Lajmet

​Osmani priti në takim ambasadorin jorezident të Japonisë në Kosovë, bisedojnë për thellim të bashkëpunimit

Osmani ka kërkuar vazhdimin e përkrahjes nga Japonia për procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Published

on

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu priti në takim ambasadorin jorezident të Japonisë në Kosovë, Akira Mizutani, me ç’rast kanë biseduar për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Presidentja e ka falënderuar ambasadorin Mizutani për mbështetjen e deritashme japoneze ndaj Kosovës, përfshirë rritjen e numrit të bursave për studentët kosovarë nga qeveria japoneze, si rezultat i diskutimeve gjatë vizitës së në Tokio vitin e kaluar, thuhet në komunikatë për media.

Kosova dhe Japonia ndajnë vlerat dhe parimet e njëjta në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe çështjet botërore, prandaj presim bashkëpunim edhe më të gjerë edhe ne sfera të tjera“, ka thënë Osmani.

Ambasadori Mizutani vlerësoi qëndrimin e institucioneve të Republikës së Kosovës karshi luftës së paprovokuar të Rusisë në Ukrainë me sanksione kundër Rusisë, si dhe qëndrimin stoik me popullin ukrainas, duke thënë se demokracitë duhet të qëndrojnë të bashkuara.

Në vazhdën e mbështetjes japoneze, organizata japoneze JICA, i ka dhuruar komunave të Kosovës një donacion me kamionë të mbeturinave, teksa Japonia nëpërmjet kësaj organizate vazhdon të implementojë dhjetëra projekte në fushën e arsimit dhe mjedisit.

Osmani ka kërkuar vazhdimin e përkrahjes nga Japonia për procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Lajmet

Gazetaria hulumtuese, pasion dhe mision publik që kërkon guxim, përkushtim dhe durim

Published

on

By

Nga Musa Sabedini – Çdo hulumtim ka një mision, dhe çdo mision bart në vete një rrezik real. Ky përkufizim i thjeshtë mjafton për të kuptuar thelbin e gazetarisë hulumtuese, një profesion që jeton gjatë, sepse rrënjët e saj ushqehen nga e vërteta dhe drejtësia. Në thelb, gazetaria hulumtuese është edukim dhe vetëdije, një fuqi që përmirëson pushtete, reformon institucione dhe pastron ndërgjegje. Ajo ndjek të fuqishmit, i vë përballë fakteve dhe nuk i toleron të paskrupulltit që kërkojnë të ndërtojnë jetën mbi mashtrime, paragjykime apo krim.

Gazetaria hulumtuese është dhe do të mbetet në shërbim të shoqërisë, zëri i atyre që nuk kanë zë, mbrojtësja e guximshme e së vërtetës dhe e çdo njeriu që përballet me padrejtësi, pavarësisht nëse ajo vjen nga individë, grupe kriminale apo struktura të kriminalizuara institucionale.

Gazetaria hulumtuese, misioni që nuk ndalet

“Gazetaria është akt rebelimi kur shteti gënjen”. (Sweeney, 2020). Nuk është rastësi që zgjodha këtë fjali të John Sweeney, gazetarit britanik me përvojë të gjerë në raportimet nën regjime autoritare dhe hetimet për BBC “Panorama” e “The Observer”.

Ai njihet për stilin konfrontues, guximin për të ekspozuar gënjeshtrat e pushtetit dhe aftësinë për të raportuar në kushte ekstreme. Për Sweeney-n, gazetaria është një akt rebelimi dhe një armë kundër pushteteve abuzive.

Ky është mesazhi që duhet të përçojë çdo gazetar hulumtues, se rebelimi në kuptimin pozitiv është i domosdoshëm kur shteti gënjen, shtyp, diskrediton apo abuzon me shoqërinë duke keqpërdorur buxhetin publik, financat dhe duke instaluar “vrima të zeza” në strukturat e saj.

Gazetari hulumtues është roje vigjilente në çdo kohë, situatë apo krizë.

