Lajmet

​Shkencëtarët zbulojnë molekulën që shkatërron 300 baktere rezistuese ndaj antibiotikëve

Hulumtimi u botua në revistën “ACS Central Science”.

Published

on

Bakteret bëhen gjithnjë e më rezistuese ndaj antibiotikëve me kalimin e kohës, duke shkaktuar probleme për shumë shkencëtarë dhe organizata shëndetësore.

Shkencëtarët së fundmi kanë gjetur një molekulë që mund të kontrollojë në mënyrë efektive bakteret rezistuese ndaj të gjitha llojeve të antibiotikëve. Është përbërja fabimicin, e cila nëse kalon testet klinike te njerëzit, mund të përdoret në luftën kundër disa prej infeksioneve më kokëfortë.

Një trajtim i ri potencial synon bakteret gram-negative, një grup patogjenësh që janë të vështirë për t’u shkatërruar dhe që zakonisht janë shkaktarë të infeksioneve të traktit urinar, pneumonisë dhe madje edhe të qarkullimit të gjakut, shkruan Science Alert.

Këto lloj bakteresh janë rezistuese ndaj antibiotikëve për shkak të membranës së jashtme mbrojtëse që krijon një lloj muri që nuk lejon kalimin e substancave të dëmshme për to; si ilaçet.

Sipas hulumtimit të publikuar në vitin 2022 në “Lancet”, rezistenca bakteriale ndaj antibiotikëve merr rreth 3.500 jetë çdo ditë, duke e bërë atë shkakun kryesor të vdekjeve në mbarë botën.

Një studim i kryer në një spital anglez pati rezultate të ngjashme dekurajuese, të cilat treguan se më shumë se një e treta e njerëzve me infeksione të gjakut me baktere gram-negative vdiqën brenda një viti.

Gjatë hulumtimit, fabimicin arriti të depërtojë atë shtresë të jashtme problematike, duke mos i shkaktuar shumë dëm të shëndetshëm, pra bakteret që na duhen.

Shkencëtarët fillimisht analizuan një antibiotik të njohur si efektiv kundër baktereve gram-pozitive dhe bënë disa ndryshime strukturore në të për t’i dhënë molekulës aftësinë për të depërtuar në mbrojtjen e fuqishme të varianteve gram-negative.

Kur u testua në laborator dhe në minj, ky përbërës funksionoi kundër më shumë se 300 llojeve të baktereve rezistuese ndaj ilaçeve. Për më tepër, ai madje uli nivelet e baktereve të dëmshme te minjtë me pneumoni ose infeksione të traktit urinar.

Do të duhet kohë përpara se fabimicin të përdoret si ilaç. Për t’u miratuar, ilaçi duhet të kalojë në tre faza të provave klinike. Në fazën e parë, marrin pjesë një numër më i vogël subjektesh, zakonisht midis 20 dhe 100 (ose më rrallë disa qindra) dhe përcakton një vlerësim paraprak të sigurisë dhe efektivitetit të barit.

Në fazën e dytë, efektiviteti testohet në një numër më të madh subjektesh, zakonisht midis 50 dhe 300, dhe analizohen mënyra të ndryshme të administrimit të dozave.

Në fazën e tretë, merr pjesë numri më i madh i pjesëmarrësve – nga qindra në dhjetëra mijëra, në varësi të sëmundjes për të cilën është duke u zhvilluar ilaçi ose vaksina. Në këtë pikë, një kandidat i veçantë krahasohet me një placebo për të testuar suksesin aktual të ilaçit të zhvilluar, dhe siguria testohet shtesë dhe përcaktohen efektet anësore.

Hulumtimi u botua në revistën “ACS Central Science”.

Lajmet

IKShPK me apeli për prindërit: Konfirmohen 180 raste me fruth, mbi 95% prej tyre të pavaksinuar

Published

on

By

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka apeluar sërish te qytetarët për vaksinimin e fëmijëve, duke e vlerësuar këtë proces si masën më të sigurt, më efikase dhe më të rëndësishme për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve dhe gjithë komunitetit.

Sipas të dhënave të publikuara nga IKShPK, nga 16 prilli deri më 27 shtator 2026 janë konfirmuar gjithsej 180 raste me fruth në Kosovë, prej të cilave tetë raste janë regjistruar vetëm gjatë javës së fundit. Mbi 95% e personave të prekur i përkasin kategorisë së të pavaksinuarve me vaksinën MMR, çka dëshmon rolin kyç të kësaj mbrojtjeje në parandalimin e përhapjes së sëmundjes.

Në kuadër të përpjekjeve për të parandaluar përhapjen e mëtejshme, krahas vaksinimit të rregullt sipas kalendarit kombëtar, IKShPK ka intensifikuar fushatën e vaksinimit të vonuar (catch-up) për fëmijët që e kanë shtyrë procesin. Si rezultat i këtij angazhimi, gjatë këtij viti janë vaksinuar mbi 3,176 fëmijë të grupmoshës 2–5 vjeç, duke dëshmuar ndërgjegjësimin e lartë të prindërve.

Instituti ka shprehur falënderime për prindërit, profesionistët shëndetësorë dhe institucionet për bashkëpunimin në rritjen e shkallës së imunizimit, duke nëvizuar se çdo fëmijë i vaksinuar përbën një hap më afër ndërprerjes definitive të transmetimit të fruthit.

 

Continue Reading

Lajmet

Vlora Çitaku zgjidhet nënkryetare e Kuvendit të Kosovës me 95 vota

Published

on

By

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar sot për zgjedhjen e Vlora Çitakut, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në postin e nënkryetares së Kuvendit.

Në votimin e zhvilluar gjatë seancës plenare, kandidatura e Çitakut mori mbështetjen e 95 deputetëve.

Nënkryetari i propozuar nga PDK-ja ishte i vetmi që kishte mbetur pa u zgjedhur në seancën e mëparshme konstituuese, kur u votuan anëtarët e tjerë të kryesisë. Kjo vonesë erdhi pasi PDK-ja i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të vlerësuar ligjshmërinë e konstituimit të Kuvendit pas kalimit të afateve kushtetuese.

Javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese nxori aktgjykimin duke vlerësuar se Kuvendi është i konstituar konform rregullave dhe se Qeveria nuk është antikushtetuese, duke i hapur rrugë kështu plotësimit të Kryesisë së Kuvendit.

Continue Reading

Lajmet

PDK përshëndet deklaratën e Kuvendit për aktgjykimin në Hagë, kërkon procedim urgjent të projektligjit për Dhomat e Specializuara

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka përshëndetur miratimin nga Kuvendi i Kosovës të deklaratës lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Përmes një deklarate për media, PDK-ja ka falënderuar të gjitha grupet parlamentare për mbështetjen, ndërsa ka kërkuar që hapi i radhës të jetë shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, të propozuar nga kjo parti javën e kaluar.

“Kërkojmë nga Qeveria që ta procedojë pa vonesë në Kuvend dhe nga të gjitha grupet parlamentare që ta trajtojnë e votojnë me urgjencë”, thuhet në deklaratën e PDK-së.

Sipas kësaj partie, deklarata e miratuar nga Kuvendi përfaqëson qëndrimin e institucionit, ndërsa miratimi i projektligjit do të përbënte hapin e radhës institucional.

“Deklarata shpreh qëndrimin e Kuvendit. Votimi i ligjit është hapi i radhës për t’i dhënë përgjigje institucionale kërkesave që kemi ngritur”, thuhet më tej në njoftim.

PDK-ja ka deklaruar se do të vazhdojë angazhimin e saj lidhur me mbrojtjen e luftës së UÇK-së dhe procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të saj.

“PDK-ja do të vazhdojë të angazhohet për mbrojtjen e luftës së drejtë të UÇK-së dhe për një proces të drejtë ndaj ish-krerëve të saj”, përfundon deklarata.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi miraton deklaratën për aktgjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit

Published

on

By

DEKLARATË PËR AKTGJYKIMIN E DHOMAVE TË SPECIALIZUARA NË HAGË NDAJ HASHIM THAÇIT, KADRI VESELIT, JAKUP KRASNIQIT DHE REXHEP SELIMIT

Kuvendi i Republikës së Kosovës, si institucioni përfaqësues i qytetarëve dhe shprehje e vullnetit të tyre demokratik, në seancën plenare të mbajtur më 28 shtator 2026,

Duke kujtuar se liria dhe pavarësia e Kosovës janë rezultat i një përpjekjeje të gjatë për dinjitet njerëzor, barazi dhe të drejtën e popullit për të vendosur vetë për të ardhmen e tij;

Duke rikujtuar se lufta e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), u zhvillua në rrethana të represionit sistematik dhe krimeve të rënda të kryera nga forcat serbe, në një kohë kur popullit të Kosovës i mohoheshin të drejtat themelore dhe e drejta për të jetuar i lirë në vendin e tij;

Duke njohur rëndësinë e ndërhyrjes së NATO-s në ndalimin e dhunës ndaj popullit të Kosovës dhe në procesin e çlirimit të vendit;

Duke theksuar se asnjë aktgjykim nuk mund ta ndryshojë apo zhbëjë të vërtetën historike të luftës në Kosovë dhe duke rikujtuar krimet e rënda të kryera ndaj popullsisë civile, përfshirë vrasjet, dëbimet, dhunën seksuale, shkatërrimin e pronës dhe zhvendosjen me forcë të mijëra qytetarëve;

Duke qenë të bindur se respektimi i shtetit të së drejtës përfshin edhe të drejtën dhe përgjegjësinë për të kundërshtuar, përmes mjeteve ligjore dhe institucionale, një aktgjykim që vlerësohet i padrejtë;

Duke rikujtuar se liria dhe pavarësia e Kosovës janë të lidhura me sakrificën e brezave, rezistencën politike dhe paqësore të udhëhequr nga Presidenti Ibrahim Rugova, luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë, përfshirë NATO-n,

Kuvendi i Republikës së Kosovës miraton këtë deklaratë:

  1. Kuvendi i Republikës së Kosovës shpreh shqetësimin e tij të thellë lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

  2. Kuvendi e konsideron të papranueshëm përfundimin lidhur me ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal, ashtu siç është përcaktuar në aktgjykim.

  3. Kuvendi kërkon nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin veprimet e nevojshme, brenda kompetencave të tyre, për mbrojtjen e së vërtetës historike lidhur me luftën çlirimtare të popullit të Kosovës.

    Kuvendi bën thirrje për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, përmes së cilës do të bashkërendohen veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike për dokumentimin, mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës historike mbi luftën për liri dhe çlirimin e Kosovës.

  4. Kuvendi rikujton se lufta në Kosovë gjatë viteve 1998–1999 është trajtuar edhe përmes aktgjykimeve të Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, përfshirë rastet ndaj zyrtarëve politikë, ushtarakë dhe policorë të Republikës Federale të Jugosllavisë dhe Serbisë. Në këto procese gjyqësore janë trajtuar krimet e kryera ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës dhe strukturat shtetërore përmes të cilave ato janë kryer.

  5. Kuvendi kërkon nga Dhomat e Specializuara të Kosovës që të respektojnë mandatin e tyre, në përputhje me bazën ligjore mbi të cilën janë themeluar dhe me parimet e shtetit të së drejtës.

  6. Kuvendi kundërshton çdo përpjekje për të shtrembëruar të vërtetën historike të Kosovës, për të vënë në dyshim luftën çlirimtare të popullit të Kosovës apo për të krijuar barazime mes popullit që luftoi për liri dhe forcave që ushtruan represion dhe dhunë ndaj tij.

  7. E vërteta historike, drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre, si dhe e drejta e çdo të akuzuari për një proces të drejtë gjyqësor, janë parime që duhet të respektohen njëkohësisht. Kuvendi i Republikës së Kosovës deklaron përkushtimin e tij për mbrojtjen e këtyre parimeve dhe për përdorimin e të gjitha mjeteve ligjore dhe institucionale në dispozicion.

 

Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, e cila ishte caktuar të niste sot në orën 11:00, ka pësuar vonesë të dukshme dhe nuk ka filluar punimet as pas më shumë se një ore e gjysmë nga orari i paraparë.

Sipas rendit të ditës, deputetët pritej të mblidheshin për të shqyrtuar disa pika me rëndësi, përfshirë miratimin e Deklaratës lidhur me Aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e PDK-së, si dhe formimin e komisioneve parlamentare.

Megjithatë, mbajtja e seancës është zvarritur për shkak të mungesës së kuorumit dhe mospranisë së mjaftueshme të deputetëve në sallën e Kuvendit në orarin e caktuar, si dhe nga takimet e konsultimet e minutave të fundit ndërmjet grupeve parlamentare. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara