Victoria Beckham u shfaq për herë të fundit si pjesë e “Spice Girls”, në skenën e ceremonisë së mbylljes së Lojërave Olimpike të Londrës, në vitin 2012. Që nga ajo kohë dëshira më e madhe e të gjithëve ka qenë të shohin sërish grupin të performojë së bashku.
Nga ana tjetër, duket se edhe vetë vajzat e grupit muzikor duan të ribashkohen e madje kanë bërë përpjekje për t’u shfaqur në skenë, ndërsa grupi punon shumë për të organizuar një tjetër turne ribashkimi, ende mungon një emër në program: Victoria Beckham, ajo që konsiderohet më e famshmja.
Cila është arsyeja që ajo u la jashtë projektit aktual të grupit, i cili shpreson të korr sukses me një seri koncertesh anembanë botës vitin e ardhshëm?
“Arsyeja mund të përmblidhet në dy fjalë të thjeshta: Simon Fuller”, raporton Daily Mail.
Pas dekadash tensioni dhe armiqësie, katër anëtaret e tjera të “Spice Girls”. Mel B, Mel C, Geri Horner dhe Emma Bunton, po punojnë me ish-menaxherin Simon Fuller, 64 vjeç. I gjithë organizimi po bëhet me shpresën se katërshja do të jetë në gjendje të nisë turne fitimprurës që shënon 30-vjetorin e këngës së tyre debutuese të vitit 1996, “Wannabe”, vitin e ardhshëm.
Ndërsa pjesa tjetër ia ka dalë t’i lërë pas mosmarrëveshjet, Victoria dhe bashkëshorti, David Beckham, mbajnë ende mëri me menaxherin e grupit muzikor. Në fakt, marrëdhëniet midis tyre u përkeqësuan aq shumë sa dyshja ndërprenë kontratat me “Simon’s XIX Entertainment” në vitin 2018.
“Bashkëpunimi i Spice Girls me Fuller do të thotë se nuk ka absolutisht asnjë shans që Victoria të jetë e përfshirë”, tha një burim pranë grupit.
Prishja e partneritetit Beckham-Fuller
Më 2018 ishte e qartë (dhe ndodhi) se David Beckham dhe menaxheri Fuller ndaheshin, pas 15 vitesh bashkëpunimi, vazhdon raporti. David dhe Victoria shpenzuan 38 milionë paund për të blerë 33% të aksioneve të Fuller në bizneset e futbollistit për të fituar kontrollin e plotë të “Beckham Brand Holdings”.
Burimet pohuan në atë kohë se kishte probleme midis tyre, gjë e cila solli dhe fundin e partneritetit.
Victoria ndoqi shembullin e bashkëshortit dhe i dha fund bashkëpunimit me Fuller në gusht 2019. Ai ende zotëron aksione në kompaninë e saj të modës, por marrëdhënia e ngushtë që kishte me familjen Beckham nuk ekziston më. Në fakt, thuhet se dyshja zgjodhën menaxherin e Justin Bieber dhe Ariana Grande-s, Scooter Braun, kur djali i tyre Cruz donte të bëhej yll i muzikës pop, duke e refuzuar Fuller-in pavarësisht karrierës së tij të shkëlqyer.
Pra, pavarësisht përpjekjeve, Victoria nuk do të jetë pjesë e turneut, si pasojë e konflikteve me menaxherin e grupit muzikor “Spice Girls”.