Lajmet

​Si të përballeni me bullizmin në vendin e punës?

A ndiheni gjatë gjithë kohës të frikësuar dhe të tmerruar nga ndonjë koleg/e në punë?

Published

on

A ke njohuri në lidhje me shenjat të cilat tregojnë që po bullizoheni në vendin tuaj të punës? Nëse nuk e keni plotësisht të qartë, atëherë lexoni përgjigjuni në pyetjet në vazhdim për ta kuptuar!

A ndiheni gjatë gjithë kohës të frikësuar dhe të tmerruar nga ndonjë koleg/e në punë? A është dikush i cili ju ofendon, ju bërtet ose ju hedhë poshtë, për ndonjë arsye që është e parëndësishme për punën? A është dikush në punë që flet për ju gjatë mbledhjeve, ju kritikon apo ka guxim që t’jua vjedhë meritat?

Nëse është përgjigja “po” për të gjitha këto pyetje, atëherë mundësia për të qenë në mesin e miliona punonjësve në botë që bullizohen janë të mëdha.

Kur e keni ndjenjën e frikës brenda vetes për të marrë pjesë në takime, e shmangni shkuarjen në pjesën e ngrënies, bazuar se kush është aty, ose edhe ndrydheni përpara se të merrni pjesë në ndonjërin nga funksionet e kompanisë për punonjësit, problemi nuk është sepse jeni të turpshëm. Në të tilla kushte, ndaluni dhe shihni ndërveprimet e disa nga kolegët, mbase do ta gjeni që dikush prej tyre është duke ju bullizuar!

Si të përballeni me këtë gjendje?

Një gjë duhet t’ia bëni vetes të qartë: Nëse i toleroni këto sjellje, ju po lini hapësirë që këto veprimet të shkojnë më tej. Prandaj, mësoni disa veprime të cilat mund t’ju ndihmojnë në këtë drejtim!

Vendosni kufizime se deri ku mund të toleroni

Është shumë e rëndësishme që pasi ta keni vendosur kufirin në mendjen tuaj, ta ushtroni edhe të drejtën për t’i thënë dhunuesit ta ndalojë sjelljen. Për të mos u ngatërruar gjatë përballjes me të, përsëritni disa hapa me mikun/mikeshën tuaj në mënyrë që ta dini se çfarë t’i thoni ngacmuesit kur ai ju sulmon.

Përshkruani sjelljen që e shfaqë dhunuesi e as mos ofroni mendime, thjesht përshkruani atë se çfarë shihni! Nuk është forma e duhur t’i thoni që është njeri i keq, kjo do të ishte e pakuptimtë.Tregoni ngacmuesit saktësisht se si sjellja e tij po ndikon në punën tuaj! Tregoni ngacmuesit se çfarë sjellje nuk do të duroni më! Qëndroni me deklaratën tuaj dhe nëse ngacmuesi shkel hapësirën tuaj, kaloni në konfrontim!

Përballni ngacmuesit me sjelljen e tyre

Nëse ngacmuesi ju telefonon dhe jua ngre zërin, bëjani me dije që ai po bërtet dhe dilni nga dhoma ose mbyllni telefonin! Mos harroni që jeni një i rritur, po përballeni me një zemërim të paarsyeshëm! Kjo qasje konfrontuese funksionon edhe në takime. Nëse dhunuesi po flet për ju me ankesa dhe kritika, bëjani atij një pyetje të drejtpërdrejtë për atë që ai rekomandon në vend të kësaj! Kërkoni nga ai t’ju japë zgjidhje në vend që t’i përgjigjeni ankesave dhe kritikave!

Dokumentoni veprimet e bullizuesit

Sa herë që ndiheni të ngacmuar, dokumentoni datën, orën dhe detaje të tjera të ngacmimit! Shihni nëse është edhe dikush tjetër dëshmitar i atij momenti! Nëse vendosni që të drejtoheni të departamenti i burimeve njerëzore do ta keni më të lehtë për ta dokumentuar atë. Kjo u jep atyre që ta kuptojnë që nuk po lëndohen vetëm ndjenjat tuaja, por edhe suksesi i biznesit.

Është me e lehtë për t’u dokumentuar nëse ngacmimi ndodhë në email, ose ndonjë tekst tjetër. Në raste të tilla mbani kopje të shtypur apo edhe të ruajtur në kompjuterin tuaj! Nëse vendosni të ngrini akuza në të ardhmen, duhet të keni dëshmitarë dhe dokumentacion të datës.

Edhe kolegët mund të jenë cak i bullizmit

Vëzhgoni nëse ai që po ju bullizon e bën të njëjtën edhe me ndonjërin nga kolegët tuaj! Nëse po, atëherë kërkoni nga ata që ta dokumentojnë sjelljen e tij, njëjtë sikur edhe ju! Kjo do t’ju ndihmojë të krijoni një rast më të fortë që organizata juaj të ndërmarrë veprime.

Nëse pesë prej jush përjetojnë ngacmimin dhe pesë nga kolegët tuaj e dokumentojnë ngacmimin, atëherë ju ndërtoni një rast, ndaj të cilit burimet njerëzore dhe menaxhmenti juaj mund të përgjigjen ndaj kësaj sjelljeje. Ata kanë nevojë për prova dhe dëshmitarë.

Tregoni menaxhmentit

Nëse i keni ndjekur të gjitha udhëzimet e vogla, për t’u përmirësuar puna, por kjo nuk e ka ndaluar ngacmuesin, atëherë është koha për të kërkuar ndihmë. Shkoni të menaxheri juaj ose burimet njerëzore, bashkë me dokumentet tuaja dhe bëni një ankesë zyrtare! Është koha që të merret seriozisht. /Akademi Pune

Lajmet

Të rinjtë e rajonit të Prizrenit po zgjedhin UBT International Smart Schools – shkollën më të mirë të programimit në vend

Published

on

By

Në kuadër të zhvillimit të arsimit në rajon, Gjimnazi TIK – UBT International Smart Schools në Prizren po vazhdon të ofrojë programe të orientuara drejt përgatitjes së të rinjve për tregun digjital dhe teknologjik.

Përmes një modeli arsimor që ndërthur teorinë me praktikën, shkolla zbaton konceptin Classroom 4.0 dhe kurrikulat e bazuara në qasjen STEAM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri, Art dhe Matematikë). Procesi mësimor mbështetet në teknologji të avancuara, si platforma EON XR për Realitetin Virtual dhe të Shtuar (VR/AVR), me synim përshtatjen me kërkesat e Industrisë 4.0.

Metodologjia e punës në Gjimnazin TIK fokusohet në mësimdhënien me nxënësin në qendër, qasjen e integruar dhe zhvillimin e kompetencave për tregun e punës. Gjatë procesit mësimor, nxënësit fitojnë shkathtësi praktike duke mësuar të përdorin terminologji profesionale, të vizatojnë e skicojnë vizatime teknike, si dhe të përzgjedhin veglat, pajisjet e materialet e duhura për çdo projekt.

Përveç përdorimit të kompjuterit personal dhe pajisjeve të teknologjisë së informimit për nevojat e punës, programi u mundëson nxënësve të instalojnë pajisje hyrëse-dalëse dhe të përzgjedhin e mirëmbajnë veglat për instalimin e rrjeteve lokale. Po ashtu, nxënësit aftësohen të krijojnë e të dizajnojnë uebfaqe, të ndërtojnë baza të dhënash e të garantojnë sigurinë e tyre, si dhe të përshtatin apo përditësojnë softuerë të ndryshëm.

Një tjetër zhvillim i rëndësishëm për UBT International Smart Schools është akreditimi nga Cambridge International Education, i cili përforcon orientimin e institucionit drejt standardeve ndërkombëtare në arsim. Përmes këtij akreditimi, nxënësit kanë mundësi të ndjekin programe dhe kualifikime të Cambridge, duke përfshirë rrugëtimin akademik Cambridge Pathway.

Gjimnazi TIK në UBT International Smart Schools i kushton vëmendje edhe zhvillimit të pavarësisë profesionale, ku nxënësit mësojnë të bëjnë analiza të kërkesave nga klientët, të implementojnë ndërfaqe përdoruesi dhe të këshillojnë e ushtrojnë përdoruesit e tjerë të softuerëve. Përmes shfrytëzimit të pavarur të literaturës profesionale, ata përgatiten të zgjidhin në mënyrë të pavarur probleme të natyrave të ndryshme teknologjike që mund të paraqiten gjatë punës.

Ndërsa, synimi kryesor UBT International Smart Schools mbetet ngritja e standardeve në arsimin profesional, duke u mundësuar nxënësve zhvillim të qëndrueshëm dhe aftësim për të qenë konkurrues në fushën e teknologjisë. Për të gjithë të interesuarit që duan të bëhen pjesë e këtij programi, procesi i aplikimit është në fazën e fundit, pasi kanë mbetur edhe pak ditë nga përmbyllja e afatit për regjistrime në kampusin e UBT-së, në ITP Prizren.

APLIKO TANI ONLINE!

Continue Reading

Vendi

Biopsia e gjirit, hapi vendimtar për një diagnozë të saktë dhe trajtim në kohë

Published

on

By

Zbulimi i një mase, noduli apo ndryshimi të pazakontë në gji nuk duhet të nënkuptojë automatikisht praninë e kancerit, por kërkon vlerësim të kujdesshëm mjekësor. Kur ekzaminimi klinik, mamografia, ekografia apo rezonanca magnetike evidentojnë një zonë të dyshimtë, biopsia e gjirit është një nga mënyrat më të rëndësishme për të përcaktuar natyrën e saj, pasi mundëson marrjen e një mostre indi për ekzaminim histopatologjik.

Në United Hospital, kjo procedurë realizohet me teknika moderne dhe, në varësi të karakteristikave dhe lokalizimit të ndryshimit, mund të kryhet nën udhëheqjen e ekografisë apo metodave të tjera imazherike. Biopsia me gjilpërë (core needle biopsy) është një nga teknikat e përdorura për marrjen e mostrave të vogla të indit, të cilat më pas analizohen nga patologët për të përcaktuar nëse ndryshimi është beninj, malinj apo kërkon vlerësime të mëtejshme.

Pse ka rëndësi biopsia?

Imazheria mund të tregojë se një zonë e gjirit është e dyshimtë, por diagnoza përfundimtare kërkon, në rastet kur biopsia indikohet, analizën e indit. Rezultati patologjik mund të ndihmojë ekipin mjekësor të përcaktojë hapat e mëtejshëm diagnostikues dhe terapeutikë
Procedurat me gjilpërë zakonisht kryhen me anestezi lokale, ndërsa përdorimi i imazherisë ndihmon mjekun të drejtojë saktësisht gjilpërën drejt zonës së dyshimtë. Në shumë raste, pacientja mund të largohet pas procedurës dhe të rikthehet në aktivitetet e zakonshme brenda një kohe të shkurtër, sipas udhëzimeve të ekipit mjekësor.

Mesazhi më i rëndësishëm është i qartë: mos e shtyni kontrollin dhe mos lejoni që frika nga biopsia t’ju largojë nga diagnostikimi. Një ndryshim në gji duhet të vlerësohet nga profesionistët dhe, kur rekomandohet biopsia, përgjigjja histopatologjike mund të jetë vendimtare për orientimin e trajtimit.

A E DINIT SE BIOPSIA E GJIRIT SHPËTON JETË?
ZBULIMI I NJË MASE NË GJI KËRKON QARTËSI TË PLOTË!

Biopsia është hapi më i saktë për të përcaktuar natyrën e çdo ndryshimi.

PROCEDURË MINIMALE INVAZIVE
SAKTËSI 100% DIAGNOSTIKUESE
PA DHIMBJE & ME TEKNOLOGJI MODERNE

ÇFARË ËSHTË BIOPSIA E GJIRIT?
Procedurë diagnostikuese kyçe që përcakton natyrën e një mase apo noduli të zbuluar gjatë ekografisë ose kontrollit klinik.
Përcakton me precizion absolut nëse ndryshimi është beninj (i padëmshëm) apo malign (kanceroz).
Ndihmon në ndërtimin e një plani të personalizuar dhe efektiv trajtimi.

SI REALIZOHET PROCEDURA?
Mostër e vogël indi: Merret me kujdes nga zona e dyshuar përmes teknologjisë më të avancuar.
Minimale Invazive: Procedurë e shpejtë, pa dhimbje dhe me rehati maksimale për pacientin.
Analizë e Detajuar: Ekzaminohet në laborator nga patologë të specializuar.

PSE ËSHTË KAQ E RËNDËSISHME?
Diagnostikimi i hershëm rrit maksimalisht mundësinë e shërimit të plotë.
Qetësi mendore: Eliminon dyshimet dhe ankthin e panjohurisë.
Mbrojtje për të ardhmen: Kontrolli i rregullt dhe diagnoza e saktë shpëtojnë jetë!

United Hospital – kujdes i specializuar për shëndetin e gruas./rajonipress/

📞 038 60 70 70 / 046 60 70 70
📍 M2 Prishtinë–Ferizaj, Km 7, Prishtinë, Kosovë

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 22 gusht 1993-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

22 gusht 1994

U gjetën kufomat e dy fëmijëve shqiptarë në Suedi

Lajmi për gjetjen e kufomave të fëmijëve të cilët u zhdukën më 29 janar të vitit 1994 në strehimoren e Valdemarshvikut të Suedisë, i tronditi thellë bashkatdhetarët tanë në Suedi. Fëmijët Merlinda Gashi (6) dhe Jeton Gashi (10) të shtunën u gjetën 2 kilometra larg strehimores. Në kohën kur u zhdukën këta fëmijë, policia, qytetarët si dhe bashkatdhetarët tanë që gjenden në Valdemarshvik, gjurmuan pas fëmijëve të cilët në mënyrë misterioze u zhdukën pasditen e 29 janarit të këtij viti, plotë katër ditë e katër net. Mjete e informimit suedez me informimet e shpeshta i dhanë rëndësi kësaj ngjarjeje tragjike. Disa ditë pas zhdukjes së fëmijëve, televizioni dhe radio suedeze bënë me dije se në policinë rajonale të Valdemarshvikut, u lajmërua një zë femre i cili tha se fëmijët gjendeshin ke ajo dhe se babai i fëmijëve i vizitonte fëmijët dy herë në javë. Pas këtij lajmi rodhi edhe një lajm se policia i akuzon prindërit se fshehjen e fëmijëve e kishin planifikuar vetë, për çka iu ishte tërhequr vërejtja se mund të përgjigjen para ligjit. Me këtë rast u tha se policia dyshon se fëmijët gjendeshin ke një i afërm i tyre në Zvicër (lajm i TV Suedez).

Të shtunën, pas lajmit të hidhur për gjetjen e kufomave të fëmijëve, u mbajt një konferencë për shtyp me përfaqësuesin e policisë rajonale, i cili në mes të tjerash tha se fëmijët ishin gjetur të zbathur dhe të zhveshur, e kjo është shenjë se ata kanë ngrirë nga të ftohtit. Sepse njeriu nga i ftohti i madh filloka të zhvishet – tha përfaqësuesi i policisë së atjeshme. Gjithashtu u tha se fëmijët u gjetën 500 metra më larg nga kufiri i gjurmimit i cili ishte 1.500 metra. Supozohet gjithashtu se fëmijët kanë ndërruar jetë disa ditë pas zhdukjes dhe se nuk janë konstatuar lëndime trupore.

 

22 gusht 1995

Shantazhe e kërcënime ndaj refugjatëve serbë në qendrën “Boro e Ramizi” të Prishtinës

Deri më tash në qendrën sportive “Boro e Ramizi” në Prishtinë, u vendosën mbi 480 refugjatë serbë nga Kroacia.

Nga burimet e sigurta merret vesh se gjendja shpirtërore e këtyre refugjatëve është tejet e rëndë, sepse regjimi serb po manipulon me tragjedinë e tyre. Këtyre refugjatëve organet serbe u thanë se ata do të vendosen në Nish, mirëpo i mashtruan dhe me një tren të blinduar u sollën në Prishtinë dhe me dhunë policore u vendosën në hallën sportive “Boro e Ramizi”.

Dëshmitarët thonë se këta refugjatë assesi nuk dëshirojnë të jetojnë në Kosovë. Informacionet flasin se ata qe shtatë ditë në një mënyrë po mbahen peng nga afër 40 punëtorë të sigurimit të objektit. Ndaj tyre po bëhet edhe shantazh se nga këtu mund të dalin vetëm nëse nënshkruajnë një formular të veçantë me të cilin garantojnë se do të mbesin në Kosovë!

Siç po shihet, regjimi serb i mashtroi këta refugjatë me premtimet se gjoja do t’i vendosë në Nish.

Nën anën tjetër, ata kanë probleme të mëdha edhe rreth sigurimit të ushqimit, përkundër zhurmës së madhe dhe “solidaritetit gjithëserb”, siç thuhej, me vëllezërit e tyre nga Kraina.

Organet serbe “zgjidhën” problemin e sigurimit të ushqimit për refugjatët, duke i plaçkitur firmat shqiptare të vendosura pikërisht në qendrën sportive, ku janë të vendosur edhe vetë refugjatët serbë.

 

22 gusht 1997

Tiranë: U plagos gazetari Mujë Buçpapaj

Gazetari i Rilindjes Demokratike, Mujë Buçpapaj u plagos parmbrëmë, në kohën kur po po shëtiste me familjen e tij në afërsi të Shkollës së Baletit, nga një breshëri plumbash, një prej të cilëve e goditi në pjesën e sipërme të këmbës, duke përshkuar atë, njofton “Bujku”.

Plumbi ka mbetur në këmbën tjetër ndërsa gjendja e tij pas ndërhyrjes së shpejtë mjekësore është jashtë rrezikut. Sipas dëshmitarëve okularë dhe gruas së tij, plumbat kanë ardhur nga një makinë ‘Tipo” blu që dyshohet se ishte me targa policie. Ndërkohë vetë policia është në kundërshtim me këtë variant dhe thotë se plagosja e gazetarit ka ndodhur për shkak të një shkëmbimi armësh midis dy grupeve. Ora ka qenë 18. 40 mbasdite dhe thuhet se rruga ishte e mbushur plot me njerëz. Në fillim ka pasur një breshëri automatiku dhe më pas dy të shtëna të veçuara, njëra prej të cilave dyshohet se ka pasur objekt gazetarin, të cilin edhe e ka goditur. Gazeta e djeshme ku punon gazetari akuzonte për një krim politik ndaj Buçpapës, ndërsa hidhte poshtë variantet e policisë. Plumbi ka qenë i një pistolete speciale të llojit 7. 62 mm. Menjëherë në vendin e ngjarjes ka shkuar policia, ndërsa janë bllokuar kryqëzimet dhe është ushtruar kontroll i rreptë mbi makinat që qarkullonin.

Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Genc Pollo, deklaroi dje në një konferencë shtypi se plagosja e gazetarit të “RD”, Mujë Buçpapaj është krim politik dhe i organizuar nga instancat e larta shtetërore. Ai tha se PD disponon fakte të shumta dhe dëshmi që implikojnë policinë në plagosjen e gazetarit dhe për këtë ai tregoi përpara njerëzve të medias dëshmitë e gruas së Buçpapajt si dhe të disa dëshmitarëve në vendin e ngjarjes.

Të gjitha këto dëshmi flisnin për një makinë policie nga kanë ardhur plumbat. Disa prej tyre thonë se makina e policisë kishte civilë brenda, ndërsa Pollo, tha se është e mundur që të jenë aktivizuar njerëz të bandave që kanë penetruar kohët e fundit në policinë shqiptare.

 

22 gusht 1998

Podujevë: Të shtëna në afërsi të stacionit të policisë në Lluzhan

Sot, nga ora 6 deri në orën 6. 15 në afërsi të stacionit të policisë serbe në Lluzhan u dëgjuan të shtëna armësh, njofton KI i Degës së LDK-së në Podujevë.

Nuk ka njoftime për pretekstin e këtyre të shtënave, por bëhet me dije se polcia ka arrestuar Mehdi Bicin, shtëpia e të cilit ndodhet në afërsi të këtij stacioni.

I njëjti burim bën me dije se sot në ora 12. 30 forcat policore serbe bllokuan tregun e qytezës dhe plaçkitën një sasi të konsiderueshme të mallit. Po ashtu, policët legjitimuan të gjithë qytetarët që u gjetën në treg.

Njoftohet gjithashtu se parmbrëmë rreth orës 21. 30 në vendin e quajtur Kisha e Sallabajës janë dëgjuar të shtëna armësh, ndërsa dëshmitarët kanë parë një veturë të tipit niva që ka vëzhguar terrenin.

 

U gjet dhe u varros trupi i pajetë i Miradije Tahirit nga Radisheva

Pardje në fshatin Radishevë, u gjet dhe u varros Miradije Tahiri (44), e cila u masakrua nga forcat serbe më 23 korrik të këtij viti, njofton KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Të përkujtojmë se që nga 23 korriku, e ndjera Miradije Tahiri konsiderohej e zhdukur.

Njoftohet se trupi i pajetë i të ndjerës është gjetur më 20 gusht, në afërsi të pusit në oborrin e shtëpisë së saj nga Hajriz e Mursel Tahiri, të cilët kishin dalë në fshat për t’i parë dëmet e shkaktuara nga agresori serb.

Trupi i pajetë i të ndjerës është gjetur i masakruar.

Të përkujtojmë se Radisheva ka qenë nën kontroll të forcave ushtarake e paramilitare serbe deri më 20 gusht të këtij viti, me ç’rast të njëjta forca kanë masakruar edhe 12 shqiptarë të tjerë nga Radisheva e Kotorri.

 

Në fshatin Isniq qëndroi sot një delegacion i diplomatëve amerikanë e gjermanë

Një delegacion i diplomatëve amerikanë e gjermanë vizitoi sot pasdite fshatin Isniq.

Si njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Deçan, ata u takuan me përfaqësues të kësaj zone dhe u informuan për çështje të ndryshme.

Deçan: Edhe 7 vetë në listën e të zhdukurve

Numri i banorëve të Deçanit e të rrethinës që konsiderohen të zhdukur po shtohet përditë. Mësohet se familjet e të afërmit e tyre nuk dijnë asgjë për fatin e vëllezërve: Fazli, Fahredin e Faruk Mirovci nga Juniku, Avdullah Çakaj nga Grabovci, Nuredin Mustafaj nga Mazniku, Binak Sylaj nga Kodralia dhe Valon Sokol Shala nga Loxha.

 Foto: Qyteti Valdemarshvik, Suedi

Continue Reading

Vendi

“Liria ka Emër” paralajmëron “Marshin për Liri” më 12 shtator në Prishtinë

Published

on

Platforma qytetare “Liria ka Emër” do të organizojë më 12 shtator në Prishtinë “Marshin për Liri”, nën moton “Kosova po pret”.

Marshi do të mbahet katër ditë para 16 shtatorit, datë kur pritet të zhvillohet seanca përmbyllëse e procesit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një konferencë për media, përfaqësuesit e platformës, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, kanë prezantuar aktivitetet që do t’i paraprijnë dhe do ta pasojnë marshin.

Hoxha ka thënë se platforma, së bashku me qytetarët, për gjashtë vjet ka kërkuar një proces të drejtë gjyqësor për ish-krerët e UÇK-së. Ajo ka theksuar se mbështetja do të vazhdojë pa paragjykuar vendimin e drejtësisë dhe pa ndërhyrë në procesin gjyqësor.

Sipas saj, aktivitetet nisin me një numërim mbrapsht deri më 16 shtator, i cili do të vendoset në Prishtinë dhe do të shtrihet edhe në komunat e tjera të Kosovës.

Platforma ka paralajmëruar edhe aktivitetin “Netët e Lirisë”, i cili do të organizohet në shtatë zonat e UÇK-së dhe do t’i kushtohet kujtesës, historisë dhe sakrificave për liri.

Ndërkohë, Ismail Tasholli u ka bërë thirrje liderëve të katër partive kryesore shqiptare që t’i bashkohen marshit. Ai ka përmendur Albin Kurtin, Bedri Hamzën, Lumir Abdixhikun dhe Ardian Gjinin, duke kërkuar që të marrin pjesë jo në funksion të fushatës partiake, por “për Kosovën, për lirinë, për të ardhmen”.

“Liria ka Emër” ka paralajmëruar gjithashtu një aktivitet në Hagë më 16 shtator, në bashkëpunim me diasporën shqiptare.

Sipas organizatorëve, mesazhi i aktiviteteve në Prishtinë dhe Hagë do të jetë i njëjtë: “Kosova po pret”./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara