Lajmet

​Selimi: Kemi arritur progres në fushën e sundimit të ligjit

Published

on

Ministri në detyrë i Drejtësisë, Selim Selimi thotë se viti 2020 për ministrinë që e drejton ka qenë shumë i suksesshëm. Hartimi i modaliteteve për veting, nisja e fazës së tretë të rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit, Gjykata Komerciale janë disa nga sukseset që ai i përmend.

Selimi në një intervistë për KosovaPress thotë se përkundër pandemisë, ministria që e drejton ka arritur të shënojë progres në shumë fusha brenda fushëveprimit të saj.

Gjatë vitit të kaluar, ai thotë se janë angazhuar në zbatimin e prioriteteve strategjike të Qeverisë së Republikës së Kosovës për fushën e drejtësisë dhe në realizmin e objektivave, programeve dhe projekteve sektoriale si pjesë e dokumenteve strategjike të saj.

Po ashtu, ai thotë se është punuar në ndryshime substanciale të legjislacionit në sektorin e drejtësisë, duke rishikuar dhe hartuar projekt-kode, projektligje, koncept-dokumente dhe akte të tjera nënligjore.

“Ne kemi pasur një plan ambicioz me marrje të mandatit, një plan ambicioz i cili e ka pasur një agjendë legjislative shumë të ngjeshur, gjithashtu kemi nisur edhe disa iniciativa të cilat kanë qenë përtej agjendës legjislative në ndërtimin e politikave. Unë e konsideroj që shuma e këtyre intervenimeve apo bilanci i këtyre intervenimeve të politikave, por edhe ligjore ka qenë pozitiv. Ne kemi arritur që të dërgojmë një numër të madh të ligjeve në Kuvend, disa prej tyre janë votuar disa prej tyre qëndrojnë atje. Jemi duke punuar gjithashtu në disa ligje tjera që janë të rëndësishme, për shembull procedurën penale, Gjykatën Komerciale që kanë me qenë ligje jashtëzakonisht të rëndësishme për sistemin tonë juridik. Kemi kryer planin e vetingut, kemi kryer gjithashtu rishikimin funksional që është reforma e thellë e sistemit të drejtësisë, të cilin jemi momentalisht në fazën e pastrimit edhe do ta hedhim në diskutim publik. Unë e di që është e njëanshme me fol se jam ministër i Drejtësisë, po mendoj që ka qenë një punë shumë intensive dhe shumë e suksesshme”, thotë ai.

Selimi thotë se grupi punues për hartimin e modaliteteve dhe skenarëve për çështje të reformës në sistemin e drejtësisë, me qëllim të adresimit të llogaridhënies duke përfshirë edhe vetingun, kanë bërë një punë të mirë dhe se tashmë kanë katër opsione dhe se njërin prej tyre edhe do ta zgjedhin.

Ai thotë se nuk do të ketë ndikim vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që ka vendosur se qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti është zgjedhur në mënyrë jokushtetuese, që të shtyjë përpara këtë reformë në drejtësi. Sipas tij, gjatë këtij muaji do të shohim se për cilin nga katër opsionet do të vendosin.

Opsioni i parë është vazhdimi i status quo-së apo gjendjes ekzistuese, opsioni i dytë adreson problemet përmes ndryshimeve ligjore që kanë të bëjnë me llogaridhënien. Opsioni i tretë parasheh mundësinë e adresimit të të metave në llogaridhënie përmes masave të kombinuara, përkatësisht, vetingut në njërën anë dhe përmirësimit të performancës dhe disiplinimit përmes ndryshimeve ligjore në anën tjetër, ndërkaq opsioni i katërt sheh si zgjidhje zhvillimin e veting-ut për gjyqtarë dhe prokurorë.

“Tash dokumenti ekziston, dokumenti është gjithëpërfshirës se kanë marrë pjesë të gjithë hisedarët e drejtësisë, është udhëhequr nga shoqëria civile që është shumë pozitive. Kanë dalë me 4 propozime, njëri prej këtyre katër propozimeve duhet të implementohet. Për ta zgjedhur njërin prej katër propozimeve duhet një raund i konsultimeve se cili është versioni më i mirë. Unë mendoj personalisht që duhet ta kemi një sistem të qëndrueshëm të vetingut, do të thotë një veting të përhershëm”, thotë ai.

Sa i përket efikasitetit të institucioneve të zbatimit të ligjit gjatë vitit 2020, Selimi thotë se përkundër vështirësive që i ka shkaktuar pandemia këto institucione kanë vazhduar punën.

Ndërsa, shprehet i lumtur derisa thotë se tek rastet e shenjëstruara ka pasur një rritje prej 100 përqind gjatë vitit 2020.

“Unë jam i lumtur që rastet e shënjëstruara kanë pasur një rritje për 100 përqind, pra ia kanë nisur para shumë kohe me 30 raste, tash i kemi mbi 60 raste dhe është pozitive për shkak që e kemi pa rezultatin konkret të prokurorisë. Për me pas rezultate të mira prokurori duhet të ketë dinjitet, e dinjiteti jepet duke i ofruar kushte të punës, rrogat janë rritur, emërimet do të thotë janë bërë në mënyrë më objektive dhe kushtet e punës i kanë më të mirë. Andaj edhe ky dinjiteti përkthehet në guxim, guximi është ndjekja e rasteve të korrupsionit të profilit të lartë. Kemi pasur ngritje të aktakuzave edhe këtë vit dhe e di që në bazë të raportimeve që ka edhe hetime tjera të cilat janë duke u zhvilluar. Unë mendoj që sa më pak që politika përzihet tek ta aq më shumë sukses kanë me pas ata”, thekson ai.

Ministri në detyrë i Drejtësisë, thotë se sfidë vazhdon të jetë korrupsioni, derisa tregon se çka kanë ndërmarrë për të përmirësuar luftën kundër kësaj dukurie.

“Kemi sfida edhe me korrupsion sepse ka aktakuza që po ngriten për korrupsion, ka gjykime që po mbahen për korrupsion, që tregon që është një problem. Ne si Ministri e Drejtësisë nuk ndjekim, as nuk burgosem, as nuk gjykojmë, ne rregullojmë politika. Ne i kemi marrë dy iniciativa për të përmirësuar luftën kundër korrupsionit: 1. Në ligjin për Avokaturën Shtetërore avokatët shtetërorë janë ata që e mbrojnë shtetin në konteste, shumë prej këtyre kontesteve janë konteste të tenderëve edhe avokatët e shtetit tash me ligjin e ri do të jenë të obliguar të tregojnë korrupsioni për shkak që edhe nëse e mbron shtetin por e sheh ndonjë veprim që kategorizohet në pjesën e korrupsionit do ta kenë obligim të kallëzim penal. 2. E kemi përmirësuar Ligjin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Agjencia Kundërkorrupsionit tash do të quhet Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ku ne do t’i mundësojmë që të mos dyfishohen veprimet do të thotë Agjenci, Prokurori, Polici e të mos dihet kush cilin vendim po e merr, por Agjencia do të koncentrohet në parandalim, por do t’i rrisë kapacitetet e hetimit dhe për herë të parë do ta ketë për detyrë që të merret me sinjalizuesit”, thotë ai.

Për këtë fillim vit, Selimi thotë se është lajm i mirë që do të mund t’i ndjekin dhe gjykojnë në mungesë, siç thotë ai, kriminelët serbë që janë të lirë në Serbi e që kanë kryer krime gjatë luftës.

“Procedura penale e cila do të na mundësojë që t’i ndjekim dhe t’i gjykojmë në mungesë të gjithë ata kriminelë që ecin të lirë në Serbi. Do të thotë, ne me ndryshimet në procedurë penale do të kemi mundësi që ta sjellim sado pak drejtësi të mohuar që 20 vite, do të thotë ata kriminelë që nuk dorëzohen nga Serbia këtu por janë të lirë atje ne së paku procedurat tona këtu do t’i ndjekim pa pengesa, do t’i ndjekim penalisht ata dhe do t’i gjykojmë në mungesë. Në këtë mënyrë ne do të tregojmë që ka shumë njerëz që pushteti kriminal serb i mbron atje edhe do t’i tregojmë botës që kemi një sistem të drejtësisë të paanshëm, por i cili e ka për detyrë që të sjell drejtësi për viktimat”, thotë Selimi.

Krejt në fund ministri në detyrë i Drejtësisë, Selim Selimi, bënë të ditur se Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar gjatë vitit 2020 ka ekzekutuar gjithsej 92 vendime të dërguara nga gjykatat, për administrimin e pasurisë të sekuestruar ose të konfiskuar. Nga këto vendime, thotë se 54 vendime janë për sekuestrim, 22 vendime për konfiskim, 16 vendime për kthimin e pasurive. Gjithashtu, nga 6 ankande dhe janë realizuar të hyra nga shitja në shumën e përgjithshme prej më shumë se 33 mijë euro.

Selimi thotë se në vitin 2020 një punë të mirë në menaxhimin e pandemisë ka bërë Shërbimi Korrektues, për çka thotë se për shkak të menaxhimit të mirë kanë pasur vetëm një numër të vogël të të infektuarve me COVID-19.

Ai foli edhe për punën që ka bërë Instituti i Mjekësisë Ligjore, për çka tha se ka zbatuar urdhëresat për zhvarrime, duke marrë pjesë në 15 lokacione, 12 lokacione në Republikën e Kosovës dhe 3 lokacione në Republikën e Serbisë, si rezultat i këtyre zhvarrimeve janë gjetur gjithsej 11 trupa- mbetje mortore. Po ashtu, ka kryer autopsi për 230 raste, ekzaminime klinike për 62 raste, si dhe janë punuar 138 analiza nga laboratori i toksikologjisë.

Aktualitet

Kuvendi i Kosovës nuk konstituohet as në tentimin e 47-të

Published

on

Kuvendi ka dështuar për herë të 47-të të konstituojë legjislaturën e nëntë, ku tentimi i radhës i Lëvizjes Vetëvendosje për të formuar komisionin për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit sërish nuk mori mbështetjen e partive të tjera politike.

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari sërish ftoi partitë politike për të propozuar emrat e kandidatëve për Komisionin Ad-hoc për votim të fshehtë në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, por as pas kësaj thirrje partitë e tjera në Kuvend nuk propozuan emrat, madje të njëjtat kërkuan që kryesuesi t’i kthehet rendit të ditës së dakorduar për votim  të hapur të zgjedhjes së të parës së Kuvendit.

Seanca u ndërpre dhe vazhdimi i saj do të bëhet më 17 korrik në orën 11:00./Kosovapress

 

Continue Reading

Lajmet

​Kriza politike, Bogujevci me kërkesë ndaj qytetarëve: Duhet t’i mbani përgjegjës partitë opozitare

Published

on

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, ka akuzuar partitë që deri tani ishin në opozitë për krizën politike në vend.

Ajo kërkoi nga qytetarët që të kërkojnë përgjegjësi dhe llogaridhënie, siç tha ndaj deputetëve të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, që sipas saj nuk po votojnë për konstituim të Kuvendit dhe formim të institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

“Presim që deputetët të votojnë dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese që është vota, cila formë që është ajo. Mendoj që krijohet një precedentë të keq në seancën konstituive ku përcaktohet rregull e saktë nga kushtetuesja dhe deputetët nuk marrin pjesë në votim. S’mundemi me ecë përpara kur deputetët nuk votojnë, të them të drejtën nuk po kuptoj më se as çka dëshirojnë dhe çka votojnë. S’ka sens sesi është duke vepruar opozita dhe duhet kërkohet përgjegjësi dhe llogaridhënie nga qytetarët që i kanë votuar”, tha ajo.

Këto komente ajo i bëri duke hyrë në objektin e Kuvendit për seancën konstituive për herë të 47-të.

Ngërçi aktual është të formimi i komisionit për votim të fshehtë të zgjedhjes së kryeparlamentarit, meqë partitë që deri tani ishin në opozitë po e kundërshtojnë të njëjtën.

Në formë të hapur, kandidatja e LVV-së, Albulena Haxhiu nuk ka marrë 61 votat e nevojshme për të marrë postin e kryeparlamentares./kp/

Continue Reading

Lajmet

“Kuvend e Qeveri sa më parë – të gjendet kompromisi”, thirrja e ambasadorit francez për liderët e Kosovës

Published

on

Në fjalimin e tij në pritjen me rastin e Festës Kombëtare të Francës, ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot, ka dhënë dy mesazhe kryesore.

Në një mesazh të drejtpërdrejtë për lidershipin politik të Kosovës, duke kërkuar zhbllokimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Duke folur para përfaqësuesve institucionalë, partiakë, trupit diplomatik, shoqërisë civile dhe mediave, ambasadori theksoi se partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, përfshirë Francën, kanë nevojë për institucione funksionale për të ecur përpara me bashkëpunimin konkret.

“Për të nënshkruar dhe ratifikuar marrëveshje të rëndësishme, na duhet një Kuvend dhe na duhet një Qeveri e mbështetur nga ky Kuvend”, tha Guerot, duke theksuar se vonesat aktuale rrezikojnë zbatimin e projekteve milionëshe të planifikuara nga Agjencia Franceze për Zhvillim (AFD) dhe institucione tjera franceze.

Ai vlerësoi bashkëpunimin me institucionet kosovare si Gjykata Kushtetuese, Ministria e Ekonomisë, Akademia e Drejtësisë dhe Policia e Kosovës, por shtoi se progresi i mëtejshëm kërkon stabilitet institucional dhe vendimmarrje politike.

“Franca dhe vendet mike kanë nevojë për partnerë të qartë dhe funksionalë. Integrimi evropian kërkon dialog të lehtësuar nga BE-ja, dhe për këtë duhet Kuvend e Qeveri”, shtoi ambasadori.

Ambasadori Guerot iu drejtua të gjitha forcave politike në vend me një thirrje për kompromis dhe përgjegjësi demokratike, duke shtuar se qytetarët nuk janë të kënaqur me ngërçin e krijuar pas zgjedhjeve.

“Ftoj të gjithë udhëheqësit politikë, pa përjashtim, pavarësisht partisë apo komunitetit, që të gjejnë rrugën për të dalë nga ngërçi institucional. Nuk ka më kohë për bllokada”, tha ai.

Ky është një prej mesazheve më të qarta dhe më të drejtpërdrejta që vjen nga një përfaqësues i shtete mike për situatën politike në Kosovë pas më shumë se 40 tentimeve të dështuara për konstituimin e Kuvendit që nga 9 shkurti.

Gjatë fjalës së tij, ambasadori theksoi edhe angazhimin e vazhdueshëm të Francës në përkrahje të organizatave të shoqërisë civile, veçanërisht atyre që merren me çështje të barazisë gjinore.

“Franca zhvillon diplomaci feministe në Kosovë dhe në të gjithë botën. Gjatë katër viteve të fundit, Franca ka qenë një nga donatorët kryesorë në këtë fushë, duke mbështetur 1,400 organizata”, tha ai.

Ai përmendi bashkëpunimin me OJQ-të feministe, mbështetjen për mediat e pavarura dhe shumëprojekte që ndihmojnë në fuqizimin e të rinjve, barazinë dhe multietnicitetin në vend.

Po ashtu, ai vlerësoi punën e Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD), e cila brenda 18 muajve në Kosovë ka përgatitur disa projekte ambicioze dhe ka nënshkruar memorandume mirëkuptimi me ministritë përkatëse. Projektet kapin vlerën e dhjetëra milionë eurove dhe presin vetëm konstituimin e institucioneve për të filluar zbatimin.

“Franca mbështet një Kosovë multietnike. Për këtë, komunitetet duhet të komunikojnë me njëri-tjetrin dhe mediat e lira janë sektorë kyç për këtë bashkëjetesë”, theksoi Guerot mes tjerash.

Ai ka përmendur edhe punën e kryer nga Agjencia Franceze për Zhvillim (AFD), e cila, në 18 muajt e saj në Kosovë, ka zhvilluar tashmë disa projekte shumë ambicioze.

“Janë nënshkruar dy memorandume mirëkuptimi midis AFD-së dhe ministrive. Pres me padurim finalizimin e kësaj pune, e cila arrin në dhjetëra milionë euro”, ka shtuar ambasadori francez. /Telegrafi/.

Continue Reading

Aktualitet

IKD: Qeveria përdori disa metoda për kapjen e administratës

Published

on

Hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Gzim Shala tha për dallim nga qeveritë paraprake, që kjo qeveri pikësynim kishte sistemin e zyrtarëve publikë të administratës jo veç thjesht zyrtarin.

“Nëse i shohim të gjitha metodat që janë ndërmarrë deri më tani, krijohet përceptimi se kemi të bëjmë me veprime të strukturuara për kapjen e administratës”, tha Shala, ku sipas tij çështja e politizimit të administratës ishte përmendur edhe në raportet ndërkombëtare në të kaluarën për qeveritë paraprake.

Shala theksoi se problematike është çështja e ushtruesve të detyrës në institucione, ku pozita e ushtruesit të detyrës është më shumë praktike e cila bën përjashtim, ndërsa ai tha se në këtë qeveri kjo ka qenë parim.

“Numri më i madh i pozitave kanë qenë të plotësuara vetëm me ushtrues detyre, qasje kjo e cila është në kundërshtim me parimin e integritetit institucional”, shtoi Shala.

Ai tha se aktualisht është një numër i madh i pozitave që mbahen në mënyrë të kundërligjshme sipas vendimit të Gjykatës Supreme dhe se një praktikë e tillë është në kundërshtim me ligjin dhe standardet ndërkombëtare e cila krijon pasoja edhe në jetën institucionale si dhe në jetën e qytetarëve. /Ekonomia Online

Continue Reading

Të kërkuara