Lajmet

​S’ka kuorum për votimin e raportit të punës të Agjencisë për Informim dhe Privatësi

Vetëm 59 deputetë kanë votuar për këtë raport, ndërkaq që të pranishëm kanë qenë 69 përfaqësues të legjislativit.

Published

on

Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur kuorum për votimin e raportit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Vetëm 59 deputetë kanë votuar për këtë raport, ndërkaq që të pranishëm kanë qenë 69 përfaqësues të legjislativit.

Kështu ka njoftuar në seancë plenare, kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili tha se nuk ka kuorum për vendimmarrje.

Vetëm 59 deputetë të kuvendit kanë votuar për këtë raport. Kështu që nuk ka kuorum për të vendosur kuvendi për këtë raport”, ka njoftuar Konjufca.

Në emër të Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, deputeti Enver Dugolli ka kërkuar nga Kuvendi që të miratohet raporti vjetor i Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2021.

Të miratohet raporti i punës i Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2021. Arsyetim: në bazë të nenit 66 të Ligjit 06-L-082 për mbrojtjen e të dhënave personale, Agjencia për Informim dhe Privatësi duhet t’i paraqes Kuvendit të Kosovës raport vjetor të punës dhe duhet ta publikojë atë jo më vonë 31 mars të vitit vijues. Në pajtim me dispozitat ligjore, Agjencia për Informim dhe Privatësi i ka paraqitur kuvendit raportin e punës për vitin 2021, i cili përmban të dhënat dhe veprimet e këtij institucioni në fushën e qasjes në dokumente publike dhe mbrojtjes së të dhënave personave”, ka thënë ai.

Edhe në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, Dugolli ka thënë se ky raport përmbush standardet dhe kriteret e përcaktuara dhe se pasqyrohet një punë e mirë që ka bërë agjencia gjatë vitit të kaluar. Numri total i qytetarëve që kanë bërë kërkesë për qasje në dokumente publike është mbi shtatë mijë.
Sipas këtij raporti të punës, Agjencia për Informim dhe Privatësi gjatë këtij viti u ka dhënë 22 këshilla institucioneve të ndryshme lidhur me zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ka trajtuar 35 ankesa. Sipas raportit, ankesat kryesisht kanë të bëjnë me përpunimin e të dhënave personale përmes sistemit të vëzhgimit të kamerave, përpunimi i të dhënave të zyrtarëve publik, qasje në të dhënat e subjekteve, përpunimi i të dhënave për marketing të drejtpërdrejt. Në fushën e qasjes në dokumente publike, Agjencia ka përpunuar 139 ankesa të pranuara nga qytetarët për heshtje apo refuzim të kërkesave në qasje në dokumente publike”, ka thënë ai.

Në emër të PDK-së, Rashit Qalaj ka shprehur përkrahjen për miratimin e këtij raporti, megjithatë tha se sfidë kryesore e agjencisë është mungesa e kapaciteteve njerëzore.

Qalaj: Edhe PDK e përkrah raportin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi
(Video)

“Edhe ne në Partinë Demokratike të Kosovës e përkrahim raportin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi. Konsideroj që është një raport mjaft i punuar në mënyrë profesionale, i cili paraqet të gjitha aktivitetet që Agjencia i ka bërë gjatë vitit të kaluar….Megjithatë, po e shtoj që agjencioni i ka disa sfida të cilat duhet ne si deputetë t’i ndihmojmë. Sfida kryesore e agjencisë është mungesa e kapaciteteve njerëzore brenda agjencisë. Mund të them që numri i kufizuar i burimeve njerëzore përmban rrezik për mos realizimin e objektivave të planit të performancës”, ka thënë ai. 

Lajmet

PDK i kërkon përseri Avni Deharit vazhdimin e seancës konstituive më 20 gusht

Published

on

By

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) i kanë dërguar kërkesë zyrtare kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, për të thirrur vazhdimin e seancës ditën e enjte, më 20 gusht.

Përmes një letre, PDK-ja ka theksuar se caktimi i seancës është një obligim kushtetues dhe procedural i kryesuesit, duke paralajmëruar se vonesat e mëtejshme thellojnë shkeljet ligjore.

“Moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar tashmë ka krijuar një situatë të rëndë të shkeljes së Kushtetutës dhe të mosrespektimit të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese. Mosrespektimi i afateve dhe procedurave të përcaktuara me Rregulloren e Kuvendit vetëm sa e thellon më tej këtë situatë”, ,thuhet në kërkesen e PDK-së.

Kjo kërkesë vjen në kuadër të aksioneve të vazhdueshme të PDK-së, deputetët e së cilës po protestojnë çdo mëngjes para Qeverisë dhe po mblidhen çdo dy ditë në sallën e Kuvendit.

Në anën tjetër, që nga vazhdimi i fundit më 8 gusht, kryesuesi Avni Dehari nuk ka thirrur seancë të re, duke mbështetur qëndrimin e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, se pa një marrëveshje politike seancat mbeten “shterpe”. Kurti ka kërkuar më shumë kohë për negociata, me arsyetimin se pa një dakordim për postin e presidentit, vendi do të shkojë pashmangshëm në zgjedhje të reja.

Përderisa PDK-ja dhe AAK-ja kanë refuzuar takimet me Kurtin, ky i fundit ka zhvilluar negociata me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), përfshirë një takim me liderin e saj, Lumir Abdixhiku, për të diskutuar rreth çështjes së presidentit. Ndërkohë, afati kushtetues 30-ditor për konstituimin e Kuvendit pas certifikimit të rezultateve tashmë ka kaluar. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Murici dhe Vojvoda shkëlqejnë në Kupën e Italisë: Zënë vend në formacionin e javës

Published

on

By

Dyshja e kombëtares së Kosovës, Arijanet Muric dhe Mërgim Vojvoda, kanë dhënë paraqitje të shkëlqyera në Kupën e Italisë, duke u përfshirë në formacionin më të mirë të javës sipas platformës së specializuar të statistikave, SofaScore.

Portieri Arijanet Muric dhuroi një paraqitje të nivelit të lartë në fitoren 3-0 të Sassuolos ndaj Cesenas, duke u vlerësuar me notën e lartë 8.7.

Nga ana tjetër, mbrojtësi Mërgim Vojvoda po ashtu ishte vendimtar në triumfin e Udineses kundër Padovas me rezultat 1-0, ku për performancën e tij u shpërblye me notën 8.3.

Përfshirja e të dy futbollistëve kosovarë në 11-shen më të mirë konfirmon formën e tyre të mirë në fillim të këtij edicioni në futbollin italian. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Milot Rashica drejt largimit nga Besiktashi

Published

on

By

Ylli i kombëtares së Kosovës, Milot Rashica, mund t’i japë fund aventurës së tij te Besiktasi, përkundër faktit se ka edhe një vit kontratë aktive me gjigantin nga Stambolli.

Sipas raportimeve nga mediat turke, përfshirë gazetën Milliyet, e ardhmja e anësorit kosovar varet direkt nga lëvizjet e radhës së klubit në afatin kalimtar. Besiktasi po shqyrton mundësinë e transferimit të një tjetër futbollisti në krahun e djathtë të sulmit. Nëse ky transferim realizohet, skuadra do të ketë tre lojtarë të huaj për të njëjtën pozitë, çka do të shtynte drejtuesit të konsiderojnë shitjen e Rashicës.

Drejtuesit e klubit turk janë të kënaqur me paraqitjet e Vaclav Cerny-t, i cili ka përparësi në këtë repart. Prandaj, ardhja e një përforcimi të ri do të rriste ndjeshëm gjasat për ndarjen e rrugëve me kosovarin.

Gjatë periudhës së tij te Besiktasi, Milot Rashica ka lënë gjurmë të rëndësishme duke shënuar 13 gola dhe duke dhuruar 25 asistime në 119 paraqitje zyrtare.

Continue Reading

Lajmet

Mbi 320 raste brenda 24 orëve në QKUK: Të lënduar nga aksidentet, përleshjet dhe armët e ftohta

Published

on

By

Në Qendrën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë trajtuar gjithsej 321 raste gjatë 24 orëve të fundit.

Sipas raportit të shërbimeve emergjente, nga numri i përgjithshëm i pacientëve, 90 raste janë

menaxhuar në Reanimim, 90 në Emergjencën Internistike, 53 në Emergjencën Kirurgjike dhe 60 pacientë kanë marrë trajtime në Emergjencën Ortopedike. Ndërkaq, në sallën e vogël janë kryer 19 ndërhyrje, kryesisht për qepje, përpunim dhe pastrim të plagëve.

Sa i përket natyrës së lëndimeve, gjatë kësaj periudhe janë regjistruar: 21 persona të lënduar në aksidente trafiku, 1 rast nga përdorimi i armëve të ftohta, 1 person i lënduar në përleshje fizike, 1 rast intoksikimi (helmim).

Përveç kësaj, gjatë këtij 24-orëshi janë realizuar 28 pranime për trajtim të mëtejshëm në klinika të ndryshme të QKUK-së, ndërsa është regjistruar edhe një rast vdekjeje. /A.M/

Continue Reading

Të kërkuara