Lajmet

​Peticioni për largimin e kryetarëve, Krasniqi: Një muaj kohë për udhëzimin administrativ

Kështu u shpreh ai pas vizitës në dy salla sportive në Lipjan.

Published

on

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi deklaroi sot se grupi punues ka një muaj kohë për të hartuar udhëzimin administrativ, për nisjen e peticionit të qytetarëve për largimin e kryetarëve nga komunat. Sipas tij, ky udhëzim administrativ nuk është për veriun e Kosovës dhe se nuk është i përpiluar në atë formë për largimin e kryetarëve nga zyrat. Kështu u shpreh ai pas vizitës në dy salla sportive në Lipjan.

Ai tha se Ligji për Vetëqeverisje Lokale ka shumë mangësi dhe hapësirë të korrigjohet, por për plotësim-ndryshim nevojiten edhe 2/3 e votave të komuniteteve. Sipas tij, së fundmi kanë filluar udhëzimin administrativ mbi procedurat se si organizohet një peticion në komuna, ku ka kërkesë nga qytetarët për largim nga komunat.

Krasniqi shtoi se grupi punues ka kohë një muaj për draftimin e udhëzimit administrativ, ku qytetarët do të kenë mundësi hartimin e peticionit.

“Kemi formuar një grup punues profesional nga akterët e përfshirë në qeverisjen lokale edhe të shohim se cila do të jetë puna e tyre…Grupi punues ka afat një muaj që ta bëjë draftin e këtij udhëzimi administrativ, faktikisht të përfundojë edhe konsultimet publike dhe mandej të jetë nga 1 shtatori si udhëzim administrativ, në të cilën mund të referohen qytetarët, të cilët kanë për qëllim organizimin e peticioneve apo largimin e kryetarëve. Mirëpo, çka është shumë e rëndësishme të përmendet, ky nuk është një udhëzim administrativ për veriun e Kosovës, është një udhëzim administrativ, i cili buron prej Ligjit për Vetëqeverisje Lokale dhe një gjë të tillë nesër qytetarët edhe të komunës së Lipjanit mund ta shfrytëzojnë për pakënqësinë e tyre në raport me kryetarin e komunës dhe largimin e kryetarit të komunës përmes një peticioni”, deklaroi ai.

Më tej, ministri u shpreh se udhëzimi administrativ e përcakton rregullin se si organizohet peticioni.

“Udhëzimi administrativ përcakton rregullin se si organizohet peticioni, se si një peticion i inicuar nga qytetarët është i pranueshëm. Mirëpo, përpilimi i peticionit nuk është largimi i kryetarëve nga zyret, për shkak se pas kësaj ka edhe procedura tjera…Ne kemi kryetarë të komunave në zyre, kjo është me rëndësi…peticioni është shprehje e vullnetit të 20 për qind të trupës votuese të një komune. Nëse në një komunë të caktuar qytetarët e asaj komune arrijnë të kenë 20 për qind të trupës votuese me kërkesën që të largohet kryetari i komunës, atëherë do të trajtohet si kërkesë. Nëse nuk do të ketë, atëherë kjo do të mbetet aty dhe kryetarët vazhdojnë të punojnë”, tha ai.

Sa i përket largimit të kryetarëve të komunave, Krasniqi shtoi se të njëjtit kanë fituar mandat dhe dorëheqja e tyre është kërkesë e Serbisë.

“Unë nuk mund të flas për Listën Serbe, por çfarë mund të them për situatën aktuale është që çkado që ata veprojnë dhe mendojnë, asnjëherë nuk është për të mirën e Republikës së Kosovës. Ne kemi zgjedhje legale të organizuar në veriun e Kosovës, bazuar në kushtetutën dhe ligjet aplikative. Ne e dimë që këto zgjedhje kanë prodhuar kryetarët komune me mbështetje të vogël të qytetarëve, por prapë se prapë këta janë kryetarë të komunave, të cilët burojnë nga vota e lirë. Pengesa që të marrin pjesë qytetarët e veriut të Kosovës në zgjedhje është nga Serbia. Dhe kjo Serbi dhe këto instirucionet e saj që i ka në dispozicion për të penguar zhvillimin demokratik të Kosovës, do të vazhdojnë gjithmonë. Për ata na duhet të fokusohemi në punën tonë, në demokracinë e shtetit tonë dhe forcimin e shtetit tonë. Udhëzimi administrativ do të parasheh disa procedura, mirëpo udhëzimi administrativ nuk është një diçka që definon secilin pozicion përtej asaj që është kompetencë e vetëqeverisjes lokale”, u shpreh ai.

Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti tha se duhet të krijohet një zgjidhje në veri të Kosovës, e cila sipas tij, është çështje politike e jo ligjore.

“Nuk besoj që ky mekanizmi i peticionit është mjet adekuat për të zgjidhur problemet politike. Për shkak se kjo mund të riciklohet pas tre muajve të mbahen zgjedhjet, pas tre muajve prapë peticion tjetër. Derisa nuk ka një peticion, i cili do të provon me i zgjidh këto situata është vështirë për të komentuar…Ne nuk kemi parë një udhëzim administrativ, i cili do të ketë parasysh për të qenë në kuadër të rregullativës ligjore shtetërore. Çështja e veriut është çështje politike, nuk është çështje e legjislacioneve”, deklaroi ai.

Vendi

PDK kërkon seancë urgjente të Kuvendit sot për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar që sot, më 3 tetor, të mbahet seancë e Kuvendit të Kosovës për të votuar në dy lexime ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se vendimi i Qeverisë për të përcjellë në Kuvend plotësim-ndryshimin e këtij ligji është një hap i rëndësishëm dhe se procedurat parlamentare duhet të nisin pa vonesë.

“Ligji duhet të trajtohet dhe të votohet në të dy leximet. Prandaj, procedura duhet të nisë SOT në seancën e Kuvendit, duke pasur parasysh afatin prej 72 orësh ndërmjet dy leximeve“, ka thënë Musliu.

Ajo ka theksuar se Kosovës i nevojitet edhe një strategji e koordinuar juridike e diplomatike me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë për procesin e apelimit të vendimit të 16 shtatorit dhe mbrojtjen e luftës së UÇK-së. Sipas saj, çështja është mbi kalkulimet politike dhe përfaqëson interes shtetëror, posaçërisht para se vendi të shkojë në zgjedhje./E.A/

Continue Reading

lajme

Qeveria miraton ndryshimet për Dhomat e Specializuara

Published

on

By

Qeveria e Kosovës ka konstatuar se nuk ka asnjë shkelje apo pengesë ligjore në nismën legjislative të ndërmarrë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Përmes një mbledhjeje elektronike të mbajtur të premten në mbrëmje, Ekzekutivi ka miratuar vendimin me të cilin i ka përcjellë Kuvendit të Kosovës vlerësimin dhe përgjigjet e nevojshme zyrtare lidhur me këtë nismë.

Sipas njoftimit zyrtar, përgjigja e Qeverisë përfshin opinionin ligjor të përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së , vlerësimin e ndikimit buxhetor, si dhe opinionin ligjor mbi përmbajtjen e projektligjit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin me të cilin i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për Nismën legjislative për ‘Projektligjin Nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializua”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Me këtë vendim, procedura i kalon tashmë Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe procedim tëmëtejshëm ligjvënës. /E.A/

Continue Reading

lajme

Shkarkohet Blerim Isufaj nga posti i Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale

Published

on

By

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është shkarkuar të premten nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka mësuar KOHA.

Gjatë ditës ishte bërë e ditur se KPK-ja do të mblidhej në një takim të jashtëzakonshëm, ku në rend dite ishte diskutimi për performancën e Isufajt.

Isufaj ishte zgjedhur për herë të parë në krye të Prokurorisë Speciale në vitin 2019, ndërsa ishte rizgjedhur në këtë pozitë në vitin 2023.

Gjatë mandatit të tij, Isufaj ka qenë një prej figurave më të kritikuara në sistemin prokurorial nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai ishte votuar edhe nga Këshilli Prokurorial për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, por procesi kishte mbetur pezull dhe nuk ishte dekretuar nga ish-presidentja Vjosa Osmani.

Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar më herët se në sistemin prokurorial “shumica e problemeve kanë emër të përveçëm”, duke iu referuar Isufajt.

Më 2 shtator, Isufaj pati një përplasje me disa anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Përplasjet u zhvilluan gjatë shqyrtimit të raportit të punës së Prokurorisë Speciale për vitin 2025, i cili më pas u rrëzua nga KPK-ja.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Nis takimi mes Kurtit dhe Hamzës

Published

on

By

Ka nisur takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza.

Në takim pritet të diskutohen çështja e zgjedhjes së presidentit të ri dhe ndryshimet e mundshme në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Hamza është parë duke hyrë në objektin e Qeverisë i shoqëruar nga deputeti i PDK-së, Rrahman Rama.

Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 6 tetor për zgjedhjen e presidentit të ri. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon në zgjedhje të reja.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara