jugoslalvinë, jo vetëm në Kroaci apo Bosnjë, por edhe në Kosovë. Është pozicioni i Amerikës, ai i liderit botëror që parashtron këtë, tha Senatori Dol.

Në pyetjen se çfarë do të duhej të ishte politika e SHBA-ve ndaj Kosovës, Senatori Dol u përgjigj:

“Me të vizituar Kosovën dhe me të parë me sytë e mi shtypjen e shqiptarëve atje, besoj se Shtetet e Bashkuara duhet ta idetifikojnë përgjegjës regjimin e Millsoheviqit pë shkeljen flagrante të të drejtave njerëzore dhe qytetare atje. Kjo do të thotë se sanksionet ndaj Serbisë nuk do të duhej hequr përderisa nuk rijetësohen të gjitha të drejtat njerëzore dhe qytetare të popullatës shumicë shqiptare në Kosovë – që përfshinë rijetësimin e autonomisë politike, të cilën e kishte Kosova para aplikimit të gjendjes së jashtëzaknshme më 1989. Për më tepër, Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë politikën e Administratës së Bushit dhe Klintonit, atë të tërheqjes së ‘vijës në zall’ në Kosovë”.

Duke u përgjigjur në një pyetje lidhur me inciativat eventuale kongresionale lidhur me ish-Jugosllavinë, Senatori Dol tha:

“Lidhur me instistimin për heqjen e embargos në armatim në Bosnjë-Hercegovinë ekzistojnë kushtëzime dhe amandamente ndaj autorizimeve të State Departmentit dhe ndaj atyre të sektorit të Ndihmës së Huaj, të cilët insistojnë në: (1) zvogëlimin e angazhimit financiar të SHBA-ve në operacionet e OKB-së në Bosnjë, (2) kërkimin e prezencës zyrtare të qeverisë së SHBA-ve në Prishtinë dhe (3) përpilimin e kushtëzimeve rreth heqjes së sanksioneve ndaj Serbisë, duke përfshirë këtu rijetësimin e autonomisë dhe të të drejtave njerëzore të popullit të Kosovës”.

Në fund të intervistës, Senatori Dol shfaqi besimin se Shtetet e Bashkuara kanë për interes stabilitetin e Ballkanit, i cili në masë të madhe ndikon në stabilitetin dhe sgiurinë e Evropës si tërësi.

“Për më tepër, besoj se Shtetet e Bashkuara kanë për interes promovimin dhe përkrahjen e demokracisë dhe të të drejtave të njeriut”, theksoi ai.

 

6 qershor 1997

“Evropa e lirë”: Proceset e reja kanë homogjenizuar shqiptarët

Në një vështrim të emetuar në Radio “Evropa e lirë” rreth proceseve politike serbe kundër shqiptarëve të Kosovës, theksohej se opinioni i gjerë kosovar, si rallë herë më parë, i ka përkrahur dhe është solidarizuar me të akuzuarit dhe me të dënuarit shqiptarë. Ky solidaritet me të akuzuarit shqiptarë, tek partitë të cilat kërkojnë një përgjigje më të hapët të shqiptarëve ndaj regjimit serb, ka kaluar pothuaj tërësisht në identifikim me platformën politike të shqiptarëve të dënuar. Kështu Partia Parlamentare e Adem Demaçit, ka vlerësuar me rastin e këtij gjykimi, se “qëndrimi i të akuzuarve në seancën kryesore gjyqësore ishte heroik dhe duhet të shërbejë si shembull për të gjithë shqiptarët”.

Duke kërkuar nga faktorët politikë shqiptar që të pushojnë së binduri opinionin se shqiptarët e nxjerrur para gjyqit nuk kanë bërë asgjë dhe gjykimi është i montuar, Unioni i Pavarur i Studentëve të Universitetit të Prishtinës konstaton se shqiptarët e nxjerrë para gjyqit të regjimit serb, siç thuhet, janë marrë me “punë të vërtetë çlirimtare”.

Në vazhdim citohet qëndrimi i partisë më me ndikim të shqiptarëve -Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila gjykimet më të reja aktuale në Kosovë i vlerëson si farsë me të cilat regjimi serb mundohet t’i fshehë dështime e shumta në Kosovë dhe jashtë saj. Me serialin e gjukimeve më të reja, regjimi aktual serb ka për qëllim që t’i bind zgjedhësit serbë se para zgjedhjeve të tyre ky regjim demonstron një kurs të ashpër kundër shqiptarëve dhe se Kosova mund të mbahet edhe më tej nën kontrollin serb.

Në fund të këtij vështrimi, korrespondenti i këtij radiostacioni nga Kosova konstaton se megjithë qëllimin serb që të ndriçohen sulmet terroriste në Kosovë, qëllimi i serisë së re të proceseve politike në Kosovë është tërheqja e shqiptarëve nga projekti i tyre për pavarësinë e Kosovës. Por, regjimi serb, pa dyshim, me këtë akt ka arritur efekt të kundërt, i cili edhe më shumë i ka ngjeshur radhët dhe i ka homogjenizuar shqiptarët. Me këtë qëndrim Beogradi ka mbetur në gjysmë të rrugës dhe ka përjetuar edhe një humbje, duke menduar se me dënime represive politike mund t’i disiplinojë shqiptarët që të inkuadrohen në Serbi, thuhej në fund të raportit të korrespondentit të radios “Evropa e Lirë” nga Prishtina, Ismet Hajdari.

Po këtë ditë në stacionin e policisë në Gjilan u mor në pyetje Sherif Fejzullahu, kryetar i SP të Energjetikës. Ai u mbajt rreth dy orë në polici dhe nga inspektori serb u pyet për aktivitetin e tij në sindikatën ku vepron, rreth Kuvendit të BSPK-së, rreth pozicionit të kryetarit Rugova dhe kryetarit të PPK-së, Adem Demaçi, lidhur me çështjen e Kosovës etj.

Njoftohet se në pyetje është marrë edhe Qamil Salihu, mësimdhënës në shkollën fillore “Esad Berisha” në Llashticë. Ai në polici u mbajt rreth tri orë dhe u pyet për aktivitetin e tij politik nga viti 1990 e këtej, për partitë politike shqiptare në komunën e Gjilanit, si dhe për disa çështje të tjera.

Njoftohet se z. Qamil Salihu në pyetje është marrë për herë të pestë.

 

6 qershor 1998

Vazhdojnë sulmet serbe, në Gramaçel u vra fëmija 3-vjeçar, në Baballoq u vra një i ri

Gjatë sulmeve serbe të djeshme kundër fshatit Gramaçel të Deçanit është vrarë fëmija 3-vjeçar, Leutrim Esat Aga. Këtë njoftim e dhanë sot aktivistët e LDK-së të Degës në Gjakovë.

Në fshatin Baballoq është gjetur i vrarë një i ri, identiteti i të cilit nuk dihet.

Këtë lajm e konfirmon edhe KMDLNJ, duke saktësuar se forcat serbe të stacionuara te Suka e Biteshit kanë granatuar

pandërprerë me armë të rënda artilerike fshatrat Shaptej, Gramaçel e Baballoq. Nga këto granatime në shtëpi të tij, në djep, u vra fëmija 3 vjeçar, Leutrim Esat Aga dhe u plagosën edhe tre persona të tjerë.

Nga granatimet e sotme dhjetëra shtëpi gjenden në tym e flakë.

 

Mbi fshatrat e Deçanit hedhin granata edhe aeroplanët luftarakë

Ushtria dhe policia serbe vazhdojnë të granatojnë edhe sot disa fshatra të komunës së Deçanit.

Fatmir Berisha, arsimtar nga Strellci, i deklaroi QIK-ut se ushtria serbe po sulmon me artileri fshatrat Gramaçel, Glloxhan, Isniq, Prejlep. Supozohet se në këto fshatra janë tubuar më se 30 mijë banorë që kanë ardhur nga fshatrat e tjera të kësaj komune dhe të komunës së Pejës.

Po ky burim njofton se në këtë zonë të sulmeve serbe, ku po përdoren edhe aeroplanët luftarakë, janë përfshirë edhe fshatrat Prapaçan, Dubovik, Lumbardh, Pozhar, Llukë e Poshtme etj.

Fatmir Berisha përcjell apelin e banorëve të këtyre fshatrave që t’u sigurohet një korridor për kalimin në Gjakovë ose në Shqipëri, me qëllim që të shpëtojnë nga masakrat serbe.

 

Dy trupa të pajetë në morgun e spitalit të Gjakovës

Sot në mesditë në morgun e spitalit të Gjakovës u sollën trupat e pajetë të dy shqiptarëve të vrarë.

Njoftohet se ata janë sjellë nga Prejlepi i Deçanit, por identiteti i tyre tash për tash nuk dihet.

 

Lista e 45 të vrarëve në Deçan e rrethinë gjatë ditëve të fundit

Osman Cacaj, kryetar i Komisionit për Informim të LDK-së në Deçan i tha sot QIK-ut se dihet identiteti i 45 të vrarëve shqiptarë gjatë sulmeve të fundit të forcave serbe në Deçan e rrethinë. Ai tha se numri i të vrarëve është më i madh se ky që dihet deri më tash.

  1. Cacaj tha se gjatë ditëve të fundit janë vrarë në shtëpitë, oborret, arat e fshatrat e veta ose duke mbrojtur vendin e vet këta persona:

Në Deçan janë vrarë Haxhi Metë Cacaj, Nexhat S. Iberhysaj, Shaban Osaj (72) – Xajë C. Kuçi, Shyrhere Jeftaj, nënë e tre fëmijëve;

Në Lloçan janë vrarë – Tafil e Shaban Kasumaj;

Në Carrabreg të Epërm janë vrarë: Asllan Bazhdaraj, Shaqir Dobra, Ajmane Balaj, nënë e katër fëmijëve, Besart Dautaj, Hate Balaj, Teuta R. Loshaj, Abdyl Gjonaj (Loshaj), Gala e Ukë Belit (është djegur) dhe Hamdi Jakup Dautaj;

Në Carrabreg të Ulët janë vrarë Adem E. Ukëhaxhaj, Besim Ukëhaxhaj, Lavdërim R. Nitaj e Bajram Ramosaj (70);

Në Strellc të Epërm janë vrarë: Ismet E. Ukaj, Brahim Demaliaj, kryetar i Aktivit të LDK-së në fshat – Arif B. Mahmutdemaj, Rexhep Pavataj (90);

Në Vranoc Beqir (Rrustem) Krasniqi, hoxhë, Imer (Elez) Ukaj (55), Halit Z. Krasniqi dhe Fazë (Zenun) Krasniqi (35), nënë e katër fëmijëve;

Në Lubeniq u vranë Zeqë Hamza (68), Brahim Hamza (64), Dërvish Hamza (51), Ymer Hamza (53), Gani Hamza (25), Rifat Hamza (24), Bashkim Hamza (23), Hysen D. Alimehaj (40) nga Lybeniqi, Haxhi Mehmet Gogaj (Cacaj) (22) nga Deçani, Hajdar Ukshinaj dhe Mehmet Ukshinaj;

Në Pobërgjë janë vrarë: Gruaja e Niman J. Tolajt 1968), Zize H. Tolaj (75), Osman R. Tolaj (79), në shtëpinë e Ilmi M. Tolajt kanë mbetur të vdekur një plak e një plakë nga Batusha, që jetonin aty.

Dyshohet se në bodrumet e dy shtëpive të këtij fshati ka edhe disa të vrarë të tjerë. Mirëpo nuk dihet gjë as për numrin e as për identitetin e tyre. Në këtë fshat forcat serbe kanë bërë masakër të vërtetë;

Në Irzniq është vrarë Blerim Dervishaj;

Mbrëmë në Prejlep është vrarë Haxhi Fetah Mazrekaj (75);

 

Në morgun e spitalit në Pejë gjendet trupi i pajetë i një personi të paidentifikuar

Në komunën e Pejës edhe më tutje mbretëron gjendje shumë e rëndë. Në qytet dhe në fshatrat që nuka janë përfshirë nga zjarri i luftës arrijnë pa ndërprerje njerëz nga fshatrat e rrezikuara. Në Pejë janë strehuar rreth 20. 000 banorë të këtyre fshatrave. Për këtë arsye vështirësitë rreth furnizimit me bukë, artikuj tjerë ushqimorë dhe barëra, të bëhet edhe më i vështirë.

Dje dhe sot, për herë të parë qyshkur kanë filluar operacionet e forcave ushtarake e policore serbe në komunën e Klinës, Deçanit e Gjakovës, në Pejë kanë arritur shumë gazetarë të huaj. Në nënkëshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (NKMDLNJ), në Degën e Shoqatës Humanitare Bëmirëse “Nëna Tereze” dhe në degët e partive politike në Pejë ata kërkuan informacione për zhvillimet e ditëve të fundit në këtë komunë.

KMDLNJ në Pejë ka njoftime se në morgun e spitalit të qytetit tash dy ditë gjendet trupi pa jetë i njeriu, i cili është gjetur i vdekur në shtratin e lumit Bistricë. Komisioni nuk ka arritur të mësojë emrin e viktimës, por ka marrë vesh se ai është i moshës rreth 60 vjeçare dhe se mbiemri i tij është: Berisha.

Burimet e këtij këshilli kanë njoftuar se më 4 e 5 qershor në stacionin e policisë në Istog dhe në Pejë është rrahur brutalisht Xhafer Tafilaj nga fshati Rakosh, me pretekst se gjoja ka incizuar terrenin rreth Burgut në Dubravë të Istogut, ku ka punuar ai. Ndërkaq, dje në organet e policisë në Pejë është mbajtur rreth katër orë dhe është rrahur Azem Shala nga fshati Novosellë.

Po kështu, njoftohet se policia serbe ia ka konfiskuar Vehbi Morinës një stabiliment ftohës, 25 tonësh.

Continue Reading

lajme

UBT zgjeron bashkëpunimin ndërkombëtar përmes programit Erasmus+ me Universitetin e Zarës në Kroaci

Published

on

By

Në kuadër të programit Erasmus+ dhe angazhimit të vazhdueshëm për ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë, përfaqësuese të UBT-së, Prof. Assoc. Dr. Alma Lama, dekane e Fakultetit të Gjuhës Angleze, Prof. Ass. Dr. Denis Celcima, dekane e Fakultetit të Psikologjisë, si dhe udhëheqësja e departamenteve të Dizajnit dhe Modës, Prof. Afërdita Statovci, realizuan një vizitë zyrtare në Universitetin e Zarës në Kroaci, një nga institucionet akademike më të vjetra në Evropë, i cili këtë vit shënon 600-vjetorin e themelimit.

Gjatë takimeve të zhvilluara me përfaqësuesit e universitetit, u prezantuan historiku, zhvillimi dhe arritjet e të dy institucioneve.

Delegacioni i UBT-së prezantoi rrugëtimin e institucionit që nga themelimi, programet akademike, fakultetet, procesin e ndërkombëtarizimit, partneritetet strategjike, si dhe pozicionimin e UBT-së në rangimet ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, Universiteti i Zarës prezantoi traditën e tij të pasur akademike, programet studimore dhe prioritetet strategjike për zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Diskutimet u fokusuan në mundësitë konkrete të bashkëpunimit ndërmjet fakulteteve, shkëmbimin e studentëve dhe stafit akademik, zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore, si dhe organizimin e aktiviteteve të përbashkëta akademike.

Takimi u zhvillua në një atmosferë shumë pozitive dhe konstruktive. Përfaqësuesit e Universitetit të Zarës shprehën gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit me UBT-në, duke rekomanduar identifikimin e iniciativave konkrete, projekteve të përbashkëta dhe programeve të shkëmbimit që do t’i japin përmbajtje dhe qëndrueshmëri partneritetit të ardhshëm institucional.

Ky bashkëpunim paraqet një hap të rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve akademike ndërkombëtare dhe krijimit të mundësive të reja për studentët dhe stafin e UBT-së në hapësirën evropiane të arsimit të lartë, duke kontribuar në shkëmbimin e njohurive, përvojave dhe praktikave më të mira akademike.

Continue Reading

Të kërkuara