Lajmet

​Sveçla: Pas 31 tetorit asnjë veturë me targa ilegale s’mund të qarkullojë në Kosovë

Sveçla në konferencë për media tha se të gjitha qendrat janë të hapura për shndërrimin e targave në RKS.

Published

on

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka deklaruar se procesi i ndërrimit të targave ilegale në ato të Republikës së Kosovës (RKS) është i pandalshëm.

Ai ka shtuar se përkundër frikësimeve të qytetarëve nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të mbrojnë shtetasit kosovarë. Po ashtu, ka njoftuar se pas datës 31 tetor, asnjë veturë me targat ilegale nuk do të mund të lëvizë në Kosovë dhe pikë-kalimet kufitare.

Sveçla në konferencë për media tha se të gjitha qendrat janë të hapura për shndërrimin e targave në RKS.

“Pardje presidenti i Republikës së Serbisë, përmendi këtë proces ku edhe realisht kërcënoi qytetarët e Kosovës, të cilët planifikojnë që të jenë pjesë e këtij procesi në shndërrimin e targave ilegale në legale. Meqë rast përmendi fillimin e këtij procesi përmes identifikimit të dy rasteve, posaçërisht të veriut të Kosovës, ku edhe citoi se është një person, i cili punon në institucione të Kosovës. Mbrëmë pas mesnatës, shtëpia e rreshterit Dragan Nikolliq, i cili targat e veturës së tij i kaloi nga targa ilegale në ato legale të RKS-së. Me këtë rast persona të paidentifikuar kanë thyer shtëpinë e tij dhe një pjesë të saj ia kanë vënë zjarrin. I themi presidentit të Serbisë, Vuçiq, se ky proces është i pandalshëm dhe pavarësisht frikësimeve ne do të inkurajojmë dhe mbrojmë shtetasit tanë, nga të gjitha ato aktivitete kriminale të Serbisë, të cilat janë duke u luftuar në baza ditore nga institucionet e sigurisë së Kosovës”, ka thënë ai.

Ministri Sveçla tha se janë të bindur që ky proces do të vazhdojë dhe përfundojë suksesshëm.

“Tashmë ekipet hetimore të PK-së janë duke hetuar rastin dhe duke punuar që personat e involvuar në këtë rast kriminal të zbulohen dhe të vihen para drejtësisë. Unë ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët janë subjekt të këtij procesi që as të mos frikësohen dhe as mos të hezitojnë t’i drejtohen MPB-së për vazhdim të procesit dhe po ashtu të të lajmërojnë çfarëdo kërcënimi që mund të vijë nga çfarëdo strukturë, kriminale apo paralele të Serbisë”, ka shtuar ai.

Ministri i Punëve të Brendshme ka njoftuar se asnjë veturë nuk mund të qarkullojë në rrugët e Kosovës pa u ndërruar targat.

“I gjithë ky proces do të zgjasë deri më 31 tetor. Dhe pas asaj, gjitha ata të cilët nuk e kanë shfrytëzuar këtë shans, këtë benefit, të cilën shteti i Kosovës e ka ofruar, do të jenë pronarë të veturave, të cilat nuk janë të regjistruara. Me këtë pastaj merret Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës, me ç’rast asnjë veturë nuk do të mund të qarkullojë as nëpër rrugët e Kosovës, por as nuk mund të shfrytëzojë pikë-kalimet kufitare të Republikës së Kosovës”, ka thënë Sveçla.

Kujtojmë se nga data 1 shtator deri më 31 tetor është organizuar procesi për regjistrimin e targave ilegale në ato RKS, në të gjitha Qendrat për Regjistrimin e Automjeteve. 

Live

Kryeministri i Lituanisë: Kemi plane evakuimi nga Rusia, por nuk dorëzohemi

Published

on

By

Kryeministri i Lituanisë i ka deklaruar BBC-së se vendi i tij ka hartuar plane evakuimi përballë kërcënimeve nga Rusia, por shtoi se “nuk do të dorëzohen” nëse sulmohen.

Kryeministri Mindaugas Sinkevičius tha për emisionin Newsnight se lituanezët ndihen “vazhdimisht të kërcënuar” nga Rusia, pjesërisht për shkak të hyrjes së dronëve në hapësirën e tyre ajrore.

Ai deklaroi se nëse vendi i tij sulmohet, “ne do të kundërpërgjigjemi… do të hyjmë në luftë”. Megjithatë, ai tha se ekzistojnë plane për “skenarë nga më të ndryshmit” dhe mori si shembull largimin e qytetarëve të moshuar nga qytetet “në mënyrë të qetë” dhe pa shkaktuar bllokime në trafik.

Lituania, anëtare e NATO-s, ndan kufi tokësor me enklavën ruse të Kaliningradit.

“Po mendojmë për skenarë të ndryshëm, jo të gjithë po diskutohen publikisht,” tha Sinkevičius për BBC-në. “Përballemi me kërcënime konkrete, ndoshta jo çdo ditë, por po i përjetojmë ato dhe kjo është një realitet i vërtetë për ne.”

Sinkevičius shtoi gjithashtu se Mbretërisë së Bashkuar i nevojitet një “ndryshim mendësie” sa i përket qasjes ndaj mbrojtjes, duke vënë në me dukje se Lituania është “më afër kufirit dhe më afër kërcënimit”.

Incidentet e shpeshta me dronë

Deklarata vjen vetëm një javë pasi pilotët e avionëve luftarakë të NATO-s rrëzuan një dron që hyri në hapësirën ajrore të Lituanisë. Megjithëse origjina e dronit nuk është konfirmuar zyrtarisht, Ministri i Mbrojtjes i Lituanisë, Robertas Kaunas, tha për emisionin Newshour se ai erdhi nga drejtimi i Bjellorusisë, fqinjit të Lituanisë dhe aleatit kyç të Rusisë.

Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, Wes Streeting, u shpreh: “Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale të forcave lituaneze dhe italiane, NATO edhe një herë dëshmoi gatishmërinë tonë për të mbrojtur hapësirën tonë ajrore. Ne qëndrojmë të bashkuar, 24 orë në ditë, në mbrojtje të çdo pëllëmbe të territorit të NATO-s.”

Moska nuk e ka komentuar këtë incident.

Shkeljet e hapësirës ajrore nga dronët ushtarakë janë bërë gjithnjë e më të shpeshta në mbarë Evropën që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia. Në maj, banorët e kryeqytetit të Lituanisë, Vilnius, u detyruan të strehoheshin pasi u aktivizua një alarm për dronë, gjë që pezulloi përkohësisht fluturimet dhe qarkullimin hekurudhor.

Po ashtu, gjatë këtij viti, avionët luftarakë të NATO-s janë ngritur me urgjencë disa herë për të rrëzuar dronë ukrainas të devijuar që kanë kaluar në vendet e tjera baltike, Estoni dhe Letoni.

 

Continue Reading

Lajmet

Kurti takohet me Erdoğanin në New York, flasin për mbrojtjen, ekonominë dhe Hagën

Published

on

By

Në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takimi dypalësh me Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

Gjatë takimit, Kurti e falënderoi presidentin turk për mbështetjen e vazhdueshme të Ankarasë në shtetndërtim, fuqizimin ushtarak, diplomaci, si dhe për përkrahjen drejt anëtarësimit të Kosovës në NATO. Vëmendje e veçantë iu kushtua bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes dhe rolit të Turqisë në KFOR për garantimin e sigurisë në vend.

Në rrafshin ekonomik, u nënvizua se shkëmbimet tregtare mes dy vendeve kanë arritur në 1 miliard dollarë, me synim rritjen e mëtejshme. Ndër investimet kyçe strategjike u përmendën nisja e punimeve për fabrikën e re të municionit në Gjakovë dhe Parku i Energjisë së Erës në Rahovec, të realizuara në partneritet me kompani turke.

Pjesë e diskutimeve ishte edhe Aktgjykimi i Gjykatës Speciale. Kryeministri Kurti e cilësoi verdiktin ndaj ish-krerëve të UÇK-së si të padrejtë juridikisht e moralisht, si dhe të pasaktë historikisht e faktikisht, duke shprehur nevojën që ai të korrigjohet në shkallën e Apelit.

Ndërsa së bashku me kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani, u ngrit shqetësimi për diskriminimin sistematik nga Serbia ndaj shqiptarëve atje — përfshirë pasivizimin e adresave, mosnjohjen e diplomave dhe mospërfaqësimin institucional. Kurti theksoi se simetria e të drejtave të pakicave është rruga e vetme për trajtim të barabartë.

Marrëdhëniet mes dy vendeve u zotuan të thellohen më tej, ndërsa në përmbyllje të takimit, Kryeministri Kurti i dërgoi ftesë zyrtare Presidentit Erdoğan për të vizituar Kosovën.

 

Continue Reading

Vendi

Haxhiu kërkon unitet pas verdiktit të Hagës: Të lihen mënjanë përçarjet e akuzat

Published

on

By

Pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë, ku ish-krerët e UÇK-së u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim, në Kosovë po kërkohet bashkërendim institucional për hapat e ardhshëm legalë e politikë.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, i bëri thirrje klasës politike të lërë mënjanë përçarjet, akuzat e ndërsjella dhe etiketimet si “spiun e tradhtar”.

Ajo theksoi se vendi ka nevojë për një qasje të përbashkët dhe se koordinimi është në interes si të shtetit, ashtu edhe të vetë të dënuarve.

Po ashtu, Haxhiu kritikoi vendimin e PDK-së për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e konstituimit të Kuvendit dhe Qeverisë pak ditë para verdiktit, duke e cilësuar atë si veprim të pakuptimtë në rrethanat aktuale.

Nga ana tjetër, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi se për subjektin e tij nuk ka prioritet më të madh sesa nisma për të ndryshuar ligjin për Dhomat e Specializuara. Pas këtij vendimi të shkallës së parë, vëmendja e institucioneve po përqendrohet te procedurat e mëtejshme, përfshirë fazën e apelit.

Continue Reading

Lajmet

Dita e gjashtë, protestat vazhdojnë edhe sonte në Prishtinë

Published

on

Protestat në Prishtinë kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së vazhdojnë edhe sonte.

Qytetarët janë ftuar të mblidhen në sheshin “Skënderbeu”, duke filluar nga ora 21:00. Protesta është pjesë e tubimeve të njëpasnjëshme të mbajtura pas aktgjykimit të 16 shtatorit.

Thirrja për protestën e sotme është bërë me moton “Shihemi n’21:00 n’shesh”, ndërsa tubimet e ditëve të kaluara kanë mbledhur qytetarë në qendër të Prishtinës.

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë protestave të mëparshme situata ka qenë kryesisht e qetë dhe ka bërë thirrje për respektimin e ligjit, pronës publike e private dhe rregullave të trafikut./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara