Lajmet

​Rreth 4 mijë e 300 kosovarë janë vaksinuar me AstraZeneca, deri më tani asnjë problem

Published

on

Në qendrën e vaksinimit në sallën “1 Tetori” po vazhdon shpërndarja e vaksinës për personelin shëndetësor. Aty aktualisht janë duke u vaksinuar stafi mjekësor i sektorit privat dhe ata të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Nga fillimi i vaksinimit e deri më sot janë vaksinuar rreth 4 mijë e 300 persona, ndërsa vetëm në mesditë në këtë qendër me AstraZeneca janë imunizuar 95 mjekë dhe infermierë.

Koordinatori i qendrës së vaksinimit në sallën “1 Tetori”, Niman Bardhi deklaroi se ky proces i imunizimit në Kosovë po vazhdon të shkojë pa ndonjë telashe. Ai thotë se sot do të vendoset se kur do të nisë vaksinimi i të moshuarve.

“Çdo gjë deri më tani ka shkuar si më së miri, pa pasur ndonjë të veçantë që duhet të diskutohet. Aktualisht deri më tash sot janë të vaksinuar 95 persona në qendrën ‘1 Tetori’, por duke mos pasur numrin e gjeneruar nga regjionet dhe që presim në çdo moment të na përcjellin të dhënat e sakta. Por nëse i referohemi numrit total të të vaksinuarve kemi rreth 4 mijë e 300 persona të vaksinuar deri në këto çaste që po flasim. Ne jemi duke vazhduar vaksinimin e personelit shëndetësor privat dhe atyre të FSK-së që kanë mbetur dje pa u vaksinuar. Sa i përket çështjes së vaksinimit të të moshuarve, prapë ngelet që mbi bazën e rekomandimit që do të dalë sot do të jeni të informuar se si veprohet tutje qoftë me të moshuarit apo profesionistët shëndetësorë”, theksoi Bardhi.

Me qëllim që të vaksinohen të gjithë personat e moshuar mbi moshën 80-vjeçe dhe ata me sëmundje kronike, Bardhi tha se do të angazhojnë edhe ekip mobile për vaksinim.

Koordinatori i qendrës së vaksinimit në Prishtinë thekson se nuk janë ballafaquar me fluks për vaksinim, por që kanë kapacitet që brenda ditës t’i imunizojnë deri në 1 mijë persona.

“Ne jemi të përgatitur për të vaksinuar nga 750 e tutje persona dhe me komoditet mund t’i kryejmë deri 1 mijë raste brenda ditës, por siç e keni parë çdo ditë kur keni qenë këtu fluksi nuk ka qenë shumë i madh këtu, prandaj kemi komoditet në këtë pjesë dhe pa asnjë problem do e menaxhojmë”, deklaroi ai.

Meqenëse për vaksinën AstraZeneca tashmë janë ngjallur dilema, Bardhi thotë se ata që janë vaksinuar nuk kanë shpërfaqur asnjë shqetësim.

“Sipas asaj që ne kemi parë gjithmonë tani brenda kësaj salle nuk kemi pasur ndonjë shqetësim apo reagim nga doza e parë dhe marr në tërësi nuk kemi dëgjuar që mund të themi ndonjë rast shumë i veçantë që ka pasur ndonjë shqetësim dhimbje dore apo ndonjë shqetësim tjetër”, tha Bardhi.

Gjatë ditës së sotme dozën e parë të vaksinës antiCOVID e mori edhe mjeku veteran Behxhet Osmani. Ai apelon që askush të mos hezitojë ta marrë vaksinën antiCOVID, pasi që thekson se kjo është mënyra më e mirë për të çrrënjosur virusin.

“Unë jam mjek dhe mjekoj një numër të madh të të sëmurëve me COVID, edhe është apeli im që të gjithë njerëzit që e kanë mundësinë me e marr këtë vaksinë ta marrin mos të hezitojnë fare, sepse e vetmja mënyrë për ta çrrënjosur këtë virus është vaksinimi. Tani për tani nuk kemi ndonjë bari që e shkatërron virusin”, tha ai.

Edhe Ajsha Xhambazi, mjeke pensioniste pasi u vaksinua thotë se fillimisht ka hezituar për shkak të telasheve me alergjinë që ka ndaj një bari, por më pas vendosi të vaksinohet dhe tani po ndihet mirë.

“Tani mirë jam nuk kam problem duhet të pres pak se kam alergji në Cefaklor aktualisht shumë mirë… Pak po por vetëm për shkak të alergjisë përndryshe çdo kush duhet ta merr”, theksoi ajo.

Krahas vaksinimit në qendrën e vaksinimit “1 Tetori” në Prishtinë, personeli shëndetësor po vaksinohet edhe nëpër komunat ku veprojnë. Kosova më 28 mars ka pranuar 24 mijë dozat e para të vaksinës AstraZeneca.

Ata që kanë prioritet për vaksinim me këto doza janë stafi mjekësor, të moshuarit mbi moshën 80 vjeçare dhe ata me sëmundje kronike.

Lajmet

Presidentja Osmani në Emiratet e Bashkuara Arabe

Published

on

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar zyrtarisht në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku do të marrë pjesë në Samitin Botëror të Qeverisjes, për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për të promovuar vizionin e Kosovës për zhvillim dhe inovacion.

Presidentja Osmani në këtë Samit është ftuar nga Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Lartmadhëria e Tij, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan. Në Samit do të marrin pjesë edhe shumë liderë nga mbarë bota, me të cilët Presidentja do të ketë takime bilaterale për të diskutuar mundësi bashkëpunimi dhe projekte të përbashkëta strategjike.

Gjatë vizitës, Presidentja Osmani do të marrë pjesë në sesione kyçe të Samitit, ku do të mbajë ndër fjalimet kryesore. Ajo gjithashtu do të marrë pjesë në sesione të ndryshme të forumit dhe tryeza tematike.

Samiti Botëror i Qeverisjes shërben si një platformë globale që bashkon liderë, organizata ndërkombëtare e kompani për të diskutuar të ardhmen e qeverisjes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Continue Reading

Lajmet

Studentët e Fakultetit të Shkencave të Ushqimit në UBT realizojnë vizitë studimore në verarinë “Stone Castle” në Rahovec

Published

on

By

Fakulteti i Shkencave të Ushqimit në UBT ka realizuar një vizitë studimore në vreshtarinë dhe verarinë e njohur “Stone Castle” në Rahovec, në kuadër të aktiviteteve akademike dhe praktike që synojnë përgatitjen profesionale të studentëve sipas standardeve bashkëkohore të industrisë ushqimore.

Kjo vizitë kishte për qëllim njohjen nga afër me proceset teknologjike të kultivimit të rrushit, prodhimit të verës, kontrollit të cilësisë, sigurisë ushqimore dhe menaxhimit të industrisë së pijeve alkoolike, duke ofruar një përvojë të drejtpërdrejtë praktike për studentët e këtij fakulteti.

Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të ndjekin nga afër fazat kryesore të prodhimit të verës, duke u njohur me teknologjitë moderne që aplikohen në këtë sektor, standardet ndërkombëtare të cilësisë dhe procedurat e sigurisë ushqimore. Po ashtu, ata zhvilluan diskutime profesionale me stafin e verarisë “Stone Castle”, duke shkëmbyer përvoja konkrete nga praktika industriale.

Këto aktivitete janë pjesë përbërëse e filozofisë së Fakultetit të Shkencave të Ushqimit në UBT, i cili fokusohet në ndërlidhjen e dijes teorike me praktikën reale në industri, duke përgatitur kuadro të afta për tregun vendor dhe ndërkombëtar të punës. Përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm me biznese dhe kompani lidere në sektorin ushqimor, UBT u ofron studentëve mundësi reale për zhvillim profesional dhe karrierë të qëndrueshme.

Vizitat studimore të tilla përforcojnë rolin e UBT-së si institucion i arsimit të lartë që promovon mësimdhënien praktike, inovacionin dhe partneritetin me industrinë, duke krijuar ura të forta ndërmjet akademisë dhe ekonomisë vendore.

Continue Reading

Lajmet

Kamerat inteligjente në RMV regjistrojnë çdo shkelje, gjoba edhe për kosovarët

Published

on

Policia e Kosovës ka njoftuar qytetarët që udhëtojnë në Maqedoninë e Veriut se autoritetet e këtij shteti kanë filluar zbatimin e sistemit elektronik për monitorimin e komunikacionit rrugor, të njohur si “Qyteti i sigurt”.

Sipas Policisë, monitorimi i komunikacionit rrugor realizohet përmes pajisjeve teknike dhe kamerave inteligjente, të cilat evidentojnë automatikisht shkeljet e rregullave të komunikacionit, në përputhje me legjislacionin përkatës.

Në fazën e parë, ky sistem do të zbatohet në qytetet Shkup, Tetovë dhe Kumanovë, si dhe përgjatë Korridorit 8 dhe Korridorit 10. Shkeljet që do të evidentohen përfshijnë tejkalimin e shpejtësisë së lejuar, kalimin në semafor të kuq, ndalimin dhe parkimin e parregullt, si dhe qarkullimin me automjete të paregjistruara.

Policia e Kosovës bën të ditur se për automjetet me targa të huaja, përfshirë ato nga Kosova, në rast të shkeljeve të konstatuara nga sistemi “Qyteti i sigurt”, shoferët do të njoftohen gjatë hyrjes ose daljes nga territori i Maqedonisë së Veriut.

Sipas njoftimit, qytetarët e huaj kanë të drejtë të përfitojnë ulje prej 50 për qind të gjobës nëse pagesa realizohet brenda afatit prej tetë ditësh. Në rast mospajtimi me shkeljen ose mosrealizimi të pagesës, do të iniciohet procedurë kundërvajtëse para gjykatës kompetente.

Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve që të respektojnë dispozitat ligjore të komunikacionit gjatë udhëtimit dhe qëndrimit në Maqedoninë e Veriut, me qëllim të shmangies së gjobave dhe procedurave ligjore.

/Kosovapress/

Continue Reading

Lajmet

Avokati Selimaj: Edhe pa paraburgimin mund te arrihen rezultatet hetimore

Published

on

Avokati Meshari Selimaj ka thënë se vendimi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë që të mbrohen në liri të arrestuarit në rastin e manipulimit të votave, është një tregues se edhe pa paraburgim mund të arrihen rezultatet hetimore në këtë rast penal.

“E pata konsideruar si masë tejet ekstreme atë të paraburgimit në rastin e manipulimeve të pretenduara me zgjedhje. Vendim i drejtë, i ligjshëm e parimor ky i Gjykatës Themelore në Mitrovicë. Në mesin e tyre ka edhe persona të rinj në moshë të lindur në vitin 2005 apo 2007,  madje edhe për më keq janë femra një pjesë e mirë e tyre. Ju mungon edhe eksperienca jetësore për ta përballuar një masë kaq të rëndë siç është paraburgimi, e cila si masë nuk mundet dhe s’guxon ta arrijë qëllimin e dënimit. Edhe pa paraburgimin mund të arrihen rezultatet hetimore në këtë rast penal, me masa të tjera e pa paraburgim”, ka shkruar Selimaj në rrjetin e tij social “facebook”.

Gjykata Themelore në Mitrovicë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton të hënën se ka mbajtur tri (3) seanca dëgjimore lidhur me kërkesat e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dhjetë (10) të pandehurve. Pas shqyrtimit të kërkesave dhe vlerësimit të provave të paraqitura, Gjykata ka refuzuar kërkesat e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve: R.J., L.H., N.D., A.N., B.F., H.S., Sh.N., Y.S., D.K. dhe S.S., duke vendosur që të njëjtit të mbrohen në liri. /Ekonomia Online/

Continue Reading

Të kërkuara