Lajmet

​Strategjia e Sigurisë së Kosovës 2022-2027 dërgohet për miratim në Kuvend

Shqyrtimi dhe votimi i dokumentit është bërë pa praninë e mediave.

Published

on

Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes i ka rekomanduar Kuvendit për miratim Strategjinë e Sigurisë së Kosovës 2022-2027, me pesë vota për, dy kundër dhe një abstenim.

Shqyrtimi dhe votimi i dokumentit është bërë pa praninë e mediave ndërsa pas mbledhjes së komisionit është thënë se presin që javën e ardhshme të jetë pikë e rendit të ditës në seancë plenare.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli tha se ky është një prej dokumenteve më të rëndësishme që identifikon rreziqet e ndryshme, por edhe udhëzon institucionet se si t’i adresojnë ato.

Në fund me 5 vota për dhe 2 kundër, një abstenim, komisioni mori vendim që t’i rekomandojë Kuvendit miratimin e kësaj strategjie…. Pas këtij takimi, procedohet për seancë dhe besoj që javën e ardhshme kjo pikë e rendit të ditës do të jetë për votim”, ka thënë Dugolli.

Sipas tij, deputetët kanë treguar qasje konstruktive në shqyrtimin e kësaj strategjie.

Deklarimet e javës së kaluar kanë qenë të nxituara, sepse edhe deputetët e pranuan që nuk e kanë analizuar sa duhet dokumentin e strategjisë së sigurisë. Në këtë takim ka pasur një qasje konstruktive dhe problemet janë adresuar në mënyrë profesionale. Është kërkuar një koordinim pak më i mirë ndërinstitucional. Edhe sa i përket komisionit, u kërkua të ketë vazhdim të hartimit me koordinim më të mirë dhe edhe komisioni të jetë sa më shumë i përfshirë në dhënien e rekomandimeve në hartimin e këtij dokumenti”, ka thënë ai.

Ndërsa deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Anton Quni tha se një prej vërejtjeve me të cilat janë pajtuar të gjithë anëtarët e komisionit ka qenë se ky komision nuk është përfshirë në hartimin e këtij dokumenti.

Kam dhënë disa vërejtje të mia, të cilat besoj që Këshilli i Sigurisë do të duhej t’i merr në konsideratë… Do të shfrytëzojmë mundësinë tonë që të gjitha që u folën në komision t’i prezantojmë edhe në parlament. Shpresoj në parlament të ketë reflektim më pozitiv dhe të merren në konsideratë… Ne jemi duke përballur edhe me migrimin e madh të qytetarëve. Është paradoks të flasim për zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Policisë së Kosovës, pasi është shqetësuese largimi i rinisë nga Kosova dhe këto institucione nuk ofrojnë për të rinjtë e Kosovës një atraktivitet që ata ta gjejnë veten brenda këtyre institucioneve. Është edhe gjendja sociale ekonomike, varfëria, që do të duhej të merreshin në konsideratë para se të hartohej ky draft”, ka thënë Quni.

Në mbledhjen e komisionit ku u votua Strategjia e Sigurisë morën pjesë edhe përfaqësues nga Këshilli i Sigurisë dhe Forca e Sigurisë së Kosovës.

Javë me parë Qeveria e Kosovës e ka miratuar Strategjinë e Sigurisë 2022-2027 e cila është e dyta që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

Filmi “Dua” i Blerta Bashollit prezantohet sonte në festival ndërkombëtar

Published

on

Filmi artistik me metrazh të gjatë “Dua”, me skenar dhe regji të regjisores kosovare Blerta Basholli, do të prezantohet sonte në orën 20:30 në kuadër të një festivali ndërkombëtar të filmit, ku marrin pjesë produksione nga e gjithë bota.

Filmi ka tërhequr vëmendjen e skenës ndërkombëtare pasi është vlerësuar me Çmimin SACD Semaine de la Critique – Cannes 2026.

Sipas njoftimit zyrtar, pas prezantimit në festival, “Dua” pritet të nisë së shpejti edhe shfaqjet në kinema.

I vendosur në Kosovën e viteve ’90, filmi trajton sfidat me të cilat u përball populli shqiptar gjatë asaj periudhe, përmes rrëfimit të protagonistes kryesore, Dua, e interpretuar nga aktorja Pinea Matoshi./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Të shtëna me armë në Gjermani, të paktën pesë persona humbin jetën

Published

on

Të paktën pesë persona janë vrarë si pasojë e të shtënave me armë në qytetin Stade, në veri të Gjermanisë.

Një zëdhënës i policisë konfirmoi se një person është arrestuar në lidhje me rastin, por nuk dha detaje të tjera mbi identitetin e të dyshuarit apo numrin e saktë të viktimave.

Policia e Lüneburgut u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin zonën, ndërsa hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes janë në zhvillim.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende informacione për motivin e sulmit, ndërsa një numër i madh i ekipeve të emergjencës vazhdojnë të jenë të angazhuara në vendin e ngjarjes./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Pesë ankesa në PZAP shtyjnë certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve

Published

on

Pesë ankesa janë dorëzuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) kundër rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, duke shtyrë përkohësisht procesin e certifikimit të tyre.

Sipas të dhënave të publikuara nga PZAP, ankesat janë paraqitur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lista Serbe dhe Nova Demokratska Stranka (NDS). Dy ankesa janë dorëzuar nga PDK, dy nga NDS dhe një nga Lista Serbe.

Lidhur me këtë çështje, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, tha se institucioni nuk komenton rastet që ndodhen në procedurë ankimore.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk komenton çështjet që janë në proces ankimor. Si në çdo rast, KQZ do t’i përgjigjet, brenda afatit, kërkesës së PZAP-it, institucionit kompetent për shqyrtimin e ankesave në procesin zgjedhor, duke sqaruar të gjitha çështjet e nevojshme”, ka deklaruar Elezi.

Ai theksoi se certifikimi i rezultateve do të bëhet vetëm pasi të përfundojnë të gjitha procedurat ligjore.

“Pasi ndaj rezultateve përfndimtare të shpallura nga KQZ janë parashtruar disa ankesa, KQZ do të presë vendimmarrjen e PZAP-it dhe të Gjykatës Supreme, të zbatojë vendimet e tyre nëse përmbajnë obligime për KQZ dhe pastaj do të mund të procedojë me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, u shpreh Elezi.

Ankesat kanë të bëjnë kryesisht me pretendime për parregullsi në procesin e numërimit të votave dhe mungesë të votave.

Pas vendimit të PZAP-it, palët do të kenë të drejtë të paraqesin ankesë edhe në Gjykatën Supreme. Vetëm pas përfundimit të të gjitha procedurave ligjore, KQZ do të mund të certifikojë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve./A.K/

Continue Reading

Lajmet

IKSHPK apel qytetarëve: Kujdes nga temperaturat deri në 38°C, ndiqni këto rekomandime

Published

on

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ditëve me temperatura të larta, pasi Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar se temperaturat do të arrijnë deri në 38 gradë Celsius.

Sipas IKSHPK-së, për të zvogëluar rrezikun nga i nxehti, qytetarët duhet të shmangin qëndrimin dhe aktivitetet në ambiente të hapura, veçanërisht gjatë orëve më të nxehta të ditës.

Instituti rekomandon që të qëndrohet sa më shumë në ambiente me hije ose të freskëta, ndërsa gjatë ekspozimit në diell të mbrohen koka dhe fytyra me kapelë, si dhe të përdoren syze dielli dhe krem mbrojtës për lëkurën.

Po ashtu, IKSHPK-ja thekson rëndësinë e hidratimit, duke u bërë thirrje qytetarëve që të konsumojnë ujë rregullisht gjatë gjithë ditës për të shmangur dehidratimin dhe pasojat që mund të shkaktojnë temperaturat e larta.

Autoritetet shëndetësore u bëjnë apel veçanërisht të moshuarve, fëmijëve, grave shtatzëna dhe personave me sëmundje kronike që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë kësaj periudhe me vapë./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara