Lajmet

​Shkaktari i zjarrit në IML dyshohet se ishte defekti në instalimin elektrik, flet edhe Prokuroria

Dëmet nuk janë të mëdha nga zjarri.

Published

on

Defekti në instalimin elektrik po dyshohet se ka qenë shkaktari i zjarrit që kaploi një pjesë të objektit të Institutit të Mjekësisë Ligjore mbrëmjen e së shtunës. Madje, zëvendësdrejtori i IML-së, Ditor Haliti e përjashton mundësinë që dora e njeriut ta ketë shkaktuar zjarrin.

E nga ky zjarr dëmet po konsiderohen se nuk janë të mëdha, por që komisioni vlerësues do të bëjë vlerësimin e dëmit të shkaktuar.

Zëvendësdrejtori i institutit thotë se ka vetëm dëme materiale jo me vlerë të madhe. Ai thekson se me të marr informacionin në kohë ishin ekipet e zjarrfikësve dhe të policisë të cilët arritën ta lokalizonin zjarrin.

“Zjarrfikësit dhe Policia kanë qenë të thirrur dhe kur kam ardhur unë, rreth orës 21:00, ata vetëm ishin futur në objekt tek pjesa ku dilte tymi dhe pas një kohe kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin, ta largojnë tymin dhe kemi mundur të futemi brenda dhe të vlerësojmë dëmet e shkaktuara. Për fat të mirë ka vetëm dëme materiale jo besoj në vlerë të madhe, janë djegur disa pako të zbrazëta të cilat pastaj e kanë dëmtuar një pjesë të murit dhe tavanit, mirëpo dëme tjera serioze nuk ka. Sa i përket shkaktarit natyrisht policia, hetuesia i kanë thirrur edhe ekspertët e zjarrit dhe ekspertët të elektroteknikës dhe sipas një vlerësimi preliminar mendohet se është për shkak të një defekti në instalimin elektrik. Por megjithatë për ta konfirmuar këtë duhet të presim raportin përfundimtar nga ekspertët e caktuar dhe prokuroria”, shprehet Haliti.

Ai thotë se nga zjarri është dëmtuar një pjesë e objektit që është shfrytëzuar për qëllime logjistike dhe po ashtu disa pako letre që kanë qenë të zbrazëta. Sipas tij, falë intervenimit të shpejtë nuk ka pasur rrezik që zjarri ta kaplojë gjithë IML-në.

“Ato pako kanë qenë të palosura nuk kanë qenë pako kanë qenë vetëm pjesë e kartonit që ne më vonë e shfrytëzojmë për pako, ka qenë pjesë e morgut që është shfrytëzuar për qëllime logjistike dhe ato pako kanë qenë të zbrazëta të palosura dhe nuk kanë pasur kurrfarë materiali brenda neve vetëm na janë dashur vetëm si pjesë e punës në të ardhmen… Për fat të mirë rrezik nuk ka pasur aty ndoshta edhe duke iu falënderuar intervenimit të shpejtë të zjarrfikësve dhe policisë, nuk ka pasur ndonjë rrezik por në të ardhmen nuk duhet as të mendojmë për mundësinë e zjarrit e lëre më ta kemi një zjarr këtu”, thekson zv.drejtori i IML-së.

Ditor Haliti përjashton mundësinë që dora e njeriut të ketë shkaktuar këtë zjarr, pasi shton se edhe në pamjet e kamerave të sigurisë shihet që shkëndija flake dalin si pasojë e instalimit të rrymës.

“Ne i kemi shikuar edhe kamerat së bashku me Policinë dhe shihet shumë qartë momenti se kur fillon zjarri dhe nuk ka kurrfarë elementi, faktori njeri përjashtohet plotësisht dhe në bazë të kamerave shihet qartë se ka qenë thjesht një aksident për shkak të defektit elektrik”, thotë Haliti.

Ndërsa, për këto dëme Instituti i Mjekësisë Ligjore do të formojë një Komision për vlerësim të dëmeve. Sipas Halitit, është e nevojshme të instalohet një sistem i mirë instalimi që mos të rrezikohet ky institucion.

“Sot jemi duke u marr me pastrimin e asaj pjese do të formohet një Komision që do ta bëjë vlerësimin e dëmit dhe pasi të bëhet vlerësimi i dëmit do të dalim me rekomandime se si duhet ta rregullojmë atë pjesë në të ardhmen. Mbështetja nga ministrja nuk ka munguar ata janë të gatshëm të na përkrahin por edhe qeveria me këtë çështje. Por, është e rëndësishme që ne ta instalojmë një sistem në të ardhmen i cili do t’i parandalonte për aq sa mundet ngjarjet e tilla të cilat mund ta rrezikojnë vetë objektin”, thekson ai.

Ndërsa zëdhënësja për medie nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, Laureta Ulaj ka deklaruar se janë në pritje të raporteve me të gjeturat nga ekzaminimet e kryera.

“Prokuroria është në pritje të raporteve me të gjeturat nga ekzaminimet e kryera, si dhe në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, IML-në dhe institucionet e tjera relevante është duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore deri në sqarimin e plotë të rastit në fjalë”, thuhet në përgjigjen me shkrim.

E gjatë ditës së djeshme Prokuroria Themelore e Prishtinës kishte njoftuar se lidhur me incidentin e zjarrit në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë të shtunën, janë intervistuar zyrtarë të IML-së, të cilët kanë qenë kujdestarë në kohën kur ka ndodhur incidenti.

Lajmet

​Arrestohet një person, dyshohet se shtiu me kallashnikov në qendër të Podujevës

Published

on

By

Pasditen e sotme një person i dyshuar ka shtënë me armë zjarri në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë, ndërsa policia ka reaguar menjëherë duke arrestuar të dyshuarin

Lajmin për arrestimin e të dyshuarit e ka konfirmuar zyrtarja për informim në Policinë Rajonale të Prishtinës, Flora Ahmeti.

Sipas saj, ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:30, moment kur njësitë policore kanë pranuar informatën dhe kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.

“Rreth orës 13:30 është raportuar për të shtëna me armë zjarri në rrugën ‘Zahir Pajaziti’ në Podujevë. Menjëherë pas marrjes së informatës, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka arrestuar personin e dyshuar”, ka deklaruar Ahmeti.

Continue Reading

Lajmet

VV dorëzon në polici kërkesë për hetim të kontratës 950 mijë euro të Komunës së Prishtinës për mbeturinat

Published

on

By

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar sot në Policinë e Kosovës një kërkesë për inicimin e hetimeve lidhur me kontratën në vlerë prej 950 mijë eurosh, të cilën Komuna e Prishtinës e ka dhënë për menaxhimin e mbeturinave.

Këtë e ka bërë të ditur asamblisti i VV-së, Çlirim Gërbeshi. Sipas VV-së, kjo kontratë, e negociuar pa njoftim paraprak, është në kundërshtim me normat ligjore në fuqi.

VV-ja pretendon se i gjithë procesi që i ka paraprirë lidhjes së kësaj kontrate paraqet indicie serioze dhe lë hapësirë të gjerë për hetim nga ana e organeve kompetente.

“Sot, në emër të Qendrës së Prishtinës të Lëvizjes Vetëvendosje!, kemi dorëzuar në Policinë e Kosovës kërkesë për inicimin e hetimeve lidhur me kontratën në vlerë prej 950 mijë eurosh, të cilën Komuna e Prishtinës e ka dhënë për menaxhimin e mbeturinave.

Sipas vlerësimit tonë, kjo kontratë, e negociuar pa njoftim paraprak, është në kundërshtim me normat ligjore në fuqi. Po ashtu, i gjithë procesi që i ka paraprirë lidhjes së kësaj kontrate paraqet indicie serioze dhe lë hapësirë të gjerë për hetim nga ana e organeve kompetente.

Institucionet publike janë të obliguara të veprojnë me transparencë, ligjshmëri dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve, ndërsa çdo devijim nga këto parime duhet të hetohet dhe të marrë përgjigje ligjore. Prishtina meriton qeverisje të ndershme, jo marrëveshje të dyshimta në kurriz të interesit publik”, ka shkruar Gërbeshi.

Continue Reading

Lajmet

Rinumërohen mbi 80% apo 2,061 nga 2,557 vendvotime, 30 komuna përmbyllin procesin

Published

on

By

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen.

Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e mërkurë, 28 janar 2026, ora 10:00) janë rinumëruar mbi 80% apo 2,061 nga 2,557 vendvotime.

Në platfomën e KQZ-së për rezultate https://resultsparliamentary2025.kqz-ks.org/  në hapësirën QNR > Rinumërim, do të paraqiten rezultatet pas numërimit të çdo vendvotimi.

Continue Reading

Lajmet

Komuna e Prishtinës hap konkurs për projektimin e Memorialit Përkujtimor “Adem Jashari”

Published

on

By

Komuna e Prishtinës ka hapur konkurs publik për projektimin e Memorialit Përkujtimor kushtuar komandantit legjendar Adem Jashari dhe sakrificës së familjes së tij, për të cilin ka ndarë një buxhet prej 150 mijë eurosh.

Sipas dosjes së konkursit, ky memorial synon të përjetësojë sakrificën unike të familjes Jashari nga Prekazi i Skenderajt, e cila përfaqëson një nga rastet më kulminante të gatishmërisë për sakrificë mbinjerëzore për liri. Rënia e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, së bashku me 58 anëtarë të familjes së tij, përfshirë fëmijë, gra dhe pleq, konsiderohet si një ngjarje e veçantë në historinë e njerëzimit në emër të idealit universal të lirisë.

Sipas vizionit të projektit, memoriali do të vendoset në një nga hapësirat publike me potencial në kryeqytet, me qëllim që kjo sakrificë sublime të bëhet pjesë e pandashme e jetës së përditshme urbane dhe e manifestimit të lirisë në hapësirë publike, përmes ndërveprimit të vazhdueshëm me qytetarët.

Projekti është në përputhje edhe me vizionin e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, për një kryeqytet bashkëkohor, gjithëpërfshirës dhe një fener të trashëgimisë kulturore. Memoriali përkujtimor i familjes Jashari pritet të kontribuojë në forcimin e identitetit kulturor dhe historik të qytetit, shkruan IndeksOnline.

Sa i përket lokacionit, memoriali parashihet të ndërtohet në qendër të Prishtinës, mes ndërtesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Xhamisë së Gurit. Ai do të jetë pjesë e projektit për ndërlidhjen e shëtitores ekzistuese që përfundon me sheshin “Ibrahim Rugova” dhe vazhdimin e saj drejt pjesës së vjetër të qytetit, përmes nënkalimit në rrugën “Agim Ramadani”.

Sipas këtij projekti urban, rruga “Agim Ramadani” do të bëhet nëntokësore, ndërsa pjesa sipër saj do të shndërrohet në pllato për këmbësorë, duke mundësuar lidhjen funksionale mes bulevardit ekzistues dhe qytetit të vjetër. Pikërisht mbi këtë pllato është paraparë dizajnimi i memorialit dhe hapësirës përreth tij, që është edhe subjekt i konkursit.

Continue Reading

Të kërkuara