Lajmet

​Murati: Sipas ASK-së, kemi rënie të thekuar të inflacionit

Murati tha se niveli i inflacionit për muajin maj është 5.5%, derisa në korrikun e vitit të kaluar niveli i inflacionit ka qenë14%.

Published

on

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në interpelancën e thirrur nga AAK për të raportuar, deklaroi se bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës ka rënie të theksuar të inflacionit. Ai në seancën e sotme në të cilën po kërkohet rishikimi i buxhetit dhe rritja e pagave në sektorin publik, e konsideroi si të panevojshme.

Murati tha se niveli i inflacionit për muajin maj është 5.5%, derisa në korrikun e vitit të kaluar niveli i inflacionit ka qenë14%.

“Sipas ASK, për muajin maj niveli i inflacionit është 5.5% kemi rënie të theksuar në raport kur në vitin e kaluar në muajin korrik kishte arritur niveli prej 14%. Çmimi i naftës sillet përafërsisht 1,25 cent, plus-minus varësisht se ku e blen çmimi i gruri ka rënë në 20-25 cent që është përgjysmim i nivelit që kishim para një viti kur filloi lufta në Ukraninë çmimi i vajit po ashtu litri mund të merret po ashtu me 1.20 cent. Gjitha këto komentet për të cilat thuhej se po ndikojnë në rritjen e çmimit të bukës dhe produkteve të tjera tashmë i kemi në nivelin e parainflacionit. Por, çmimet tjera nuk kanë rënë dhe kjo na tregon nuk kemi të bëjmë me inflacion të importuar, por kemi të bëjmë kryekëput me lakmin e tregtarëve për të rritur marzhat e fitimit dhe për këtë e kemi sjellë ligjin, por që po pret në Gjykatën Kushtetuese”, theksoi ai.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve e nisi fjalimin e tij duke demantuar disa të dhëna të shpalosura nga iniciuesi i kësaj interpelance, AAK.

“Në vitin 2019 para pandemisë total pagesat që kanë 2.1 miliardë euro. Në vitin 2022 total pagesa kanë qenë 2.6 miliardë euro pra janë 500 milionë euro më tepër dhe është e pavërtetë të thuhet se ka pas 500 milionë euro më pak. Nuk di kah po i merrni këto shifra e ku po bazoheni. Nëse thu nënekzekutimi tek kapitalet ajo ka ndodh çdo vit dhe ajo kryesisht tek projektet që janë me klauzolë të investimeve, të cilat janë mjete nga kredit. Mirëpo, tërësia e kontributit publik duhet të shihet sa ka shpenzim buxheti si tërësi”, theksoi ai.

Sa i përket ligjit të Pagave, ministri e Financave, Hekuran Murati tha se vitin e ardhshëm koefiencienti do të bëhet 110 dhe se po i qëndrojnë prapa premtimit të tyre.

“Rritja e tërësishme e buxhetit për pagat e sektorit publik është 16% dhe tanimë nivelin e pagave në sektorin publik mesatare e kemi bruto 720 euro apo rreth 100 euro më tepër sesa ligjit të ri të pagave dhe koeficientit 105 euro. Për më tepër gjithnjë duke qëndruar përbrenda kornizës ligjore ne kemi thënë që për vitin e ardhshëm projektbuxheti i ri do të jetë 110 dhe kësaj i qëndrojmë prapa. E konsideroj të panevojshme dhe të painformuar madje një seancë të tillë që kërkon që tash të ndryshohet diçka për të cilën ne kemi shkuar në maksimum sa i përket vitit aktual. Rritja ekonomike këtë vit parashihet të jetë rreth 5% në tre mujorin e parë shifra ka dal 3.91% kemi trend pozitiv dhe trend gradual përderia bie shkalla e inflacionit normal që kemi rritje normale të ekonomisë”, theksoi ai.

Tutje, ministri Murati tha se në Kosovë çmimi për energjinë elektrike është më i ulëti në rajon dhe se kanë subvencionuar 200 mijë familje.

Lajmet

Sërgjan Lazoviq dënohet me 12 vjet e 6 muaj burgim për krime lufte kundër popullsisë civile

Published

on

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor Sërgjan Lazoviq për krime lufte kundër popullsisë civile dhe e ka dënuar me 12 vjet e 6 muaj burg, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor më 3 shkurt 2026, raporton Ekonomia Online.

Vendimi është shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismajli, i cili ka bërë të ditur se i akuzuari është dënuar për veprën penale të krimeve të luftës kundër civilëve.

“Trupi gjykues sot, me datë 03.02.2026, në emër të popullit merr këtë aktgjykim ndaj të akuzuarit, Sërgjan Lazoviq është fajtor sepse gjatë kohës së luftës në Kosovë… ka kryer arrestime dhe privime të kundërligjshme nga liria, keqtrajtime fizike dhe psikike, plaçkitje të pasurisë së luajtshme dhe paluajtshme të komunitetit shqiptar, të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë. Arrestimet dhe keqtrajtimet, ka arrestuar, ndaluar, torturuar, maltretuar fizikisht dhe psiqikisht rreth 500 qytetarë civilë të cilët nuk ishin të përfshirë në konflikt… me këtë i akuzuari ka kryer veprën penale kundër popullsisë civile, në bazë të dispozitave ligjore të akuzuarin e gjykojnë me dënim burgimi me kohëzgjatje prej 12 vitesh e 6 muaj”, tha ai.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 19 nëntor 2024 ka ngritur aktakuzë, kundër të pandehurit Sërgjan Lazoviq, për krime lufte gjatë periudhës 1998-1999 në fshatin Panorc të Komunës së Malishevës.

Sipas aktakuzës Sërgjan Lazoviq akuzohet se në periudhën kohore 1998 – 1999, gjatë kohës së luftës në Kosovë, në fshatin Panorc, Komuna Malishevë, duke vepruar në bashkëkryerje me persona të tjerë ende të paidentifikuar, shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare dhe ka kryer arrestime dhe privim të kundërligjshëm nga liria, keqtrajtime fizike dhe psikike.

Në këtë aktakuzë janë përshkruar mënyrat dhe rrethanat e keqtrajtimeve dhe arrestimeve të popullsisë civile shqiptare, të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë.

Në aktakuzë thuhet se nga data 3 shtator 1998 deri më 5 shtator 1998, në fshatin Panorc, Komuna Malishevë, me dashje, i armatosur, i uniformuar, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, me qëllim të frikësimit, dëbimit masiv dhe spastrimit etnik të popullatës shqiptare, Lazoviq ka arrestuar, ndaluar, torturuar, maltretuar fizikisht dhe psiqikisht, rreth 500 qytetarë civilë, të cilët nuk ishin të përfshirë në konflikt.

Aty thuhet se banorët e fshatrave të Malishevës dhe Klinës së bashku me familjet e tyre, ishin detyruar që të largoheshin nga fshatrat dhe shtëpitë e tyre, duke shkuar në drejtim të bjeshkëve të fshatit Panorc dhe më të arritur në fshat popullata civile has në një postbllok të forcave policore serbe, të cilët e kishin rrethuar zonën ku ndodhej popullata civile, ku thuhet se forcat serbe fillimisht i ndajnë burrat nga gratë dhe fëmijët, këtyre të fundit u japin urdhër të largohen kurse rreth 500 meshkuj civilë shqiptarë i arrestojnë dhe i dërgojnë në drejtim të shkollës së fshatit, ku gjatë rrugës i maltretojnë dhe i rrahin, në mesin e tyre edhe të dëmtuarin Ahmet Zenuni

Gzim Mujaj/Ekonomia Online/

 

Continue Reading

Lajmet

“Nata e tmerrit” që Mitrovica nuk e harron: Masakër e planifikuar e kriminelëve serbë dhe pa drejtësi

Published

on

Nata ra mbi Mitrovicë, por me të nuk erdhi qetësia. Mes datës 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000, qyteti u mbulua nga krisma armësh, britma dhe heshtja e atyre që duhej të mbronin civilët. Për Halil Baranin, kryetar i KMDLNj-së për rajonin e Mitrovicës dhe dëshmitar i drejtpërdrejtë i ngjarjeve, ajo mbetet “nata e tmerrit”. Brenda shtëpive dhe banesave të tyre, 10 shqiptarë u pushkatuan, mes tyre edhe një fëmijë 13-vjeçar, Nderim Mehmeti. Dhuna nuk u ndal me vrasjet, dhjetëra të tjerë u plagosën e u keqtrajtuan barbarisht, ndërsa mijëra u dëbuan me dhunë.

25 persona u plagosën me armë zjarri, 93 të tjerë u keqtrajtuan fizikisht në mënyrën më barbare, pa dallim moshe apo gjinie. Dy prej të plagosurve nuk i mbijetuan pasojave të dhunës dhe vdiqën më vonë në spitalin e Prishtinës.

Të gjitha këto, sipas dëshmisë së Baranit, në prani të ushtrisë franceze dhe policisë së UNMIK-ut, që mbetën vetëm shikues të një krimi që edhe sot, pas gati tri dekadash, nuk ka marrë drejtësi.

“Nata mes datës 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000, përkujtohet jo vetëm nga unë, por nga të gjithë qytetarët e Mitrovicës, përkatësisht të pjesës së okupuar të Mitrovicës, si natë e tmerrit, sepse në prani të ushtrisë franceze dhe policisë së UNMIK-ut, brenda nëpër shtëpi dhe banesat e tyre, janë pushkatuar 10 shqiptarë. Në mesin e tyre, një fëmijë 13-vjeçar, Nderim Mehmeti. Në prani të këtyre forcave që i përmenda më herët, apo ‘paqeruajtësve’, u dëbuan me dhunë nga banesat dhe shtëpitë e tyre, pothuajse të gjithë shqiptarët që jetonin në pjesën e okupuar të qytetit. Natën e tmerrit që, ashtu e kam quajtur me kohë atëherë në 2000-tën, nata e tmerrit, jo vetëm këta 10 të pushkatuar, por kanë qenë edhe 25 të plagosur me armë zjarri, pa dallim moshe e gjinie. Të keqtrajtuar fizikisht në mënyrën më barbare 93 të tjerë, ku dy prej tyre, me 27, përkatësisht me 28 shkurt 2000, kanë vdekur në spitalin e Prishtinës. Të gjitha këto, janë bërë në prani të ushtrisë franceze dhe policisë së UNMIK-ut. Të gjithë, një pjesë e madhe e këtyre shqiptarëve, atë natë kanë kërkuar ndihmë prej francezëve dhe prej policisë së UNMIK-ut. Ata vetëm kanë bërë sehir, nuk u kanë ofruar ndihmë. Kur e kanë kryer kriminelët punën e tyre, kriminelët çetnikë serbë, kur e kryejnë punën e tyre, atëherë i kanë marrë të plagosurit, i kanë çuar në spitalin e improvizuar maroken që ka qenë në lagjen Bair të Mitrovicës. Ndërsa të pushkatuarit apo trupat e pajetë të 10 shqiptarëve, i kanë bartur prej atje, i kanë sjell në pjesën e okupuar, në pjesën tjetër, nga pjesa e okupuar e qytetit, në pjesën tjetër të qytetit të Mitrovicës”, thotë Barani për KosovaPress.

Ai tregon se masakra nuk ishte e rastësishme. Sipas tij, pas luftës së vitit 1999, Mitrovica u shndërrua në strehë për persona që kishin kryer krime ndaj shqiptarëve nëpër Kosovë. Më 2 shkurt 2000, civilë të armatosur serbë hynë në pjesën veriore të qytetit dhe evidentuan banesat ku jetonin shqiptarët. Një natë më vonë, më 3 shkurt, rreth orës 21:00, nisi sulmi që zgjati deri në orët e para të mëngjesit të 4 shkurtit, duke lënë pas viktima e plagë.

“Po dihet, sepse në Mitrovicë janë grumbulluar menjëherë pas lufte, në vitin 1999, kur kanë hyrë forcat paqeruajtëse në Kosovë, nga të gjitha qytetet e Kosovës krejt ata kriminelë që kanë bërë krime mbi popullatën shqiptare, janë vendosur në Mitrovicë. Po të njëjtit, po tash ai është i pushkatuar vetë nga bashkëkriminelët e tij, Oliver Ivanoviqi, ka qenë prijësi apo kryekrimineli, ata vetë e kanë vrarë më vonë por ai ju ka pri dhe i kanë pushkatuar brenda nëpër banesa. Duhet të ceket se më 2 shkurt, të vitit 2000 kanë ardhur një pjesë e madhe e civilëve të armatosur serbë në pjesën e okupuar të Mitrovicës dhe e kanë bërë evidentimin e banesave dhe shtëpive ku jetojnë shqiptarët. Pastaj me 3 shkurt të viti 2000, prej orës 21 kur ka filluar në mbrëmje masakrimi i shqiptarëve ka zgjatur deri në orën 4 të mëngjesit të datës 4 shkurtit. Brenda kësaj kohe janë pushkatuar, përkatësisht plagosur dhe keqtrajtuar fizikisht në mënyrën më barbare ata shqiptarë”, thotë ai për KosovaPress.

Barani të gjitha deklaratat e dëshmitarëve për rastin e 14 prillit 1999 dhe rastin e 4 shkurtit 2000 i ka deponuar me 25 shkurt 2013 në Prokurorinë e EULEX-it.

Por, edhe pas gati tri dekadash, drejtësia për këtë masakër mungon. Barani thekson se në Kosovë janë kryer mbi 400 masakra dhe se ajo e Mitrovicës mbetet ndër më të rëndat, pikërisht sepse ndodhi në prani të forcave ndërkombëtare. Ai kujton se, ndonëse ka dëshmuar edhe në Hagë për krimet e kryera ndaj shqiptarëve, askush nuk është mbajtur përgjegjës për atë që ndodhi atë natë në Mitrovicë.

“More nuk është vendosur drejtësi për të gjitha masakrat që janë mbi 400 masakra në mbarë Kosovën, anë e mbanë, se jo për kjo, po kjo është më e llahtarshmja, kjo është më e rëndësishmja sepse është kry masakra në praninë e forcave të ashtuquajtura paqerujtëse, apo policisë së UNMIK-ut dhe ushtrisë franceze. Në shkurt të vitit 2002, unë kam qenë edhe në Hagë si dëshmitar kundër kasapit të Ballkanit për krimet që i ka bo, me ushtrinë dhe policinë dhe civilët e armatosur serb në Kosovë, dhe të gjitha këto janë prezantuar, edhe ato të mëhershmet. Se në Mitrovicë janë 12 masakra gjithsej, ’98, ’99. Po kjo është masakra e fundit që ka ndodh para syve të këtyre që kanë ardh si paqerujtës. Po asgjë. Më vonë, pas vitit 2000, 2002 në realitet, është akuzuar kryekrimineli Oliver Ivanoviq dhe është dënuar me nëntë vite burg. Pastaj është kthyer nga apeli në rigjykim lënda e tij, dhe është liruar ai deri në gjykimin tjetër. Po, e vranë bashkë-veprimtarët, bashkë-kriminelët e tijna vet, kështu që mbet pa u gjykuar askush. Ka edhe të tjerë, kanë me emër e mbiemër kanë qenë në gjyq. Deri më tani, nuk ka asgjë në atë drejtim”, rrugën Barani.

Në qytetin ku, janë vrarë gjithsej 544 shqiptarë civilë, përfshirë fëmijë, gra shtatzëna, të moshuar dhe persona të paralizuar të pushkatuar në shtrat, familjarët e viktimave vazhdojnë të jetojnë me kujtime, dhimbje dhe pritje të pafundme. Sot, ata përkujtohen rrallë, siç thotë Barani, zakonisht vetëm në kohë fushatash zgjedhore, ndërsa “nata e tmerrit” mbetet një plagë e hapur në kujtesën e Mitrovicës dhe të Kosovës.

“Familjarët e viktimave, jo vetëm të këtyre të shkurtit, të 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, po edhe ato sepse, para këtyre, sepse në Mitrovicë gjithsej janë vrarë 544 shqiptarë, pa dallim moshe e gjinie. Në mesin e tyre fëmijë, gra shtatzëna, pleq, plaka, pleq dhe plaka të paralizuar, të shtrirë nëpër shtretër dhe janë pushkatuar të gjithë. Të gjithë kanë pritur një kohë të gjatë, por tashmë i kanë humbur shpresat, sepse askush, deri kur të vijnë zgjedhjet, askush nuk i përmend. Ndërsa kur vijnë zgjedhjet, fillojnë me i përmend aty-këtu, po edhe ato shkarazi shkojnë edhe kalojnë këto punë”, thekson ai.

3-4 shkurti i vitit 2000 vazhdon të jetë një kujtesë e gjallë e një krimi. Atë natë u vranë: Nderim Ajeti, Nerimane Xhaka, Remzije Canhasi, Selime Berisha, Nezir Voca, Shqipe Voca, Bashkim Rrukeci, Nimon Sejdiu, Sebiha Abrashi dhe Muharrem Sokoli.

/Kosovapress/

 

Continue Reading

Lajmet

Presidentja Osmani në Emiratet e Bashkuara Arabe

Published

on

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar zyrtarisht në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku do të marrë pjesë në Samitin Botëror të Qeverisjes, për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për të promovuar vizionin e Kosovës për zhvillim dhe inovacion.

Presidentja Osmani në këtë Samit është ftuar nga Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Lartmadhëria e Tij, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan. Në Samit do të marrin pjesë edhe shumë liderë nga mbarë bota, me të cilët Presidentja do të ketë takime bilaterale për të diskutuar mundësi bashkëpunimi dhe projekte të përbashkëta strategjike.

Gjatë vizitës, Presidentja Osmani do të marrë pjesë në sesione kyçe të Samitit, ku do të mbajë ndër fjalimet kryesore. Ajo gjithashtu do të marrë pjesë në sesione të ndryshme të forumit dhe tryeza tematike.

Samiti Botëror i Qeverisjes shërben si një platformë globale që bashkon liderë, organizata ndërkombëtare e kompani për të diskutuar të ardhmen e qeverisjes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Continue Reading

Lajmet

Studentët e Fakultetit të Shkencave të Ushqimit në UBT realizojnë vizitë studimore në verarinë “Stone Castle” në Rahovec

Published

on

By

Fakulteti i Shkencave të Ushqimit në UBT ka realizuar një vizitë studimore në vreshtarinë dhe verarinë e njohur “Stone Castle” në Rahovec, në kuadër të aktiviteteve akademike dhe praktike që synojnë përgatitjen profesionale të studentëve sipas standardeve bashkëkohore të industrisë ushqimore.

Kjo vizitë kishte për qëllim njohjen nga afër me proceset teknologjike të kultivimit të rrushit, prodhimit të verës, kontrollit të cilësisë, sigurisë ushqimore dhe menaxhimit të industrisë së pijeve alkoolike, duke ofruar një përvojë të drejtpërdrejtë praktike për studentët e këtij fakulteti.

Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të ndjekin nga afër fazat kryesore të prodhimit të verës, duke u njohur me teknologjitë moderne që aplikohen në këtë sektor, standardet ndërkombëtare të cilësisë dhe procedurat e sigurisë ushqimore. Po ashtu, ata zhvilluan diskutime profesionale me stafin e verarisë “Stone Castle”, duke shkëmbyer përvoja konkrete nga praktika industriale.

Këto aktivitete janë pjesë përbërëse e filozofisë së Fakultetit të Shkencave të Ushqimit në UBT, i cili fokusohet në ndërlidhjen e dijes teorike me praktikën reale në industri, duke përgatitur kuadro të afta për tregun vendor dhe ndërkombëtar të punës. Përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm me biznese dhe kompani lidere në sektorin ushqimor, UBT u ofron studentëve mundësi reale për zhvillim profesional dhe karrierë të qëndrueshme.

Vizitat studimore të tilla përforcojnë rolin e UBT-së si institucion i arsimit të lartë që promovon mësimdhënien praktike, inovacionin dhe partneritetin me industrinë, duke krijuar ura të forta ndërmjet akademisë dhe ekonomisë vendore.

Continue Reading

Të kërkuara