Lajmet

​Ministria e Shëndetësisë ka porositur 300 vaksina për mbrojtje nga kanceri në qafë të mitrës

Ajo shtoi se tani janë në fazën e themelimit të Bordit Nacional për kontroll të kancerit, pasi bordi aktual është jo aktiv.

Published

on

Ministria e Shëndetësisë ka porositur 300 vaksina kundër papilloma virusit (HPV), vaksinë kjo që mbron nga sëmundja e kancerit të qafës së mitrës. Kështu ka bërë të ditur zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha, e cila mori pjesë në tryezën e organizuar nga Këshilli për Zhvillim të Qëndrueshëm i Kuvendit të Kosovës, ku u diskutua rreth përmbushjes së Objektivit 3 “Shëndeti i Mirë dhe Mirëqenia”, përkatësisht tema: Shëndeti i Mirë dhe Mirëqenia: Parandalimi i Kancerit të qafës së Mitrës.

Gexha u shpreh se kjo ministri në kuadër të Strategjisë 2021-2025 i jep prioritet trajtimit të sëmundjeve ngjitëse përmes hartimit të Programit të Sëmundjeve Ngjitëse 2022-2032. Ajo shtoi se tani janë në fazën e themelimit të Bordit Nacional për kontroll të kancerit, pasi bordi aktual është jo aktiv.

“Ministria e Shëndetësisë në kuadër të politikave të veta është në fazën e themelimit të Bordit Nacional për kontrollimin e kancerit për shkak se Bordit i ka skaduar afati dhe besoj që me funksionalizimin e Bordit të ri do t’i hapim rrugë edhe hartimit dhe zbatimit të programeve të ndryshme për kancer ndër të cilat, programi për kancer në qafë të mitrës do të jetë prioritet duke ditur që kanceri i qafës së mitrës me zbulimin e hershëm por edhe me vaksinim mund të parandalohet… Këtë vit është planifikuar që në kuadër të zgjerimit të programit të vaksinimit të përfshihet edhe vaksina kundër HPV-së kjo do të jepet në rastet me indikacionet epidemilogjike dhe për informacionin tuaj janë planifikuar dhe janë porositur 300 vaksina HPV për grup-moshat 12-26 vjeç, kjo është për vitin 2022, ndërsa në kuadër të planit të programit të zgjeruar të imunizimit 2023 janë paraparë të shtohen edhe tre vaksina të reja ndër to është edhe vaksina HPV”, tha ajo.

E futjen e vaksinës HPV në planin e vaksinimit e ka mirëpritur koordinatorja për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson e cila konsideron se kjo vaksinë do të duhet të bëhet obligative.

“Mendoj se i kemi të gjitha elementet në dispozicion për të marrë një vendim për ta futur këtë si një nga vaksinat e obligueshme, një nga vaksinat e përgjithshme në programin e vaksinimit në Kosovë, kështu që është vërtet shumë inkurajuese ta dëgjosh këtë. Siç mund ta kuptoja, kjo është në planin tuaj për vitin 2023. Ka shumë gjëra për të menduar kur të prezantoni këtë lloj vaksine. Ka shumë përvojë nga shumë vende të ndryshme në rajon dhe më gjerë, dhe është gjithashtu shumë e rëndësishme që të kuptohet nga shoqëria se pse është futur kjo vaksinë, sepse në disa vende ka qenë mjaft e diskutueshme për sa i përket futjes së një vaksine të tillë. Vaksina për vajzat dhe djemtë e rinj në shkolla. Pra duhet të ketë një bashkëpunim shumë të ngushtë me shkollat… Ka nevojë për planifikim vërtet të kujdesshëm. Ka nevojë për shumë përgatitje nga mësuesit, nga mjekët, në mënyrë që familjet të kuptojnë pse kjo është e rëndësishme, e mos të përmendim shpjegimin që ju duhet bërë fëmijëve, sepse kur flasim për fëmijët, vaksinimi mund të fillojë që nga mosha 9-vjeçare. Duhet shpjeguar se pse kjo gjë është parë si e nevojshme”, u shpreh ajo.

Kryetarja e Këshillit për Zhvillim të Qëndrueshëm të Kuvendit të Kosovës, Fatmire Kollçaku u shpreh se pandemia COVID-19 dhe zgjedhjet parlamentare që u përballë vendi në këto dy vite kanë ndikuar që agjenda e këtij Këshilli të mbes mbrapa.

Kollçaku tha se nga kjo tryezë diskutimi që zhvilluan sot rekomandimi kryesor duhet të jetë sigurimi i vaksinës HPV për parandalimin e kancerit në qafë të mitrës.

“Fokus tema është kanceri i qafës të mitrës dhe fokus tema është që ai mund të parandalohet për dallim nga shumë forma tjera të kancerit që vetëm mund të diagnostikohen do të thotë që ky është edhe prej atij që mund të parandalohen me aplikim të vaksinës HPV, prandaj si rekomandim kryesor nga kjo tryezë pres që ne të gjithë ta argumentojmë fuqishëm pse do të duhen të ndahen fonde si shtet dhe pse duhet gjetur mënyra për mbështetje nga donatorët….megjithatë të flasim për rëndësinë e një vaksine që megjithatë shpëton jetë”, theksoi ajo. 

Lajmet

Trepça rikthen në menaxhim lokalin në Sheshin e Mitrovicës së Veriut pas 27 vjetësh

Published

on

Trepça ka rikthyer në menaxhim një lokal në Sheshin e Mitrovicës së Veriut, për të cilin ndërmarrja thotë se kishte qenë jashtë menaxhimit të saj për 27 vjet.

Rikthimit të pronës i ka paraprirë njoftimi zyrtar i 27 gushtit 2026, përmes të cilit Trepça, duke u bazuar në të dhënat e Certifikatës së Pronësisë, kishte kërkuar lirimin e pronës dhe paraqitjen e dokumentacionit që dëshmon të drejtën e shfrytëzimit.

Sipas ndërmarrjes, pas përfundimit të procedurave, lokali është rikthyer nën menaxhimin e Trepçës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“Liria Ka Emër” para EULEX-it: “Shpalleni të pafajshëm!”

Published

on

Aktivistë të platformës qytetare “Liria Ka Emër” kanë zhvilluar të martën një aktivitet simbolik para objektit të EULEX-it në Prishtinë, ku ndodhet edhe Zyra e Dhomave të Specializuara.

Gjatë aktivitetit është vendosur pankarta me mesazhin “Në emër të popullit, shpalleni të pafajshëm!”, ndërsa platforma ka kërkuar drejtësi dhe liri për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Para mediave foli Flaka Fazlija, vajzë dëshmori, e cila tha se kërkesa e tyre nuk është për hakmarrje, por për drejtësi, duke theksuar se procesi në Hagë nuk duhet të shkëputet nga konteksti historik i luftës së Kosovës.

“Ne nuk kërkojmë hakmarrje. Ne kërkojmë drejtësi. Ama drejtësia nuk mundet me qenë e drejtë nëse e harron historinë”, deklaroi Fazlija.

Ajo tha se më 16 shtator, kur pritet vendimi për ish-krerët e UÇK-së, nuk pritet vetëm një aktgjykim, por edhe një përgjigje që, sipas saj, ka rëndësi për mënyrën se si trajtohet historia e Kosovës.

Fazlija iu bëri thirrje institucioneve ndërkombëtare që të mos harrojnë sakrificën mbi të cilën është ndërtuar Republika e Kosovës.

Ndërkohë, platforma “Liria Ka Emër” ka paralajmëruar vazhdimin e aktiviteteve në prag të Marshit për Liri, i cili do të mbahet më 12 shtator, nga ora 14:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

PISA 2025: Rënie në matematikë, Kosova mbetet nën OECD

Published

on

Sipas rezultateve, Kosova ka marrë mesatarisht 357 pikë në shkencë, 340 pikë në lexim dhe 350 pikë në matematikë. Krahasuar me vitin 2022, rezultati në shkencë ka mbetur i njëjtë, leximi ka rënë nga 342 në 340 pikë, ndërsa matematika nga 355 në 350 pikë.

Rezultati më i lartë është shënuar në fushën e zgjidhjeve kompjuterike, me 359 pikë. Megjithatë, rezultatet e Kosovës në të gjithë treguesit kryesorë mbeten nën mesataren e vendeve të OECD-së.

Raporti tregon gjithashtu performancë më të lartë të vajzave, veçanërisht në shkencë dhe lexim. Në shkencë vajzat kanë marrë 366 pikë, ndërsa djemtë 347, kurse në lexim diferenca është edhe më e madhe, 358 pikë për vajzat dhe 322 për djemtë. Në matematikë rezultatet janë pothuajse të barabarta.

Vetëm rreth 21 për qind e nxënësve në Kosovë kanë arritur të paktën Nivelin 2 në shkencë, ndërsa në matematikë kjo përqindje është 15 për qind dhe në lexim rreth 16 për qind.

Raporti rekomandon përmirësimin e cilësisë së të nxënit, si dhe përdorimin më efektiv të teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale për kërkim, analizë, verifikim dhe krijim të pavarur të njohurive.

Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se rezultatet do të analizohen në detaje dhe do të shërbejnë si bazë për ndërhyrjet dhe përmirësimet në Strategjinë e re të Arsimit.

Në PISA 2025, në krye të renditjes u pozicionuan Kina dhe Singapori./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 8 shtator 1993-1998

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 

Ilustrim: Adem Demaçi

 

 

8 shtator 1994

 

Adem Demaçi kandidat për Çmimin Nobel për Paqe

 

Numri i kandidatëve për Çmimin Nobel për Paqe për këtë vit arriti në 130 – informon drejtori i fondit të këtij çmimi. Në mesin e kandidatëve të mundshëm për pmimin më të lartë për paqe në botë është edhe shkrimtari i njohur nga Kosova, Adem Demaçi, njofton gazeta e sotme “Bujku”, duke iu referuar “Zërit të Amerikës”.

 

 

8 shtator 1995

 

Adnan Merovci u mor në sigurimin shtetëror serb

 

Më 7 shtator, në orën 8.00, një inspektor i sigurimit serb në Prishtinë, kërkoi nga Adnan Merovci, sekretar teknik në Zyrën e kryetarit Rugova, që të paraqitet në sigurimin shtetëror serb në Prishtinë.

Zoti Merovci u paraqit në orën 10:00 dhe nuk u lirua ende.

Atij nuk i ishte dhënë asnjë shpjegim se përse po thirrej në sigurimin serb.

Sigurimi serb nuk dha asnjë shpjegim as më vonë. Mirëpo njoftohet se ai po mbahet në paraburgim prej 3 ditësh me vendim të policisë serbe.

Zoti Merovci e ka përcjellë vazhdimisht kryetarin e Republikës së Kosovës gjatë udhëtimeve diplomatike nëpër vendet e ndryshme të botës.

 

Policia arrestoi Milazim Krasniqin dhe ndërpreu punën e redaksisë së gazetës “Bota sot”

 

Policia serbe ndërpreu sot rreth orës 11:00 punën e redaksisë së Pishtinës të gazetës së përditshme “Bota sot” që botohet në disa shtete të Evropës dhe arrestoi redaktorin e saj në Prishtinë, Milazim Krasniqin.

Milazim Koci, anëtar i kësaj redaksie, tha se në orën 11:00 në lokalet e redaksisë hynë pesë inspektorë të sigurimit shtetëror serbë dhe legjitimuan e morën në pyetje anëtarët e redaksisë e bashkëpunëtorët tjerë e qytetarë që rastësisht qëlluan në lokalet e redaksisë.

Pas kontrollit dhe bastisjes, policët urdhëruan largimin e gazetarëve nga lokali, arrestuan redaktorin Milazim Krasniqi dhe morën pajisjen komplete tenknike të redaksisë: 2 telefonë, 1 faks, tre kompjuterë, 1 printer, si edhe tekstet e përgatitura për numrin e nesërm të gazetës.

Me këtë ndërhyrje policia praktikisht pamundësoi punën e kësaj redaksie.

Me gjithë insistimin e anëtarëve të redaksisë, inspektorët serbë nuk e justifikuan me asgjë ndërhyrjen e tyre.

Redaksia njofton se është në procedurë e sipër që nga 15 gushti kërkesa për regjistrimin e kësaj redaksie.

 

 

8 shtator 1997

 

Ditë zie në Kosovë në nderim të Nënës Tereze

 

Prishtinë, 8 shtator (QIK)

Sot në Republikën e Kosovës në shenjë pikëllimi e nderimi për vdekjen e Nënë Terezes ishte ditë zie.

Në zyrat e Kosovës nëpër vende të ndryshme të botës sot janë hapur librat e zisë, të cilët do të qëndrojnë të hapur deri të shtunën e ardhshme.

Që nga dita e sotme, me urdhërin e presidentit Rugova në lokalet e Zyrës së Republikës së Kosovës për Beneluks dhe Bashkim Evropian u hap libri i homazheve në të cilin bashkëatdhetarët tanë po shprehin dhembjen e thellë me këtë rast. Aktualisht në librin e homazheve u shënuan dhjetëra bashkëkombasë tanë.

Gani Azemi i tha QIK-ut se janë duke u bërë përpjekje maksimale që në Bruksel, në njërën prej kishave të shumta, të organizohet një meshë, në shenjë nderimi dhe respekti për Nënë Terezën.

Libri i zisë u hap sot edhe në Presidencën e Kosovës. Edhe këtu libri do të jetë i hapur deri të shtunën nga ora 10 deri në orën

Dita e zisë në Kosovë, për shkak të gjendjes së okupimit në Kosovë, u shënua në mënyrë specifike. Faqja e parë e gazetës së përditshme “Bujku” doli sot me shirit të zi. Edhe gazeta tjetër e përditshme, që botohet në perëndim “Bota sot” doli me shirit të zi. Gazeta “Koha Ditore” doli sot si rëndom, në dy ngjyra, pa shenjën e zisë në faqen e parë.

Në vendet publike ndjehet kudo atmosfera e zisë. Në restorante e kafenetë e Prishtinës, si edhe në qendrat tjera komunale, sot nuk kishte muzikë. Vendimin e kryetarit Rugova për ditë zie nuk e respektoi radiostacioni Selavi, një program shqip i radios së një pronari serb, në të cilin edhe sot transmetohej vazhdimisht muzikë e hareshme shqipe.

 

 

8 shtator 1998

 

Prizren: Policia serbe ekzekutoi edhe dy shqiptarë

 

Mbrëmë rreth orës 20:00, në lagjen “Tusus” të Prizrenit, forcat e policisë serbe kanë vrarë Arsim Ramadan Ponikun (18), njofton KI i Degës së LDK-së në Prizren.

Njoftohet se policia serbe menjëherë pas vrasjes së Arsim Ponikut, ka arrestuar edhe axhën e tij Hasret Sylejman Ponikun (36), të cilin me një veturë me regjistrim të Pejës e kanë dërguar deri në afërsi të varrezave në Prizren dhe e kanë ekzekutuar.

Vrasjet e këtilla të shqiptarëve nga forcat serbe qoftë edhe në oborret e shtëpive të tyre dhe masakrimet e ditëve të fundit e kanë tensionuar edhe më shumë gjendjen në Prizren e rrethinë.

 

Në Struzhe të Prizrenit u gjetën tre shqiptarë të masakruar

 

Mbrëmë në malet e fshatit Struzhe u gjetën trupat e pajetë dhe të masakruar të tre të rinjëve shqiptarë, Muhamet Shemsedinit (23), Zymri Shemsedinit (21) që të dy nga Zaplluxha e Opojës dhe mikut të tyre Sabri Maliqit (18) nga Kuklibegu, njofton KI i Degës së LDK-së në Prizren.

Njoftohet se këta tre të rinj më 1 shtator të këtij viti kanë shkuar për të prerë dru dhe nuk janë kthyer më.

Trupat e pajetë të Muhamet e Zymri Shemsedinit u varrosën sot në Zaplluxhë, ndërsa në Kuklibeg pritet të varroset trupi i pajetë i Sabri Maliqit.

Continue Reading

Të kërkuara