Lajmet

​Pal Lekaj dhe të tjerët dënohen lidhur me keqpërdorimet me subvencione

Published

on

Gjykata Themelore në Gjakovë, të premten, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-kryetarit të Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, për akuzën se ka keqpërdorur detyrën zyrtare për kohën sa ka qenë në krye të komunës.

Kryetari i Trupit gjykues i Departamentit për Krime të Rënda për Shaqir Zika – pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor dëgjimit të palëve, administrimit të të gjitha provave, fjalëve përfundimtare, të pandehurin G.R. e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim burgimi me kusht në kohëzgjatje prej një (1) viti i cili dënim nuk do të ekzekutohet, nëse në afatin e verifikimit prej dy (2) vjet nuk do të kryej vepre tjetër penale.

Të pandehurve P.L. dhe I.I., gjykata i shpalli fajtorë dhe i’u shqiptoi secilit veç e veç dënim me burgim me kusht në kohëzgjatje prej një (1) viti e gjashtë (6) muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet, nëse në afatin e verifikimit prej dy (2) vjet nuk do të kryejnë vepra tjetër penale.

“Për të pandehurin V.H. gjykata e shpalli fajtor për dy veprat penale dhe i shqiptoi dënim unik me gjobë në shumë prej tetëmijë (8.000,00) €, si dhe me dënim me burgim me kusht në kohëzgjatje prej një (1) viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari në afatin e verifikimit prej dy (2) vjet nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale. Ndaj të pandehurve G. R., P.L. dhe I. I., i’u shqiptohet dënimi plotësueses ashtu që të njëjtëve i’u “Ndalohet ushtrimi i funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik” në kohëzgjatje prej 2 vjet nga dita a plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Detyrohen të pandehurit G.R., P.L., I.I. dhe V.H., që në emër të dëmit të shkaktuar në mënyrë solidare të dëmtuarës, Komuna e Gjakovës, të i’a kompensojnë dëmin në vlerë prej gjashtëdhjetë e nëntë mijë e shtatëqind e tetëdhjetë e gjashtë (69,786.00) €, ndërsa i akuzuari V. H., detyrohet që ATK-së ti kompensoi shumën prej njëzet e një mijë e dyqind e tetëdhjetë e tre (21,283.00) € në emër të tatimit të pa paguar si dhe në emër të kontributeve personale shumën prej tre mijë e katërqind e tridhjetë e pesë (3.435,48) €, në afat prej një (1) viti nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”, thuhet në komunikatën e gjykatës.

Ndërsa, i pandehuri G.R., akuzohet se gjatë periudhës kohore 2008 – 2012, në cilësinë e personit zyrtar, financiar në Komunën e Gjakovës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose për personin tjetër, apo që t’i shkaktojë dëme personit tjetër, kishte lejuar alokimin dhe aprovimin e mjeteve monetare. Sipas aktakuzës, kjo kishte të bënte me pagesat që i janë bërë biznesit “DPT U.-V.”, me pronar V. H., për shpërndarjen e subvencioneve pa asnjë procedurë, pa kontratë si dhe pa pasur fatura të rregullta.

Tutje në komunikatë bëhet e ditur se “Të pandehurit P.L. dhe I.I., akuzohen se kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare gjatë shpërndarjes së subvencioneve gjatë periudhës 2008-2014, duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, i pari në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gjakovës, ndërsa i dyti si drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, kanë shpërndarë subvencione, përmes kompanisë “U.-V.”, në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike. Ndërsa i pandehuri V.H., akuzohet se në cilësinë e përgjegjësit kryesor të biznesit “U.-V.”, me seli në Gjakovë, në periudhën kohore 2008-2014, ka dhënë informacione të pasakta se kinse të gjithë aplikuesit për subvencione kanë pranuar subvencionet dhe se ka lejuar që në vend të fermerëve që kanë qenë në lista për të marrë subvencione, të marrin persona tjerë që nuk kanë pasur të drejtë. Përveç veprës penale të mashtrimit me subvencione, akuzohet edhe për shmangie të tatimit, sipas prokurorisë, ai me qëllim të shmangies së pagesave të tatimit, ka deklaruar të ardhura më të vogla se ato në realitet për kompaninë e tij, “U.-V”, përfundon komunikata.

Lajmet

Protestë e re kundër shtrenjtimit të rrymës në Prishtinë

Published

on

By

Grupi “Asnjë cent më shumë” ka njoftuar se do të organizojë një protestë të re më 19 prill, kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Protesta do të mbahet në sheshin “Skënderbeu” në orën 12:00, dhe organizatorët kanë ftuar qytetarët të marrin pjesë në masë.

Besnik Shabiu, organizatori i protestës, ka deklaruar se protesta është një reagim ndaj vendimit të ZRRE-së për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke theksuar se, nëse autoritetet nuk reagojnë, grupi nuk përjashton mundësinë e përshkallëzimit të aksioneve. Ai paralajmëroi se mund të ndodhin bllokime të rrugëve dhe institucioneve, për të siguruar që zëri i qytetarëve të dëgjohet.

Shabiu ka shtuar se protesta e nesërme vjen në një moment të rëndësishëm, pasi të njëjtën orë mbahet edhe vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Ai bëri thirrje për deputetët e zgjedhur që, sapo Kuvendi të konstituohet, të thirret komisioni për energji dhe ZRRE-ja për të raportuar mbi çështjen e rritjes së çmimit të energjisë.

“Zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet pa ndërprerë. Ne do të vazhdojmë të jemi të zëshëm, dhe nëse pas kësaj proteste nuk ka reagim, do të jemi të detyruar të përshkallëzojmë aksionet”, tha Shabiu.

Ai gjithashtu njoftoi se po shqyrtohen mundësitë e pezullimit të pagesave për energjinë elektrike për qytetarët si një masë për të mbrojtur interesat e tyre. “Ky është një kërkesë legjitime e qytetarëve. Kur institucionet nuk punojnë për qytetarët, pse duhet të funksionojnë?”, shtoi ai.

Në anën tjetër, Ardian Bajraktari, një nga përfaqësuesit e grupit, ka bërë të ditur se ekipi i tij po punon për hartimin e padisë për anulimin e vendimit të aktit administrativ nga ZRRE. Sipas tij, ky vendim është marrë në shpërputhje me autorizimet e këtij institucioni dhe ka dëme të mëdha për qytetarët. Ai ka njoftuar se janë duke përgatitur gjithashtu një propozim për një masë të përkohshme, për të shtyrë ekzekutimin e vendimit derisa të shqyrtohet nga gjykatat.

Ky zhvillim vjen pas njoftimit të ZRRE-së për një rritje të çmimit të energjisë elektrike për 16%, që do të hyjë në fuqi nga muaji maj. Ky vendim ka shkaktuar reagime të shumta nga qytetarët, bizneset dhe subjektet politike, që po kundërshtojnë një rritje të tillë. Protesta të ngjashme janë mbajtur tashmë dhe grupet e aktivistëve po kërkojnë anulimin e këtij vendimi.

Për më shumë, grupi “Asnjë cent më shumë” ka paralajmëruar se do të vazhdojnë aksionet deri në arritjen e kërkesave të tyre dhe kanë ftuar qytetarët të bashkohen në protestën e nesërme për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj shtrenjtimit të rrymës.

Continue Reading

Lajmet

Osmani dekoron me medalje tre të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës

Published

on

By

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar me medaljen “Nderi i Republikës së Kosovës” tre të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Në një ceremoni të organizuar në Presidencë, medalja iu dorëzua Vasfije Krasniqi-Goodman, Shyrete Tahiri-Sylejmani dhe Ramadan Nishori, të cilët kanë folur publikisht për përvojat e tyre të dhunës nga forcat serbe gjatë luftës.

Në fjalimin e saj, Presidentja Osmani ka vlerësuar guximin e të mbijetuarve për të ndarë me publikun përvojat e tyre dhe ka theksuar rëndësinë e dëshmive të tyre për drejtësinë dhe të vërtetën historike të Kosovës. Ajo ka shtuar se këta individë janë dëshmi e gjallë e luftës për drejtësi dhe kanë kontribuar në ndriçimin e rrugës së drejtë të historisë së vendit.

“Ka momente ku fjalët nuk mjaftojnë për të shprehur mirënjohjen, siç ka edhe njerëz që me guximin e tyre të lënë pa fjalë. Sot jemi këtu për t’iu përulur me respektin më të thellë përballë tre individëve që janë më shumë se thjesht individë, sepse me dhimbjen e tyre kanë ndriçuar rrugën e drejtë së vërtetës, drejtësisë dhe shpresës. Ju jeni zëri që keni zgjedhur dinjitetin, jeni zëri i të mbijetuarve që kanë zgjedhur heshtjen. Ky është një premtim i gjallë se historia nuk do t’i harrojë,” tha Osmani.

Pas dekoratës, Ramadan Nishori shprehu mirënjohjen për përkrahjen nga populli, duke theksuar se ndihej mirë që kishte marrë mbështetje në këtë rrugëtim të vështirë. “E përshëndes gjithë popullin tonë që më ka përkrahur këto ditë,” tha ai shkurt.

Vasfije Krasniqi, një tjetër e dekoruar, bëri thirrje që viktimat e dhunës seksuale të flasin hapur dhe të kërkojnë drejtësi. “Dua të falënderoj për qasjen, angazhimin. Të dashura viktima, ju lutem, ku do që jeni, ka ardhur koha të kërkojmë drejtësi. Lirojeni shpirtin që të mos ia falim Serbisë krimin që ka kryer,” tha Krasniqi.

Shyrete Tahiri-Sylejmani, gjithashtu e dekoruar, theksoi rëndësinë e drejtësisë për arritjen e paqes. “Kur të kemi drejtësi, kemi paqe. Faleminderit për kurajën që na jepni,” përfundoi ajo.

Continue Reading

Lajmet

Prokuroria kërkon vazhdimin e paraburgimit për Selimin dhe Krasniqin

Published

on

By

Prokuroria në Hagë ka kërkuar vazhdimin e paraburgimit për Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin edhe për dy muaj të tjerë.

Në kërkesën për Krasniqin e ngjashëm edhe për Selimin, Prokuroria thotë se përfundimi i paraqitjes së provave nga ana e tyre rrit rrezikun e pengimit të drejtësisë dhe kryerjes së krimeve të tjera.

Veç kësaj, ZPS ka thënë se kjo justifikon edhe rishqyrtimin e rrezikut të arratisjes në vendimet për vazhdimin e paraburgimit. E njëjta gjë është theksuat edhe tek vendimi për Rexhep Selimin.

Sipas tyre vazhdon të ekzistojnë dyshime të bazuara se Jakup Krasniqi ka kryer një ose më shumë prej krimeve që bien në jurisdiksiomin e DHSK-së. Madje, Prokuroria thotë se ky dyshim është përforcuar edhe nga provat e ZPS-së që tashme janë përfshirë në dosjen e gjykimit.

Ata thonë se, fakti që Krasniqi dhe Selimi tani kanë njohuri të veçantë mbi rastin dhe provat kundër tij e rrit rrezikun që ai mund të kryejë krime të tjera, përfshirë kundër dëshmitarëve që kanë dhënë ose mund të japin dëshmi në çështje dhe/ose që mund të paraqiten para këtij Paneli në faza të ardhshme të procedurave.

“Për më tepër, Selimi tashmë është në dijeni të identitetit të të gjithë dëshmitarëve të ZPS-së dhe të provave të tyre. Përfundimi i çështjes së ZPS-së nuk e zvogëlon rrezikun e pengimit, por e rrit atë, pasi i akuzuari tashmë ka njohuri të plotë për përmbajtjen e çështjes ndaj tij. Siç është theksuar nga Trupi Gjykues, ekziston rreziku që ndërhyrjet me qëllim për të siguruar tërheqje të dëshmive dhe/ose për të dekurajuar dëshmitarët e ardhshëm nga dhënia e dëshmive mund të pengojnë përparimin e procedurës. Më tej, ekziston mundësia që dëshmitarët të thirren sërish, duke i bërë ata të cenueshëm ndaj përpjekjeve për ndërhyrje”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë për Selimin.

Përveç rrezikut të arratisjes dhe pengimit të procedurave, Prokuroria ka thënë se masat e vendosura ne objektet e paraburgimit kanë ofruar garanci kundër vizitave dhe komunikimeve të pa-monitoruara si masa për të minimizuar rreziqet përkatëse.

Ata thonë se paraburgimi mbetet proporcional dhe i arsyeshëm veçanërisht që procedurat tashmë kanë përparuar.

Ndryshe, Prokuroria më 15 prill 2025 ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /Betimi për Drejtësi/

Continue Reading

Lajmet

Rama: Vendimi për ndërprerjen e projektit në shesh nuk është i mbështetur ligjërisht

Published

on

By

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se vendimi për ndalimin e punimeve në sheshin “Xhorxh Bush” është i paligjshëm dhe i pambështetur në argumente juridike. Ai tha se institucionet që morën këtë vendim po ndikohen nga qëllime politike, edhe pse duhet të veprojnë në mënyrë të pavarur.

“Për herë të dytë janë ndërprerë punimet në një projekt të planifikuar për transformimin e hapësirës publike. Arsyetimet për këtë ndërhyrje nuk qëndrojnë në bazë ligjore dhe nuk janë ngritur nga palët përkatëse,” tha Rama në një konferencë për media.

Ai theksoi se projekti ka për qëllim përmirësimin e hapësirës publike dhe integrimin e trashëgimisë kulturore në zhvillimin urban të qytetit.

“Ka munguar përgjigjja nga Ministri për një debat publik për këtë çështje, edhe pse kemi qenë të hapur për diskutim,” shtoi ai.

Rama njoftoi se Komuna e Prishtinës do të ndjekë rrugë ligjore ndaj veprimeve që, sipas tij, bien ndesh me ligjin.

“Kryeqyteti do të vazhdojë procedurat ligjore ndaj të gjithë atyre që shkelin ligjin,” përfundoi ai.

Continue Reading

Të kërkuara