Lajmet

​Peja e “mbuluar” nga mbeturinat, kompania paralajmëron shtrenjtimin e tarifave

Kompania paralajmëron shtrejtimin e tarifave nga 5 në 6 euro.

Published

on

Gati në çdo cep të qytetit të Pejës mund të hasësh në mbeturina, kjo pasiqë ato hidhen në mënyrë ilegale nëpër trotuaret e rrugëve të këtij qyteti. Përkundër kësaj dukurie, ndërmarrja publike për menaxhimin e mbeturinave po paralajmëron edhe rritjen e tarifave për shërbime nga 5 në 6 euro.

Nga partia opozitare Vetëvendosje në këtë komunë kanë kritikuar kompaninë për menaxhimin e mbeturinave dhe komunën për mosmirëmbajtjen e ambientit. Po ashtu edhe qytetarët ankohen për heqjen e disa kontejnerëve nëpër qytet nga kompania “Ambienti”.

Ndërsa, kryeshefi i ndërmarrjes publike “Ambienti” në Pejë, Diedon Berisha thekson për KosovaPress se kjo kompani po kryen shërbimin në mënyrën më të mirë të mundshme. Mirëpo, sfidë për këtë kompani mbeten deponitë e ilegale të mbeturinave. Megjithatë, Berisha thekson do të bëhet edhe rritja e tarifës për shërbimet.

“Ne si kompani jemi në angazhim 24 orë për qytetarët e Pejës…Ne mendojmë se jemi duke kryer shërbim aq mirë sa të jetë e mundur. Ne si kompani kemi marrë masa për të bërë një rregulluesi të shërbimit tonë, në qytetin e Pejës. Së pari kemi bërë eliminimin e pikave të kontejnerëve publikë të cilët janë. Që nga gushti i vitit të kaluar deri më tash i kemi bërë eliminimin e 15-të pikave, që mendoj se është diçka pozitive për Pejën dhe shihet se rrugët ose vendet ku kanë qenë të ekspozuara tash nuk janë më. Pastërtia është në nivel. Problem mbeten deponitë ilegale, të cilat janë në zona të caktuara. Ajo është vështirësi ose ta quajmë problem, sepse nuk mund t’i mbash nën menaxhim pa pasur kamera, pa pasur inspeksion dhe pa pasur polici aty, dhe për neve si kompani është e vështirë kjo punë”, tha Berisha.

Ndërkaq, zyrtari i subjektit politik LVV, Berat Ganiqi ka akuzuar partitë opozitare në lidhje me strategjitë që po përdorin për mirëmbajtjen e ambientit në këtë komunë. Ai tha se janë hequr të gjithë kontejnerët që kanë ekzistuar në qytetin e Pejës, siç tha ai me qëllim që t’i ikin asaj pamjes së shëmtuar me mbeturina që po bëhet në qytet.

“Deri më tani është duke u bërë një mirëmbajtje e keqe, sepse gjatë gjithë këtyre viteve që është në pushtet LDK-ja dhe PDK-ja, së bashku që po qeverisin komunën e Pejës, është duke u bërë një strategji e gabuar në mirëmbajtjen e ambientit për shkak se janë hequr të gjithë kontejnerët që kanë ekzistuar në qytetin e Pejës, me qëllim që t’i ikin asaj pamjes së shëmtuar që po e bëjnë në qytet. Por marrë shembull, ndërtesën më të lartë në Pejë, “Rokaqielli”, në të kaluarën i ka pasur së paku katër kontejnerë, tani nuk ka asnjë. Banorët e asaj ndërtese nuk kanë se ku t’i hidhen mbeturinat. Obligohen që çdo ditë të bartin mbeturinat poshtë dhe të hiqen. Zyrtarët në ambient të thirrur për këto çështje që janë duke e rregulluar këtë pjesë, por deri më tani nuk është parë ndonjë ndikim i tillë, përkundrazi mua më dhimbsen punëtorët të cilët çdo ditë torturohen, por nuk bëhet një zgjidhje adekuate as për banorët, por as për punëtorët që punojnë”, potencoi Ganiqi.

Sa i përket paralajmërimit për rritjen e tarifave, kryeshefi i kompanisë “Ambienti”, Berisha potencon se shtrenjtimi do ndodhë për shkak se kompania e tyre po operon me humbje financiare.

“Kompania që nga viti 2011/12 e ka çmimin e njëjtë, 5 euro për të kryer shërbim. Ne kemi bërë analizime se kompania jonë është duke operuar me 75 cent humbje për një klient. Kjo do të thotë që ne jemi të detyruar që të rrisim çmimin për mbledhjen e mbeturinave… Rritja e tarifave është e detyrueshme dhe e domosdoshme për qytetin e Pejës dhe gjithë qytetet e tjera të Kosovës… Ne do ta rrisim tarifën 6 euro, që është një tarifë jo fitimprurëse që sjell fitim për kompaninë, por është tarifë e cila mbulon pjesën më të madhe të kostove”, u shpreh Berisha.

Ndërkaq, Ganiqi i VV-së, ka kritikuar edhe vendimin për rritjen e tarifave të faturave për mbeturina. Sipas Ganiqit, në këtë krizë ekonomike, nuk është koha e duhur për një ngritje të tillë.

“Ne si Lëvizje Vetëvendosje, pa dyshim se do jemi kundër shtrenjtimit, për shkak se qytetarët janë duke u ballafaquar me një inflacion të lartë dhe nuk është koha të rriten faturat. Më mirë kishte me qenë të ndalen shpenzimet e bordit të KRM ambientit, të cilët edhe në të kaluarën janë denoncuar nga punëtorët e asaj ndërmarrje, sepse keqpërdorin veturat zyrtare, naftën dhe të mira të tjera, ku me të hollat të ndërmarrjes kanë shkuar edhe në pushime të tyre private”, theksoi Ganiqi.

Qytetarët shprehën të kënaqur me punën e komunës, mirëpo ankohen për rritjen e çmimit të tarifës. Qytetari Jusuf Zekaj tha se në krahasim me komunat e tjera nuk qëndrojnë keq nga ana e mirëmbajtjes së ambientit.

“Në krahasim me komunat e tjera nuk jemi keq. Kryetari Muhaxheri po interesohet më tepër por duhet të vetëdijesohen njerëzit më tepër. Kjo na mungon më së shumti, kultura… Nuk është mirë akoma as kjo komunë por në krahasim me komunat e tjera, unë po shëtis, e kam vërejtur që nuk është dhe aq keq, mirëpo mundet me qenë më mirë gjithmonë. Aty ka vërejtje edhe prej qytetarëve, sepse po i shkatërrojnë kontejnerët. Ata duhet t’i ruajnë dhe duhet të vijnë kontingjent të ri. Komuna duhet të angazhohet më tepër në këtë drejtim”, u shpreh Zekaj.

Lëvdata mbi punën e kryetarit të kësaj komune, pati qytetari Ali Shabanaj. Ai tha se kryetari, nuk ka mundësi që t’i vetëdijësojë njerëzit për veprimet e tyre. Por, sipas tij, largimin e kontejnerëve, e cilëson si një veprim që nuk duhej të merrej.

“Këtu vetë popullata e bën ambientin e ndotur dhe jo që ka faj diçka komuna, aspak komuna nuk ka faj për ambientin. Këtu përsipër për ta shikuar ambientin, e ka “Ambienti”. Është një organizatë, edhe ajo është në kuadër të komunës. Nuk mundet kryetari të shikojë në çdo cep të ambientit. Kryetar më të mirë Peja nuk ka pasur kurrë, kryetari ka punuar jashtëzakonisht mirë dhe punon shumë mirë, për secilin qytetarë pa dallim partie politike… E sa i përket heqjes se kontejnerëve, thotë se është vendim jo i mirë, sepse ka nevojë të ketë dhe më shumë kontejnerë, mbeturinat duhet të hedhën diku. E nëse e bën zvogëlimin atëherë është gabim i madh, nuk është në rregull kjo. Sa më shumë kontejnerë është më mirë për qytetarin, sepse e din se ku duhet të vendoset dhe jo të hedhet në rrugë, por te mbeturinat”, tha Shabanaj.

Edhe qytetarë të tjerë prapa kamerave kanë thënë se qyteti i Pejës nuk ka qenë asnjëherë më parë më i papastër.

Lajmet

26 vjet nga vdekja e Adem Kastratit, piktorit që e ktheu jetën shqiptare në art

Published

on

Piktori shqiptar Adem Kastrati u lind më 15 janar 1933 në Karaçevë të Dardanës, në një familje të njohur për veprimtarinë patriotike dhe arsimdashëse. Ai ishte piktor, pedagog i artit figurativ, krijues letrar, mbledhës dhe studiues i folklorit, ndërsa veprimtaria e tij përfshiu edhe analizën e marrëdhënieve shqiptaro-sllave dhe zhvillimeve shoqërore e historike.

Kastrati i përket gjeneratës së parë të piktorëve shqiptarë të periudhës pas Luftës së Dytë Botërore. Përvojat e kohës në të cilën u rrit dhe u formua si artist lanë gjurmë të dukshme në krijimtarinë e tij.

Ai jetoi në periudha të ndryshme historike dhe gjatë jetës së tij përjetoi ndryshime të mëdha politike e shoqërore. Katër herë ndryshoi shtetësinë, duke jetuar në Mbretërinë e Jugosllavisë, Mbretërinë Shqiptare, Jugosllavinë socialiste dhe më pas në Republikën e Maqedonisë.

Në qendër të veprave të tij ishte njeriu i zakonshëm dhe jeta e përditshme shqiptare. Familja, nëna, gruaja, fshati, puna, toka, dasmat, traditat dhe folklori u bënë pjesë e rëndësishme e krijimtarisë së tij.

Një vend të veçantë në pikturat e Kastratit zë figura e nënës. Ai e paraqiste atë si shtyllë të familjes dhe si figurë që përcillte dashurinë, kujdesin dhe vazhdimësinë e jetës. Edhe burrat dhe gratë në veprat e tij paraqiten përmes roleve të tyre në familje, punë, valle dhe jetën e komunitetit.

Kastrati u dallua edhe për teknikën e veçantë të përdorimit të dheut shumëngjyrësh, përmes së cilës krijoi një stil karakteristik. Në veprat e tij ndërthuren ngjyrat, teksturat dhe motivet tradicionale, duke krijuar një gjuhë të veçantë artistike.

Krijimtaria e tij nuk u kufizua vetëm në paraqitjen e jetës së përditshme. Pikturat e Kastratit shpesh shërbyen edhe si dëshmi të ngjarjeve shoqërore dhe historike. Ai trajtoi shpërnguljet e shqiptarëve, varfërinë, ndarjet familjare dhe ngjarjet që prekën shqiptarët gjatë shekullit XX.

Në veprat e tij të mëvonshme trajtohen edhe temat që lidhen me tragjedinë e shqiptarëve gjatë luftës së Kosovës të viteve 1998–1999.

Ndër veprat e njohura të tij janë “Vizatuesit e vegjël”, “Katundi im në mjegull”, “Në dimër”, “Në mulli”, “Fshati im”, “Çajtorja”, “Magja”, “Bariu”, “Lypësja”, “Nëna me fëmijën”, “Mikpritja”, “Darka” dhe “Dasmorët”. Ai trajtoi gjithashtu motive nga legjendat popullore, si “Ura e shenjtë”, “Motra me nëntë vëllezër” dhe “Krushqit e ngurosur”.

Përveç pikturës, Kastrati kishte një veprimtari të gjerë në mbledhjen dhe dokumentimin e folklorit dhe etnografisë shqiptare. Ai bashkëpunoi me Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe dokumentoi këngë, valle, veshje, zakone dhe tradita të ndryshme shqiptare.

Ai ishte gjithashtu autor i dramave, tregimeve dhe shkrimeve publicistike, disa prej të cilave i botoi me pseudonimin R. Kosova.

Interesi për artin te Kastrati ishte shfaqur që në fëmijëri. Ai kujtonte se si përdorte baltën shumëngjyrëshe të vendlindjes për të krijuar figura njerëzish dhe kafshësh dhe për të vizatuar mbi pllaka balte. Talenti i tij u vu re edhe gjatë shkollimit, ku mësuesit e vlerësuan për aftësitë në vizatim.

Gjatë karrierës së tij, Kastrati ekspozoi në galeri të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Kritika artistike vlerësoi origjinalitetin e stilit të tij, përdorimin e ngjyrave dhe mënyrën se si ai e ndërthurte artin me jetën dhe traditën shqiptare.

Numri i saktë i veprave të tij nuk dihet. Sipas evidencave të lëna nga vetë piktori, fondi i tij mund të ketë pasur rreth 830 vepra, ndërsa qindra të tjera janë shpërndarë në vende të ndryshme të botës, përmes shitjes apo dhurimit.

Adem Kastrati vdiq në Shkup më 24 shtator 2000, në moshën 67-vjeçare. Sot, më 24 shtator 2026, shënohen 26 vjet nga vdekja e tij.

Me veprën e tij, Kastrati la pas një dëshmi të veçantë artistike për jetën, traditat dhe historinë shqiptare, duke u bërë një prej emrave të rëndësishëm të artit figurativ shqiptar të shekullit XX./A.K.

Continue Reading

Lajmet

Lufta në Gaza përplas Ed Sheeran dhe Macklemore, Sheeran humb 500 mijë ndjekës

Published

on

Ed Sheeran po përballet me reagime të shumta pasi reperi Macklemore u largua nga turneu i tij, pas deklaratave publike për luftën në Gaza.

Macklemore njoftoi më 14 shtator se ishte larguar nga turneu pas një jave bisedimesh me Sheeran. Vendimi erdhi pas performancës së tij me këngën protestuese “Hind’s Hall”, përmes së cilës ai kritikoi veprimet ushtarake të Izraelit në Gaza.

Pas largimit të tij, edhe artistët Finneas, Lukas Graham dhe Aaron Rowe, si dhe grupi Beoga, njoftuan se nuk do të vazhdonin pjesëmarrjen në turne, duke shprehur mbështetje për Macklemore dhe palestinezët.

Ndërkohë, Sheeran humbi rreth 500 mijë ndjekës në Instagram brenda një jave, sipas të dhënave të raportuara nga Social Blade. Në të njëjtën periudhë, muzikantët që u larguan nga turneu patën një rritje të kombinuar prej rreth 1.6 milionë ndjekësish.

Në një koncert në Filadelfia, Sheeran performoi pa artistë mbështetës dhe iu drejtua publikut, duke e përshkruar javën si një nga periudhat më të vështira të jetës së tij dhe duke thënë se nuk ishte i sigurt nëse turneu do të vazhdonte.

Reagimet në rrjetet sociale kanë qenë të ndara, me disa përdorues që e kanë kritikuar Sheeran dhe të tjerë që e kanë mbrojtur atë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Holanda rikthehet në Eurovision 2027 pas bojkotit për Izraelin

Published

on

Holanda do të rikthehet në Eurovision 2027, një vit pasi u tërhoq nga gara për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit.

Transmetuesi publik holandez NPO ka konfirmuar se vendi do të marrë pjesë në edicionin e ardhshëm, ndërsa përzgjedhja e artistit dhe këngës do t’i besohet një ekipi të pavarur ekspertësh.

Holanda u tërhoq nga Eurovision 2026 pasi transmetuesi AVROTROS kundërshtoi vendimin e EBU-së për të lejuar pjesëmarrjen e Izraelit, duke përmendur situatën humanitare në Gaza, lirinë e medias dhe presionin politik.

Pas bisedimeve me EBU-në, NPO tha se janë ndërmarrë hapa për forcimin e rregullave të konkursit dhe rikthimin e fokusit te muzika dhe bashkimi mes vendeve.

Eurovisioni 2027 do të mbahet në Burgas të Bullgarisë, ndërsa përfaqësuesi i Holandës pritet të bëhet i ditur më vonë.

Holanda është një nga vendet me historinë më të gjatë në Eurovision, me pesë fitore, të fundit në vitin 2019 me Duncan Laurence./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Aktori i Netflix-it i mbijetoi operacionit në tru pas aksidentit me shpejtësi 160 km/h

Published

on

Aktori 32-vjeçar Clayton Conroy, i njohur nga seriali i Netflix-it “The Gringo Hunters”, po rikuperohet pas një aksidenti të rëndë në Los Angeles, ku pësoi dëmtime të rënda trupore.

Conroy u përplas nga një automjet, drejtuesi i të cilit dyshohet se po lëvizte me më shumë se 160 kilometra në orë. Pas aksidentit, ai u dërgua me urgjencë në spital, ku mjekët konstatuan dëmtim traumatik të trurit, si dhe fraktura në ije dhe shpatull.

Aktori iu nënshtrua një operacioni në tru dhe për një periudhë nuk ishte në gjendje të ecte.

Në një postim të publikuar gjatë rikuperimit, Conroy tha se mjekët kishin menduar se mund të vdiste. Ai tregoi gjithashtu se kishte humbur rreth 9 kilogramë dhe kishte dëmtuar nervat e krahut.

Ndërkohë, më 26 gusht është arrestuar 19-vjeçari Noor El Deen Amr Soror, i dyshuar për drejtim të pakujdesshëm të automjetit që shkaktoi dëmtime të rënda trupore./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara