Lajmet

​S’ka kuorum për ndryshimin e ligjit për pensionet, mbyllen punimet e seancës së sotme

Seanca do të vazhdojë javën e ardhshme.

Published

on

Kuvendi i Kosovës nuk pati kuorum për miratimin në parim të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti.

Gjatë shqyrtimit të këtij projektligji të propozuar nga AAK, opozita kërkoi heqjen e kushtëzimit 15 vjet për pensionistët kontribut pagues, ndërsa mazhoranca nuk e mbështeti.

Pro këtij projektligji ishin vetëm 22 deputetë, 31 të tjerë abstenuan, kështu nuk pati kuorum për votim.

Deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shemsedin Dreshaj ka kërkuar largimin e nenit që sipas tij është i dëmshëm dhe diskriminues për punëtorët e viteve të ’90-ta të cilët ishin larguar dhunshëm nga institucionet shtetërore të vendit.

“Sot jemi këtu për të korrigjuar një padrejtësi, dhe një nismë legjislative për të cilën ka kohë që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka iniciuar. Kjo iniciativë është marr bazuar në shqetësimet e qytetarëve dhe nga takimet e shumta që kemi pasur me ta… pra, në këtë kërkesë bëhet fjalë për plotësim ndryshimin e ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti apo më konkretisht neni 8.2. prandaj kërkojmë largimin e këtij neni diskriminues të këtij ligji, i cili parasheh që secili kandidat që shkon pension kontribut dhënës duhet t’i ketë së paku 15 vjet para 1 janarit të vitit 1999. Me propozimin që kemi iniciuar parashihet që pensionet kontribut dhënëse t’i gëzojnë të gjithë pensionistët varësisht nga vitet para 1 janari të vitit 1999. Ju përkujtoj se kështu është në të gjitha vendet demokratike të perëndimit; sa punoni kontribuoni. Kemi raste që për 1 ditë apo për një javë janë pensionuar dhe nuk kanë pasur të drejtë që ta gëzojnë pensionin kontributdhënës meritor”, tha ai.

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Fatmire Kollqaku tha se komisioni përkatës i ka rekomanduar Kuvendit që të mos e përkrahë këtë nismë ligjore. Megjithatë deputetja nga Vetëvendosje nuk e përkrah ndryshimin e këtij ligji në këtë formë.

“Nuk është që nuk është përkrahur, mirëpo mendojmë që nuk mund të zgjidhet kjo çështje në këtë formë, por kjo zgjidhje duhet të bëhet në kuadër të reformës pensionale dhe të skemave sociale, sepse Kosova nuk ka sistem pensional. Megjithatë, kjo patjetër që duhet të zgjidhet, por ashtu siç duhet nga qeveria aktuale e cila tashmë është duke bërë reformën pensionale. Kjo është arsyeje që ne nuk e përkrahim vetëm në këtë formë që është paraqitur dhe konsiderojmë si jo të sinqertë”, tha ajo.

Deputeti nga PDK-ja, Bekim Haxhiu tha se propozimi nga GP i AAK-së është me vend, i cili sipas tij eliminon një pabarazi dhe një diskriminim të madh që ka ndodhur në vitet e fundit.

“Duke u rritur dhe ndërtuar shteti ynë, duke pasur edhe financa stabile është menduar edhe për pensionistët kontribut pagues. Sot është një momentum ku këtë pabarazi mundemi me ndryshua”, tha ai.

Deputeti nga LDK-ja Armend Muja tha se nenet e ligjit aktual janë diskriminuese dhe ofenduese.

“Të punësuarit e viteve të ’90-ta që janë larguar dhunshëm ose që nuk janë bërë pjesë e masave të dhunshme nuk mund të gëzojnë një të drejtë e cila po iu mohohet në mënyrë jo demokratike në shtetin e tyre për të cilin ata kanë punuar”, tha ai.

Në fund ka reaguar edhe shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila.

“U theksua këtu disa herë që po shpërblehen ata që kanë punuar me sistemin apo me regjimin okupues serb, ndërsa sanksionohen ata të tjerët. Po bre, por deri sot ka ndodhë e njëjta. Kthehuni në referencë gjithmonë ku kanë qenë subjektet e juaja nëse e kanë pasur si prioritet”, tha ajo.

Me këtë rast, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca mbylli punimet e seancës së sotme dhe bëri të ditur se e njëjta do të vazhdojë javën e ardhshme.

Lajmet

Policia sqaron ndalimin e hyrje-daljeve në parkingjet e Kuvendit dhe Presidencës

Published

on

Policia e Kosovës ka sqaruar se ndalimi i hyrje-daljeve dhe parkimit të automjeteve në hapësirat e Kuvendit të Kosovës dhe Presidencës, më 8 shtator, është bërë me kërkesë zyrtare të Drejtorisë së Shërbimeve Teknike të Kuvendit.

Sipas Policisë, kërkesa ka paraparë që, përveç veturave zyrtare të Kuvendit dhe Zyrës së Presidentes, të mos lejohej hyrja, dalja dhe parkimi i automjeteve në këto hapësira.

Ndalimi është bërë për shkak të pastrimit të oborrit dhe parkingjeve me mekanizëm adekuat. Policia ka bërë të ditur se në ditët në vijim pritet të rikthehen procedurat e rregullta për hyrje-daljet dhe parkimin e personave të autorizuar.

PK-ja ka theksuar se veprimet e saj i ndërmerr në përputhje me autorizimet ligjore dhe kushtetuese, përfshirë edhe zbatimin e kërkesave zyrtare të institucioneve të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Pesë të arrestuar për tjetërsimin e një prone në Fushë Kosovë në vlerë 1.5 milionë euro

Published

on

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje lidhur me arrestimin e pesë personave, të dyshuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në një rast që lidhet me tjetërsimin e një prone në Fushë Kosovë, në vlerë prej 1.5 milionë eurosh.

Arrestimet janë realizuar në koordinim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë.

Sipas Prokurorisë, nga veprimet hetimore të zhvilluara deri më tani dyshohet se personat e përfshirë, duke keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar, kanë pajisur në mënyrë të kundërligjshme personin me inicialet M.S. me fletë poseduese për një pronë prej dy hektarësh në Fushë Kosovë.

Më pas, dyshohet se M.S., në bashkëpunim me persona të tjerë, ka tentuar që pronën ta tjetërsojë përmes shitblerjes te personat me inicialet M.Z. dhe M.Z.

Prokuroria dyshon se gjatë këtij procesi janë përdorur edhe dokumente të falsifikuara, ndërsa vlera e pronës kap shumën prej 1 milion e 500 mijë eurosh.

Pesë të dyshuarit po hetohen për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Pas arrestimit, me urdhër të prokurorit të shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se do të vazhdojë me veprimet e nevojshme hetimore, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Dyshohej për varrezë masive në ish-shkollën teknike në Obiliq, Policia: U tentua të kultivohej drogë

Published

on

Gjatë pastrimit të ish-shkollës teknike në Obiliq, punëtorët e Ndërmarrjes Publike Pastrimit “Kastrioti” në bodrumin e shkollës, kanë hasur pamje që kanë ngritur dyshime dhe shqetësim.

Fillimisht është dyshuar për varrezë masive, por sipas Policisë, më pas u kuptua se në këtë objekt është tentuar kultivimi i disa substancave narkotike.

Pastrimi i objektit pati filluar të bëhej pas vendimit të kryetarit të Obiliqit, Halil Thaçit që kjo shkollë të rikthehet dhe të fillojë mësimi përsëri.

Në bodrumin e objektit, shihen thasë të mbushur me materiale të panjohura, të varur në tavan, ndërsa në hapësirat e bodrumit është evidentuar edhe një gropë e madhe.

I pranishëm ishte edhe kryetari i komunës, i cili kishte thënë se rasti po hetohet nga Policia dhe Prokuroria.

“Sipas policëve dhe antidrogës shihet që është tentim i një kultivimi të disa substancave narkotike, por nuk dihet çfarë substanca, siç më tha eprori i policisë. Mirëpo, sido që të jetë, prokuroria edhe policia këtë punë e kanë në dorë dhe ato merren me rastin. Ndërsa sa i përket varrezës masive, unë nuk pashë, apo edhe policia qysh ma ka konfirmuar, nuk ka ndonjë dyshim për momentin”, ka dekalruar ai, raportoi EO.

Kjo shkollë që nga viti 1990, kur nxënësit ishin dëbuar nga forcat serbe, nuk kishte funksionuar më. /A.K/

Continue Reading

Lajmet

3 milionë euro për efiçiencë të energjisë, mbi 1,400 qytetarë do të përfitojnë

Published

on

Rreth 3 milionë euro do të investohen në masa të efiçiencës së energjisë, projekt nga i cili pritet të përfitojnë mbi 1,400 qytetarë në Kosovë.

Deri më tani, në kuadër të këtij projekti janë rinovuar 51 shtëpi të familjeve të cenueshme, me një investim prej rreth 610 mijë eurosh. Në mesin e përfituesve është edhe familja Dragidella në Prishtinë.

Para renovimit, kjo familje konsumonte mbi 85 MWh energji në vit, ndërsa pas përfundimit të punimeve pritet të kursejë rreth 74 për qind të energjisë.

Deri në fund të këtij viti, pritet të përkrahen 192 familje përmes renovimit të shtëpive të tyre, ndërsa deri në vitin 2028 numri i familjeve përfituese pritet të arrijë në 280, në të gjithë Kosovën.

Përfituese do të jenë familjet që marrin asistencë sociale, me përparësi të veçantë për familjet me pensionistë, personat me aftësi të kufizuara dhe prindërit vetushqyes.

Projekti po realizohet me mbështetjen e Qeverisë së Danimarkës, UNDP-së, Ministrisë së Ekonomisë dhe Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara