Lajmet

​Të pakënaqurit me punësimet në Trepçë ngrisin tendë para minierës

Published

on

Dhjetëra qytetarë të pakënaqur me procesin e fundit të punësimit në kombinatin “Trepça”, kanë vazhduar sot protestën e tyre duke ngritur tendë para kësaj ndërmarrje në Stantërg.

Ata kërkuan sistemimin në punë të 154 ish-aplikantëve të cilët iu nënshtruan testit në konkursin e kësaj ndërmarrje, ndërsa u shprehën të vendosur se do të qëndrojnë në këtë vend deri në realizimin e kërkesës së tyre.

Arsim Musa nga Këshilli organizativ protestues, duke përmendur fakte për parregullsitë gjatë pranimit të punëtorëve të rinj, tha se do të protestojnë në këtë formë dhe nëse brenda dhjetë ditësh problemi i tyre nuk zgjidhet, atëherë do të protestojnë para qeverisë në Prishtinë.

“Ne si protestues kemi vendosur sot nga ora 11:00 një tendë, dhe poashtu protesta 24 orëshe. Arsyeja dhe qëllimi ynë përbën vetën një pikë, punësimin për shkak se na janë bërë shumë të padrejta…Para 30 minutash na vizitoi u.d. i menaxherit, Rafet Ibishi, i cili na ka përkrahur… Ne do të vazhdojmë me protesta deri sa kërkesa jonë të realizohet…Nëse nuk zgjidhet problemi në këtë formë, do të vazhdojmë me protesta në Prishtinë para qeverisë”, ka thënë Musa.

Edhe Nehat Mehmeti, njëri prej kandidatëve të këtij konkursi, theksoi se nëse edhe kësaj radhe kërkesat e tyre do të hasin në veshë të shurdhër, atëherë protestat do të vazhdojnë në Prishtinë.

‘Ne jemi të vendosur të vazhdojmë protestën, afërsisht rreth një javë dhe urojmë që kjo të përfundojë sa më shpejtë. Nëse edhe këtë herë hasim në veshë të shurdhër, atëherë do të vazhdojmë me protesta në Prishtinë”, u shpreh Mehmeti.

Ndërkaq, Nasuf Isufi paralajmëroi protesta radikale nëse problemi i tyre nuk zgjidhet.

“Janë duke na shtyrë të protestojmë edhe në forma radikale sepse jemi të gjithë njerëz familjarë, duhet të jetojmë edhe ne”, tha ai.

Ndryshe, në procesin e fundit të punësimit të datës 24 shtator 2019, në këtë ndërmarrje patën aplikuar mbi 1 mijë e 700 persona, prej të cilëve janë pranuar rreth 216.

Vendi

Qeveria procedon dy projektligje: Çmimet tavan dhe sigurimet shëndetësore

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar dy projektligje që i ka cilësuar si jetike për qytetarët në mbledhjen e tetë të radhës së ekzekutivit.

Bëhet fjalë për Projektligjin për çmimet tavan për produktet bazë dhe atë për sigurimet shëndetësore, reforma këto që sipas kreut të qeverisë, synojnë mbrojtjen e xhepit dhe shëndetit të qytetarëve.

Sa i përket rregullimit të tregut, Kurti ka theksuar se Ligji për çmimet tavan do të shërbejë si mburojë në kohë krizash ekonomike.

Sipas tij, ky ligj “garanton furnizimin dhe çmime të përballueshme për produktet bazë”, duke u bërë një barrierë kundër abuzimeve në treg. Kryeministri shtoi se përmes kësaj nisme “parandalohen spekulimet dhe fitimet e pajustifikueshme në kurriz të qytetarëve”, si dhe sigurohet një “reagim i shpejtë institucional kur tregu destabilizohet”.

Një risi e këtij ligji, sipas Kurtit, është krijimi i një mekanizmi të ri mbikëqyrës.

“Për herë të parë krijojmë mekanizëm të pavarur, bordin i cili vendos mbi bazën e të dhënave dhe interesit publik,” u shpreh ai, duke shtuar se mungesa e një rregullimi të tillë deri më tani u ka kushtuar shtrenjtë qytetarëve.

Në anën tjetër, mbledhja e qeverisë shënoi edhe rikthimin e një prej reformave më të diskutuara në sektorin e shëndetësisë.

Kurti bëri të ditur se po e risjellin Projektligjin për sigurime shëndetësore, i cili ishte sfiduar më parë në Gjykatën Kushtetuese nga opozita.

“Sot po ashtu po e risjellim edhe një tjetër ligj jetik për qytetarët dhe shëndetësinë publike,” tha Kurti, duke nënvizuar se qeveria do t’i qëndrojë besnike premtimeve të dhëna. Ai e cilësoi këtë nismë si një shtyllë të fortë për shtetin, duke deklaruar se: “Kjo reformë e bën shtetin më të fortë në përmbushjen e detyrimit themelor në mbrojtjen e jetës së qytetarëve”.

Këto dy projektligje tani pritet të kalojnë në procedurat e mëtutjeshme parlamentare, ku pritet të ketë debate mes pozitës dhe opozitës.

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet një grua në Podujevë për keqtrajtim apo braktisje të fëmijëve

Published

on

By

Në raportin e policisë, në 24 orët e fundit është raportuar një rast i keqtrajtimit apo braktisjes së fëmijëve në Podujevë, që ka çuar në arrestimin e një personi.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e së enjtes, ku njësitet policore kanë vënë në pranga të dyshuarën grua nën dyshimin për kryerjen e kësaj vepre penale.

Sipas raportit, “e dyshuara është dërguar për tretman mjekësor dhe e njëjta me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”.

Policia nuk ka dhënë detaje shtesë mbi gjendjen e fëmijës, mirëpo ka konfirmuar se rasti po trajtohet nga organet kompetente për procedura të mëtejshme hetimore.

Continue Reading

lajme

Ekstradohet nga Franca i kërkuari për vrasje në tentativë në rajonin e Pejës

Published

on

By

Policia e Kosovës ka njoftuar se është realizuar ekstradimi i një shtetasi kosovar nga Franca për në Kosovë, i cili ishte i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar.

Operacioni u krye dje nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim të plotë me institucionet e drejtësisë dhe njësitet tjera relevante.

I dyshuari, i cili akuzohet për veprën penale “Vrasje në tentativë”, ishte arrestuar më parë nga autoritetet franceze pasi ishte shpallur në kërkim përmes INTERPOL-it për t’iu shmangur përballjes me drejtësinë kosovare.

Sipas njoftimit zyrtar, procesi u krye me sukses falë marrëdhënieve të mira ndërshtetërore, duke u theksuar se: “Ekstradimi u realizua bazuar në ligjet në fuqi dhe bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre franceze”.

Pas mbërritjes në Kosovë, i dyshuari u është dorëzuar njësive përkatëse të policisë në rajonin e Pejës për procedim të mëtejshëm ligjor.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të mbetet aktive në luftën kundër krimit pa marrë parasysh kufijtë, duke deklaruar se: “Policia e Kosovës do të vazhdojë me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale”.

Continue Reading

Lajmet

Studentët e Arkitekturës në UBT realizojnë vizitë studimore në terren në lagjen Kalabria

Published

on

By

Në kuadër të lëndës Studio e Planifikimit Urban, studentët e vitit të dytë nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT kanë zhvilluar një vizitë studimore në lagjen Kalabria në Prishtinë, së bashku me profesoreshën Elvida Sahatqiu Pallaska.

Vizita në terren kishte për qëllim mbledhjen e të dhënave dhe vëzhgimin e drejtpërdrejtë të hapësirës urbane, si hap fillestar drejt analizës së gjendjes ekzistuese. Kjo analizë do të shërbejë si bazë për zhvillimin e detyrave semestrale të studentëve në këtë lëndë.

Përmes kësaj përvoje praktike, studentët patën mundësinë të thellojnë njohuritë e tyre duke lidhur aspektet teorike me realitetin urban, si dhe të zhvillojnë një qasje kritike ndaj organizimit dhe funksionimit të hapësirës në qytet.

Vizita u realizua në bashkëpunim me profesoreshën Elvida Sahatqiu Pallaska dhe asistentët Gazmend Uka dhe Agnesa Thaqi, të cilët udhëhoqën studentët gjatë procesit të vëzhgimit dhe analizës në terren.

Continue Reading

Të kërkuara