Lajmet

​Murati dorëzon kallëzim penal për shpronësimet e rrugës Kijevë-Zahaq

Published

on

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka dërguar në Prokurorinë Speciale kallëzimin penal lidhur me procesin e shpronësimeve për projektin e ndërtimit të rrugës nacionale Prishtinë – Pejë, përkatësisht segmentin Kijevë – Klinë – Zahaq, për të cilën raporti i auditimit ka gjetur një shpërputhje prej mbi 12 milionë eurove.

Sipas një komunikate të ministrisë, për qëllime të këtij projekti ishte paraparë shpronësimi i 1,059 pronave, prej të cilave 858 ishin prona private, 148 prona shoqërore dhe 53 prona të privatizuara nga procesi i privatizimit.

“Të gjeturat e auditorit shpërfaqin shkelje të shumta në këtë proces, duke u nisur nga mungesa e buxhetimit të mjeteve që është kërkesë ligjore, e deri tek mos-respektimi i kritereve dhe procedurave të vlerësimit. Mirëpo më kryesorja që duhet të theksohet është shpërputhja e vlerave në mes të tabelës së vlerësimit të dorëzuar fillimisht nga Departamenti i Tatimit në Pronë tek asokohe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me datë 17 maj 2019, dhe vlerave në tabelën e miratuar nga Qeveria me datë 17 dhjetor 2019. Bazuar në tabelat e Departamentit të Tatimit në Pronë, segmenti në fjalë është vlerësuar me shumën prej 31,040,729 euro. Pas këtij vlerësimi, më 17 dhjetor 2019 Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka proceduar propozim-vendimin në Mbledhje të Qeverisë për të miratuar shpronësimin e pronave të këtij segmenti mirëpo me tabela tjera, e që për parcelat e njëjta në total kapin shumën për shpronësim prej 43,462,518 euro. Në krahasim me vlerësimin e dorëzuar nga DTP, shuma e miratuar nga Qeveria paraqet një dallim prej mbi 12 milionë euro shtesë në vlerësim. Ky dallim vie për shkakun se për disa parcela me pronarë specifikë, në tabelat e miratuara nga Qeveria që dallojnë nga vlerësimi fillestar, është bërë dyfishimi i vlerës së shpronësimit duke rezultuar kësisoj në fryrje të kostos së përgjithshme të shpronësimit, dhe potencialisht në dëmtim të buxhetit. Si ministri, jemi të gatshëm që, përveç raportit të auditimit, t’i ofrojmë prokurorisë bashkëpunim të parezervë për t’u siguruar që keqbërësit të vihen para drejtësisë. Qytetarët duhet të ndihen të sigurt se ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur për të parandaluar çdo abuzim të mundshëm me paranë publike dhe jemi të përkushtuar që rastet e tilla të dërgohen para organeve të rendit”, thuhet në komunikatë.

MFPT thekson se në linjë me prioritetet e Qeverisë, do të vazhdojë punën në mënyrë transparente e llogaridhënëse për të krijuar një sistem të qëndrueshëm e të besueshëm të menaxhimit të financave publike.   

Lajmet

Maqedonci takohet me zëvendëskryeministrin çek, flasin për industri mbrojtëse dhe trajnime ushtarake

Published

on

By

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka zhvilluar një takim me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Mbrojtjes të Republikës Çeke, Jaromír Zůna, në kuadër të takimit të CEDC–Western Balkans (Bashkëpunimi i Mbrojtjes i Evropës Qendrore – Ballkanit Perëndimor).

Gjatë këtij takimi, dy ministrat diskutuan për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes.

Vëmendje e veçantë iu kushtua bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes, transferimit të teknologjisë ushtarake, si dhe thellimit të partneritetit në fushën e trajnimit dhe edukimit ushtarak për pjesëtarët e forcave të mbrojtjes.  /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Profesorët e UBT-së publikojnë punim të ri shkencor në revistën ndërkombëtare “Pharmacoepidemiology”

Published

on

By

Profesorët e UBT-së kanë shënuar një tjetër arritje të rëndësishme shkencore me publikimin e punimit të tyre më të ri me titull “Evaluation of Systemic Pharmacotherapy in Bacterial Skin Infections: Adherence to Clinical Guidelines and Factors Associated with Treatment Outcomes” në revistën prestigjioze ndërkombëtare Pharmacoepidemiology (MDPI).

Kjo revistë është me Impact Factor 1.6, e indeksuar në platformat shkencore Scopus dhe Web of Science (ESCI), si dhe e renditur në kuartilin Q2 sipas SCImago Journal Rank (SJR).

Studimi trajton farmakoterapinë sistemike të infeksioneve bakteriale të lëkurës, nivelin e zbatimit të udhëzimeve klinike dhe faktorët kyç që ndikojnë në rezultatet e trajtimit. Përmes të dhënave nga praktika reale klinike, ky punim jep një kontribut të rëndësishëm në promovimin e përdorimit racional të antibiotikëve dhe forcimin e parimeve të antimicrobial stewardship në mjekësi.

Ky botim është rezultat i bashkëpunimit shkencor të profesorëve të UBT-së me kolegë nga University of Maribor dhe Jacksonville University. Autorë të studimit janë Lirim Shefki Mustafa, Arieta Hasani Alidema, Mirlinda Havolli, Linda Connelly dhe Fitim Bexhet Alidema.

Punimi është publikuar në Pharmacoepidemiology (2026, Volume 5, Article 38).

Punimi i plotë mund të lexohet këtu.

 

Continue Reading

Lajmet

Sekuestrohen 9.4 kg marihuanë në Gjakovë

Published

on

Policia e Kosovës ka njoftuar se të hënën ka sekuestruar 9.4 kilogramë substancë narkotike të llojit marihuanë që është gjetur në fashitin Popoc në Gjakovë. 

Lënda narkotike dyshohet se ishte fshehur aty të dielën nga persona të dyshuar derisa ishin në ndjekje nga patrulla policore kufitare.

“Me datën 21 shtator 2026, gjatë patrullimit dhe punës intensive në terren të njësiteve policore të Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare “Perëndimi” Gjakovë,  është arritur që të identifikohet dhe të lokalizohet vendi ku ishin fshehur disa lëndë narkotike. Persona të dyshuar, një natë më parë, përderisa ishin nën ndjekje nga patrullat policore kufitare, kishin fshehur lëndën narkotike dhe kishin braktisur automjetin”, thuhet në njoftimin e Policisë. 

Tutje thuhet se në vendin e ngjarjes që është zonë e brezit kufitar, persona të dyshuar kanë  fshehur dhe kanë braktisur tri çanta  dhe një qese, të mbushura me  lëndë narkotike. 

Një i dyshuar, shtetas turk, pasi ishte identifikuar thuhet se është arrestuar nga njësitë policore në Prishtinë dhe Mitrovicë e Jugut, të cilët ishin në asistim policor.

“Lidhur me rastin janë njoftuar njësitet relevante dhe prokurori  kujdestar i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, me urdhër të të cilit është iniciuar rasti ‘blerje, posedim, shitje e paautorizuar e lëndëve narkotike’, përderisa pas intervistimit personi është liruar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim. /A.K/

Continue Reading

Lajmet

Të paktën 8 të plagosur nga të shtënat me armë afër një shkolle në Turqi

Published

on

By

Të paktën tetë persona kanë mbetur të plagosur, prej të cilëve njëri në gjendje të rëndë, pasi një person i armatosur hapi zjarr të martën në afërsi të një shkolle të mesme në Turgutlu të provincës Manisa, në perëndim të Turqisë.

Sipas zyrës së guvernatorit lokal, sulmi ndodhi rreth orës 07:59. I dyshuari shtëni pranë hapësirës së shkollës dhe u largua nga vendngjarja, por u kap dhe u arrestua me shpejtësi nga forcat e sigurisë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë ekipet mjekësore dhe ato policore, ndërsa autoritetet kanë rritur masat e sigurisë përreth zonës.

Motivet e këtij sulmi mbeten ende të panjohura.

Ky incident pason një seri ngjarjeve të ngjashme tragjike në shkollat e Turqisë. Në prill, një 14-vjeçar vrau 9 nxënës dhe një arsimtar në provincën Kahramanmaraş, ndërsa në një tjetër rast në Şanlıurfa, një ish-nxënës plagosi 16 persona para se të kryente vetëvrasje. Ngjarjet kanë nxitur reagime të forta publike, duke shtyrë presidentit Recep Tayyip Erdoğan të paralajmërojë masa të reja ligjore për kufizimin e posedimit të armëve.

 

Continue Reading

Të kërkuara