Lajmet

​Miratohet Strategjia e Sigurisë 2022-2027

Kurti tha se synimi strategjik i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe BE.

Published

on

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar strategjinë e sigurisë për vitet 2022-2027, e cila është e dyta që nga shpallje e pavarësisë së Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti tha se strategjia për sigurinë është hartuar në bashkëpunim dhe konsultim me të gjitha institucionet shtetërore, e në veçanti me ato të fushës së sigurisë. Sipas tij, kjo strategji i është nënshtruar procesit të konsultimit të brendshëm e të jashtëm, përfshirë edhe shteteve të QUINT-it.

Kjo është strategjia ombrellë e sektorit të sigurisë ndaj një rreziku, kërcënimit dhe sfidat për sigurinë e vendit tonë. Njëkohësisht paraqet mundësitë dhe vizionin për të ardhmen tonë… Strategjia paraqet objektivat e ndërlidhura me interesat shtetërore, siç janë mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial, ruajtja e rendit kushtetues dhe sigurisë publike, siguria njerëzore dhe zhvillimi shoqëror, si dhe integrimi në strukturat euroatlantike dhe mekanizmat e tjerë ndërkombëtare. Synimi strategjik i Kosovës është anëtarësimi në NATO”, ka thënë Kurti.

Ai shtoi se synimi strategjik i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe BE, si parakusht për sigurinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit tonë.

Kosova do të aplikojë në Programin e Partneritetit për Paqe dhe anëtarësim në Kartën e Adriatikut, si dhe mekanizma të tjerë rajonal të sigurisë. Njëkohësisht, Kosova do të aplikojë për statusin kandidat dhe do të zbatojë reformat e nevojshme për të lehtësuar procesin e integrimit në BE”, ka thënë ai.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe udhëzimin administrativ për mbrojtjen e fëmijës kundër faqeve të internetit me përmbajtje pornografike dhe të atyre që dëmtojnë shëndetin dhe jetën e fëmijës.

Me qëllim të mbrojtjes dhe kujdesit ndaj shëndetit të fëmijëve tanë, Ministria e Punëve të Brendshme ka hartuar këtë projekt-udhëzim administrativ, i cili do të definojë zbatimin dhe kompetencat e institucioneve relevante që të garantojnë zhvillim të shëndoshë të fëmijëve tanë. Ky projekt-udhëzim bazohet edhe në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës dhe përmban fëmijët nga çdo përmbajtje e papërshtatshme që ndikon në zhvillimin fizik, kognitiv dhe emocional të fëmijës”, ka thënë Kurti.

Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka emëruar edhe bordin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, i cili do të kryesohet nga Dafina Gexha-Bunjaku nga Ministria e Shëndetësisë. Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka prezantuar përbërjen e bordit të këtij fondi.

Propozoj sot që ta aprovojmë bordin e ri të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, me këtë përbërje: Dafina Gexha-Bunjaku nga Ministria e Shëndetësisë, Ahmet Ismaili nga Ministria e Financave dhe Transfereve, Klit Shala nga Ministria e Financave dhe Transfereve, Kastriot Meqa përfaqësues i Odës së Profesionistëve Shëndetësorë, Agreta Gashi përfaqësuese e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, Fahri Shabani, përfaqësues i Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe Muhamed Alikodra, përfaqësues i Shoqatës së Pacientëve”, ka thënë Latifi.

Qeveria ka marrë vendim edhe për obligimin e bizneseve për shërbim të ujit të pijshëm nga rubineti.

Propozoj aprovimin e vendimit që në rastet kur objektet e gastronomisë furnizohen nga ujësjellësi publik, pronari i biznesit nuk mund të ndalojë klientët të shërbehen nga uji i rubinetit. Në rastet kur objekti i gastronomisë pretendohet të furnizohet nga uji i puseve, rezervuarëve apo rrjeteve që nuk menaxhohet prej kompanive rajonale të ujit, pronari i biznesit obligohet që të hartojë dhe zbatojë planin e monitorimit operacional të cilësisë të ujit”, ka thënë Latifi.

Mes tjerash, është miratuar edhe nisma legjislative për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Noterinë. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se janë më shumë se nëntë komuna që nuk kanë noterë.

Aktualisht janë më shumë se nëntë komuna të cilat nuk kanë noterë për shkak se një vendim, i cili ka rrëzuar një proces të provimit të noterisë, është ende pranë Gjykatës së Apelit. Prandaj, në këto rrethana të jashtëzakonshme ligji parasheh që ministri i Drejtësisë të ketë të drejtën e caktimit të noterit në një komunë përkatëse. Dhe duke pasur parasysh nevojat e qytetarëve për shërbime noteriale konsiderojmë si qeveri se i njëjti duhet të mbështetet”, ka thënë Haxhiu.

Ekzekutivi sot ka miratuar gjashtë nisma për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare me Pakistanin, Irlandën, Egjiptin, Jordaninë, Letoninë dhe Lituaninë për ripranimin e personave që qëndrojnë pa autorizim.

Vendi

Takimet me LDK e PDK, Kurti: Nuk priten zgjedhje të reja

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se ka konstatuar gatishmëri për zgjedhjen e presidentit, por se bashkëpunimi mes LVV dhe LDK nuk garanton automatikisht përfundimin e këtij procesi.

Sipas Kurtit, të dy partitë politike disponojnë 81 vota, dhe nga ky numër mund të bjerë vetëm një deputet, por jo më pak se 80. Ai ka vlerësuar takimet me Abdixhikun dhe me Bedri Hamza nga PDK-ja si konstruktive dhe me përmbajtje pozitive.

“Zellë për zgjedhje të reja nuk shoh as te LDK, as te PDK, dhe kjo më jep shpresë që nuk do të ketë zgjedhje të reja,” tha kryeministri.

Ndërkaq, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka konsideruar takimin mbi dyorësh me Kurtin si konstruktiv dhe me përmbajtje të qartë. Ai ka shtuar se për zgjedhjen e presidentit nevojitet një marrëveshje klasike mes partive ose konsensus mbi një kandidat të vetëm, dhe se LDK nuk ka plan të hyjë në qeveri./Kosovapress/

 

Continue Reading

Vendi

Kurti takon Përfaqësuesin e UNDP-së, rikonfirmohet bashkëpunimi strategjik

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim Përfaqësuesin e Përhershëm të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Nuno Queirós.

Perfaqwsuesi Queirós e uroi Kryeministrin Kurti për mandatin e tij të ri dhe kabinetin qeveritar.

Ndërkaq, Kryeministri Kurti falënderoi Queirós për bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe UNDP-së, duke theksuar se UNDP mbetet një partner strategjik në forcimin e institucioneve dhe në zbatimin e reformave me rezultate konkrete për qytetarët.

Në takim u rikonfirmua gatishmëria për bashkëpunim në fusha me prioriet si lufta kundër korrupsionit dhe sundimi i ligjit, mbrojtja e trashëgimisë kulturore, dokumentimi dhe adresimi i krimeve të luftës, mbrojtja e mjedisit dhe tranzicioni i gjelbër, si dhe reforma në arsim dhe ngritja e kapaciteteve institucionale.

Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e reformës në prokurimin publik, me fokus në rritjen e transparencës, digjitalizimin e proceseve dhe forcimin e mekanizmave mbrojtës kundër keqpërdorimit të fondeve publike.

Ai bëri me dije se qeveria do të vazhdojë me miratimin e strategjisë anti-korrupsion dhe ligjit për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Të dy palët theksuan se bashkëpunimi i deritanishëm ka dhënë rezultate të prekshme dhe shprehën përkushtimin për ta thelluar më tej partneritetin në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm dhe forcimit të institucioneve të Republikës së Kosovës.

 

Continue Reading

Vendi

Dialogu Kosovë-Serbi nën udhëheqjen e Konjufcës

Published

on

By

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, priti sot Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen, ku diskutuan mbi zhvillimet e fundit në dialog dhe mënyrën e avancimit të tij.

Gjatë takimit, Konjufca informoi  Sørensen se nga tani procesi i dialogut do të udhëhiqet nga ai personalisht, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. U shkëmbyen pikëpamje mbi momentumin aktual të dialogut dhe parimet që mund të sigurojnë një proces më efektiv dhe të qëndrueshëm.

Konjufca theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar që dialogun ta shohë si mundësi për përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë, si dy shtete sovrane në rrugën e tyre drejt integrimit evropian.

Konjufca dhe Sørensen u pajtuan mbi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian për një dialog konstruktiv dhe të rezultateve konkrete.

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu dhe ambasadori britanik diskutojnë zgjedhjen e Presidentit

Published

on

By

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ku biseduan mbi marrëdhëniet e mes dy vendeve, zhvillimet aktuale institucionale dhe proceset lidhur me Presidencën.

Gjatë takimit, Kryetarja Haxhiu shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës, veçanërisht në faza kyçe të zhvillimit të saj, duke theksuar progresin e arritur në konstituimin e institucioneve dhe në kalimin e fazave të rëndësishme.

Ambasadori Hargreaves e përgëzoi Kryetaren Haxhiu për zgjedhjen në detyrë dhe vlerësoi përparimin e shpejtë të Kuvendit në miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe buxhetit për vitin 2026. Ai gjithashtu diskutoi me Kryetaren për zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe shprehu pritshmëri për bashkëpunim të ngushtë mes parlamenteve të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Në këtë takim u ritheksua nga të dy palët gatishmëria për thellimin e bashkëpunimit dhe forcimin e partneritetit ndërmjet dy vendeve, duke përfshirë edhe intensifikimin e shkëmbimeve parlamentare që lidhen me institucionet e larta të shtetit.

Continue Reading

Të kërkuara