Lajmet

​Pritje pozitive për liberalizim të vizave

Çështja e lëvizjes së lirë për kosovarët do të jetë në rend ditë në diskutimin e parë të grupit punues të Këshillit të BE-së.

Published

on

Më 13 tetor në Këshillin Evropian do të nisë procedura e cila pritet të çojë në vendimin formal për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Çështja e lëvizjes së lirë për kosovarët do të jetë në rend ditë në diskutimin e parë të grupit punues të Këshillit të BE-së. Në Kosovë presin që ky proces të ecë përpara me një dinamikë të shtuar dhe brenda një periudhe të shkurtë kohore qytetarët të lëvizin pa viza në zonën Shëngen.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ditë më parë ka deklaruar se takimi i 13 tetorit nuk është hap përfundimtar për liberalizimin e vizave duke shtuar se janë pesë hapa që duhet ndjekur deri në finalizimin e këtij procesi.

E pritje që ky proces të përshpejtohet pas këtij takimi ka kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Haki Abazi.

“Unë pres që ky proces të dinamizohet pas 13 (tetorit) me shpejtësi që përfundimisht në muaj në vazhdim të hiqet kjo barrierë e udhëtimeve por natyrisht që ka pasur edhe probleme për të cilat kam folur më herët, tanimë që liberalizmi i vizave për qytetarët e Kosovës të përfshihet si pjesë e çështjes së dialogut me Serbinë që është gabim jashtëzakonisht i madh që është bërë sidomos nga përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në dialog, zotëri Lajçak”, thotë Abazi.

Pengesa e vetme për zvarritjen e deritanishme të vendimit për liberalizim të vizave ka qenë Franca dhe Holanda, thotë profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Arben Fetoshi.

Sipas tij, futja në agjendën e 13 tetorit në Këshill tregon për zhbllokimin e këtij procesi dhe hapjen e rrugës për vendimmarrje formale.

“Me vet faktin që tashmë është përfshirë në agjendën e Këshillit, jam i bindur që mund të presim vendimmarrje sa i përket liberalizimit të vizave dhe definitivisht ky proces tashmë e konfirmon atë që e kemi thënë disa herë që liberalizimi i vizave është përdorur si instrument presioni mbi Kosovën për shkak të hezitimit të Francës dhe disa shteteve anëtare sepse pak ditë më përpara kemi pasur një deklaratë të tre shteteve përfshirë Francën, pra Francë, Gjermani dhe Poloni, të cilat kanë sinjalizuar lëvizjen politike në drejtim të vendimmarrjes, dhe tani vendimi i parë në kuadër të Këshillit të BE-së besoj që do t’i paraprijë procedurës për të finalizuar këtë proces me shpallje në gazetë zyrtare që e përmbyll marrëveshjen dhe i mundëson më pas qytetarëve që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë për të lëvizur pa viza në zonën Shëngen”, thotë Fetoshi.

Fakti që tema e liberalizimit për Kosovën është përfshirë në agjendë po shihet si sinjal i qartë që në Këshill tashmë ekziston një mbështetje e madhe për të çuar përpara këtë proces.

Megjithatë, vazhdon hezitimi për të përmendur datë se kur do të miratohej një vendim i tillë dhe kur do të hynte në fuqi liberalizimi i vizave.

“Duhet të jemi të kujdesshëm për formën se si e formulojmë çështjen e kohës, momentit, për shkak se ne jemi shtet i vogël, demokraci fragjile dhe rrethuar me, sidomos pjesën veriore, me një armik shekullor i cili po përdor edhe mjetet financiare për të penguar çfarëdo lloj progresi për Kosovën, të jeni të bindur që raportimet e tyre, përdorim i propagandës dhe formave tjera të lobimit në qendrat Evropës nuk ka munduar, për ta bërë të vështirë jetën e qytetarëve në Kosovë dhe për ta bërë edhe më të vështirë lëvizjen e lirë sepse kjo përveç që është çështje e lëvizjes së vullnetit të qytetarëve është po ashtu edhe një barrierë e jashtëzakonshme për bizneset dhe lidhjet që kosovarët duhet t’i kenë me Evropën. Rrjedhimisht duhet të jemi të kujdesshëm sepse jemi në një fazë e cila është kritike, por po ashtu mendoj që i ka ardhur fundi”, thotë kryetari i Komisionit për Punë të jashtme dhe Diasporë.

Diskutimit më 13 tetor i paraprinë një dokument teknik i Komisionit Evropian dërguar vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Këshill ku konfirmohet se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për lëvizje të lirë.

Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që nuk mund të lëvizin lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian.

Lajmet

Qeveria miraton vendime preliminare për shpronësime në disa projekte infrastrukturore

Published

on

By

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur të premten, ka miratuar vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme ish-shoqërore të Ndërmarrjes Shoqërore Industria e Mobileve “Përparimi”, si dhe të pronave private, për nevoja të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës.

