Lajmet

​Të burgosur, të helmuar, në ekzil: Ku janë kundërshtarët e Putinit?

Shumë prej kundërshtarëve të tij janë detyruar të jetojnë në mërgim, të tjerë janë burgosur e me raste edhe janë vrarë.

Published

on

Presidenti rus, Vladimir Putin, tani e udhëheq Rusinë, pothuajse i pasfiduar. Shumë prej zërave kritikë, që dikur kanë folur kundër tij, janë detyruar të jetojnë në mërgim, të tjerë janë burgosur e me raste edhe janë vrarë.

Deri në kohën kur ka nisur lufta e Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, më shumë se dy dekada të shtypjes së disidentëve, e kanë zhdukur edhe opozitën në Rusi, shkruan BBC.

Në vitet e para të udhëheqjes së Putinit, ai i ka fuqizuar oligarkët rusë, njerëz veçse të pasur, por edhe me ambicie politike, transmeton REL.

Mikhail Khodorkovsky, dikur udhëheqës i gjigantit rus të naftës, Yukos, është arrestuar më 2003, dhe ka qëndruar 10 vjet në burg, për evazion fiskal dhe vjedhje, pas financimit të fushatave të partive opozitare. Pas lirimit, ai është larguar nga Rusia.

Boris Berezovsky, një tjetër oligark, që madje i ka ndihmuar Putinit të ngjitet në pushtet – ka vdekur në ekzil, më 2013, në Mbretëri të Bashkuar. Është raportuar që ai ka bërë vetëvrasje.

Me kalimin e kohës, të gjitha mediat kryesore në Rusi kanë rënë nën kontrollin shtetëror, apo e kanë ndjekur linjën e Kremlinit.

Aleksei Navalny

Deri më tani, figura më e njohur opozitare në Rusi është Aleksei Navalny, i cili e ka akuzuar Putinin nga burgu se po tenton të njollosë qindra mijëra njerëz me luftën e tij “kriminale, agresive”.

Në gusht të vitit 2020, Navalny është helmuar me Noviçok – agjent nervor i shkallës ushtarake – sa ka qenë në një udhëtim në Siberi.

Sulmi gati e ka vrarë atë, andaj është detyruar të shkojë në Gjermani për trajtim.

Kthimi i tij në Rusi, në janar të vitit 2021, i ka trimëruar për pak protestuesit, mirëpo ai është arrestuar më pas për mashtrime dhe përbuzje të gjykatës. Aktualisht, ai përballet me nëntë vjet burgim.

Navalny është në fokus të dokumentarit që ka fituar çmim Oscar këtë vit në Shtetet e Bashkuara.

Në vitin 2010, dhe vitet pasuese, Navalny ka qenë shumë i përfshirë në marshet kundër Qeverisë dhe dokumentet që ai ka nxjerr në pah, janë shikuar miliona herë.

Më 2021, organizata e tij është shpallur ekstremiste, derisa vetë Navalny i ka konsideruar akuzat kundër tij si të motivuara politikisht.

Shumë prej ndihmësve të tij janë përballur me presion nga shërbimet e sigurisë, dhe disa edhe kanë ikur prej shtetit, përfshirë ish-krerët e Fondacionit Kundër-Korrupsionit: Ivan Zhdanov, Lyubov Sobol, si dhe plot udhëheqës tjerë të zyrave të organizatës së Navalnyt nëpër qytete të Rusisë.

Dora e djathtë e Navalnyt, Leonid Volkov është larguar nga Rusia, në momentin që kundër tij është iniciuar një rast më 2019.

Kundërshtarët e luftës

Një tjetër kundërshtar i Putinit mbrapa grilave është Ilya Yashin, i cili ka qenë kritik i madh i luftës së Rusisë.

Në një transmetim të drejtpërdrejtë në YouTube, në prill të vitit 2022, ai ka bërë thirrje për hetime rreth krimeve të mundshme të luftës, që mund të jenë kryer nga forcat ruse.

Ai e ka quajtur presidentin Putin “kasapin më të brutal në këtë luftë”.

Ai transmetim i drejtpërdrejtë i ka kushtuar Yashinit me tetë vjet e gjysmë burgim për shkelje të ligjit kundër përhapjes së “informacionit të rremë” për ushtrinë ruse.

Ligji është miratuar në Parlamentin rus, pak pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, më 24 shkurt 2022.

Yashin ka nisur të përfshihet në politikë në vitet 2000 – në moshën 17-vjeçare – kur Putini e ka marrë pushtetin.

Më 2017, pas disa vjetësh të aktivizimit opozitar, ai është zgjedhur udhëheqës i këshillit të distriktit Krasnoselksi në Moskë, ku ka vazhduar të kundërshtojë Kremlinin.

Më 2019, ai e ka kaluar më shumë se një muaj mbrapa grilave, për rolin e tij aktiv në protestat kundër refuzimit të autoriteteve për të regjistruar kandidatë opozitarë në zgjedhjet për Këshillin e qytetit të Moskës.

