Vedat Muriqi ishte protagonist në fitoren e rëndësishme të Fenerbahçes ndaj Konyasporit, me rezultat 4:2, duke shënuar një gol dhe duke asistuar në një tjetër.
Pas ndeshjes, sulmuesi kosovar u shpreh i lumtur për rikthimin në këtë stadium dhe për pritjen që mori nga tifozët.
“Jam shumë i lumtur. Kanë kaluar gjashtë vjet. Të luaj në këtë fushë, para këtyre tifozëve dhe të dëgjoj tifozët e mrekullueshëm që brohorasin emrin tim është diçka e mrekullueshme. I falënderoj ata dhe të gjithë ata që më dhanë këtë mundësi”, deklaroi Muriqi.
Sulmuesi i Kosovës e vlerësoi lart fitoren, veçanërisht pas humbjes në javën e parë të kampionatit.
“Humbja që pësuam në javën e parë ishte një tronditje për ne. Kjo javë ishte shumë e rëndësishme. Tani është ndeshja me Lyonin. Shpresojmë ta fitojmë dhe të vazhdojmë rrugën tonë”, u shpreh ai.
Fenerbahçe tani e ka të gjithë fokusin te përballja me Lyonin në ndeshjen e kthimit të play-offit të Ligës së Kampionëve. Takimi i parë në Francë përfundoi 1:1, duke e lënë gjithçka të hapur për duelin në Stamboll.
Muriqi pret një ndeshje të vështirë, por beson se Fenerbahçe ka cilësinë për ta kaluar këtë pengesë.
“Do të jetë një ndeshje krejt e re. Ata do të jenë më agresivë dhe do të përpiqen të na frikësojnë, por ne kemi lojtarë shumë të talentuar. Nëse shënojmë një gol, në varësi të rrjedhës së ndeshjes, do ta kthejmë avantazhin. Jemi një ekip më i mirë se ata”, deklaroi Muriqi.
Ai nuk e fshehu dëshirën për ta ndihmuar Fenerbahçen të sigurojë kualifikimin në fazën e Ligës së Kampionëve.
“Mendoj se do të marrim pjesë në Ligën e Kampionëve, të cilën e kemi dëshiruar me padurim. Mund të më mungojnë golat, por kur nënshkrova kontratën për herë të parë thashë se nuk do të shmangesha kurrë nga lufta. Kjo do të vazhdojë”, përfundoi sulmuesi kosovar.
Përballja Fenerbahçe – Lyon pritet të jetë vendimtare për një vend në fazën e Ligës së Kampionëve, ndërsa Muriqi pritet të jetë një nga protagonistët kryesorë të skuadrës turke.
D.L