Lajmet

​Situata në veri, BE e gatshme të mirëpres Kurtin dhe Vuçiqin në Bruksel

BE: Kosova dhe Serbia kanë përgjegjësi për të gjetur një rrugëdalje për të dalë nga situata aktuale.

Published

on

Bashkimi Evropian është i gatshëm të mirëpres në Bruksel kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, sa më shpejt që këta të dy janë të gatshëm të tregojnë sjelljen evropiane në gjetjen e një zgjidhjeje evropiane për situatën në veri.

Kështu deklaroi sot zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, derisa përmendi situatën “e rëndë” të krijuar në veri të vendit pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës.

Sipas tij, të dyja palët, Kosova dhe Serbia, kanë përgjegjësi për të gjetur një rrugëdalje për të dalë nga situata aktuale.

“Ne mbetemi të përkushtuar që t’i mirëpresim të dy, kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq, në Bruksel për takimin e nivelit të lartë, pikërisht ashtu siç sugjeroi përfaqësuesi i lartë, sa më shpejt që të jenë të gatshëm të tregojnë sjelljen evropiane në gjetjen e një zgjidhje evropiane për problemet mes tyre. Pra, puna vazhdon pa i bërë të ditura të gjitha detajet procedurale dhe të nivelit të punës, por ne jemi të angazhuar t’i ndihmojmë ata për të gjetur këtë zgjidhje. Mirëpo Bashkimi Evropian nuk mund të jetë më i interesuari për të gjetur zgjidhjen, duhet të jenë ata. Të dyja palët kanë përgjegjësi për të gjetur një rrugëdalje nga situata aktuale”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se BE nuk mund ta përballojë situatën aktuale, për të cilën tha se është një nga krizat më të rënda që nga viti 2013. Ndërkohë ai foli edhe për përpjekjet e BE-së për të gjetur një zgjidhje.

“Ne nuk mund ta përballojmë situatën aktuale, një nga krizat më të rënda, që nga viti 2013. Përfaqësuesi i lartë e ka thënë shumë qartë se çfarë presim nga të dyja palët dhe çfarë po bëjmë për t’i ndihmuar të gjejnë një zgjidhje evropiane nga situata. Nuk do të hyj në detaje të të gjitha përpjekjeve që po bëhen në të gjitha nivelet e ndryshme, duke përfshirë edhe nivelin e lartë. Përfaqësuesi i lartë ka folur të premten e kaluar në Paris, si me kryeministrin Kurti ashtu edhe me presidentin Vuçiq. Ka angazhime të vazhdueshme nga përfaqësuesi special i BE-së, Lajçak. Ai do të takohet sot me kryenegociatorin e Kosovës. Ky është një shembull i hapave të ndërmarrë, por siç është një praktikë e zakonshme në këtë rast, ne nuk komentojmë apo njoftojmë realisht takimet në nivelet e kryenegociatorëve”, tha ai. 

Lajmet

FSK merr pjesë në ushtrimin shumëkombësh “Saber Junction 26” në Gjermani

Published

on

Kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), i përfaqësuar nga një kompani këmbësorie e Regjimentit të Tretë të Forcave Tokësore, ka marrë pjesë në ushtrimin shumëkombësh “Saber Junction 26”, të zhvilluar në Qendrën e Gatishmërisë Shumëkombëshe në Hohenfels të Gjermanisë.

Sipas FSK-së, kompania kosovare është integruar në Brigadën Ajrore 173 të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, përkatësisht në Batalionin 3-504 “Blue Devils”.

Pas fazës së planifikimit, koordinimit dhe trajnimit, pjesëtarët e FSK-së janë angazhuar në operacione të ndryshme në terren, përfshirë operacione sigurie në mbështetje të zbarkimit ajror, patrulla luftarake dhe operacione mbrojtëse.

Sipas njoftimit, pjesëmarrja në këtë ushtrim ka mundësuar zhvillimin e mëtejshëm të aftësive të komandimit dhe kontrollit, planifikimit dhe ekzekutimit të operacioneve, si dhe rritjen e ndërveprueshmërisë me Ushtrinë Amerikane dhe forcat e vendeve partnere.

Integrimi i kompanisë së FSK-së në një formacion shumëkombësh ka shërbyer edhe për testimin e aftësive të saj në një mjedis kompleks dhe dinamik trajnues, krahas njësive partnere.

Gjatë “Observation Day”, aktivitetet e kontingjentit të FSK-së janë përcjellë nga Komandanti i Komandës së Forcave Tokësore, gjeneral brigade Mehmet Lladrovci, dhe rreshter majori i KFT-së, Naim Smakolli.

Pjesëmarrja në ushtrime të tilla, sipas FSK-së, kontribuon në rritjen e gatishmërisë operacionale, profesionalizmit dhe kapaciteteve për të vepruar krah për krah me ushtritë partnere në operacione shumëkombëshe./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Gjashtë motoçikleta sekuestrohen në Pejë për kundërvajtje në trafik

Published

on

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot, më 10 shtator, në Pejë janë sekuestruar gjashtë motoçikleta për kundërvajtje në komunikacion.

Sekuestrimi është kryer nga Njësia e Trafikut për Qytet e Stacionit Policor në Pejë, në kuadër të planit operativ “Siguria në shkolla”, i cili do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

Sipas Policisë, motoçikletat janë sekuestruar për kundërvajtje të ndryshme, përfshirë drejtimin pa patentë shoferi, pa regjistrim dhe pa helmetë.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka bërë të ditur se aktivitetet në terren do të vazhdojnë me qëllim të parandalimit të aksidenteve në komunikacion.

Policia ka paralajmëruar “zero tolerancë” ndaj të gjithë kundërvajtësve në trafik./A.K/

Continue Reading

Lajmet

UBT vazhdon të forcojë bashkëpunimet ndërkombëtare dhe lidhjet institucionale me partnerë evropianë

Published

on

By

UBT vazhdon të forcojë bashkëpunimet ndërkombëtare dhe lidhjet institucionale me partnerë evropianë. Në kuadër të këtyre përpjekjeve, Zëvendësdekani i Departamentit të Turizmit në UBT, Prof. Alban Fejza, zhvilloi një takim në Ambasadën e Italisë në Kosovë, së bashku me Prof. Raffaella Ritucci dhe Lirdion Blakaj.

Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e konkretizimit të bashkëpunimeve të ndërsjella me UNITO – University of Turin dhe UNITA – Universitas Montium, aleanca universitare evropiane e koordinuar nga UNITO.

Diskutimi u fokusua në mundësi konkrete për bashkëpunim akademik, mobilitet, ndërkombëtarizim dhe zhvillimin e iniciativave të përbashkëta, me synim që interesat e përbashkëta të shndërrohen në hapa konkretë.

Ky takim përbën një hap të rëndësishëm në drejtim të forcimit të lidhjeve akademike dhe institucionale ndërmjet UBT-së, partnerëve italianë dhe hapësirës evropiane të arsimit të lartë.

Continue Reading

Lajmet

Tenderi afro 400 mijë eurosh për kamionë në Ekoregjion, aktakuzë ndaj tre personave

Published

on

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, B.Sh., A.G. dhe R.Z., si dhe ndaj subjektit juridik SH.P.K. “D.C & E”, për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës, më 7 qershor 2023 dhe gjatë periudhës 18 shtator 2023 deri më 16 nëntor 2023, në Prizren, B.Sh., në cilësinë e kryeshefit të KRM “Eko Regjioni”, në bashkëkryerje me zyrtarin e kësaj kompanie, A.G., kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe për subjektin juridik SH.P.K. “D.C & E”.

A.G. dhe B.Sh. akuzohen se, në kundërshtim me legjislacionin për prokurimin publik, kanë krijuar mundësi që tenderin “Furnizimi me kamiona kompaktor dhe autobusë për nevojat e KRM ‘Ekoregjioni’”, në vlerë prej 385 mijë e 500 eurosh, ta përfitojë SH.P.K. “D.C & E”.

Sipas Prokurorisë, me këto veprime buxhetit të KRM “Ekoregjioni” i është shkaktuar dëm në shumën prej 233 mijë e 685.37 eurosh.

Ndërkaq, R.Z. akuzohet për veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik”. Sipas aktakuzës, ai u ka paguar B.Sh. dhe A.G. shpenzimet e një udhëtimi jashtë territorit të Kosovës, me qëllim të koordinimit të veprimeve inkriminuese dhe ndikimit në dhënien e tenderit.

Prokuroria pretendon se R.Z. paraprakisht kishte arritur marrëveshje të kundërligjshme me të pandehurit, përmes së cilës ishin përshtatur specifikat teknike të tenderit./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara