Kulturë

​Nesër shfaqen 35 fotografi bardh e zi të familjarëve me personat e zhdukur

Anash fotografive bardhë e zi, janë të shoqëruara edhe thëniet e familjarëve që janë në kërkim të më të dashurve të tyre.

Published

on

“Me dorën time nuk e kam varros, e gjithmonë mendoj se është diku”, janë fjalët e djalit për babin e tij të zhdukur. Ai mban në dorë fotografinë e tij, si ndër të paktat kujtime që i kanë mbetur që nga viti 1998.

Që nga përfundimi i luftës, shumë dyer, të shumë familjeve në Kosovë vazhdojnë të qëndrojnë të hapura se një ditë të paktën do të dinë se ku i kanë eshtrat e më të dashurve të tyre.

Në Ditën Ndërkombëtarë të Personave të Zhdukur, Kryqi i Kuq i Kosovës do të ekspozojë 35 fotografitë e realizuara me familjarët e të zhdukurve.

Anash fotografive bardhë e zi, janë të shoqëruara edhe thëniet e familjarëve që janë në kërkim të më të dashurve të tyre.

Koordinatorja e programit, Adelinë Syla tregon se kjo ekspozitë është realizuar në shumë komuna.

Aktiviteti ka filluar prej qershorit, kemi vizituar 35 familje, familjarëve të personave të zhdukur. Qëllimi kryesor ka qenë t’i bëjmë fotografitë me ta, në mënyrë që të bashkëndiejmë dhimbjen që kanë përjetuar që 23 vjet. Çështja e personave të zhdukur është çështje shumë e dhimbshme dhe e ndjeshme që familjarët përballen tash e sa kohë”, tregon ajo.

Fotografitë që do të shfaqen nesër në ekspozitë do të jenë bardhë e zi, gjë e cila tregon se sa e gjatë është pritja për familjarët.

Vizitat nuk kanë qenë të lehta për shkak se edhe ne si Kryq i Kuq i Kosovës, pavarësisht se kemi pasur aktivitete të shumta me familjarët e personave të zhdukur, është e vështirë në momentin kur i viziton t’iu rikthehet atyre dhimbja ndër vite. Përzgjedhjen e kemi bërë përmes degëve tona, jemi munduar që të përfshijmë sa më shumë familjarë. Nuk kemi pasur mundësi t’i marrim të gjithë për shkak të numrit të madh. 35 deri në 40 ka qenë numri i paraparë. Jemi munduar që të marrim dy-tre familjarë prej secilës komune”, tha ajo.

23 vjet pas luftës, shumë familje në Kosovë po jetojnë me dhimbje, pritje e ankth.

Të gjitha rastet që ende janë të pazgjidhura, familjarët ende nuk janë asnjëherë komplet. Gjithmonë iu mungon diçka, gjithmonë janë në pritje. Gjatë vizitave që kemi pasur, kemi parë se në momentin që hapet dera, ata gjithmonë presin mos ka ndonjë lajm”, tha Syla.

Pas vizitave të shumta te familjarët e personave të zhdukur, Kryqi i Kuq gjatë ditës së nesërme do të ekspozojë fotografi të realizuara me familjarët.

Ekspozita do të shfaqet te “Sheshi Skënderbeu”, afër Kuvendit të Kosovës. Do të jetë e hapur nga ora 09:00 në mëngjes deri në 18:00. Është e hapur, aty mund të shohin të gjithë kalimtarët e rastit. Po besoj që ka me qenë një mesazh i duhur. Qëllimi ka qenë se aty kanë qenë edhe fotografitë e personave të zhdukur tek Kuvendi i Kosovës, gjithashtu është edhe obelisku i cili u kushtohet personave të zhdukur”, shprehet ajo.

Për shënimin e 30 gushtit, Kryqi i kuq i Kosovës e ka realizuar ku shfaqen me 1621 qirinj, të cilët simbolizojnë numrin e personave për të cilët nuk dihet se ku i kanë eshtrat. Që nga lufta e fundit në Kosovë, ende nuk dihet fati i 1621 personave të zhdukur.

Lajmet

Esmeralda Kazia shpallet “Cybersecurity Woman of the World 2026”, shqiptarja e parë që merr këtë çmim

Published

on

Shqipëria ka shënuar një arritje të rëndësishme në fushën e sigurisë kibernetike, pasi Esmeralda Kazia është shpallur “Cybersecurity Woman of the World 2026”.

Kazia është shqiptarja e parë që fiton këtë titull prestigjioz, i cili vlerëson lidershipin, vizionin dhe kontributin në zhvillimin e sigurisë kibernetike në nivel ndërkombëtar.

Çmimi iu dorëzua gjatë ceremonisë së organizuar nga United Cybersecurity Alliance në Austri dhe Lihtenshtajn, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, organizatave ndërkombëtare, universiteteve, kompanive dhe ekspertë të sigurisë kibernetike nga më shumë se 30 vende.

Pas marrjes së çmimit, Kazia në një intervistë për transmetuesin publik austriak ORF theksoi rëndësinë e sigurisë kibernetike për mbrojtjen e institucioneve dhe besimit publik.

“Siguria kibernetike nuk ka të bëjë vetëm me mbrojtjen e teknologjisë, por me mbrojtjen e besimit”, u shpreh ajo.

Gjatë këtij edicioni janë zhvilluar edhe diskutime për mundësinë që ceremonia “Cybersecurity Woman of the World 2027” të organizohet në Shqipëri. Nëse realizohet, vendi pritet të mirëpresë ekspertë, institucione dhe përfaqësues ndërkombëtarë të fushës së sigurisë kibernetike.

Duke komentuar vlerësimin, Kazia tha se ky titull përfaqëson një përgjegjësi për të vazhduar punën në forcimin e sigurisë kibernetike dhe mbrojtjen e infrastrukturave kritike.

Esmeralda Kazia aktualisht është Drejtoreshë Ekzekutive e Teknologjisë për Teknologjinë Operacionale, Sistemet e Kontrollit Industrial dhe Automatizimin në Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH). Më herët ajo ka udhëhequr operacionet kombëtare të monitorimit dhe reagimit ndaj incidenteve kibernetike në Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.

Me mbi 13 vite përvojë në sigurinë kibernetike, transformimin digjital dhe mbrojtjen e infrastrukturave kritike, Kazia ka përfaqësuar Shqipërinë në forume ndërkombëtare si NATO, OSBE dhe iniciativa globale kundër sulmeve kibernetike. Ajo është gjithashtu pedagoge universitare dhe kërkuese shkencore, me fokus në inteligjencën artificiale dhe ekosistemet digjitale./Albinfo.ch//A.K/

Continue Reading

Lajmet

Hapet “Panairi i Gruas”, Kusari premton divizion të veçantë për gratë ndërmarrëse

Published

on

Ka nisur këtë të enjte edicioni i dytë i “Panairit të Gruas”.Hapjen e tij në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë, e bëri ministrja në detyrë e Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila si mysafire, dhe Lulzim Rafuna, si kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, si nikoqir.

Në këtë panair u jepet mundësia grave ndërmarrëse që t’i promovojnë dhe ekspozojnë bizneset e tyre.

Në fjalën e tij, Rafuna tha se kanë kuptuar se pa mbështetjen ndaj grave nuk do të ketë zhvillim të plotë.

“Ne si Odë Ekonomike e Kosovës e vlerësojmë rolin e gruas në zhvillimin ekonomik të vendit. E kemi kuptuar që pa i dhënë hapësirë dhe pa i ndihmuar, pa i ndihmuar gratë në biznese, në prodhim, në shërbime, në tregti, nuk do të mund të kemi zhvillim të plotë. Zhvillim të plotë dhe rritje do të kemi vetëm kur t’i ndihmojmë gratë që të avancohen në zhvillimin ekonomik të vendit duke i rritur bizneset e tyre”, tha Rafuna.

E ministrja Kusari Lila u shpreh se gratë ndërmarrëse kanë një rol të veqantë në politikëbërjen e saj dhe qeverisë ku bënë pjesë.

“Si ministre tash në detyrë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, gjatë gjithë kohës së angazhimit tim në këtë post e gjithashtu edhe më herët në Qeverinë e Republikës, gratë ndërmarrëse kanë pasur një rol të veçantë në politikëbërjen tonë. Prej se kemi lansuar skemat e granteve, gjithmonë është përparësi e dhënë edhe në vlerësim për gratë ndërmarrëse. Tashmë në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, në kuadër të agjencisë së re për ndërmarrësi dhe inovacion do të jetë edhe divizioni i veçantë për gratë ndërmarrëse. Divizion që synon ndërlidhjen e politikëbërjes me ekzekutimin dhe asistencën teknike të drejtpërdrejtë për gratë ndërmarrëse në Republikën e Kosovës, si dhe për promovimin e shpirtit të ndërmarrësisë edhe tek vajzat e reja që duan të jenë pjesë e ndërmarrësisë”, tha ajo.

Sanije Hyseni, grua ndërmarrëse që merret me artizanate tha se është e lumtur me këtë mundësi por u ankua se nuk po ka shitje.

“Ka rënë, ka rënë interesimi se s’po kanë, njerëzit po blejnë vetëm gjëra ushqimore e këto që po janë elementare”, tha Hyseni.

Edhe Fatmire Hyseni e vlerësoi lartë këtë mundësi për ekspozimin e punës së dorës që e bën.

“Punë dore me rruza, punë dore me qartën, me të gjitha llojet çka të ka…Edhe i bëjmë pak punët e shoqatës, edhe i shesim, edhe punë dore të mia po i blejnë, do të thotë gjithçka është e mirë”, shtoi ajo.

Organizime të tilla mirëpriten gjithmonë nga gratë ndërmarrëse./KosovaPress/A.K/

 

Continue Reading

Lajmet

Zbulim i ri arkeologjik në Spanjë: Një dhomë romake mendohet të ketë qenë bibliotekë e lashtë

Published

on

Një zbulim i ri arkeologjik në kompleksin romak Fuente Álamo, në Kordobë të Spanjës, mund të ndryshojë mënyrën se si kuptohet historia e këtij vendbanimi antik.

Sipas një studimi të publikuar në Journal of Mediterranean Archaeology, një dhomë që më parë besohej se ishte një faltore kushtuar perëndisë Mithra, mund të ketë shërbyer si bibliotekë romake.

Studiuesit nga universitetet e Kordobës dhe Granadës kanë arritur në përfundimin se Dhoma 10 është rimodeluar në shekullin e IV pas Krishtit dhe mund të jetë protobiblioteka më e vjetër e zbuluar deri më sot në Gadishullin Iberik, si dhe biblioteka më perëndimore e njohur në Perandorinë Romake.

Analizat arkitekturore kanë zbuluar elemente tipike të bibliotekave romake, përfshirë një absidë, kamare për ruajtjen e dorëshkrimeve, podium dhe hapësira që mund të kenë shërbyer për punë ose magazinim.

Nëse konfirmohet përfundimisht, kjo bibliotekë do të përbënte një nga zbulimet më të rëndësishme për studimin e jetës kulturore dhe intelektuale në Perandorinë Romake./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Nis Seminari XIX Mbarëkombëtar për mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë

Published

on

Ka nisur punimet Seminari XIX Mbarëkombëtar me mësuesit e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë dhe mërgatë, i organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë.

Seminari i këtij viti zhvillohet me temën “Motivimi i nxënësve në diasporë për mësimin e gjuhës shqipe dhe ruajtjen e identitetit kombëtar” dhe do të zgjasë deri më 31 korrik. Në të marrin pjesë mbi 200 mësimdhënës të gjuhës shqipe nga diaspora, të cilët do të shkëmbejnë përvoja dhe praktika në fushën e mësimdhënies.

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës i Kosovës, Hajrulla Çeku, zëvendësministrja e Arsimit e Shqipërisë, Orjana Osmani, mësimdhënës nga diaspora dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore.

Çeku theksoi se diaspora mbetet një pjesë e pandashme e Kosovës dhe një urë e rëndësishme lidhëse me botën. Ai nënvizoi se Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë hapa konkretë për forcimin e mësimit të gjuhës shqipe në diasporë, përmes hartimit të teksteve të përbashkëta me Shqipërinë, trajnimit të mësimdhënësve, zgjerimit të ekskursioneve për fëmijët e mërgatës dhe zhvillimit të platformave digjitale. Sipas tij, rreth 800 mësues dhe 23 mijë nxënës ndjekin mësimin e gjuhës shqipe jashtë vendit.

Nga ana tjetër, Orjana Osmani vlerësoi rolin e pazëvendësueshëm të mësuesve të diasporës në ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe. Ajo theksoi se gjuha mbahet gjallë nga ata që ua përcjellin brezave të rinj dhe përmendi forcimin e politikave për mësimin e shqipes, si dhe krijimin e Agjencisë Kombëtare për Gjuhën Shqipe, e cila synon të kontribuojë në zhvillimin dhe promovimin afatgjatë të saj.

Në emër të mësimdhënësve përshëndeti edhe Dila Rrapi, mësuese nga Italia, e cila prej dhjetë vitesh kontribuon si vullnetare në mësimin plotësues të gjuhës shqipe për fëmijët e diasporës.

Gjatë ditëve në vijim, seminari do të vazhdojë me punëtori dhe diskutime tematike mbi metodat bashkëkohore të mësimdhënies, motivimin e nxënësve për të mësuar gjuhën shqipe, si dhe sfidat dhe mundësitë për ruajtjen e identitetit kombëtar në diasporë./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara