Lajmet

​Osmani dhe Kurti premtojnë angazhim për të parandaluar dhunën në familje dhe baza gjinore

Osmani tha se dhuna në familje është një pandemi nën hije dhe duhet veprim i përbashkët kundër kësaj dukurie.

Published

on

Nisma për fuqizim ekonomik dhe banimin social të viktimave të dhunës në familje dhe baza gjinore i bëri bashkë të martën, presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin, Albin Kurti. Dy krerët institucional premtuan angazhim konkret për të parandaluar dhunën ndaj grave dhe vajzave, madje për viktimat e dhunës në familje u tha se do të zhvillohet plani i banimit social trevjeçar për vitet 2022-2024. Megjithatë, u konsideruan alarmante rastet e dhunës në familje gjatë vitit 2021.

Në tryezën e OSBE-së, presidentja Osmani tha se dhuna në familje është një pandemi nën hije dhe duhet veprim i përbashkët kundër kësaj dukurie.

“Realiteti është ky, siguria e grave nuk është e garantuar as brenda mureve të shtëpisë së tyre. Ky fakt është konfirmuar edhe këto dy vitet e fundit kur bota po përballet me pandeminë dhe kur dhuna mbi bazën gjinore ka marrë hov. Tashmë dihet se në nivel global dhuna mbi bazën gjinore i ka arritur majat. Prandaj me të drejtë po i referohemi si një pandemi nën hije, por ne nuk duhet të heshtim dhe as të vëzhgojmë kundrejt një situate të tillë. Jo vetëm reagim, por kemi nevojë veprim të përbashkët pa dallim kundër kësaj të keqe. Heshtja dhe mosveprimi kundrejt një fenomeni të tillë na bënë bashkëpunëtorë në këtë padrejtësi. Në këtë angazhim asnjëherë nuk mjaftojnë fjalët, duhet yë veprojmë konkretisht. Kemi nevojë për ndjekje të protokolleve strikte të shpëtimit, rehabilitimit dhe fuqizimit ekonomik të të mbijetuarave të dhunës mbi baza gjinore”, tha ajo.

Miratimin e strategjisë kombëtare dhe planin e veprimit për dhunën në familje dhe dhunën në baza gjinore, kryeministri Albin Kurti e konsideroi si hap thelbësor të parandalimit dhe adresimit të drejtë të dhunës në familje.

“Një shoqëri ku të gjithë janë të sigurt dhe barabartë, jetojnë pa frikën dhe kërcënimin e dhunës në familje apo dhunës ndaj grave, ku qëllim është të parandalohet dhe mos tolerohet dhuna. Të mbrohet, riintegrohet dhe fuqizohet viktima si dhe të vendoset kryesi para përgjegjësisë. Ky është vizioni në themel të strategjisë kombëtare për mbrojtje në familje dhe dhuna ndaj grave që do të drejtojë punën tonë të përbashkët nga vitit 2022 deri në vitin 2026. Javën e kaluar miratuam strategjinë kombëtare dhe planin e veprimit, kjo përbënë një hap thelbësor përpara të parandalimit dhe adresimit të drejtë të fenomenit të dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës në baza gjinore. Kjo strategji është një nga nismat e vizionit të Qeverisë sonë që asnjë grua të mos jetojë me frikën e dhunës dhe çdo vajzë të rritet duke e ditur që është e sigurt… Për mirëqenie dhe për barazi, banimi social është infrastrukturë kritike, funksioni i së cilës shkon përtej strehimit dhe banimit të përballueshëm. Në këtë kontekst do të kemi qasje progresiste duke mos lënë askënd jashtë, do të sigurojmë banim të dinjitetshëm për të gjithë. Për viktimat e dhunës në familje do të zhvillojmë planin e banimit social trevjeçar për vitet 2022-2024 me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, si institucioni që udhëheq dhe komunat si mbështetës”, shtoi ai.

Ndërsa, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se vetëm në vitin 2021 janë 2 mijë e 500 raste të raportuara për dhunën në familje.

“Vetëm në vitin 2021 kemi 2 mijë e 500 raste që janë raportuar, nga të cilat shtatë përfunduan me fatalitet dhe mbi 600 viktima të dhunës në familje kërkuan strehim. Nga ky numër i lartë i raportimit 90 përqind janë gra e vajza”, tha ajo.

I mahnitur karshi përkushtimit të institucioneve për të trajtuar këtë çështje u shpreh shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport.

“Jam mahnitur me përkushtimin dhe zotimin tuaj për të trajtuar këtë çështje së bashku, por edhe për vizionin që e keni shprehur privatisht dhe publikisht. Është e qartë se trajtimi i dhunës në baza gjinore dhe dhunës në familje vërtet kërkon legjislacion të ri dhe OSBE është duke e mbështetur këtë përpjekje të Qeverisë dhe Kuvendit në këtë drejtim… Sipas një ankete të OSBE-së për mirëqenien dhe sigurinë e grave në Kosovë të organizuar para pandemisë, 40 përqind të grave kanë deklaruar se kanë pësuar një sjellje kontrolluese nga partnerët, 12 përqind kanë deklaruar se kanë pësuar dhunë ekonomike”, deklaroi ai.

Shef i Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadori Tomáš Szunyog, tha se fuqizimi ekonomik i grave në Kosovë është ende sfidues.

“Në Kosovë fuqizimi ekonomik i gruas është ende sfidues. Një numër i madh i grave nuk zotërojnë prona dhe nuk mund të përfitojnë nga trashëgimia. Gratë jetojnë në shtëpi të burrit dhe ato kanë përgjegjësi për punët shtëpiake dhe përkujdesen ndaj fëmijëve dhe të moshuarve. Gratë, madje edhe ato të edukuara kanë më pak mundësi të punësimit”, tha ai.

Përkrahje për të parandaluar dhunën në familje dhe baza gjinore iu kërkua edhe kryetarëve të komunave në nivel lokal.

Lajmet

REL: Keqardhje që Serbia s’ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për sulmin në Banjskë

Published

on

Në përvjetorin e tretë të sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, Bashkimi Evropian shprehu keqardhje që Serbia nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm ndaj të dyshuarve që gjenden në territorin e saj.

“BE-ja vazhdimisht ka bërë thirrje që përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë dhe shpreh keqardhje që, deri më tani, Serbia nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të arrestuar dhe ndjekur penalisht ata, me akuza përkatëse, të personave që gjenden në Serbi”, tha një zëdhënës i BE-së.

Tre vjet më parë, në Banjskë të Zveçanit një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë këmbimit të zjarrit, tre sulmues serbë u vranë.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.

Radoiçiq ka adresë të regjistruar në Serbi, teksa Kosova vazhdimisht kërkon që ai të ekstradohet në mënyrë që të përballet me drejtësinë.

“Ne presim që Serbia të bashkëpunojë plotësisht përmes kanalit të krijuar për ndihmë të ndërsjellë juridike. Kjo çështje ka mbetur pezull për një kohë të gjatë dhe Serbia duhet ta trajtojë atë sa më shpejt”, tha zëdhënësi i BE-së.

Në deklaratën e BE-së tha se çështjen e Banjskës, përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, e ka ngritur gjatë takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë takimit në Nju Jork.

Po në Nju Jork, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ngriti çështjen e sulmit në Banjskë gjatë takimit me Kallasin.

Kuri tha se Radoiçiq dhe persona të tjerë që morën pjesë në sulm po “mbrohen nga presidenti i Serbisë”, duke shtuar se ka kërkuar përkrahjen e BE-së që t’i bëjë trysni Serbisë për këtë çështje.

Përveç BE-së, edhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar vazhdimisht që të përfshirët në sulm të përballen me drejtësinë.

Kosova ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, përfshirë Radoiçiqit, për sulmin në Banjskë. Gjykimi është mbajtur vetëm ndaj tre personave, të cilët janë dënuar nga shkalla e parë e gjyqësorit: një me 30 vjet burgim dhe dy persona me burgim të përjetshëm.

Continue Reading

Lajmet

Nora Gjakova diplomon në UBT, xhudistja përmbyll me sukses studimet në Shkencat e Sportit

Published

on

Xhudistja kosovare dhe kampionia olimpike, Nora Gjakova, ka diplomuar në UBT, në Fakultetin e Shkencave të Sportit dhe të Lëvizjes, në programin “Shëndeti dhe Aktiviteti Fizik”.
Gjakova, e cila ndër vite ka përfaqësuar Kosovën në garat më të rëndësishme ndërkombëtare të xhudos, ka përfunduar studimet me një temë diplome që lidhet drejtpërdrejt me sportin që e ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës së saj.
Tema e punimit të saj ishte “Monitorimi i shkallës së lodhjes akute dhe rikuperimit pas një ndeshjeje të simuluar të xhudos përmes metodës indirekte (two-point velocity), të bazuar në shpejtësi në teknikën Bench Press”.
Punimi është realizuar nën mentorimin e Asoc. Prof. Dr. Milaim Berishës.
Me këtë arritje akademike, Nora Gjakova i shton një tjetër sukses rrugëtimit të saj, kësaj radhe në fushën e arsimit dhe shkencës sportive.

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet një zyrtar që dyshohet se mori ryshfet nga pronarë biznesesh

Published

on

Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Rahovec, i dyshuar për veprën penale “Marrja e ryshfetit”.

Sipas Policisë, i dyshuari, mashkull kosovar, në periudha dhe lokacione të ndryshme në zonën e Rahovecit, dyshohet se kishte kërkuar dhe pranuar ryshfet nga pronarë të bizneseve, në këmbim të moskryerjes së kontrolleve apo mosndëshkimit për shkeljet e ligjit.

Gjatë hetimeve, të zhvilluara në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë, janë siguruar dëshmi se i dyshuari dyshohet se kishte pranuar në disa raste shuma prej 300 deri në 500 euro nga pronarë të ndryshëm biznesesh.

Me urdhër të Gjykatës Themelore në Gjakovë, më 24 shtator janë kontrolluar ambienti i punës dhe veturat që i dyshuari kishte në shfrytëzim. Gjatë kontrollit është sekuestruar edhe një telefon celular.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ish-kreu i SHISH, Vlora Hyseni del nga GJKKO, iu komunikua masa e sigurisë “arrest në shtëpi”

Published

on

Ish-kreu i SHISH, Vlora Hyseni sapo ka dalë nga GJKKO pas më shumë se 2 orësh.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha raporton se Hysenit i është komunikuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Ajo u pyet nga gazetarët në lidhje me përgjimet e SPAK, por ka refuzuar të flasë.

Ndryshe, para se të hynte në gjykatë gjatë kalimit nga rruga drejt godinës, Hyseni është shprehur shkurtimisht ndaj pyetjes së gazetarëve nëse Agasit i janë kaluar nga ana e saj dokumente të klasifikuara, duke u shprehur: “Si kalon ti në takime me agjentët serb në dhomat e hotelit Rogner”. /Tch/

Continue Reading

Të kërkuara