Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka deklaruar se partia e saj e mirëpret thirrjen e presidentes Vjosa Osmani për një takim ndërpartiak me qëllim të zgjidhjes së ngërçit politik në Kuvend.

Bajrami theksoi se një iniciativë e tillë ka ardhur fillimisht nga vetë LDK-ja.
“Është lajm i mirë që partitë politike po ulen së bashku, të ftuara nga presidentja, edhe pse iniciativa për t’u ulur bashkë e për të diskutuar për të dalë nga kriza që e ka krijuar LVV-ja ka qenë propozim i yni,” deklaroi ajo.
Ajo bëri të ditur se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, do të marrë pjesë në këtë takim dhe do ta paraqesë më në detaje idenë e partisë për zgjidhjen e krizës.
Sipas Bajramit, përgjegjësitë në një qeveri gjithëpërfshirëse duhet të ndahen në bazë të rezultateve zgjedhore dhe jo përmes ndarjes së pozitave në mënyrë joproporcionale.
“Nëse partitë politike e përkrahin, besoj që takimet në vazhdim janë për detaje të tjera – për afatet, për listën e prioriteteve – dhe absolutisht nuk bëhet fjalë për ndarje të pozitave. Kjo do të ishte e lehtë, sepse në një qeveri gjithëpërfshirëse ndarja e përgjegjësive do të mund të bëhej në bazë të përqindjes së rezultateve të votave,” shtoi ajo.
Bajrami theksoi se LDK nuk ka vendosur kushte, nuk ka kërkuar dikastere specifike dhe as nuk ka zhvilluar diskutime të tilla deri më tani.