Në të njëjtën mbledhje, Qeveria ka miratuar edhe vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i Kyçjes së Vitisë në Autoudhën ‘Arbër Xhaferi’, Prishtinë – Hani i Elezit”.

Po ashtu, është miratuar vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për interes publik të pronave të paluajtshme që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i Rrugës Tranzit në Klinë, nga N9 deri në R-104”, Klinë – Gurakoc.

Gjatë kësaj mbledhjeje, Qeveria ka marrë gjithashtu vendim për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për interes publik të pronave të paluajtshme që preken nga realizimi i projektit “Zgjerimi i Rrugës Nacionale M25 Prishtinë – Podujevë”.

Continue Reading

Lajmet

Nëse kualifikohet në botëror, Kosova fiton rreth 10.5 milionë dollarë

Published

on

FIFA e ka aprovuar rritjen prej 50% të fondit të shpërblimeve për Kupën e Botës, dhe sipas kësaj rritje, fituesi do t’i merrte plot 50 milionë dollarë, derisa nënkampioni 33 milionë dollarë.

Kurse, ata që dështojnë të kualifikohen tutje nga faza grupore, do t’i marrin 9 milionë dollarë.

Derisa, kostoja shtesë për përgatitje shkon deri në 1.5 milion dollarë. Pra, nga kjo përllogaritje, del se një kombëtare që arrijnë të kualifikohet i ka të garantuara 10.5 milionë dollarë.

Në këtë rast, nëse edhe Kosova e arrijnë këtë sukses historik pas ndeshjeve të playoff-it do t’i marrë të paktën kaq para.

Pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të shtëpisë më të madhe të futbollit, 727 milionë dollarë, do të shpërndahen mes federatave anëtare si rezultat i Botërorit 2026.

Nga kjo shumë, 655 milionë dollarë do të ndahen si shpërblime direkte për kombëtaret pjesëmarrëse.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, u shpreh se Botërori 2026 do të jetë revolucionar për kontributin financiar ndaj futbollit global.

FIFA pret të arkëtojë 13 miliardë dollarë gjatë ciklit 2022–2026, pothuajse dyfish më shumë se cikli paraprak, rritje që lidhet kryesisht me zgjerimin e Kupës së Botës dhe Botërorit të Klubeve.

Kampionati i ardhshëm botëror zhvillohen në tri shtete, ShBA, Kanada dhe Meksikë, nga 11 qershori i 2026-tës e deri më 19 korrik./S.K/EO/

Continue Reading

Lajmet

Gjilani ndalon përdorimin e fishekzjarreve

Published

on

By

Në prag të festave të fundvitit, Komuna e Gjilanit ka marr vendim për ndalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike.

Sipas njoftimi të komunës, përdorimi i mjeteve piroteknike ndalohet në vendet e hapura publike, përkatësisht në tregje, rrugë e sheshe.

Ndalesa sipas kësaj urdhërese vlen për periudhën 20 dhjetor 2025 deri më 03 janar 2026, përjashtuar nga kjo ndalesë periudhën kohore nga ora 23:30 të datës 31.12.2025 deri në orën 00:30 të datës 01.01.2026.

Personat të cilët veprojnë në kundërshtim me këtë urdhëresë do të gjobiten në shumë prej 100 euro”, thuhet në urdhëresën e kryetarit Alban Hyseni.

Continue Reading

Lajmet

Paris Saint-Germain fiton trofeun e gjashtë sezonal pas një drame penalltish ndaj Flamengos

Published

on

Paris Saint-Germain është shpallur fitues i Kupës Ndërkontinentale, duke mposhtur Flamengon në finale pas një serie dramatike penalltish, pasi koha e rregullt dhe vazhdimet nuk dhanë fitues.

PSG e nisi ndeshjen me ritëm të lartë, duke krijuar disa raste që në minutat e para. Një gol i Fabian Ruiz në minutën e 9-të u anulua pas rishikimit me VAR, pasi topi kishte dalë jashtë fushës gjatë aksionit.

Goli i parë i ligjshëm erdhi në minutën e 38-të, kur Khvicha Kvaratskhelia përfitoi nga një pasim perfekt dhe e dërgoi topin në rrjetë, duke i dhënë epërsinë PSG-së 1-0. Pjesa e parë u karakterizua nga ndërhyrje të forta dhe kartonë të verdhë për të dyja skuadrat.

Në pjesën e dytë, Flamengo reagoi dhe shtoi presionin. Momenti kyç erdhi në minutën e 60-të, kur pas një faulli në zonë, gjyqtari Ismail Elfath u thirr nga VAR dhe akordoi një penallti për brazilianët.

Në serinë e penalltive, më të saktë dolën lojtarët e PSG, duke fituar 2-1 dhe duke ngritur trofeun e Kupës Ndërkontinentale për klubin francez.

Ky triumf vjen pas një ndeshjeje të balancuar dhe dramatike, që dëshmoi fuqinë dhe qetësinë e lojtarëve të PSG-së në momentet vendimtare. /S.K/EO/

Continue Reading

Të kërkuara