Lajmet

​Stano: E ardhmja evropiane e Kosovës dhe Serbisë varet nga progresi në dialog

Stano i bëri këto komente gjatë një konference për media.

Published

on

Zëdhënësi i BE-së për Çështje të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Peter Stano, duke komentuar takimin e ardhshëm në mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti gjatë të enjtes së ardhshme, ka thënë se po angazhohen për të çuar përpara të gjitha çështjet në dialog, sepse pa progres në dialog nuk do të ketë progres në rrugën e anëtarësimit në BE të të dyja vendeve.

Stano i bëri këto komente gjatë një konference për media, ku është pyetur edhe për çështjen e reciprocitetit me targa në mes Kosovës dhe Serbisë, e cila është diskutuar tash e sa kohë në Bruksel por që nuk është zgjidhur.

“Nuk i takon BE-së t’u imponojë zgjidhje partnerëve, veçanërisht partnerëve të cilët shprehen shumë qartë se objektivi i tyre strategjik është anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Pra, procesi i anëtarësimit drejt BE-së, rruga drejt BE-së, është në fakt leva që BE-ja ka. Dhe ne, natyrisht, po e përdorim sepse çështjet që ju përmendët, po trajtohen mes palëve me ndihmën dhe lehtësimin e Bashkimit Evropian. Shumë çështje që po shkaktojnë acarime në marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës trajtohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Por ky është pikërisht ai që quhet dialog i lehtësuar, nuk është dialog i detyruar, kështu që ne mund të lehtësojmë për aq kohë sa ka vullnet nga të dyja palët për të gjetur një zgjidhje kompromisi. Ne i ndihmojmë ata të gjejnë zgjidhjen e kompromisit, por u takon atyre që të jenë gati për kompromiset e nevojshme”, tha ai.

Madje, sipas tij, lehtësim të dialogut do të bëjnë edhe të enjten e ardhshme, ku në Bruksel do të ketë takim në mese Kurtit dhe Vuçiqit.

“Këtë do të përpiqemi të bëjmë në çdo takim të ardhshëm. Përfshirë takimin e nivelit të lartë të enjten e ardhshme, në Bruksel mes presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti, për të çuar përpara të gjitha çështjet në dialog, sepse pa progres në dialog, dhe kjo nëse dëshironi një levë shumë të fortë, nuk do të ketë progresin në rrugën e anëtarësimit në BE të të dyja palëve. Pra, kjo është shumë e rëndësishme për të ardhmen e tyre evropiane, është e rëndësishme të përparojnë në dialogun e lehtësuar nga BE. Sepse pa këtë nuk do të ketë përparim dhe objektivi i tyre strategjik nuk do të përmbushet. Nuk do të jetë e mundur. Nëse nuk ka përparim, nuk mund të përparoni në procesin e përgjithshëm, BE-ja po bënë çfarë po mundet por përsëri, ne nuk mund të imponojmë, sepse kjo nuk është ajo që bëjmë ne, ne mund t’i ndihmojmë ata të sillen në mënyrë evropiane, që do të thotë të gjejnë kompromisin, sepse duke gjetur kompromisin, kjo është mënyra se si funksionon Bashkimi Evropian dhe kjo është ajo që ne po përpiqemi t’i ndihmojmë ata të arrijnë”, tha ai.

Çështja e targave është diskutuar edhe para një viti në Bruksel, ku palët u pajtuan për një zgjidhje të përkohshme stikersa. Megjithatë, kryeministri Kurti pati vendosur që më 1 gusht të nis zbatimi i vendimeve për targa dhe letërnjoftime, gjë që edhe tensionoi situatën në veri të vendit. Për gjithë ato tensione, akterë ndërkombëtar e vendor, thanë se janë të nxitura nga Beogradi zyrtar.

Kurti pas konsultimeve me ambasadorët në Kosovë, vendosi që më 1 shtator të rifillojë zbatimi i vendimeve për targa dhe letërnjoftime.

Lajmet

IKShPK: Vaksinat kundër gripit sezonal arrijnë më 21 tetor, vonesa shkaktohet nga ndryshimet globale

Published

on

By

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar qytetarët se kontingjenti i vaksinave kundër gripit sezonal për sezonin 2026/2027 pritet të mbërrijë në Kosovë më 21 tetor 2026.

Sipas IKShPK-së, procesi ndërkombëtar i prodhimit të vaksinave për hemisferën veriore ka pësuar vonesa globale për shkak të ndryshimeve në përbërjen e shtameve të rekomanduara. Këto ndryshime ushtruan ndikim të drejtpërdrejtë në afatet e furnizimit si në nivel global ashtu edhe në vendet e rajonit, duke bërë që mbërritja e tyre në Kosovë të shtyhet për 21 ditë nga afati i parashikuar.

Instituti bëri me dije se po përcjell nga afër këtë proces dhe se me të pranuar kontingjentin do të njoftojë publikun për nisjen zyrtare të procesit të imunizimit.

“IKShPK po përcjell nga afër procesin e furnizimit dhe, pas pranimit të vaksinave, do të njoftojë qytetarët dhe institucionet shëndetësore për fillimin e vaksinimit kundër gripit sezonal. Qytetarët do të informohen në kohë për vendet dhe oraret e vaksinimit, pas përfundimit të procedurave të pranimit dhe shpërndarjes së vaksinave në institucionet shëndetësore”.

Me këtë rast, IKShPK u ka shprehur falënderim qytetarëve për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar gjatë kësaj periudhe.

 

Continue Reading

Lajmet

Rusia kërcënon NATO-n me armë bërthamore për rajonin e Kaliningradit

Published

on

By

Rusia i ka dërguar një paralajmërim të ashpër NATO-s, duke bërë të ditur se është e gatshme të përdorë të gjithë arsenalin e saj ushtarak, përfshirë armët bërthamore, nëse aleanca perëndimore ndërmerr hapa për të izoluar apo shkëputur enklavën ruse të Kaliningradit.

Në një dokument konfidencial (“non-paper”) të dërguar NATO-s, të siguruar nga agjencia e lajmeve Reuters, Moska akuzon aleancën për një “kurs të rrezikshëm dhe të pamatur” që rrit rrezikun e një konflikti të drejtpërdrejtë ushtarak.

Në dokumentin diplomatik joformal, Moska bën të qartë se përgjigja ushtarake mund të përfshijë goditje të drejtpërdrejta brenda territorit të vendeve anëtare të NATO-s që nga fillimi i çdo përshkallëzimi:

“Rusia do të jetë gati të përdorë të gjithë arsenalin e forcave dhe kapaciteteve në dispozicion të saj, duke përfshirë armët bërthamore, për të mbrojtur territorin e saj nëse vendet e NATO-s ndërmarrin ndonjë përpjekje që synon izolimin e Rajonit të Kaliningradit nga pjesa tjetër e vendit.”

Dokumenti nëvizon gjithashtu mundësinë e “sulmeve ruse kundër qendrave të vendimmarrjes në shtetet anëtare të aleancës që nga fillimi i konfliktit.”

Përveç paralajmërimit konfidencial, ambasadat ruse në të paktën tre shtete evropiane kanë lëshuar deklarata publike gjatë tre ditëve të fundit. Ato akuzojnë NATO-n për nxitje të tensioneve përmes stërvitjeve ushtarake dhe skenarëve operativë që përfshijnë Kaliningradin — territorin e militarizuar rus që ndodhet gjeografikisht midis Polonisë dhe Lituanisë.

Nga ana tjetër, diplomatët rusë hodhën poshtë pretendimet e vendeve perëndimore se Moska përbën kërcënim apo se po përgatit sulm ndaj ndonjë anëtari të NATO-s, si dhe mohuan akuzat për udhëheqjen e një “lufte hibride” përmes sabotimeve në Evropë. Sidoqoftë, pala ruse nënjëzogoi se çdo cenim ndaj Kaliningradit do të përballet me “përgjigjen më të fortë të mundshme”.

 

Continue Reading

Lajmet

15 profesorë të UBT-së renditen të parët në Kosovë në Scholarly Index 2026

Published

on

By

UBT ka shënuar rezultate të rëndësishme në Scholarly Index Top1000 Scholar 2026, ku 15 profesorë të universitetit janë renditur në vendin e parë në Kosovë në të paktën një temë kërkimore.

Në mesin e tyre janë:

Alban Kuriqi, Hyrije Koraqi, Ridvan Peshkopia, Visar Krelani, Gazmend Temaj, Pajtim Bytyçi, Burhan Reshat Rexhepi, Milaim Berisha, Kujtim Lepaja, Demokrat Nuha, Xhevahire Millaku, Liridon Kryeziu, Alfred Marleku, Nuredin Lutfiu dhe Kristina Perkola.

Këto renditje mbulojnë fusha të ndryshme të kërkimit, përfshirë inxhinierinë, ujërat dhe mjedisin, biznesin, shkencat sociale, shkencat ushqimore, arsimin, gjuhësinë dhe fusha të tjera.

Në nivel ndërkombëtar, profesorët e UBT-së kanë arritur gjithashtu pozita të larta. Prof. Dr. Alban Kuriqi ka shënuar pozitën më të lartë globale në mesin e profesorëve të UBT-së të paraqitur në këto renditje, duke u renditur i 8-ti në botë në temën “Hydrology and Sediment Transport Processes” për periudhën 2021–2025.

Po ashtu, Kristina Perkola është renditur #71 në botë, ndërsa Burhan Reshat Rexhepi #81, në temat e tyre përkatëse.

Këto rezultate tregojnë një prani të fortë të profesorëve të UBT-së si në nivel kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, dhe përforcojnë dukshmërinë e universitetit në kërkimin shkencor.

 

Continue Reading

Lajmet

UBT zhvillon sesion informues për Kualifikimin Profesional Zhvillues i Aplikacioneve me Integrimin e AI-së

Published

on

By

Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së është mbajtur dje një sesion informues për Kualifikimin Profesional Zhvillues i Aplikacioneve me Integrimin e Inteligjencës Artificiale, ku studentë dhe të interesuar të tjerë u njohën nga afër me programin, mundësitë profesionale dhe infrastrukturën moderne që ofron UBT.

Studentët u mirëpritën nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, si dhe Drejtori i Departamentit për Edukim dhe Zhvillim Profesional në UBT, Prof. Dr. Besnik Skenderi, dhe Drejtori i Infrastrukturës, Murat Retkoceri, ku prezantuan programin dhe mundësitë që ai ofron, ndërsa pjesëmarrësit vizituan ambientet e laboratorëve dhe u njohën nga afër me pajisjet dhe teknologjitë moderne që do të përdoren gjatë ligjëratave, ushtrimeve dhe punës praktike.

Programi i mbështetur nga Regional Challenge Fund, synon zhvillimin e aftësive profesionale në fushën e zhvillimit të aplikacioneve, duke e integruar Inteligjencën Artificiale në procesin e të nxënit dhe praktikës profesionale. Kualifikimi Profesional Zhvillues i Aplikacioneve është e orientuar drejt përgatitjes së profesionistëve për role në industrinë e teknologjisë së informacionit dhe zhvillohet në katër semestra.

Përmes këtij programi, studentët do të kenë mundësi të zhvillojnë aftësi praktike në teknologji, programim dhe Inteligjencë Artificiale, krahas studimeve të tyre, në një mjedis të pajisur me infrastrukturë moderne dhe teknologji bashkëkohore.

Continue Reading

Të kërkuara