Lajmet

​Studimi zbulon aftësinë “e pafundme” të kancerit për të evoluar

Mbi 400 njerëzve iu morën biopsi nga pjesë të ndryshme të kancerit të mushkërive.

Published

on

Një analizë e paprecedentë se si rriten kanceret ka zbuluar një aftësi “pothuajse të pafundme” të tumoreve për të evoluar dhe mbijetuar, thonë shkencëtarët.

Rezultatet e gjurmimit të kancerit të mushkërive për nëntë vjet e lanë ekipin hulumtues “të befasuar” dhe “të mahnitur” nga forca e frikshme që ata kishin.

Ata kanë arritur në përfundimin se ne kemi nevojë për më shumë fokus në parandalimin, me një kurë “universale” që nuk ka gjasa së shpejti, shkruan BBC.

Cancer Research UK tha se zbulimi i hershëm i kancerit ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm.

Studimi – i titulluar TracerX – ofron analizën më të thellë se si evoluojnë kanceret dhe çfarë i shkakton përhapjen e tyre.

Kanceret ndryshojnë dhe evoluojnë me kalimin e kohës – ato nuk janë fikse dhe të pandryshueshme. Ata mund të bëhen më agresivë: më të mirë në shmangien e sistemit imunitar dhe në gjendje të përhapen nëpër trup.

Një tumor fillon si një qelizë e vetme, e korruptuar, por bëhet një përzierje e miliona qelizave, në mënyra paksa të ndryshme.

TracerX gjurmoi atë diversitet dhe se si ndryshon me kalimin e kohës brenda pacientëve me kancer të mushkërive dhe thotë se rezultatet do të zbatohen në lloje të ndryshme të kancerit.

“Kjo nuk është bërë kurrë më parë në këtë shkallë”, tha profesor Charles Swanton, nga Instituti Francis Crick dhe University College London.

Më shumë se 400 njerëzve – të trajtuar në 13 spitale në MB – iu morën biopsi nga pjesë të ndryshme të kancerit të mushkërive ndërsa sëmundja përparonte.

“Më ka befasuar se sa të adaptueshëm mund të jenë tumoret”, tha Swanton.

“Nuk dua të tingëlloj shumë dëshpërues për këtë, por mendoj – duke pasur parasysh mundësitë pothuajse të pafundme në të cilat një tumor mund të evoluojë, dhe numrin shumë të madh të qelizave në një tumor të fazës së vonë, që mund të jetë disa qindra miliardë qeliza – atëherë arritja e kurave për të gjithë pacientët me sëmundje në fazën e vonë është një detyrë e vështirë”.

Swanton tha “Unë nuk mendoj se ne do të jemi në gjendje të dalim me kura universale”.

“Nëse duam të kemi ndikimin më të madh, duhet të fokusohemi në parandalimin, zbulimin e hershëm dhe zbulimin e hershëm të rikthimit”.

Obeziteti, duhani, alkooli dhe dieta e varfër rrisin rrezikun e disa llojeve të kancerit. Trajtimi i inflamacionit në trup po shihet gjithashtu si një mënyrë për të parandaluar kancerin. Inflamacioni është shpjegimi i mundshëm për ndotjen e ajrit që shkakton kancer të mushkërive dhe sëmundje inflamatore të zorrëve duke rritur rrezikun e kancerit të zorrës së trashë.

Lajmet

Rama: Serbia mban përgjegjësinë kryesore për ngecjen e dialogut me Kosovën

Published

on

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Serbia mban përgjegjësinë kryesore për ngecjen e dialogut me Kosovën, duke theksuar se Beogradi ende nuk e ka pranuar realitetin e krijuar me ekzistencën e Republikës së Kosovës.

Në një intervistë për Euronews Serbia, Rama u shpreh se problemi kryesor qëndron te refuzimi i Serbisë për të pranuar ndryshimin e realitetit politik në rajon.

“Serbia është më përgjegjësja për situatën në dialog, sepse nuk është e gatshme ta pranojë realitetin. Nuk ekziston më diçka që quhet ‘Kosova dhe Metohia’; ekziston Republika e Kosovës”, deklaroi ai.

I pyetur për faktin se pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, Rama tha se kjo nuk e ndryshon realitetin.

“Pesë nga 27 janë ende pak. Shumica dërrmuese e vendeve e kanë pranuar realitetin. Edhe shqiptarët, sikurse kombet e tjera të ish-Jugosllavisë, kishin të drejtën e vetëvendosjes”, u shpreh kryeministri shqiptar.

Sa i përket zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Rama shmangu komentet direkte për qëndrimet e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.

“Unë kam një rregull që e respektoj gjithmonë: nuk flas kurrë për opozitën time në një gjuhë të huaj. Mos më kërkoni të them në një gjuhë të huaj gjëra që kanë të bëjnë me Albin Kurtin dhe me vëllezërit e motrat e mia në Kosovë”, tha ai.

Në fund, Rama theksoi se Serbia, si shteti më i madh në rajon, duhet të përballet me të kaluarën dhe të pranojë realitetin e ri.

“Sipas mendimit tim, sa më shpejt që Serbia ta pranojë se ekziston një realitet i ri, aq më mirë do të jetë për vetë Serbinë”, përfundoi ai./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Von der Leyen në Kiev, BE-ja dhe Ukraina drejt marrëveshjes së re për prodhimin e dronëve

Published

on

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka mbërritur në Kiev për t’u takuar me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, në kuadër të përpjekjeve për thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ukrainës.

Vizita, e dyta e saj në Kiev gjatë këtij viti, pritet të përqendrohet në një marrëveshje të re për prodhimin dhe zhvillimin e dronëve, të cilët kanë marrë një rol kyç në luftën mes Ukrainës dhe Rusisë.

Me të mbërritur në kryeqytetin ukrainas, von der Leyen tha se Ukraina ka krijuar një moment të ri në fushën ushtarake.

“Ukraina ka ndërtuar një vrull të fortë ushtarak. Batica po ndryshon. Bashkimi Evropian po luan plotësisht rolin e tij me kredinë prej 90 miliardë eurosh. Në Ukrainë do të njoftoj iniciativa të reja për të thelluar integrimin e industrive tona të mbrojtjes”, deklaroi ajo.

Sipas raportimeve, një nga elementet kryesore të marrëveshjes do të jetë ruajtja e dronëve ukrainas në territorin e Bashkimit Evropian, duke kombinuar kapacitetet industriale të Evropës me zhvillimin teknologjik të Ukrainës.

Gjatë vizitës, presidenti Volodymyr Zelensky pritet ta dekorojë Ursula von der Leyen me Urdhrin e Evropës, një vlerësim i ri që u jepet personaliteteve që kanë kontribuar në mbështetjen e Ukrainës dhe në avancimin e rrugës së saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Von der Leyen do të marrë pjesë gjithashtu në edicionin e pestë të Samitit Ukrainë–Evropë Juglindore, ku do të jenë të pranishëm edhe liderë nga Kroacia, Moldavia, Rumania dhe vende të tjera të rajonit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Rriten çmimet e derivateve në Kosovë, nafta arrin në 1.54 euro për litër

Published

on

Çmimet e derivateve të naftës në Kosovë kanë shënuar rritje për ditën e mërkurë, sipas çmimeve maksimale të publikuara nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Litri i naftës mund të shitet deri në 1.54 euro, duke shënuar një rritje prej dy centësh krahasuar me një ditë më parë.

Rritje ka pësuar edhe çmimi i benzinës. Të mërkurën, litri i benzinës mund të shitet deri në 1.40 euro, një cent më shumë se një ditë më parë.

Ndërkohë, çmimi i gazit ka mbetur i pandryshuar, me 0.60 euro për litër.

Rritja e çmimeve të derivateve vjen pas zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme, përkatësisht prishjes së marrëveshjes së armëpushimit mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit. SHBA-ja ka njoftuar rikthimin e bllokadës për anijet që hyjnë ose dalin nga portet iraniane, një zhvillim që ka ndikuar edhe në tregjet ndërkombëtare të naftës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Aktakuzë për tentim-vrasje në Deçan, i dyshuari akuzohet se qëlloi ndaj katër personave

Published

on

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj I.Z., nën dyshimin se ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë” në tentativë dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 13 janar 2026, rreth orës 00:15, brenda një lokali në komunën e Deçanit.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri, i motivuar nga përkatësia kombëtare e të dëmtuarve, dyshohet se ka tentuar t’i privojë nga jeta katër persona duke përdorur armë zjarri.

Si pasojë e të shtënave, tre persona kanë mbetur të plagosur. Dy prej tyre kanë pësuar lëndime të rënda trupore, ndërsa njëri ka marrë lëndime të lehta. Personi i katërt ka arritur t’i shmanget sulmit pa pësuar lëndime.

Prokuroria bën të ditur se arma e përdorur në këtë rast dyshohet se mbahej pa autorizim ligjor, në kundërshtim me Ligjin për Armët. Pas arrestimit të të pandehurit, gjatë kontrollit dhe bastisjes janë sekuestruar arma e zjarrit dhe municioni.

Prokurori i Shtetit i ka propozuar gjykatës që, pas zhvillimit të shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, I.Z. të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale që i vihen në barrë./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara