A ju ndodh që fëmija juaj të mos ju dëgjojë? Apo të bërtasë e të shkelmojë kur zemërohet? Duhet të rishikoni kohën që ai kalon para ekranit, thotë një studimi të publikuar në revistën Psychological Bulletin, që botohet nga Shoqata Amerikane e Psikologjisë.
Sipas një analize që përfshiu 117 studime me fëmijë nën moshën 10 vjeç e gjysmë, sa më shumë kohë që fëmijët kalonin para ekranit, aq më shumë shfaqnin probleme me emocione dhe me sjellje të papërshtatshme për moshën e tyre.
Këtu përfshihen ankthi, depresioni, hiperaktiviteti dhe agresiviteti. Edhe pse lidhja ishte e vogël, ajo ishte domethënëse, sidomos te vajzat.
Studiuesit zbuluan se rreziqet rriten:
Kur fëmijët nën 2 vjeç kanë qasje në ekrane (përveç video-telefonatave),
Kur fëmijët 2-5 vjeç kalojnë më shumë se një orë në ditë para ekranit,
Kur fëmijët mbi 5 vjeç kalojnë më shumë se dy orë në ditë me pajisje teknologjike.
Fëmijët që luajnë shpesh lojëra elektronike janë veçanërisht të rrezikuar. Grupi më i prekshëm është ai i moshës 6-10 vjeç.
Studimi ka theksuar se ekranet nuk janë vetëm shkak i problemeve emocionale, ato shpesh janë edhe pasojë.
“Përdorimi i shpeshtë i ekraneve nuk është veç shkaku i problemeve, në shumë raste është edhe simptomë”, ka thënë autorja kryesore, Roberta Pires Vasconcellos, ligjëruese në Universitetin e New South Wales në Sidney.
“Fëmijët që po përballen me vështirësi emocionale i drejtohen ekraneve, video lojërave, për t’u përballur ose për t’i ikur situatave të ndryshme. Edhe pse kjo sjellë lehtësim të përkohshëm, me kalimin e kohës mbeten të bllokuar në një lloj cikli që i përkeqëson problemet emocionale”, ka thënë Vasconcellos.
Kufizimet që pati studimi
Autorja ka theksuar se ky studim i madh kishte edhe kufizime, pasi nuk ka marrë parasysh faktorë të tjerë si mënyra e prindërimit apo statusi socio-ekonomik. Po ashtu, studimi nuk ka analizuar në detaje efektet specifike të rrjeteve sociale te fëmijët.
Çfarë mund të bëjnë prindërit?
Ekrani nuk duhet të përdoret si “kujdestar”.
Shpesh prindërit u japin fëmijëve telefona apo tableta për t’i qetësuar, sidomos kur janë të zënë ose në vende publike.
“Kjo mund të duket si zgjidhje e shpejtë, por në plan afatgjatë krijon probleme. Në vend që të mësojnë si të duhet të vetëkontrollohen dhe të menaxhojnë emocionet, fëmijët fillojnë të varen nga ekrani sikur të jetë burim ngushëllimi dhe shpërqendrimi”, ka thënë Vasconcellos.
Nuk duhet lejuar që fëmijët të përdorin ekranin për t’u përballur me emocionet
Nëse vini re se fëmija kërkon ekran kur ndihet i mërzitur apo i tërhequr nga të tjerët, ndaloni e shikoni më thellë situatën.
“Ndoshta po kërkojnë të ndihen të mbështetur apo po kërkojnë lidhje që nuk po e gjejnë në marrëdhëniet ballë për ballë, qoftë në shtëpi, në shkollë e në shoqëri”, ka thënë Vasconcellos.
Prindërit duhet të jenë të pranishëm dhe mbështetës, sidomos në këto momente.
“Fëmijët duhet të ndihen të dëgjuar, të kuptuar dhe emocionalisht të sigurt, si online ashtu edhe në jetën e përditshme”, ka thënë ajo.
Prindërit mund të kërkojnë ndihmë edhe nga psikologët e shkollës, këshillohet që ata të kenë kujdes me lojërat elektronike. Sipas studimit, lojërat online paraqesin rreziqe shtesë, sepse shpesh funksionojnë si rrjete sociale, duke krijuar presion te fëmijët që të jenë vazhdimisht aktivë.
“Këto lojëra vazhdojnë edhe kur fëmija largohet nga ekrani, gjë që krijon ndjesinë se duhet të rikthehen vazhdimisht, duke lënë pas dore gjumin, detyrat dhe marrëdhëniet me njerëzit në përditshmëri”, ka thënë Vasconcellos.
Këshillohet që prindërit të vendosin rregulla dhe kontroll
“Konsistenca i ndihmon fëmijët të dinë çfarë të presin dhe e bën më të lehtë respektimin e kufijve”, ka thënë ajo.
Ajo ka sugjeruar të përdoren opsionet e kontrollit prindëror që ofrojnë shumica e pajisjeve dhe aplikacioneve.
“Vendosni kufij të përditshëm të arsyeshëm dhe sigurohuni që fëmija juaj të ketë qasje vetëm në përmbajtje të përshtatshme për moshën”, ka theksuar ajo.
Për të ulur varësinë nga ekranet, Vasconcellos ka rekomanduar të hiqen aplikacionet që tërheqin më shumë, si ato për shikim të vazhdueshëm të videove, dhe në vend të tyre t’u ofrohet fëmijëve përmbajtje edukative.
Është në rregull t’u thoni “jo” fëmijëve tuaj
Edhe autorja e këtij artikulli, Kara Alaimo, ka ndarë përvojën e saj personale duke treguar se kur u thotë “jo” fëmijëve të saj, ata nuk reagojnë mirë gjithmonë.
“Kur i them jo fëmijëve të mi, reagimi i tyre nuk është gjithmonë i këndshëm. Por e kujtoj veten se, si nënë, është detyra ime të bëj atë që është më e mira për ta në plan afatgjatë, ani nëse për momentin kjo sjell pak ‘stuhi’ në shtëpi”, ka shkruar ajo.
Një deklaratë ndërkombëtare, në të cilën ka kontribuuar edhe ajo, theksoi se përdorimi i tepërt i rrjeteve sociale dhe telefonave inteligjentë lidhet me probleme me gjumin, përqendrimin, varësinë dhe pakënaqësinë me trupin.
Nuk duhet të jeni “të drejtë” me të gjithë fëmijët
Shumë prindër ndihen të detyruar t’u japin telefon fëmijëve të vegjël në të njëjtën moshë siç ua kanë dhënë më të mëdhenjve, ndërkohë që kjo gjë nuk është e nevojshme.
“Thuani fëmijëve se tashmë keni më shumë përvojë dhe më shumë të dhëna që tregojnë se koha e tepruar para ekranit mund të jetë e dëmshme”, shkroi ajo.
Ajo ka treguar edhe një shembulli interesant.
Një nënë i ka ofruar vajzës 1600 dollarë, që ajo të priste deri në moshën 16 vjeç për të marrë telefonin. Vajza ka pranuar ofertën. Alaimo ka shkruar se edhe nëse nuk keni mundësi financiare për diçka të tillë, mund të ofroni alternativa tërheqëse, si organizimi i një nate me miqtë ose një udhëtim familjar.
Ajo tha se pavarësisht çfarë doni të ju ofroni fëmijëve tuaj, është e rekomanduar që duhet të rishikoni mënyrën si fëmijët e tuaj përdorin teknologjinë.
Sipas saj, koha e kaluar para ekranit mund të jetë edhe shkak edhe simptomë e problemeve emocionale.
Të mësosh të thuash ‘jo’ edhe nëse fëmijët zemërohen, mund të sjellë përfitime të mëdha për shëndetin e tyre mendor në të ardhmen.