Lajmet

​Osmani: Qytetarët duan zgjidhjen e problemeve, serbët të lodhur nga presioni i Beogradit

Ai ka përmendur problemet e shumta me të cilat ballafaqohen qytetarët e veriut të Mitrovicës.

Published

on

Kandidati për kryetar të Komunës së Mitrovicës Veriore nga Iniciativa Qytetare Mitrovica, Betim Osmani, ka folur lidhur me kandidimin e tij dhe arsyen pse qytetarët duhet t’ia japin votën në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit që do të mbahen në veri.

Ai ka përmendur problemet e shumta me të cilat ballafaqohen qytetarët e veriut të Mitrovicës, siç janë përmbytjet nga vërshimet e fundit, çështja e ujit të pijshëm, kthimi i shqiptarëve në atë pjesë, çështja e sigurisë etj., për të cilat tha se janë emergjente dhe duan zgjidhje të menjëhershme.

‘Ne si Iniciativë Qytetare tash e dy vjet që jemi formuar, kemi qenë gjithmonë në krah me qytetarin… Kështu që tash besoj është një kohë e artë për marrjen e pushtetit në Mitrovicën e Veriut dhe në realizimin e kërkesave të qytetarëve të veriut pa marrë parasysh cilës etni i përkasin… Ne kemi probleme të shumta. Së pari kisha me cekë disa probleme të cilat janë emergjente që na kanë ndodhur pikërisht në kohën kur pushteti i komunës së Mitrovicës Veriore ka dhënë dorëheqje, do të thotë i kemi qytetarët të cilët janë vërshuar nga lumi Ibër, dhe tash e tre muaj nuk kanë marrë përkrahje ekonomike ose financiare nga institucionet… Pastaj e kemi ujin që është problem tash e 25 vjet. Pushteti komunal, por edhe ai qendror nuk kanë ndërhyrë, ndërsa janë të prekura tre komuna, Mitrovica e Jugut, Veriut dhe Zveçani, ku janë humbur miliarda litra ujë dhe miliona euro janë humbur tash e 25-26 vite, do të thotë edhe këtu do të ndërmarrim hapa shumë shpejtë sepse është çështje emergjente. Po ashtu kemi raste tjera p.sh. te ‘Lagjja e doktorëve’ është shembur një kodër, ku në qoftëse nuk ndërhyhet shpejtë rrezikohen të shemben edhe katër shtëpi të komunitetit serb… Pastaj kemi probleme shumë, siç është kthimi, siguria’, ka thënë Osmani.

Osmani deklaroi se gjendja e sigurisë nuk është e keqe, andaj ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve dhe se disponimi i qytetarëve për pjesëmarrje në këto zgjedhje është në nivel. Ai potencoi se nuk do të ketë incidente, ndërsa tha se serbët e këtushëm janë lodhur tashmë nga presioni i Serbisë dhe Listës Serbe për të mos lejuar integrimin e tyre në institucionet e Kosovës.

“Gjendja e sigurisë nuk është e keqe në qoftëse institucionet e sigurisë e bëjnë punën e vet. Është jashtë logjikës nëse Mitrovica është anembanë e pajisur me kamera dhe institucionet tona nuk bëjnë arrestime, kjo nuk është normale… Besoj se nuk do të ketë incidente. Qytetarët e komunitetit serb në këtë situatë janë shumë të lodhur nga presioni që vjen nga Serbia, por edhe nga Lista Serbe, si për të mos dalë në votime ashtu edhe në integrimin e tyre në institucionet e Kosovës… Po besoj se ka kushte për zgjedhje dhe disponimi i qytetarëve është shumë i mirë për të dalë në zgjedhje”, tha ai.

Osmani ka apeluar te qytetarët që të dielën të dalin në numër sa më të madh për ta shfrytëzuar të drejtën e votës. Ai premtoi gjithashtu se do të jetë kryetar shumë më i mirë për qytetarët sesa dy paraardhësit e tij të mëparshëm.

“Të gjithë qytetarëve të veriut ju bëj thirrje që të dalin në zgjedhje, ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për përfaqësim… Do të jem përfaqësimi i tyre më i mirë, dhe ju garantoj se do të jem shumë më i mirë sesa dy kryetarët që i kemi pasur deri tani në Mitrovicën e Veriut’”, tha Osmani.

Përpos Osmanit, për kryetar të Komunës së Mitrovicës Veriore garojnë edhe Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Taulant Kelmendi nga Partia Demokratike e Kosovës. Të drejtë vote në këtë komunë kanë 18 mijë e 118 qytetarë. 

Vendi

Fokus te Institucionet dhe Zhvillimi Ekonomik: Studiuesja nga Harvardi prezanton vizionin për prosperitet të qëndrueshëm në Kongresin e EOQ në UBT

Published

on

By

Për herë të parë, Kosova është bërë qendra e komunitetit evropian të cilësisë, duke mirëpritur në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së Kongresin e 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi. Ky organizim madhor shënon një moment historik për vendin dhe dëshmon angazhimin e UBT-së në fuqizimin e bashkëpunimit evropian dhe zhvillimin e inovacionit.

Në kuadër të këtij kongresi prestigjioz, punimet kanë vazhduar me sesione të rëndësishme në sallën e koncerteve, ku u zhvilluan prezantime kyçe përmes lidhjeve online me ekspertë të njohur ndërkombëtarisht.

Një nga pikat më kulmore të këtij sesioni ishte kontributi i znj. Fatema Z. Sumar, nga Qendra për Zhvillim Ndërkombëtar në Universitetin e Harvardit (Harvard Center for International Development).

Në fjalën e saj me titull “Institucionet cilësore, zhvillimi ekonomik dhe prosperiteti i qëndrueshëm”, znj. Sumar solli një analizë të thelluar mbi rolin e pazëvendësueshëm që luajnë strukturat e besueshme institucionale në nxitjen e rritjes ekonomike afatgjatë. Ajo shtjelloi se si standardet e larta të cilësisë dhe qeverisja e mirë janë çelësi për të krijuar një ekonomi të qëndrueshme, duke ofruar shembuj dhe praktika ndërkombëtare të zbatuara në vendet në zhvillim.

Continue Reading

Vendi

EOQ Congress 2026 në UBT: Inteligjenca artificiale dhe transformimi digjital në fokus të cilësisë 5.0

Published

on

By

Në kuadër të Kongresit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ Congress 2026), në UBT u mbajt sesioni “Inteligjenca Artificiale, Transformimi Digjital dhe Cilësia 5.0”, i moderuar nga Prof. Dr. Blerton Abazi.

Ekspertë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të akademisë e industrisë diskutuan mbi ndikimin e inteligjencës artificiale, sistemeve inteligjente dhe transformimit digjital në zhvillimin e modeleve të reja të menaxhimit të cilësisë, duke trajtuar gjithashtu rëndësinë e qëndrueshmërisë, inovacionit dhe besueshmërisë së të dhënave.

Gjatë sesionit, u prezantuan këto tema:

Prof. Dr. Galia Marinova, Universiteti Teknik i Sofjes – “Transformimi digjital, sistemet inteligjente dhe Cilësia 5.0”.
Prof. Henriqueta Sampaio da Novoa dhe Fatima Carneiro – “Integrimi i strategjisë ESG me përsosmërinë operacionale: Një kornizë e integruar për menaxhimin e cilësisë të qëndrueshëm, rezistent dhe të fuqizuar nga inteligjenca artificiale”.
Mina Gavrilova, menaxhere e lartë e cilësisë në Huvepharma, dhe David Isaacson, nënkryetar i marketingut të produkteve në Octave – “Avancimi i menaxhimit të cilësisë në organizatë: Si ka nxitur Huvepharma cilësinë dhe inovacionin për ndikim më të madh në biznes”.

Prof. Dr. Bertan Karahoda, UBT – “Cilësia në shkallë globale: Inteligjenca artificiale, aftësitë dhe e ardhmja e të nxënit global”.
Prof. Dr. Blerton Abazi, UBT – “Sigurimi i cilësisë së inteligjencës artificiale, cilësia e të dhënave dhe sistemet inteligjente të besueshme”.

Përmes këtyre kontributeve, sesioni vuri në pah rëndësinë e ndërthurjes së inteligjencës artificiale me standardet e cilësisë, zhvillimin e aftësive dhe inovacionin organizativ.

Diskutimet theksuan se transformimi digjital dhe qasja e Cilësisë 5.0 krijojnë mundësi të reja për ndërtimin e sistemeve më efikase, të qëndrueshme dhe të besueshme në arsim, industri dhe sektorë të tjerë të ekonomisë.

Continue Reading

Vendi

EOQ Congress 2026 në UBT: Ekspertët diskutojnë cilësinë, inteligjencën artificiale dhe menaxhimin e rrezikut

Published

on

By

Në kuadër të Kongresit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ Congress 2026), në kampusin inovativ të UBT-së, ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë trajtuan çështje kyçe që lidhen me akreditimin, certifikimin, vlerësimin e konformitetit, menaxhimin e rrezikut dhe vazhdimësinë e biznesit, me theks të veçantë në rolin e inteligjencës artificiale në transformimin e sistemeve të menaxhimit të cilësisë.

Sesioni “Akreditimi, Certifikimi, Validimi dhe Vlerësimi i Konformitetit – Rreziku, Rezilienca dhe Vazhdimësia e Biznesit”, i moderuar nga Prof. Dr. Fisnik Laha, mblodhi përfaqësues të institucioneve publike, akademisë dhe sektorit privat. Diskutimet u përqendruan në rëndësinë e standardeve ndërkombëtare, besueshmërisë së matjeve, inovacionit, qeverisjes së inteligjencës artificiale dhe ndërtimit të organizatave rezistente ndaj sfidave të së ardhmes.

Gjatë sesionit, ekspertët prezantuan temat e tyre përmes këtyre kontributeve:

Irfan Lipovica, drejtor i përgjithshëm i Drejtorisë së Akreditimit të Kosovës (DAK) – “Akreditimi si infrastrukturë e besimit: Nga kompetenca te njohja ndërkombëtare”.


Blerim Halabaku, menaxher i cilësisë në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës – “Roli i menaxherit të cilësisë në sigurimin e saktësisë, besueshmërisë dhe gjurmueshmërisë së rezultateve të matjeve”.

Prof. Maroš Finka, Universiteti Comenius në Bratislavë – “Modeli i katërfishtë i bashkëpunimit në ekosistemet e inovacionit: Rasti i Grupimit të Inovacionit për Transformim të Mençur në Sllovaki”.

Carlos Da Silva, ekspert kryesor në sistemet e integruara të menaxhimit, rrezikut dhe qeverisjes së inteligjencës artificiale – “Menaxhimi i integruar i biznesit dhe besimi në epokën e inteligjencës artificiale”.

Constantin Brescan, koordinator për sigurimin e cilësisë dhe auditimet e zinxhirit të furnizimit në Fusion for Energy – “Auditimet e cilësisë në zinxhirin e furnizimit – Fusion for Energy”.

Dr. Ömer Özkan, fitues i EQL 2025 – “Nga pajtueshmëria te besimi: E ardhmja e menaxhimit të cilësisë në epokën e inteligjencës artificiale”.

Luc Marivoet, menaxher i QHSE-së dhe partner në Pauwels Consulting – “Auditori i fuqizuar nga teknologjia: Si e forcon inteligjenca artificiale besimin, reziliencën dhe cilësinë përmes auditimit me në qendër njeriun”.

Merita Gjyshinca Peja, drejtoreshë financiare në Raiffeisen Bank Kosovo – “Rezilienca dhe vazhdimësia e biznesit në sisteme komplekse dhe të digjitalizuara”.

Genond Mesareja, kryetar i Bordit të Këshillit të Investitorëve Evropianë (EIC) – “Ndërtimi i organizatave rezistente: Udhëheqja, menaxhimi i rrezikut dhe vazhdimësia e biznesit në kohë ndryshimesh”.

Prof. Dr. Fisnik Laha, drejtues i laboratorëve të akredituar – “Matjet, besueshmëria dhe cilësia në sistemet shëndetësore dhe laboratorike”.

Përmes këtyre tematikave, sesioni theksoi rëndësinë e integrimit të standardeve të cilësisë me inovacionin teknologjik, menaxhimin e rrezikut dhe udhëheqjen efektive. Diskutimet nënvizuan gjithashtu rolin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, akademisë dhe sektorit privat në forcimin e besimit, rritjen e qëndrueshmërisë organizative dhe përgatitjen për sfidat e transformimit digjital.

Continue Reading

Lajmet

Inovacioni në mjekësi: UBT sjell ekspertët botërorë në sesionin kyç të Kongresit të 67-të të EOQ-së

Published

on

By

Në kuadër të Kongresit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ), një vëmendje e jashtëzakonshme iu kushtua sesionit mbi shëndetin dhe performancën, i cili shërbeu si një platformë kyçe për të adresuar sfidat globale, rritjen e rezistencës së sistemeve shëndetësore dhe ngritjen e standardeve të cilësisë përmes inovacionit.

Ky sesion i rëndësishëm, i mbështetur dhe promovuar fuqishëm nga UBT, u moderua nga Prof. Dr. Milaim Berisha, duke mbledhur ekspertë të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë për të sjellë qasje të avancuara në fushën e mjekësisë dhe mirëqenies njerëzore.

Punimet e këtij sesioni u hapën nga Dr. Ardita Baraku, Drejtore Nacionale e Institutit të Shëndetit Publik të Kosovës, e cila theksoi rëndësinë e shëndetit publik, parandalimit efikas dhe nevojës parësore për ndërtimin e sistemeve shëndetësore rezistente ndaj sfidave të kohës.

Diskutimet vazhduan me kontributin e Prof. Dr. Norbert Bacht nga Universiteti i Vjenës, i cili u ndal tek aplikimi i teknologjive moderne, duke shpjeguar rolin kyç të inteligjencës artificiale në arritjen e një parandalimi sa më të saktë dhe funksional në mjekësi.

Në fokus të sesionit u sollën gjithashtu dimensionet e specializuara të performancës fizike dhe menaxhimit global. Prof. Dr. Milaim Berisha prezantoi standardet ndërkombëtare për mjekësinë sportive, duke vënë në pah ekselencën e kërkuar për shëndetin dhe performancën e atletëve.

Ky vizion u plotësua nga fjalimi kryesor i Ms. Fatema Z. Sumar nga Qendra e Harvardit për Zhvillim Ndërkombëtar, e cila e lidhi drejtpërdrejt forcimin e institucioneve të cilësisë me zhvillimin ekonomik dhe prosperitetin e qëndrueshëm shoqëror.


Pjesa e dytë e sesionit solli praktika të avancuara nga Azia, ku Assoc. Prof. Dr. Ryoko Shimono nga Universiteti Waseda prezantoi indikatorët gjithëpërfshirës të vlerësimit TQM në kujdesin shëndetësor, duke vizualizuar lidhjen mes qëllimeve dhe aktiviteteve të menaxhimit të cilësisë.

Ndërsa Dr. Shogo Kato nga Universiteti i Tokios shpalosi zhvillimin e një sistemi algoritmik për të ndihmuar në rehabilitimin e pacientëve pas goditjeve në tru në spitalet e rikuperimit, duke dëshmuar ndikimin e drejtpërdrejtë të inovacionit teknik në shërimin dhe përmirësimin e jetës së pacientëve.

Continue Reading

Të kërkuara