Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se Bashkimi Evropian është i gatshëm të marrë masa kundër tarifave të SHBA-së, nëse është e nevojshme. Ajo theksoi se “të gjitha instrumentet janë në tryezë për kundërmasa” dhe paralajmëroi se tarifat e reja do të nxisnin inflacionin, gjë që është “pikërisht e kundërta e asaj që duam të arrijmë”.

Në një fjalim para Parlamentit Evropian, von der Leyen tha se Evropa nuk ka nisur këtë konfrontim, duke e konsideruar të gabuar vendosjen e tarifave nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump. Ajo theksoi se BE ka tregun më të madh të vetëm në botë dhe se ka fuqinë dhe forcën për t’iu përgjigjur tarifave amerikane.
Von der Leyen përmendi se, edhe pse BE nuk dëshiron domosdoshmërisht të marrë kundërmasa, janë të gatshëm të zbatojnë një plan të fortë nëse do të jetë e nevojshme. Ajo gjithashtu u referua kërcënimeve të Trump, i cili ka kërcënuar me tarifa më të larta për Bashkimin Evropian dhe Kanadanë nëse ata bashkëpunojnë për të “shkaktuar dëm ekonomik për Shtetet e Bashkuara”.
BE-ja ka njoftuar se mund të vendosë tarifa ndaj produkteve amerikane, si burboni, dhe ka shtyrë masat e para deri në mes të prillit. Në përgjigje, Trump ka kërcënuar se do të vendosë tarifa 200% për verërat dhe produktet alkoolike nga BE-ja nëse Brukseli vepron në këtë mënyrë./UBTNews/