Aktivisti dhe gazetari i edukuar në Kembrixh, Vladimir Kara-Murza, është bërë dy herë viktimë e helmimeve të dyshimta, që kanë rezultuar me rënien e tij në koma – më 2015 dhe më pas më 2017. Ai është arrestuar në prill të vitit 2022, pas kritikave që ka pasur për luftën e Rusisë në Ukrainë.

Kara-Murza është akuzuar për shpërndarje të “lajmeve të rreme” për ushtrinë ruse, për organizim të aktiviteteve të një “organizate të padëshirueshme” dhe tradhti të lartë. Ai është dënuar me 25 vjet burgim më 17 prill 2023.

Kara-Murza është autor i shumë artikujve që kritikojnë Putinin, si në mediat ruse, ashtu edhe në ato perëndimore, dhe më 2011 ka udhëhequr përpjekjet për miratim të sanksioneve perëndimore, që shënjestrojnë abuzuesit e të drejtave të njeriut në Rusi.

Këto sanksione, të vendosura nga shtetet e Perëndimit njihen si Akti Magnitsky, sipas avokatit Sergei Magnitsky, i cili ka vdekur në burgjet ruse më 2009, pas supozimeve për mashtrime.

Lufta për demokraci

Kara-Murza mund të përballet me dënim të gjatë, mirëpo të paktën është gjallë, për dallim prej shokut të tij të ngushtë, Boris Nemtsov.

Para epokës së Putinit, Nemtsov ka shërbyer si guvernator i rajonit Nizhny Novogorod, si ministër i Energjisë, më pas si zëvendëskryeministër, si dhe ka qenë i zgjedhur edhe në Parlamentin e Rusisë.

Më vonë, ai është kthyer në kritik të ashpër të Kremlinit, dhe ka publikuar disa materiale kritike ndaj Putinit, të cilat kanë nxitur një mori marshesh kundër tij.

Më 27 shkurt 2015, Nemtsov është qëlluar katër herë me armë zjarri, sa ka qenë duke e kaluar një urë jashtë Kremlinit, vetëm disa orë pasi ka bërë thirrje për mbështetje për një marsh kundër Putinit, para se ai të niste konfliktin në Ukrainë, më 2014.

Pesë burra me origjinë çeçene janë dënuar për vrasjen e Nemtsovit, mirëpo ende nuk dihet se kush e ka urdhëruar vrasjen dhe pse.

Shtatë vjet pas vdekjes, një hulumtim ka nxjerrë në pah të dhëna se disa muaj para vrasjes, Nemtsov është përndjekur në Rusi nga një agjent qeveritar, i lidhur me një bandë sekrete vrasësish.

Këto figura kyçe opozitare janë vetëm disa prej rusëve tjerë, që janë shënjestruar pse kanë shfaqur publikisht pakënaqësi.

Prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, vitin e kaluar, edhe mediat e pavarura në Rusi janë përballur me kufizime dhe kërcënime.

Kanali rus, Shiu, e ka bartur transmetimin tërësisht jashtë shtetit. Gazeta Novaya mbetet ende në Moskë, mirëpo nuk e shtyp më gazetën. Mediat tjera sikurse radioja Ekho janë mbyllur nga autoritetet.

Ndërkohë, komentatorë pafund janë larguar nga shteti, pasi disa prej tyre edhe janë shpallur “agjentë të huaj”.

Vladimir Putinit i janë dashur më shumë se dy dekada për të siguruar që nuk ka kundërshtarë të pushtetit të tij. Nëse ky ka qenë plani i tij, atëherë ai ka pasur sukses.

lajme

Shkarkohet Blerim Isufaj nga posti i Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale

Published

on

By

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është shkarkuar të premten nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka mësuar KOHA.

Gjatë ditës ishte bërë e ditur se KPK-ja do të mblidhej në një takim të jashtëzakonshëm, ku në rend dite ishte diskutimi për performancën e Isufajt.

Isufaj ishte zgjedhur për herë të parë në krye të Prokurorisë Speciale në vitin 2019, ndërsa ishte rizgjedhur në këtë pozitë në vitin 2023.

Gjatë mandatit të tij, Isufaj ka qenë një prej figurave më të kritikuara në sistemin prokurorial nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai ishte votuar edhe nga Këshilli Prokurorial për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, por procesi kishte mbetur pezull dhe nuk ishte dekretuar nga ish-presidentja Vjosa Osmani.

Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar më herët se në sistemin prokurorial “shumica e problemeve kanë emër të përveçëm”, duke iu referuar Isufajt.

Më 2 shtator, Isufaj pati një përplasje me disa anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Përplasjet u zhvilluan gjatë shqyrtimit të raportit të punës së Prokurorisë Speciale për vitin 2025, i cili më pas u rrëzua nga KPK-ja.

D.L

Continue Reading

Aktualitet

Nis takimi mes Kurtit dhe Hamzës

Published

on

By

Ka nisur takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza.

Në takim pritet të diskutohen çështja e zgjedhjes së presidentit të ri dhe ndryshimet e mundshme në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Hamza është parë duke hyrë në objektin e Qeverisë i shoqëruar nga deputeti i PDK-së, Rrahman Rama.

Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 6 tetor për zgjedhjen e presidentit të ri. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon në zgjedhje të reja.

D.L

Continue Reading

lajme

“Jo në emrin tim” para Ministrisë së Drejtësisë “Voto Ligjin”, kërkohet miratimi i ligjit për mbrojtjen e UÇK-së

Published

on

By

Protestuesit e iniciativës “Jo në emrin tim” kanë zhvilluar sot një aksion simbolik para Ministrisë së Drejtësisë, ku kanë vendosur një baner me mbishkrimin “Voto Ligjin”, duke kërkuar procedimin dhe miratimin e ligjit për mbrojtjen e UÇK-së.

Aktivisti Rron Kafegjolli deklaroi se qytetarët prej 17 ditësh po kërkojnë miratimin e këtij ligji, duke e cilësuar vonesën si të papranueshme.

Sipas Kafegjollit, bazuar në deklarimet e kryeministrit Albin Kurti, ligji po mbahet i bllokuar në Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Financave.

“Ky nuk është një udhëzim çfarëdo që mund ta kaloni lart e poshtë nëpër zyra. Sepse bëhet fjalë për ligjin që mbron të vërtetën e UÇK-së dhe ne nuk do të lejojmë zvarritjen e tij”, u shpreh ai.

Kafegjolli kritikoi ministren Donika Gërvalla dhe ministrin Hekuran Murati, duke kërkuar nga institucionet që të veprojnë në përputhje me kërkesat e qytetarëve.

“Institucionet e këtij shteti nuk mund të mbeten peng i inateve apo bindjeve personale të ministres Gërvalla dhe ministrit Murati. Shteti nuk është pronë private e dikujt”, tha Kafegjolli.

Duke iu referuar afatit për zgjedhjen e presidentit, i cili skadon më 6 tetor, ai i bëri thirrje Qeverisë që të mos e zvarrisë më tej procesin e miratimit të ligjit.

“Qeveria duhet ta dijë se rinia po ju vëzhgon dhe 6 tetori po afron me shpejtësi. Mos e provokoni durimin tonë”, deklaroi ai.

Kafegjolli e përmbylli fjalimin duke i bërë thirrje Qeverisë që ta dëgjojë zërin e protestuesve dhe të veprojë lidhur me kërkesën për miratimin e ligjit.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Master në Gjuhë, Media dhe Komunikim në UBT: Formimi profesional për liderët e së ardhmes

Published

on

By

Në një epokë ku media dhe komunikimi po transformohen me ritme të shpejta, profesionistët e së ardhmes kanë nevojë për njohuri të avancuara, mendim kritik dhe aftësi praktike.

Pikërisht për këtë, UBT ofron programin Master në Gjuhë, Media dhe Komunikim, të konceptuar për të përgatitur profesionistë të aftë për të udhëhequr në sektorin e medias, komunikimit dhe marrëdhënieve me publikun.

Programi Master në Gjuhë, Media dhe Komunikim ndërthur në mënyrë strategjike shkencat sociale, teknologjinë e informacionit, gazetarinë, Marrëdhëniet me Publikun (PR) dhe krijimin e përmbajtjes digjitale.

Përmes kombinimit të njohurive teorike me përvojën praktike dhe hulumtimin shkencor, studentët zhvillojnë kompetenca të avancuara për t’u përballur me kërkesat e tregut modern të punës, si në Kosovë ashtu edhe në tregun global.

Një rëndësi e veçantë i kushtohet etikës profesionale, mendimit kritik dhe aftësisë për të analizuar, interpretuar dhe menaxhuar komunikimin dhe imazhin e institucioneve dhe organizatave.

Kjo e bën programin një mundësi të përshtatshme për të gjithë ata që synojnë të avancojnë profesionalisht në media, gazetari, komunikim strategjik, PR, marketing dhe përmbajtje digjitale.

Përveç mundësisë për të ndjekur një program Master të orientuar drejt zhvillimit profesional, UBT ofron edhe një mbështetje të rëndësishme financiare për studentët. Përmes bursës Engaged Scholarship, studentet që janë pjesë e kësaj fushe përfitojnë 20% zbritje në tarifën e studimeve gjatë gjithë periudhës së programit Master.

Kjo bursë përfaqëson një mundësi konkrete për studentët që duan të investojnë në arsimimin e tyre të avancuar, duke pasur njëkohësisht mbështetje financiare gjatë gjithë rrugëtimit akademik.

Master në Gjuhë, Media dhe Komunikim në UBT është një mundësi për të zgjeruar njohuritë, për të zhvilluar kompetenca profesionale dhe për të ndërtuar bazat e një karriere të suksesshme në një sektor që ndryshon vazhdimisht.

Apliko në programin Gjuhë, Media dhe Komunikim -Master dhe përfito 20% bursë përmes Engaged Scholarship.

Continue Reading

Të kërkuara