Përmes storieve të guximshme, ai sjell para publikut tregime të argumentuara, që japin.

shpresë dhe energji qytetarëve. Ne, gazetarët, jemi nën llupën e pushtetit ditë e natë, sepse ata që nuk duan të vërtetën na shohin si armiq. Por përballë tyre kemi një pasqyrë tjetër, publikun, që pret tregime të vërteta dhe të ndershme, ndërsa ne përpiqemi ta avancojmë gazetarinë hulumtuese moderne.

Shpesh është thënë se gazetaria hulumtuese, në sytë e publikut, është një “task forcë speciale” që depërton në çdo cep të pushtetit të inkriminuar, duke ekspozuar abuzimet dhe shkeljet e ligjit. Në këtë kuptim, ajo është një urë solidariteti me qytetarët që u shkelen të drejtat, qoftë nga pushteti i dhunshëm, qeveritë e korruptuara apo struktura të tjera të padrejta.

Për mua është e qartë, gazetaria hulumtuese, me metodat e saj të punës në terren dhe këmbënguljen profesionale, mbetet një avangardë kundër padrejtësive, një shtyllë e demokracisë dhe një mbrojtëse e interesit publik.

Si forcë e brendshme dhe mekanizëm që lëviz shoqëritë, gazetaria hulumtuese mbetet një ndër shtyllat më të shenjta të demokracisë moderne. Ajo është motori që shtyn përpara zhvillime të rëndësishme, zbardh afera, zbulon skandale, ndriçon situata konfliktuoze, çon drejtësinë në veprim dhe shpesh sjell arrestime e dënime që ndryshojnë realitete të tëra.

Gazetaria hulumtuese është gjithmonë aty e pranishme, e guximshme, e pa kompromis në çdo shtresë të shoqërisë, në çdo hapësirë ku e vërteta kërkon të dalë në dritë. Ajo na mëson kujdesin ndaj parasë publike, ndaj hajnisë së organizuar dhe krimit të maskuar me pushtet. Na paralajmëron për rreziqet që shpesh ia shkaktojmë vetes përmes heshtjes apo mosveprimit.

Misioni i gazetarisë hulumtuese: Nuk fal lehtë dhe nuk përkëdhel askënd

Ky është një mision që nuk fal lehtë dhe nuk përkëdhel askënd, pavarësisht pozitës, autoritetit apo pasurisë që dikush mund të ketë. Gazetaria hulumtuese nuk njeh frikë nga pushteti, sepse burimin e saj e ka te liria, përgjegjësia dhe ndërgjegjja qytetare.

Në thelb, gazetaria hulumtuese është edukim dhe vetëdije, një fuqi që përmirëson pushtete, reformon institucione dhe pastron ndërgjegje. Ajo ndjek të fuqishmit, i vë përballë fakteve dhe nuk i toleron të paskrupulltit që kërkojnë të ndërtojnë jetën mbi mashtrime, paragjykime apo krim.

Të merresh me gazetari hulumtuese do të thotë të ecësh nëpër një skaj të mprehtë, ku çdo hap kërkon kujdes, guxim dhe integritet. Është një udhëtim përmes të panjohurës, ku rreziqet, të papriturat dhe sfidat shfaqen në çdo kthesë.

Gazetari hulumtues i vërtetë e di se çdo hetim fillon në terr dhe përfundon në dritë, vetëm nëse udhëhiqet nga parimet themelore të profesionit: e vërteta, saktësia, përgjegjësia dhe ndershmëria.

Ai duhet të mendojë thellë, të analizojë me kujdes dhe të ndjejë me shpirt çdo histori që ndjek.

Kredibiliteti dhe autoriteti i gazetarit hulumtues nuk ndërtohen brenda natës, ato fitohen me vite përkushtimi, sakrifice dhe mbrojtjeje të çdo detaji e prove. Vetëm ai që ruan integritetin e çdo sekuence hetimore, që nuk ndalet para presioneve dhe nuk lëkundet para pushtetit, arrin të fitojë respektin e lexuesve dhe besimin e publikut.

Çdo shmangie nga e vërteta, çdo kompromis me faktet, është një plagë që dëmton jo vetëm gazetarin, por edhe vetë besueshmërinë e gazetarisë hulumtuese si profesion fisnik.

Gazetaria hulumtuese është një rrugë e vështirë, por e denjë, një ecje mbi tehun e së vërtetës, ku vetëm të guximshmit mbeten në këmbë.

Carl Bernstein, (2007), bashkëpunëtor i Bob Woodward për skandalin Watergate duke folur për kredibilitetin dhe autoritetin profesional të gazetarit hulumtues ka theksuar: “Kredibiliteti është monedha e vetme që ka një gazetar. Kur e humb, gjithçka tjetër bie”.

Këmbëngulësia, sinqeriteti, integriteti i fort dhe morali e motivi ndikues, janë shtyllat kyçe për një gazetar profesionist dhe hulumtues

Si një nga gazetarët e rrallë, që e ka përjetuar në lëkurë të bërit gazetari hulumtuese, duke trajtuar tema hulumtuese nga më të ndryshmet, kam arritur të kuptojë se profesionalizmi, guximi, vendosmëria, beteja mbi të vërtetën, lufta për ta ndaluar dhe ekspozuar të keqën, këmbëngulësia, sinqeriteti, integriteti i fort dhe morali e motivi ndikues, janë shtyllat kyçe që një gazetar profesionist dhe hulumtues, të arrijë të mbijetojë mbi faktet e ofruara, edhe atëherë kur të tjerët ju pengojnë, me të gjitha format e mjetet.

Në fakt gazetaria hulumtuese duhet të përjetohet nga secili gazetar, autor, kronist, hulumtues, argumentues, duke qëndruar “esull”, gjithmonë me dëshmitë e juaja, duke treguar elan, dashuri, përkushtim, sinqeritet, aftësi dhe njohuri për secilin ose secilit, që ju mendoni se mund të jenë pjesë hetimore e pistës suaj. Nga ky këndvështrim pista e juaj dhe agjenda ditore e javore duhet të jetë optimiste, duhet të qëndrojë në këmbë të shëndosha, përherë me risi dhe fakte të reja që juve, do ju mjaftojnë për të arritur kulmin strategjik dhe taktik të bërit hetime.

Gazetaria hulumtuese, ka ekzistuar gjithmonë dhe do të jetë përherë aktuale, aktive, e dobishme, e kërkuar nga të gjithë njerëzit që e duan jetën ndryshe, jetën pa krim e korrupsion, që e respektojnë jetën e të tjerëve dhe ofrojnë zgjidhje, duke zbuluar të vërteta e afera, që për të gjitha pushtetet e qeveritë, ato tentohen të mbahen të fshehura dhe larg publikut. Publiku i etur dhe gazetari i uritur për tema të mëdha dhe ndikim në jetën publike, janë faktor i rëndësishëm që ju të mendoni përherë për këtë formulë “magjike”.

David Randall (2003), në librin e tij: “The Universal Journalist” është shprehur qartë mbi rolin dhe misionin që ka një gazetar profesionist – hulumtues. “Kape lexuesin për fyti në paragrafin e parë, shtrëngo rripat në të dytin, dhe mos e lësho deri në rreshtin e fundit”.

Gazetaria hulumtuese as nuk blihet nga të tjerët, po as nuk përfitohet e zbatohet me ndihmën e të tjerëve.

Ju jeni bërthama e punës, injeksioni i hetimeve dhe hulumtimeve paraprake. Thjesht ju jeni kapaku pragmatik, që i shtynë përpara proceset hulumtuese, derisa ju mbetet të vraponi, kërkoni, verifikoni dhe analizoni me kujdes çdo material, dokument, video, fotografi, incizim, deklarim publik e jo publik, përcjellje maksimale në rrjetet sociale të njerëzve të dyshuar, mundësi për të fituar nga teknologjia moderne, e cila është mbështetëse e madhe e punës tuaj, por sigurisht që nuk është kryesorja, e aq më pak përfundimtarja.

Kurrë mos harroni se ju jeni një lloj “heroi”, “roje e demokracisë” ose edhe më saktë një “mbikëqyrës”, i të gjitha devijimeve dhe dukurive shqetësuese, në një shoqëri demokratike, ku dominojnë ligji dhe etika njerëzore, ngaqë lexuesi, shoqëria, publiku dhe të tjerët presin me padurim rezultatin tuaj hetimor e kërkimor.

Të krijosh në gazetarinë hulumtuese

Nuk është e lehtë të krijosh në gazetarinë hulumtuese, sidomos nëse nuk je i përgatitur profesionalisht, emocionalisht dhe psikologjikisht. Këto tri shtylla janë themeli mbi të cilin ndërtohet gazetari hulumtues, ai “valltar” i shpejtë, i kthjellët dhe i vëmendshëm në terren, që di të ruajë ekuilibrin në çdo situatë dhe të përmbyllë me sukses çdo mision që merr përsipër.

Në këtë udhëtim nuk mjaftojnë as minutat, as ditët, e as javët. Ajo që kërkohet është përqendrim i plotë, qëndrueshmëri emocionale, durim dhe një vetëdije e mprehtë për të kuptuar botën e ndërlikuar në të cilën vepron gazetari hulumtues.

Po aq e rëndësishme është që, në çdo situatë, në çdo takim me të dyshuar, dëshmitarë të mundshëm, zyrtarë të korruptuar apo individë të përfshirë në krime dhe tragjedi, gazetari të mbetet gjakftohtë, i kthjellët dhe me shikim të mprehtë.

Çdo lëvizje, çdo shprehje apo pyetje e tij mund të interpretohet ndryshe, ndaj kujdesi, profesionalizmi dhe vetëkontrolli janë mburoja e tij më e fortë.

Prandaj, notoni me ndershmëri mbi dokumentet, dëshmitë, arkivat, fotografitë, deklaratat, fakturat, bisedat, intervistat, incizimet dhe videot tuaja.

Çdo detaj është një pjesë e mozaikut që ndërtoni, përdoreni për ta bërë historinë tuaj më të plotë, më të besueshme dhe më prekëse për publikun.

Të gjitha këto atribute dhe finesa që e karakterizojnë gazetarinë hulumtuese flasin për seriozitetin dhe përkushtimin e atyre gazetarëve e studiuesve që e kanë përjetuar këtë profesion në shpirt, në palcë dhe në kurriz.

Vetëm ata që e kanë jetuar nga afër e dinë se sa e vështirë është të hulumtosh me ndershmëri, të kërkosh të vërtetën mes mjegullës së mashtrimeve dhe të dalësh faqebardhë në fund të çdo hetimi.

Gazetaria hulumtuese është shpesh një betejë e brendshme, një “tërbim” profesional që kërkon kohë të gjatë, përkushtim të palodhur dhe sakrificë personale.

Por kjo betejë është bërë edhe më e ndërlikuar sot, në epokën moderne digjitale, ku gazetari përballet me një sërë pengesash të reja nga dezinformimi dhe manipulimi i të dhënave, deri tek mungesa e kohës për verifikim dhe presioni për të publikuar sa më shpejt.

Teknologjia është një mjet i fuqishëm, por kërkon kujdes etik dhe aftësi profesionale

Teknologjia është një mjet jashtëzakonisht fuqishëm, por kërkon kujdes etik dhe aftësi të avancuara profesionale për t’u përdorur në mënyrë të sigurt dhe efektive në shërbim të së vërtetës.

E kam theksuar edhe më herët se as teknologjia dhe as digjitalizimi nuk mund ta përfundojnë vetë një mision gazetaresk. Ato mund të ndihmojnë, ta lehtësojnë apo ta përshpejtojnë procesin e hetimit, por në asnjë mënyrë nuk përbëjnë fazën përfundimtare të tij. Dokumentet fizike të vulosura, deklaratat e drejtpërdrejta të viktimave apo dëshmitarëve, incizimet autentike dhe përgjimet e realizuara ligjërisht mbeten prova shumë më të vlefshme në çdo proces hulumtues sesa çdo mjet teknologjik, i cili mund të krijojë edhe dilema ligjore ose etike.

Si gazetar me përvojë të gjatë në profesion dhe me një bagazh të pasur në fushën e gazetarisë hulumtuese, tashmë i vlerësuar me katër çmime nga juri të ndryshme, vazhdoj të besoj se intuita dhe vendosmëria janë dy shtyllat kryesore që e udhëheqin gazetarin drejt suksesit.

Intuita shpreh forcën intelektuale të gazetarit dhe aftësinë për të dalluar temat me interes publik, ato që prekin ndjeshëm shoqërinë dhe jetën e komunitetit.

Ndërsa vendosmëria është një lloj “ilaçi” moral që i mundëson gazetarit të qëndrojë i patrembur dhe i palëkundur përballë sfidave, presioneve apo situatave të pakëndshme që mund të shfaqen gjatë rrugëtimit të tij profesional.

Roli i intuitës në gazetarinë hulumtuese është i pamohueshëm, ajo është drita që ndriçon drejtimin e së vërtetës, aty ku të tjerët shohin vetëm mjegull.

Jeto për të hetuar, puno për të vepruar, sakrifikohu për të argumentuar të vërtetën

Mos e pyesni kurrë veten se çfarë sakrifice kërkon gazetaria hulumtuese, në vend të kësaj, brengosuni për atë që mund t’i ofroni publikut, më të mirën e mundshme nga puna juaj hulumtuese.

Jeto për të hetuar, puno për të vepruar dhe sakrifikohu për të argumentuar të vërtetën, atë të vërtetë që i pengon ata që jetojnë me krimin dhe cenojnë jetën e të tjerëve në emër të tij.

Gazetaria hulumtuese kërkon ndjekje sistematike të provave, ngjashëm me punën e detektivëve. Ajo kërkon guxim, përkushtim moral e profesional, madje edhe atëherë kur e vërteta bie ndesh me pushtetin e fortë.

Qëllimi i gazetarit duhet të jetë shërbimi ndaj publikut, jo kërkimi i famës apo vëmendjes personale.

Fama i takon argumenteve, provave dhe publikut të etur për të vërtetën. Ajo u përket gjithashtu njerëzve me të cilët ke bashkëpunuar dhe që do të jenë mirënjohës nëse hulumtimi yt ka qenë i drejtë dhe efektiv.

Fama është e përkohshme, historia, kronika dhe tema hulumtuese janë të përjetshme. Ato do të jetojnë gjatë në kujtesën e çdo lexuesi, nëse t`i i je përmbajtur me përpikëri agjendës dhe pikave kyçe të hetimit të thelluar.

James B. Stewart, (2025), emër i njohur në gazetarinë hetimore, thekson se qëllimi i profesionit nuk është fama personale, por shërbimi ndaj së mirës publike: “Gazetaria nuk ka të bëjë me vëmendjen apo njohjen; ka të bëjë me shërbimin për të mirën publike”.

Të ecësh vetëm në tehun e gazetarisë hulumtuese

A mjafton të ecësh i vetëm në këtë teh të shpatës, pa përkrahje, pa njohuri dhe pa mbështetje profesionale apo materiale Sigurisht që jo. Vetëm guximi nuk mjafton. Për të qëndruar gjatë dhe për të mbijetuar në këtë fushë të vështirë, gazetari duhet të ndërtojë rrjete besimi dhe burime të sigurta brenda institucioneve dhe jashtë saj.

Duhet të ketë besim tek ata, ashtu siç ata duhet të kenë besim tek ai sepse ky është parimi themelor, që e mban të gjallë komunikimin dhe e mbron integritetin profesional.

Kurrë mos e tradhto një prokuror të ndershëm, një polic hetues të guximshëm apo një burim të besueshëm. Mos e shpërndaj kurrë informacionin nëse nuk e ke aprovimin e atyre, që të kanë përkrahur e ndjekur me mbështetje, sidomos atë informacion që të është besuar dhe ruaj marrëdhëniet me ata që të ndihmojnë në momentet më të vështira.

Pikërisht këto lidhje, të ndërtuara me ndershmëri dhe respekt, janë shtylla që mbajnë në këmbë gazetarin hulumtues.

Në çdo rast të rëndë që kam hetuar apo hulumtuar, kam hyrë me guxim, ndershmëri dhe përgjegjësi. Në gazetarinë hulumtuese nuk ka version të parë apo të dytë, tema ose del në dritë, ose humbet në errësirë.

E vërteta duhet të dominojë mbi gjithçka, ndërsa morali i gazetarit duhet të qëndrojë i përqendruar, i pastër dhe i angazhuar deri në fund.

Fergal Keane, gazetar i BBC-së, që ka raportuar nga zona lufte, nënvizon rëndësinë morale të profesionit: “Arti i gazetarit duhet të jetë, mbi të gjitha, një festim i së vërtetës. Dhe nëse kjo e vërtetë ofendon diktatorët, kriminelët apo policinë sekrete… le të ndodhë”.

Gazetaria hulumtuese në Kosovë, arritje dhe sfida

Në Kosovë, gazetaria hulumtuese ka njohur një zhvillim të shpejtë. Janë publikuar dhjetëra afera dhe skandale që kanë përfshirë njerëz të pushtetit, kompani publike dhe institucione të ndryshme. Kjo është padyshim një shenjë pozitive, që dëshmon për rritjen e guximit profesional dhe përgjegjësisë publike.

Megjithatë, në këtë rrugëtim nuk kanë munguar gabimet dhe lëshimet profesionale, të cilat duhet të analizohen dhe të korrigjohen në të ardhmen.

Një prej mangësive më të dukshme është mungesa e gazetarisë hulumtuese kolektive, e cila bazohet në hetime afatgjata dhe të mirëstrukturuara. Në vend të saj, shpesh janë dominuar hulumtimet e shpejta, që edhe pse kanë tërhequr vëmendjen e publikut, nuk janë ndjekur deri në fund. Shumë storie janë mbyllur menjëherë pas publikimit të parë, pa një vazhdimësi logjike dhe profesionale.

Temat e mëdha, që prekin interesin publik, duhet të përcillen deri në fund. Publiku ka të drejtë të dijë çdo zhvillim, nga hetimi fillestar deri te epilogu final.

Shpesh ndodh që, pas publikimit të një hulumtimi, personat e përfshirë të përfundojnë në gjykatë apo edhe në burg. Por, nëse gazetari nuk informon më tej për rezultatet e procesit, dënimin apo përfundimin e rastit, atëherë historia mbetet e paplotë dhe vlera e saj gazetare zbehet.

Gazetaria hulumtuese në Kosovë, ndër sfida dhe angazhim publik

Është e drejtë të shtrohet pyetja nëse ka ekzistuar vërtet gazetaria hulumtuese në Kosovë dhe si ka filluar ajo të zhvillohet. Ka mendime se ajo mori formë pas shpalljes së pavarësisë, kur gazetarët fituan mundësi të hetonin shtetin e tyre, dokumentet dhe provat të arkivuara nga institucionet vendore.

Megjithatë, unë mendoj se gazetaria hulumtuese nisi të zhvillohej menjëherë pas luftës, edhe pse jo pa vështirësi. Pushteti absolut i UNMIK-ut, i mbështetur nga KFOR-i dhe i monitoruar nga OSBE-ja, ishte një pengesë serioze jo vetëm për gazetarinë hulumtuese, por shpesh edhe për gazetarinë e përditshme. Sidoqoftë, edhe në atë kohë pati skandale dhe afera të zyrtarëve ndërkombëtarë, të cilat u bënë publike falë mediave kosovare.

Sa aktive ka qenë kjo gazetari dhe sa interes ka ngjallur, është një çështje tjetër. Edhe sot, megjithëse gazetaria hulumtuese ekziston dhe zhvillohet, shpesh mungojnë temat esenciale, ato që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve të thjeshtë.

Për fat të keq, shumica e hetimeve fokusohen tek afera korruptive apo skandalet seksuale brenda institucioneve publike, duke lënë në hije problemet e shumta të komuniteteve.

Kosova është një vend i vogël, nën vëzhgimin e vazhdueshëm të vendeve perëndimore, dhe pritej që gazetaria hulumtuese të ishte më e zëshme dhe më e pranishme me tema goditëse. Nganjëherë krijohet përshtypja se mungon sensi dhe interesimi i duhur, pavarësisht mungesës së mjeteve financiare.

Megjithatë, ekzistojnë gazetarë që kanë sakrifikuar për vite me radhë, duke e mbajtur gjallë gazetarinë hulumtuese dhe duke u përpjekur ta avancojnë atë më tej.

Të investosh në gazetarinë hulumtuese dhe të kultivosh talent të aftë në këtë fushë përbën një garanci të rëndësishme për demokracinë, sepse forcon transparencën dhe llogaridhënien.

Kjo qasje duhet të kuptohet edhe në mediat dhe shoqërinë kosovare, duke mos e reduktuar gazetarinë hulumtuese vetëm në prodhim lajmesh, por duke e parë si një vlerë të domosdoshme për fuqizimin e demokracisë në një shtet që përballet me sfida të mëdha juridike dhe politike.

Investimi në gazetari hulumtuese nuk është thjesht investim në lajme: është investim në demokraci, transparencë dhe llogaridhënie.

Etika mbetet baza themelore e gazetarisë hulumtuese

Etika mbetet shtylla themelore e gazetarisë hulumtuese. Një gazetar hulumtues fiton besimin e publikut dhe forcën profesionale vetëm kur, përveç aftësive të tij në terren dhe në procesin hetimor, i kushton rëndësi të veçantë etikës në çdo hap të punës.

Pa respektimin e parimeve etike, çdo raportim rrezikon të humbasë kredibilitetin dhe qëllimin e tij publik. Gazetaria hulumtuese fillon të zbehet në momentin kur etika nënvlerësohet ose anashkalohet, sepse pikërisht ajo është garancia që e ndan të vërtetën profesionale nga manipulimi dhe sensacionalizmi.

Frika më e madhe për një gazetar hulumtues, mbetet përfundimi dhe argumentimi i historisë së tij

Në karrierën time profesionale kam dokumentuar mbi 35 kërcënime me vdekje, dhe asnjëherë nuk jam dorëzuar apo trembur. Ajo që më shqetësonte më së shumti ishte të sigurohesha që historia ime të ishte e plotë, e argumentuar dhe e bazuar në të vërteta të verifikuara.

Kur një storie përmban të gjitha provat dhe flet me një të vërtetë kritike e të bazuar në fakte, çdo sfidë tjetër bëhet vetëm pjesë rutinore e procesit.

Këshilla ime për gazetarët hulumtues është e thjeshtë, por e fuqishme, mos u dorëzoni para atyre të zhytur në krim dhe hakmarrje, por gjithmonë ruani kujdesin për veten dhe vëmendjen përreth, sidomos në një fushë të minuar nga njerëz dashakëqinj. Askush, në fund të fundit, nuk do të kujdeset për ju dhe familjen tuaj, edhe pse rreziku që ju përballeni i takon shoqërisë dhe njerëzve për të cilët punoni me përkushtim dhe pasion.

Jeni në rrezik nëse u jepni atyre arsyetime apo llogari, në vend të kësaj, injorojini kërcënimet dhe presionin, pa i marrë kurrë afër zemrës. Por gjithmonë kryeni detyrën tuaj me nder, saktësi, legjitimitet dhe kredibilitet, duke siguruar që storiet tuaja të jenë guximtare dhe të besueshme.

Autori është ligjërues në Fakultetin e Medias dhe Komunikimit në UBT

Continue Reading

Lajmet

Albin Kurti takohet me Hans-Georg Engelke në Konferencën e Sigurisë në Mynih

Published

on

By

Në margjina të Konferencës së Sigurisë në Mynih (MSC), Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua me Sekretarin e Shtetit për Punë të Brendshme të Gjermanisë, Hans-Georg Engelke.

Me këtë rast, Sekretari i Shtetit Engelke e uroi kryeministrin Kurti për formimin e qeverisë së re, duke i shprehur përgëzime për mandatin e ri qeverisës, thuhet në komunikatën e Zyrës se Kryeministrit.

Gjatë takimit u theksua zhvillimi ekonomik i Kosovës dhe progresi demokratik i vendit, si dhe u diskutuan mundësitë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit bilateral ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë. Në fokus të bisedës ishin edhe çështjet e sigurisë, përfshirë bashkëpunimin në luftën kundër krimit.

Po ashtu, pjesë e diskutimeve ishin edhe temat që ndërlidhen me qytetarët e Republikës së Kosovës në diasporë, përfshirë trajtimin e statusit të tyre shtetëror. U theksua se kjo çështje tashmë është qartësuar dhe rregulluar, në mënyrë që ata të mos konsiderohen më si shtetas të Serbisë, ndonëse ende ekzistojnë raste me problematika të ngjashme.

Continue Reading

Lajmet

Shtyhet seanca për miratimin e projektbuxhetit 2026

Published

on

By

Pas konsultimeve me shefat e grupeve parlamentare, Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se seanca për shqyrtimin e buxhetit është shtyrë për ditën e hënë në orën 10:00.

Ky vendim erdhi pasi votimi i buxhetit për vitin 2026 në lexim të parë u kundërshtua nga partitë opozitare, të cilat kërkuan kohë shtesë për të analizuar dokumentin prej 700 faqesh.

Deputetët e opozitës u shprehën se analiza e detajuar e materialit është e nevojshme për të pasur hapësirë për propozime dhe amendamente.

Buxheti i paraparë kap vlerën e 4 miliardë eurove dhe përfshin, ndër të tjera, edhe pagën e 13-të për punonjësit e sektorit publik.

Sipas ministrit Murati, këtë pagë do ta përfitojnë ata që kanë mbi 12 muaj përvojë pune. Megjithatë, që ky projektbuxhet të hyjë në fuqi si ligj, ai duhet të miratohet domosdoshmërisht edhe në lexim të dytë.

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi ratifikon marrëveshjen 90.3 milionë me Bankën Botërore

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar marrëveshjen ndërkombëtare për financim me Banka Botërore, në vlerë prej 90.3 milionë euro.

Marrëveshja u miratua me 103 vota për, asnjë kundër dhe pesë abstenime, të cilat erdhën nga deputetët e Lista Serbe.

Bëhet fjalë për Marrëveshjen e Financimit për Programin e parë për “Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër”, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Botërore.

Programi synon mbështetjen e reformave strukturore, forcimin e disiplinës fiskale dhe nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, bëri të ditur se financimi është me normë interesi zero për qind dhe me periudhë grace prej gjashtë vjetësh para fillimit të kthimit. Sipas tij, Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret dhe reformat e dakorduara, duke bërë që mjetet të jenë tashmë në dispozicion pas ratifikimit.

Marrëveshja ishte nënshkruar më 19 prill 2024 dhe konsiderohet pjesë e përpjekjeve për të mbështetur stabilitetin fiskal, rritjen e konkurrueshmërisë dhe tranzicionin drejt një ekonomie më të gjelbër.

 

Continue Reading

Të kërkuara