Kulturë

​Petro Marko, lindja e mjeshtrit të madh

Paraqitja e shkrimtarit Petro Marko me dy romanet e tij të parë “Hasta la vista” dhe “Qyteti i fundit” në vitet ’60 është një kthesë e vërtetë.

Published

on

Petro Marko ishte arsimtar, publicist, gazetar, interbrigadist e shkrimtar shqiptar. Ai u lind në Dhërmi më 25 nëntor 1913.

Me të kryer filloren në fshatin e lindjes më 1924, shkoi nxënës në Shkollën Tregtare në Vlorë të cilën e mbaroi më 1932. Në atë shkollë pati, ndër të tjerë, si drejtor arsimtarin e studiuesin Kolë Kamsi dhe si mësues Ernest Koliqin; shkollë në të cilën jepnin mësim dhe shumë mësues italianë, njëri prej të cilëve i prezantoi me “Manifestin” e Marksit.

Pasi kreu shkollën, i takon të sillet gjatë nëpër Tiranën e asaj kohe në kërkim të ndonjë pune, derisa takon një ditë Hil Mosin, asokohe ministër Arsimi, i cili e caktoi mësues në Dhërmi. Më pas transferohet për në Dhuvjan të Dropullit. Qëndron në kontakt të vazhdueshëm me shtypin e majtë, nëpërmjet gazetave greke, të cilat ia jepte Asim Vokshi.

U detyrua të largohej për herë të parë në Greqi. Qëndron në Korfuz, ku bie në kontakt me emigrantët politik të atjeshëm me në krye dr. Omer Nishanin. Pastaj niset për në Athinë, ku kishte të vëllaun Dhimitrin (Mimon).

Kthehet pas vendosjes të qeverisë liberale të Mehdi beut – verë 1935. Në përfundim të Luftës Antifashiste në vitin ’44 kthehet ne Shqipëri duke organizuar edhe ardhjen e gati 300 Shqiptarëve tjerë në kohen kur shqiptarët kishin mbetur pa kurrfarë organizimi. Gjendet në Shkodër në shtëpinë e Nush Topallit, kur Shkodra bastiset nga trupat serbe. Kur kthehet në Shqipërinë e çliruar, ftohet që të qëndrojë në krye të gazetës “Bashkimi” në Tiranë nga 1945-1947, nga një kontroll i befasishëm i gjejnë shkrime jashtë vijës së partisë, (shkruan se Hysni Kapo e shpëton nga pushkatimi) lirohet më 15 maj 1950. 1957 mësues në teknikumin “8 Nëntori”. 1973 i hiqet e drejta për botim.

Më 1975 i fusin në burg të birin, Jamarbërin. Romani “Çuka e shtegtarit” – 1980 si direktivë për autokritikë nga Partia; por s’ia pranuan e nuk u botua. Kjo për të vetmin shkak se nuk mund të pajtohej që në ditët e para të pushtetit me fillimin e diktaturës, e sidomos kur provoi t’i rezistojë diktatit që i vinte Shqipërisë asokohe nga jashtë, kryesisht nga Beogradi.

27 dhjetor 1991 vdes dhe varroset sipas amanetit pa ceremoni. Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në vitin 2003 dekoroi Petro Markon me Urdhrin “Nderi i Kombit”.

Paraqitja e shkrimtarit Petro Marko me dy romanet e tij të parë “Hasta la vista” dhe “Qyteti i fundit” në vitet ’60 është një kthesë e vërtetë në historikun e shkurtër të romanit shqiptar. Dhe nuk është fjala për rrumbullakësimin e një përvoje krijuese por përkundrazi, për ndërprerje dhe dalje nga një përvojë e shartuar jo natyrshëm në rrjedhat e letrare shqiptare, ishte një synim që rrëfimi romanor, pjesërisht në vitet ’40, ’50, do të çlirohej dhe të hapej si vizion, univers krijues dhe si spektër tematik. Krahas kësaj prirjeje të brendshme që kanë të dy romanet e përmendur përballë veprave të të njëjtit zhanër të deriatëhershëm, këto vepra qëndronin superiore edhe si artikulim artistik.

Dhe pikërisht për natyrën e risive, për natyrën që pretendon ndryshime të vërteta të vlerave letrare. të gjitha veprat e Petro Markos u pëlqyen dhe u kërkuan nga lexuesi. Faqet më të fuqishme të prozës së Petro Markos reflektojnë triumfin e dashurisë dhe të humanizmit njerëzor. Pas tërë atij ferri nëpër të cilin kalon njeriu në rrëfimin e Petro Markos, ai arrin të mbetet i pamposhtur nga mizoritë e botës. Këtë bërthamë të brendshme e rrezatojnë personazhet nga romanet e tij, këtë shkëlqim biblik reflekton Petro Marko njeri dhe Petro Marko shkrimtar në tërë veprat e tij.

Nuk ka shembull në letërsinë shqiptare, ku të jetë gërshetuar dhe njehsuar aq shumë mes vetes njeriu dhe krijuesi – Petro Marko njeri dhe Petro Marko shkrimtar. Me romanet e tij Petro Marko hyri në personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare që sollën risi të vërteta në traditën letrare shqiptare.

Tek vepra e tij rrezaton bindja dhe besimi i lindur për dashurinë dhe humanizmin njerëzor, ndonëse sa rrojti ishte ndër personalitetet më të persekutuara dhe më të munduara.

Në vitin 2000, e shoqja Safo me të bijën Amantia, botojnë “Retë dhe gurët – Intervistë me vetveten”, autobiografik ku Petro Marko plak merr në pyetje një version më të ri të vetvetes; libër ky që i kishte mbetur dorëshkrim dhe e kishte dëshirë ta botonte.

Lajmet

Përvjetori i lindjes së Ali Podrimjes, një prej zërave më të fuqishëm të poezisë shqiptare

Published

on

Sot shënohet përvjetori i lindjes së poetit të madh shqiptar, Ali Podrimja, një prej figurave më të shquara të letërsisë shqipe bashkëkohore.

Ali Podrimja lindi më 28 gusht 1942 në Gjakovë dhe gjatë karrierës së tij letrare ndërtoi një prej opuseve më të rëndësishme të poezisë shqiptare.

Ndër veprat më të njohura të tij është “Lum Lumi”, një vepër e fuqishme dhe e ndjeshme që është bërë pjesë e rëndësishme e trashëgimisë së letërsisë shqipe.

Poezia e Podrimjes u dallua për gjuhën e veçantë, figuracionin e pasur dhe temat që lidhen me jetën, humbjen, dashurinë, atdheun dhe identitetin.

Ai u nda nga jeta më 21 korrik 2012, por vargjet dhe krijimtaria e tij vazhdojnë të lexohen dhe të vlerësohen nga breza të ndryshëm.

Emri i Ali Podrimjes mbetet i lidhur ngushtë me poezinë moderne shqiptare dhe me një trashëgimi letrare që vazhdon të ketë ndikim edhe sot./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Nisin xhirimet e filmit të shkurtër “Deltar” me regji të Ibër Dearit

Published

on

Kanë nisur xhirimet e filmit me metrazh të shkurtër “Deltar”, me regji të Ibër Dearit, ndërsa producent dhe skenarist është Afrim Muçaj. Filmi është i subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

“Deltar” sjell historinë e një djaloshi i cili detyrohet të largohet nga shtëpia së bashku me familjen, ndërsa qeni i tij mbetet pas, i lidhur në zinxhir.

Filmi trajton tema si lufta, braktisja, humbja, ikja dhe ndarja nga gjithçka që një fëmijë njeh dhe do, duke e sjellë luftën dhe pasojat e saj përmes përjetimit të një fëmije.

Në kastin e filmit janë Ledion Mulaki, Afrim Muçaj, Gentrit Shala, Mia Muçaj dhe Valon Nuhiu, së bashku me aktorë të tjerë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Dua Lipa zbulon librin e saj të zgjedhur për shtatorin: “Martyr!” nga Kaveh Akbar

Published

on

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka zbuluar librin e radhës në rubrikën e saj mujore “Dua’s Monthly Read” për muajin shtator 2026.

Zgjedhja e saj është romani “Martyr!” i shkrimtarit iraniano-amerikan Kaveh Akbar, një vepër që trajton tema si identiteti, humbja, varësia, arti dhe kërkimi i kuptimit të jetës.

Romani ndjek Cyrus Shams, një të ri iraniano-amerikan që përballet me humbjen e nënës së tij dhe me të kaluarën e varësisë. Nëna e tij humbi jetën në vitin 1988, kur avioni Iran Air Flight 655 u rrëzua pasi u godit nga një kryqëzor amerikan mbi Gjirin Persik.

Ndërsa përpiqet të jetojë në abstinencë dhe të gjejë një kuptim për jetën, Cyrus zhvillon një obsesion me konceptin e martirizimit. Për Duan, pikërisht kjo është një nga idetë që e bën romanin kaq të veçantë.

“Martyr! më bëri të mendoj për martirizimin në mënyra që nuk i kisha konsideruar kurrë më parë”, ka shkruar ajo.

Dua ka vlerësuar gjithashtu mënyrën se si romani e trajton këtë temë përtej konceptit tradicional të sakrificës për një kauzë apo vend. Një pikë kyçe e historisë është takimi i Cyrusit me Orkideh, një artiste e sëmurë përfundimisht, e cila po i kalon ditët e fundit të jetës së saj e ekspozuar në Muzeun e Bruklinit.

“Martyr! vlon nga një energji kaotike dhe një etje për jetën që bie ndesh me obsesionin e Cyrusit për vdekjen”, ka shkruar Dua.

Ajo ka veçuar edhe humorin e pazakontë të romanit, mënyrën se si protagonisti përpiqet të luajë rolin e “njeriut të mirë”, ndërsa punon si aktor mjekësor që simulon dhimbjen për para, si dhe një sekuencë ëndrre ku shfaqet edhe Lisa Simpson.

Për Duan, romani bashkon temat e rënda me humorin dhe një energji të veçantë.

“Ky roman është i thellë, i sinqertë, rregullisht komik dhe krejt ndryshe nga çdo gjë që kam lexuar më parë”, është shprehur ajo.

Me “Martyr!”, Dua Lipa vazhdon traditën e rubrikës së saj mujore të leximit, përmes së cilës ndan me ndjekësit libra që i kanë lënë mbresë dhe nxit interesin për letërsinë te një audiencë e gjerë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Sot, në ditën e lindjes së Nënë Terezës, kujtohet rrugëtimi i Gonxhe Bojaxhiut

Published

on

Më 26 gusht 1910, në Shkup, lindi Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, gruaja që bota do ta njihte si Nënë Tereza e Kalkutës, një nga figurat më të njohura humanitare të shekullit XX.

E lindur në një familje shqiptare, Gonxhja ishte vajza e Nikollë dhe Drane Bojaxhiut. Babai i saj kishte origjinë nga Prizreni dhe prejardhje familjare nga Fani i Mirditës, ndërsa nëna nga rrethina e Gjakovës.

Në moshën 18-vjeçare, Gonxhja u largua nga Shkupi dhe iu bashkua Motrave të Loretos në Irlandë. Një vit më vonë udhëtoi drejt Indisë, ku do të kalonte pjesën më të madhe të jetës.

Fillimisht punoi si mësuese, por përballja me varfërinë e madhe në Kalkutë e shtyu drejt një misioni të ri. Më 10 shtator 1946, gjatë një udhëtimi me tren, ajo përjetoi atë që e përshkroi si një “thirrje brenda thirrjes”, duke vendosur t’ua kushtonte jetën njerëzve më të varfër.

Në vitin 1948 nisi veprimtarinë e saj në lagjet e varfra të Kalkutës, ndërsa më 7 tetor 1950 mori lejen e Vatikanit për themelimin e Misionarëve të Bamirësisë.

Ajo krijoi qendra për të sëmurët, jetimët, njerëzit pa strehë dhe ata në ditët e fundit të jetës. Veprimtaria e saj më pas u shtri në shumë vende të botës.

Për kontributin humanitar, Nënë Tereza mori çmime të shumta, ndërsa kulmi i vlerësimeve ishte Çmimi Nobel për Paqe në vitin 1979.

Përkatësia e saj shqiptare ishte pjesë e rëndësishme e identitetit. Ajo është cituar të ketë thënë: “Me anë të gjakut, unë jam shqiptare. Nga nënshtetësia, një indiane. Me anë të besimit, unë jam një murgeshë katolike. Sa i përket thirrjes sime, unë i përkas botës.”

Në vitin 1991, Nënë Tereza vizitoi Shqipërinë për herë të parë dhe hapi një shtëpi të Misionarëve të Bamirësisë në Tiranë. Në Prishtinë, emrin e saj e mban Katedralja Katolike Shën Tereza.

Nënë Tereza u nda nga jeta më 5 shtator 1997, në Kalkutë, në moshën 87-vjeçare. Në vitin 2016, Papa Françesku e shpalli Shën Terezë të Kalkutës.

Pavarësisht admirimit global, figura e saj është shoqëruar edhe me debate dhe kritika lidhur me kushtet në disa prej institucioneve të Misionarëve të Bamirësisë, menaxhimin e donacioneve dhe qëndrimet e saj për disa çështje shoqërore.

Megjithatë, ndikimi i saj në humanizëm dhe bamirësi mbetet i madh. Nga Gonxhe Bojaxhiu e lindur në Shkup te Shën Tereza e Kalkutës, rrugëtimi i saj u shndërrua në një prej historive më të njohura të shekullit XX./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara