Lajmet

​OJQ-të kritikojnë institucionet për diskriminimin e personave me aftësi të kufizuara

Kështu u tha në diskutimin që u mbajt të hënën në Komisionin për të Drejtat e Njeriut.

Published

on

Kuvendi i Kosovës po pret interpretimin e Gjykatës së Kushtetuese sa i përket Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, në mënyrë që e njëjta të jetë pjesë e Kushtetutës.

Nga ekzekutivi kanë thënë se pas miratimit në parlament, do të formohet një trup shtetëror për zbatimin e kësaj konvente. Në diskutimin që u mbajt të hënën në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, organizatat joqeveritare kanë kritikuar institucionet për diskriminimin e grupeve të personave me aftësi të kufizuara.

Kryetarja e komisionit, Duda Balje tha se po presin një përgjigje nga Gjykata Kushtetuese për këtë konventë dhe më pas të votohet në Kuvend.

“Vjen tek ne prapë në kuvend (pas vendimit të kushtetutës), me 2/3 të votave duhet me votua dhe pastaj presidenti me nënshkrua dhe me qenë pjesë e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kemi provuar të bëjmë një grup me personat të cilat janë të interesuar direkt dhe normalisht kemi përfaqësuesit e qeverisë, Handikos-in dhe kemi një mysafir të veçantë, i cili është rektori Qerim Qerimi, i cili do të jap shpjegim për hapat që duhet të bëjmë pas aprovimit të konventës”, ka thënë Balje.

Anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut bashkë me përfaqësues të këtyre kategorive kanë diskutuar temën “Caktimi i prioriteteve të cilat shteti duhet t’i përmbushë pas përfshirjes së Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, në Kushtetutë”.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi tha se Kosova ka zgjedhur një model të mirë që përfshin në kushtetutën e saj instrumente ndërkombëtar për drejtat e njeriut.

“Kjo konventë për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara është në mesin e nëntë konventave ose instrumenteve ligjor ndërkombëtar që paraqesin bërthamën e arkitekturës ligjore ndërkombëtare për sa i përket të drejtave të njeriut. Prandaj, kuptimi im është që në këtë rast autoritetet kanë zgjedhur që të veprojnë njësoj edhe me këtë konventë sikurse edhe konventat tjera, e fundit duke qenë Konventa e Stambollit që i është shtuar listës. Konventa është në shqyrtim nga ana e Gjykatës Kushtetuese dhe pas opinionit të secilit organ, ajo do të ju vije juve si instrument për shqyrtim dhe vendimmarrje. Ajo çfarë Gjykata Kushtetuese sheh në këtë rast është vetëm dimensioni i përputhshmërisë të kësaj konvente, me dispozitat e kapitullit 2 të kushtetutës sonë që kanë të bëjnë me të drejtat dhe liritë themelore”, ka thënë Qerimi.

Ndëra, drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, Habit Hajredini theksoi se duhet të ketë gjithë përfshirje të institucioneve në këtë proces. Ai shtoi se do të krijojnë një trup shtetëror për koordinim të kësaj konvente.

“Në momentin kur miratohet në parlament, atëherë ne do të krijojmë një trup shtetëror të përbashkët me të gjitha institucionet qeveritare për t’u mirë koordinuar për zbatim të kësaj konvente. Janë 50 nene në këtë konventë që përkojnë me edukimin, me shëndetësinë, mirëqenien sociale, me qasjen, me jo-diskriminim. Në momentin kur të miratojmë në parlament, automatikisht komuniteti që merret për monitorim të kësaj konvente, për çdo nen që është i konventës, është obligim shtetëror i joni për të punuar…Çdo nen nga këto 50 që janë të përfshirë këtu ka një kosto financiare”, ka theksuar Hajredini.

Sebahete Hajdini Beqiri, e cila udhëheq “Doën Syndrome Kosova” ka shprehur pakënaqësitë sa i takon përfshirjes së të gjitha kategorive me aftësi të kufizuara.


“Ne jemi dëshmitarë të asaj që shpesh institucionet e Republikës së Kosovës kanë diskriminuar vet grupet e personave me aftësi të kufizuara. Kushtetuta e Kosovës, neni 24 garanton që çdo qytetar duhet të trajtohet në mënyrë të barabartë, pa marrë parasysh edhe llojin e aftësisë së kufizuar. Ne kemi dy ligje që ofrojnë mundësi më të mëdha për dy grupe të qytetarëve me aftësi të kufizuara. Ndërsa, qytetarët tjerë në llojet tjera të aftësisë së kufizuar nuk e kanë mbështetjen e duhur dhe shpresoj që kjo iniciativë e përfshirjes së konventës së personave me aftësi të kufizuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës do ta fuqizojë dhe do ta mbështes fuqishëm aprovimin e projektligjit për personat me aftësi të kufizuara”, u shpreh ajo.

Gjatë vitit të kaluar, ku u shënua viti i personave me aftësi të kufizuar, Hajdini-Beqiri shtoi se janë bërë vetëm gjëra simbolike.

Edhe Rukije Gashi, e cila është interpretuese e gjuhës së shenjave ka pasur kritika për institucionet në trajtimin e personave të shurdhër.

“As te pensionet, as kurrkund hiç. Unë kur po i dëgjojë po çuditem. Llogarit 500 asistentë punësohen, dy vetëm për të shurdhër edhe atë me mezi me UNICEF-in, që e ka marrë përgjegjësinë Ministria e Arsimit pas 15 muajve me i fut në sistem të pagave të tyre. Janë qendrat burimore, por ma mirë i kisha mbyll krejt se me i lënë siç janë. Do të thotë, personi i shurdhër e përfundon shkollën fillore e të mesme, mbet analfabet”, ka përfunduar ajo.

Në vitin 2008 ka hyrë në fuqi Konventa për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar dhe protokolli i saj, me qëllim të promovimit, mbrojtjes dhe sigurimit që personat me aftësi të kufizuara të gëzojnë të drejta të plota. 

Lajmet

Profesorët e UBT-së pjesë e Konferencës Ndërkombëtare EURESTOP 2026 në Kroaci

Published

on

By

UBT u përfaqësua në Konferencën Ndërkombëtare EURESTOP 2026, e mbajtur më 25–27 qershor 2026 në Pula të Kroacisë, përmes pjesëmarrjes së dy profesorëve të institucionit, Prof. Demokrat Nuha dhe Prof. Fitim Kastrati.

Konferenca mblodhi studiues, ekspertë dhe përfaqësues të institucioneve akademike e kërkimore nga vende të ndryshme evropiane, me fokus në sfidat globale të rezistencës antimikrobike, zhvillimin e strategjive të reja diagnostikuese dhe terapeutike, si dhe forcimin e bashkëpunimit shkencor ndërkombëtar.

Në kuadër të kësaj konference, Prof. Demokrat Nuha prezantoi punimin shkencor me titull “Thiazole-Based Heterocycles in Drug Discovery: Contemporary Insights into Anticancer and Antimicrobial Activities”, i cili trajton rolin e heterocikleve të bazuara në tiazol në zbulimin e komponimeve me potencial antikancerogjen dhe antimikrobik.

Ndërkaq, Prof. Fitim Kastrati prezantoi punimin “Application of Phenotyping Methods to Assess Cold and Freezing Stress and Recovery Ability of Balkan Ramonda Species”, i fokusuar në përdorimin e metodave moderne të fenotipizimit për vlerësimin e stresit nga të ftohtit dhe ngrirja te speciet bimore të gjinisë Ramonda.

Pjesëmarrja e profesorëve të UBT-së në këtë konferencë ndërkombëtare dëshmon përkushtimin e institucionit ndaj kërkimit shkencor cilësor, ndërkombëtarizimit akademik dhe përfshirjes aktive në rrjetet evropiane të bashkëpunimit shkencor.

Continue Reading

Lajmet

United Hospital fuqizon shërbimet e ortopedisë me ekspertë, teknologji moderne dhe oferta të veçanta për pacientët

Published

on

Sipas drejtuesit të United Hospital, Edmond Hajrizi, spitali po investon vazhdimisht në ngritjen e cilësisë së shërbimeve, teknologjinë më të avancuar dhe zgjerimin e kapaciteteve profesionale, me synimin që çdo pacient të ketë qasje në kujdes shëndetësor modern dhe cilësor.

“United Hospital çdo ditë po sjell risi, duke kombinuar teknologjinë bashkëkohore me ekspertizën e stafit tonë mjekësor. Synimi ynë është të ofrojmë shërbime profesionale, moderne dhe me kosto të përballueshme për të gjitha kategoritë e shoqërisë. Askush nuk duhet të ndihet i përjashtuar nga trajtimi shëndetësor. Kemi investuar në kuadro të specializuara, pajisje diagnostikuese dhe teknologji ortopedike të gjeneratës së fundit, të cilat mundësojnë trajtim më efikas, ndërhyrje më të sigurta dhe lehtësim të dhimbjeve për çdo pacient që i drejtohet spitalit tonë”, ka deklaruar Hajrizi.

Ai shtoi se misioni i United Hospital mbetet ofrimi i kujdesit shëndetësor sipas standardeve më të larta, duke vendosur pacientin në qendër të çdo shërbimi dhe duke garantuar trajtim profesional nga diagnostikimi e deri te rehabilitimi.

Ndryshe dhimbjet e vazhdueshme të nyjeve, dëmtimet sportive, frakturat apo problemet e sistemit lokomotor nuk duhet të jenë më pengesë për një jetë aktive. Me një ekip specialistësh të dëshmuar, teknologji bashkëkohore dhe trajtime sipas standardeve evropiane, United Hospital po konsolidon pozitën si një nga qendrat më të avancuara për ortopedi dhe traumatologji, duke ofruar zgjidhje të plota – nga diagnostikimi deri te rehabilitimi.

Në kuadër të një oferte të veçantë, spitali ka prezantuar çmime të reduktuara për ndërhyrjet më të kërkuara në ortopedi. Proteza totale e gjurit dhe ajo e kërdhokullës (kofshës) ofrohen me çmimin prej 5.000 euro, nga 5.500 euro, ndërsa paketa përfshin të gjitha shërbimet kryesore të nevojshme për trajtim pa kosto shtesë.

Në këtë çmim përfshihen ndërhyrja kirurgjikale nga ekipi i specializuar i ortopedisë, të gjitha analizat laboratorike para dhe pas operacionit, si dhe pesë ditë hospitalizim në dhoma moderne, me kujdes të vazhdueshëm mjekësor dhe infermieror 24 orë në ditë.

Sipas drejtuesve të spitalit, investimet në teknologjinë më moderne imazherike dhe sallat kirurgjikale të standardeve ndërkombëtare kanë bërë të mundur realizimin e ndërhyrjeve të sigurta dhe rikuperimin më të shpejtë të pacientëve.

Departamenti i Ortopedisë dhe Traumatologjisë në United Hospital ofron një gamë të gjerë shërbimesh, duke përfshirë ekzaminime klinike dhe imazherike të avancuara, trajtimin e frakturave tek të rriturit dhe fëmijët, menaxhimin e lëndimeve sportive, artroskopinë minimal-invazive, vendosjen e protezave të gjurit, kërdhokullës dhe supit, terapi biologjike, trajtime konservative dhe programe të personalizuara rehabilitimi pas operacionit.

Një nga shtyllat kryesore të këtij departamenti është Dr. Imran Shaqiri, specialist i Ortopedisë dhe Traumatologjisë, i cili ofron trajtim të avancuar për patologjitë e sistemit lokomotor. Përveç vizitave specialistike dhe konsultave profesionale, ai realizon kirurgji të nyjeve, artroskopi të gjurit dhe shpatullës, rikonstruksion të ligamentit ACL, trajtim të traumave, ortopedi pediatrike, kirurgji të dorës dhe këmbës, si dhe terapi moderne si PRP, infiltrime intra-artikulare dhe trajtim të osteoporozës. Kujdesi plotësohet me udhëzime për fizioterapi dhe rehabilitim të individualizuar.

Ekipit i bashkohet edhe Dr. Arian Bujupi, specialist i Ortopedisë dhe Traumatologjisë, i cili mbulon një spektër të gjerë trajtimesh operative dhe konservative. Ai ofron trajtim për fraktura dhe luksacione, kirurgji të nyjeve me proteza totale, artroskopi të gjurit dhe shpatullës, rikonstruksion të ligamentit ACL, ortopedi pediatrike, si dhe trajtime moderne me acid hialuronik dhe PRP, duke u fokusuar në rikthimin e pacientëve në një jetë aktive dhe pa dhimbje.

Për pacientët që dëshirojnë një vlerësim të plotë të gjendjes së tyre, United Hospital ka prezantuar edhe një Pako Ortopedike, e cila përfshin një set shërbimesh me vlerë reale prej 76.20 euro, ndërsa ofrohet me çmim promocional prej vetëm 30 euro.

Me një ekip specialistësh me përvojë, trajtime të personalizuara, infrastrukturë moderne dhe oferta të favorshme financiare, United Hospital synon t’u ofrojë pacientëve kujdes ortopedik cilësor, duke i ndihmuar të rikthejnë lëvizshmërinë, cilësinë e jetës dhe aktivitetin e përditshëm pa dhimbje./rajonipress/

Continue Reading

Lajmet

Aksident tragjik me furgon në Shqipëri, dy të vdekur dhe 15 të plagosur

Published

on

Dy persona kanë humbur jetën, ndërsa 15 të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e një aksidenti të rëndë që ka ndodhur me një furgon të linjës Berat–Tiranë.

Nga vendi i ngjarjes ka folur drejtori i Policisë Rrugore, Perlat Vatoci, i cili bëri të ditur se njoftimi për aksidentin është pranuar rreth orës 15:00.

Sipas tij, mjeti ka humbur kontrollin, është përplasur fillimisht me trafikndarësen dhe më pas ka dalë nga rruga.

“Rreth orës 15:00 është marrë njoftimi për aksidentin. Paraprakisht dyshohet se mjeti ka humbur kontrollin”, deklaroi Vatoci.

Ai konfirmoi se si pasojë e aksidentit dy persona kanë humbur jetën, ndërsa 15 të tjerë kanë mbetur të lënduar.

Vatoci bëri të ditur se njëri nga të plagosurit ndodhet në gjendje të rëndë, ndërsa mes të lënduarve është edhe një fëmijë, i cili raportohet se nuk është në gjendje të mirë shëndetësore.

Sipas Policisë Rrugore, furgoni ishte i licencuar për linjën Berat–Tiranë dhe në momentin e aksidentit po udhëtonte drejt kryeqytetit.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet që çuan në këtë aksident tragjik./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Tri përballje interesante sonte në Kupën e Botës, vëmendja te Franca – Suedia

Published

on

Sonte zhvillohen edhe tri ndeshje të fazës së 1/16 së finales në Kupën e Botës, ku priten përballje të forta dhe rivalitet i madh për një vend në çerekfinale.

Në orën 19:00, Bregu i Fildishtë përballet me Norvegjinë, në një duel ku të dyja kombëtaret synojnë të vazhdojnë rrugëtimin në turne.

Më pas, në orën 23:00, vëmendja do të jetë te supersfida mes Francës dhe Suedisë. Dy kombëtare me traditë pritet të dhurojnë një ndeshje spektakolare në luftën për kualifikim.

Programi i ditës mbyllet në orën 03:00 (pas mesnate), me sfidën mes Meksikës dhe Ekuadorit, ku fituesi do të sigurojë biletën për në fazën çerekfinale.

Këto tri takime vijnë pasi Maroku eliminoi Holandën pas penalltive, duke u bërë kombëtarja e parë që siguroi kualifikimin nga ndeshjet e sotme./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara