Lajmet

​Rrugët e shkatërruara në qendër të Mitrovicës, ankohen banorët

Këto rrugë shqetësojnë banorët e këtushëm.

Published

on

Prej më shumë se dhjetë vitesh, rrugët “Lah Nimani” dhe “Ali Zeneli” në Mitrovicë janë në gjendje të rëndë.

Të shkatërruara krejtësisht në të gjithë gjatësinë e tyre, këto rrugë që ndodhen në qendër të qytetit dhe në të cilat jetojnë rreth 900 ekonomi familjare me mbi 5 mijë banorë, janë kthyer në shqetësim për banorët e këtushëm.

Të mbushura me gropa, gjatë gjithë stinës së dimrit janë me ujë dhe baltë, por edhe gjatë stinëve tjera, përveç pluhurit, sa herë që ka reshje shiu, ujërat vërshojnë nëpër këto rrugë, duke u bërë pengesë për këmbësorët, veçanërisht për drejtuesit e automjeteve.

Rrustem Beqiri, banor i këtushëm, rrugën ‘Ali Zeneli’ ku jeton ai, e quan katastrofë. Ai për të dalë në dyqan ose për ta hedhur bërllokun, detyrohet të mbathë çizme për shkak të gropave në rrugë të cilat janë përplot me ujë, ndërsa sa herë që del me automjet, thotë se shkon rreth e rrotull dhe shumë më larg, vetëm për t’iu ikur këtyre gropave.

“Katastrofë, unë nuk po mundem me pa midis qytetit këtë rrugë kështu. Në Bajgorë, prej dyerve të shtëpisë dhe deri te rruga janë 100 metra dhe e kam asfalt, ndërsa këtu nuk po mundem me dalë me veturë e as këmbë në dyqan. Nuk e di çka po ndodhë kështu…Faji është te komuna… U bëmë gaz, nuk po mundem bërllokun me gjuajt pa i mbath çizmet… Dhjetë vjet i ka sigurisht… Veturat po shkatërrohen, unë rreth e rreth po duhet me shku për shkak të gropave”, thotë Beqiri.

Edhe Elvane Ferri, banore e kësaj lagjeje, ankohet për gjendjen e rrugës në të cilën jeton, duke thënë se është e tmerrshme që në qendër të Mitrovicës të mbeten rrugët në këtë gjendje. Ajo fajëson komunën për mosangazhim në rregullimin e këtyre rrugëve ndër vite.

‘Nuk kam fjalë dhe s’do koment, kjo është tmerr. Në qendër të Mitrovicës me mbet kjo rrugë kështu është e tmerrshme. Unë jam banore e kësaj lagjeje më shumë se dy vite, kjo është kështu edhe më herët, nuk kam fjalë, mundeni me pa edhe vetë… Faji është i Komunës, vite e vite më parë është kjo gjendje, nuk është kjo tash’, thotë Ferri.

Se gjendja e mjerueshme e këtyre rrugëve është prej shumë vitesh thotë edhe Ideal Mehmeti, i cili thekson se organet kompetente nuk ndërmarrin asgjë.

“Kjo rrugë është e tmerrshme, që sa vite është kështu dhe askush nuk ndërmerr asgjë, tmerr”, thotë ai.

Në anën tjetër, Edison Tërnava, drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në Mitrovicë, ka pranuar se rrugët “Lah Nimani” dhe “Ali Zeneli” në qytetin e Mitrovicës kanë paraqitur sfidë të madhe për komunën ndër vite, për shkak të kontesteve gjyqësore të disa objekteve në atë lagje.

Sipas tij, tashmë veç pjesa e madhe e objekteve të cilat kanë qenë pengesë janë shpronësuar dhe Komuna ka arritur marrëveshje me pronarët e këtyre pronave për kompensim. Ai shton se në muajin qershor do të fillojnë punimet në rregullimin e rrugëve të kësaj lagjeje, ndërsa premtoi projekt modern me kosto mbi 1 milion euro i cili do të përfundojë brenda 16 muajve.

“Janë mbi dhjetë vite proces që ka ngecur në disa prona ku ka pasur probleme gjyqësore dhe të ndryshme. Gjatë periudhës njëvjeçare të qeverisjes ne kemi arritur që t’i eliminojmë një pjesë të madhe të kontesteve gjyqësore, kemi arritur t’i shpronësojmë. Telashet kanë qenë tek objektet në fillim të rrugës… Kemi arritur marrëveshje me ata banorë që të këmbehen ato prona me një parcelë komunale… Shpresoj se muaji qershor ka me qenë muaj në të cilin kemi për të bërë hapjen e asaj rruge… Është një projekt i cili ka me qenë shumë modern, flasim për një rrugë me katër korsi, hapësira të gjelbëruara, shteg për biçikleta, trotuare të zgjeruara dhe një sistem të ri të kanalizimit që do të përfshijë të dy anët e rrugës… Sa i përket çmimit, sa kam njohuri ka qenë mbi 1 milion euro investimi, ndërsa koha e paraparë për përfundimin e punimeve është 15-16 muaj, po flasim për ditë pune”, sqaroi Tërnava. 

Vendi

OVL-UÇK reagon pas aktakuzës ndaj Fatmir Shehollit: Të hetohen rrjetet e mundshme të spiunazhit

Published

on

By

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka reaguar publikisht lidhur me aktakuzën ndaj Fatmir Shehollit, i cili dyshohet për spiunazh në favor të Serbisë. OVL-UÇK ka kërkuar që ky rast të mos trajtohet thjesht si një përgjegjësi individuale, por si një çështje e rëndësishme e sigurisë kombëtare.

Përmes një komunikate për medie, organizata theksoi se duke respektuar prezumimin e pafajësisë, institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë duhet të gjurmojnë çdo kontakt, lidhje financiare apo komunikim të mundshëm për të parë nëse ekzistojnë rrjete më të gjera të bashkëpunimit me shërbimin BIA të Serbisë.

“Akuzat për spiunazh dhe shantazh, përfshirë bashkëpunimin e supozuar me BIA-n e Serbisë, i detyrojnë institucionet të gjurmojnë çdo kontakt, ndërmjetës, burim, komunikim, lidhje financiare dhe marrës të materialeve të ndjeshme. Nëse provat zbulojnë rrjete më të gjera, ato duhen shpërbërë pa hezitim,” thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.

Gjithashtu, nga OVL-UÇK kanë kërkuar që organet kompetente të verifikojnë nëse shërbimet inteligjente serbe kanë grumbulluar apo përcjellë materiale që lidhen me luftën e UÇK-së me qëllim të manipulimit apo shfrytëzimit të tyre në procese politike e gjyqësore.“Beteja për mbrojtjen e të vërtetës së UÇK-së nuk përfundoi më 12 qershor 1999. Ajo vazhdon kundër luftës hibride, propagandës dhe shtrembërimit të qëllimshëm të historisë mbi të cilën ngrihet ky shtet. Kosova ka të drejtë të dijë kush punoi kundër saj, përmes cilave kanale dhe në interes të kujt,” përmbyll reagimin kjo organizatë. /E.A/

Continue Reading

lajme

100 nxënës nga e gjithë Kosova përfitues të bursës për shkollim në UBT International Smart Schools

Published

on

By

Njëqind nxënës nga komuna të ndryshme të Kosovës janë përzgjedhur përfitues të bursave të shkollimit në UBT International Smart Schools, pas pjesëmarrjes së suksesshme në edicionin e sivjetmë të Testit Provues të Arritshmërisë.

Përmes bursave të fituara, nxënësit do të kenë mundësinë të vazhdojnë rrugëtimin e tyre arsimor në një mjedis modern dhe inovativ, duke zhvilluar njohuri dhe aftësi të nevojshme për të ardhmen akademike dhe profesionale.

Themeluesi dhe Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, tha se ndarja e këtyre bursave dëshmon përkushtimin e UBT International Smart Schools për të mbështetur të rinjtë dhe për t’u krijuar atyre mundësi të reja për zhvillim akademik e profesional.

“Kjo është një dëshmi e qartë e mbështetjes që UBT po i jep të rinjve të Kosovës dhe rajonit. Fakti që në mesin e përfituesve kemi nxënës nga e gjithë Kosova, e bën këtë nismë edhe më të veçantë. Fokusi ynë është që të mbështesim talentet e reja dhe t’i përgatisim ata me njohuri dhe aftësi profesionale për fushat që do të përcaktojnë të ardhmen”, tha Rektori Hajrizi.

Bursat përfaqësojnë një investim në talentin, potencialin dhe të ardhmen e të rinjve. Përfituesit kanë zgjedhur ndërmjet drejtimeve moderne dhe të orientuara drejt kërkesave të së ardhmes, duke u përgatitur për një treg pune ku teknologjia, inovacioni, shkencat, shëndetësia dhe aftësitë digjitale po marrin gjithnjë e më shumë rëndësi.

Bëhu pjesë e UBT International Smart Schools, duke aplikuar në këtë link: APLIKIMI ONLINE

Continue Reading

Vendi

IQMT aksion kundër udhërrëfyesve turistikë pa licencë: Gjobat shkojnë deri në 9 mijë euro

Published

on

By

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka zhvilluar aksione inspektuese në regjionin e Prizrenit, Prishtinës dhe Obiliqit, me synim parandalimin dhe evidentimin e ushtrimit të paligjshëm të veprimtarisë nga udhërrëfyesit turistikë të palicencuar.

Gjatë inspektimeve, IQMT ka evidentuar se disa kompani nga vendet e rajonit po angazhojnë udhërrëfyes jo-vendas pa licencat e nevojshme, çka përbën shkelje direkte të ligjeve në fuqi.

“Përveç aspektit ligjor, angazhimi i personave të palicencuar mund të ndikojë edhe në mënyrën e prezantimit të historisë, trashëgimisë kulturore dhe vlerave reale të lokacioneve turistike që vizitohen në Republikën e Kosovës,” bëhet e ditur në njoftimin e Inspektoratit.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) paralajmëroi se ushtrimi i kësaj veprimtarie në mënyrë të kundërligjshme përbën kundërvajtje dhe dënohet me gjobë prej 3,000 deri në 9,000 euro. IQMT u ka bërë thirrje të gjithë operatorëve turistikë që të angazhojnë vetëm kuadro të licencuara.

Kujtojmë se më 10 korrik 2026, Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka pajisur me kartela identifikuese 12 udhërrëfyesit e parë të licencuar në Kosovë, të cilët janë: Naile Cekaj, Fisnik Thaçi, Orhan Ramadani, Fitim Bunjaku, Fatijona Bajra, Adriana Pllana, Akil Cejku, Muhamed Cejku, Muhamer Hasani, Ilir Sopjani, Enes Toska dhe Mirjeta Shatri./E.A/

Continue Reading

Lajmet

Prokuroria del me detaje për vrasjen e gruas në Prizren

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Prizren ka dhënë detaje zyrtare lidhur me vrasjen e rëndë që ka ndodhur në orët e para të ditës së sotme, më 26 gusht 2026.

Sipas njoftimit zyrtar nga organet e ndjekjes, ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:30 pas mesnatës. Bazuar në të dhënat e para të hetimit, i dyshuari me inicialet B.D. dyshohet se ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij duke ushtruar dhunë fizike ndaj saj.

Menjëherë pas marrjes së informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda, njësitet e Policisë së Kosovës, krim-teknika si dhe zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML). Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari B.D. është ndaluar për 48 orë nën dyshimin e bazuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja e rëndë”. Brenda afatit ligjor, Prokuroria ka bërë të ditur se do të parashtrojë kërkesë në gjykatë për caktimin e masës së paraburgimit.

Hetimet nga Prokuroria Themelore në Prizren dhe Policia e Kosovës po vazhdojnë me intensitet të lartë për të zbardhur të plota rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarjeje tragjike.

80-vjeçarja gjendet pa shenja jete, dyshohet për vrasje të rëndë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të së mërkurës në Prizren, ku një grua 80-vjeçare është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e saj. Për rastin dyshohet bashkëshorti i saj, rreth 81-vjeç.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka konfirmuar për KosovaPress se rreth orës 01:30 Policia ka pranuar informatën për një grua të gjetur pa shenja jete në një shtëpi banimi.

Në vendngjarje kanë dalë njësitë policore dhe ekipi i urgjencës mjekësore, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës. Në shtëpi është gjetur edhe bashkëshorti i saj, i cili është shoqëruar në stacionin policor.

Pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes nga hetuesit policorë, forenzika dhe ekspertët e mjekësisë ligjore, ka lindur dyshimi për veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Sipas Policisë, lëndimet e evidentuara në trupin e viktimës dyshohet se janë shkaktuar me forcë duarthatë, pa përdorimin e ndonjë arme apo mjeti tjetër.

Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për ekzaminim mjekoligjor. Ndërkohë, i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar për 48 orë.

Policia ka bërë të ditur se, sipas evidencave të saj, çifti nuk kishte pasur raste të mëhershme të raportuara të dhunës në familje. Në momentin e incidentit, ata dyshohet se kanë qenë vetëm në shtëpi.

Hetimet janë duke vazhduar për të zbardhur motivin dhe rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje të rëndë. /Kosova Press/

Continue Reading

Të kërkuara