Lajmet

​Mbi 70% e fëmijëve kanë përjetuar dhunë fizike ose psikologjike

Published

on

Në gjendje jo të mirë po i gjen edhe ky 1 qershor fëmijët në Kosovë. Mbi 70 përqind e fëmijëve kanë qenë viktima të dhunës fizike e psikologjike, ndërsa mbi 20 përqind e tyre jetojnë në varfëri të skajshme. Në gjendje më të rënduar janë fëmijët me aftësi të kufizuara, ku vetëm 10 përqind e tyre përfitojnë shërbime shëndetësore e sociale.

Gjendjen e fëmijëve në Kosovë e ka rënduar edhe më shumë pandemia COVID-19, sidomos atyre me aftësi të kufizuara që u përballen me mbyllje të shërbimeve shëndetësore.

Në vigjilje të 1 Qershorit, ditës së fëmijëve, drejtoresha e Koalicionit të OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve KOMF, Donjeta Kelmendi, thotë se gjendja e fëmijëve në Kosovë vazhdon të mos jetë e mirë. Ajo tregon edhe të gjeturat e raportit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe UNICEF-it për gjendjen në të cilën gjendën fëmijët në Kosovë.

“Gjendja e fëmijëve në Kosovë vazhdon të mos jetë e mirë, i kemi të dhënat shumë shqetësuese sa i përket gjendjes së fëmijëve në Kosovë, vazhdojmë të kemi një përqindje të lartë mbi 20 përqind të fëmijëve të cilët jetojnë në varfëri në Kosovë. Pastaj, kemi një përqindje të lartë të përdorimit të dhunës bazuar në të dhënat e reja të raportit MICS i cili është publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës bashkë edhe me UNICEF-in, del se rreth 72 përqind e fëmijëve në Kosovë kanë qenë viktimë, qoftë e ndëshkimit fizik apo e dhunës psikologjike, 5 përqind të fëmijëve në Kosovë janë të përfshirë në punë, ne shohim gjendjen e rëndë të fëmijëve të cilët punojnë edhe punë të rënda në Kosovë. Pastaj gjendje shumë të rëndë janë edhe fëmijët me aftësi të kufizuara në bazë të raportit MICS rreth 8 përqind e fëmijëve në Kosovë kanë raportuar që kanë vështirësi funksionale në një domen të caktuar. Pastaj, vetëm 10 përqind të fëmijëve me aftësi të kufizuara përfitojnë shërbime shëndetësore dhe shërbime sociale”, thotë ajo.

Kelmendi thotë se gjendjen e fëmijëve në Kosovë e ka rënduar edhe shumë përballja me pandeminë COVID-19. Sipas saj, më të prekurit nga masat e ndërmarra për mbrojtje nga përhapja e pandemisë kanë qenë fëmijët me aftësi të kufizuara.

“Pandemia në fakt ka ndikuar shumë në gjendjen e fëmijëve në Kosovë dhe sidomos në gjendjen e fëmijëve të cenueshëm, siç dimë gjatë vitit 2020 për shkak edhe të masave për parandalimin e virusit COVID-19 shumica e shërbimeve të cilat ofrohen për fëmijët e cenueshëm kanë qenë të mbyllura në pjesën e parë të vitit. Kjo ka qenë shumë traumatike për fëmijët e sidomos për fëmijët me aftësi të kufizuara, ata të cilët kanë marrë shërbime ose pjesa e fëmijëve të cilët kanë marrë shërbime përmes qendrave ditore të cilat udhëhiqen nga organizatat joqeveritare, në një moment të caktuar me marrjen e vendimeve për parandalim të përhapjes së virusit të gjitha këto shërbime u mbyllën. Ajo ishte shumë traumatike për fëmijët sepse nga një rutinë ku fëmijët merrnin shërbime ishin të izoluar në familje, pa ato shërbime dhe pa mbështetjen e nevojshme”, thekson ajo.

Përveç kësaj, ajo thotë se pandemia ka ndikuar në rritjen e numrit të rasteve kur fëmijët kanë qenë viktima të dhunës në familje.

Kelmendi shprehet se gjatë vitit 2020 strehimoret që ofrojnë strehim për viktimat e dhunës kanë qenë të stërmbushura me fëmijë.

“Gjatë kohës së pandemisë strehimoret kanë qenë duke punuar me kapacitet të plotë 24 orë dhe kanë qenë të stërmbushura, kanë pranuar më shumë fëmijë sesa që kanë pasur vende për shkak të numrit të madh. Përdorimi i dhunës vazhdon të përdoret në familjet në Kosovë edhe si mjet disiplinimi, do të thotë kryesisht edhe ndëshkimi fizik. Statistikën të cilën e përmenda që 72 përqind të fëmijëve kanë deklaruar që kanë pasur ndëshkim fizik dhe psikologjik flet shumë, mbi 50 përqind të fëmijëve në Kosovë i bie që janë viktima të dhunës ose edukohen përmes formave të dhunshme”, thotë ajo.

Drejtoresha e KOMF thotë se gjatë vitit 2020 organizatat joqeveritare po edhe institucionet publike që ofrojnë shërbime sociale për fëmijët janë përballur me vështirësi të shumta financiare, madje thotë se të njëjtat vitin 2020 e kanë pasur si vitin më të rëndë që nga paslufta.

Kelmendi komenton edhe programin e qeverisë për pikat që prekin drejtpërdrejtë fëmijët. Ajo deklaron se vlerësojnë disa prej çështjeve të prezantuara aty siç janë shtesat për fëmijë, reformimi i politikave të varfërisë dhe krijimi i grantit specifik për shërbimet sociale dhe familjare në kuadër të Ligjit për financat e pushtetit lokal.

“Vetëm 1 përqind e buxhetit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale në vitin 2020 është ndarë për shërbime sociale, pra një përqindje jashtëzakonisht e ulët që është ndarë për t’iu dalë në ndihmë fëmijëve po edhe qytetarëve të cilët kanë nevojë për shërbime sociale. Presim që përmes krijimit të grantit specifik për shërbime sociale në kuadër të Ligjit për financat e pushtetit lokal të ketë rritje të përqindjes së buxhetit për shërbimet sociale. Kërkesa jonë si koalicion ka qenë që buxheti i cili ka qenë rreth 10 milionë për shërbime sociale me hyrjen në fuqi të Ligjit për financat e pushtetit lokal në vitin e parë të hyrjes në fuqi të këtij ligji sipas kalkulimeve që si koalicion i kemi bërë bashkë edhe me profesionistë dhe ekspertë të tjerë edhe të institucioneve publike buxheti për shërbime sociale të rritet me 5 milionë, nga 10 milionë të kalojë në 15 milionë. Kjo sigurisht që do të ndikonte shumë në përmirësimin e gjendjes së fëmijëve të cenueshëm”, thotë ajo.

Sa i përket përfshirjes së fëmijëve në arsim, ajo potencon se gjendja më e rënduar është tek fëmijët e komuniteteve, që sipas saj ende vazhdojnë të kenë një përqindje të ulët të përfshirjes në arsim.

Drejtoresha e Koalicionit të OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve KOMF, Donjeta Kelmendi, tregon kërkesën që e kanë për institucionet e Kosovës për këtë 1 Qershor.

“Thirrja jonë në këtë 1 Qershor është që duhet të kthehet urgjentisht vëmendja drejtë fëmijëve, duhet që të investohet më shumë në fëmijë përmes ndarjes së buxhetit për zbatimin e politikave, ligjeve të cilat janë miratuar, specifikisht edhe Ligjit për mbrojtje të fëmijëve, i cili ka nevojë që të fillojë zbatimin, por zbatimi sigurisht që duhet të mbështetet me një kosto financiare të mjaftueshme në mënyrë që të ketë një zbatim në komuna të Ligjit për mbrojtje të fëmijëve”, thotë Kelmendi.

Sa i përket Ligjit për mbrojtje të fëmijëve, që ka hyrë në fuqi vitin e kaluar, Kelmendi thekson se sfidë për implementimin e tij mbetet buxheti shumë i vogël.

Lajmet

Rusia sulmon ndërtesën e Akademisë Kombëtare të Shkencave në qendër të Kievit

Published

on

By

Një sulm rus ka goditur një ndërtesë të Akademisë Kombëtare të Shkencave të Ukrainës dhe një operacion shpëtimi është duke u zhvilluar.

Zjarrfikësit po luftojnë me flakët dhe po kërkojnë për këdo që mund të ketë qenë brenda, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Telegram.

Forcat ruse kanë goditur gjithashtu një kompani farmaceutike dhe pika karburanti në Kiev, një qendër biznesi në Dnipro, si dhe objekte civile, ndërmarrje dhe infrastrukturë komunikimi në qytete e rajone të tjera, shtoi lideri ukrainas.

Zelensky ka thënë se ka viktima dhe u ka shprehur ngushëllime familjeve të tyre. Ai ka thënë se Rusia do të marrë një përgjigje.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka deklaruar se forcat e saj kanë goditur dy qendra të dhënash në Kiev, si dhe pika karburanti në kryeqytetin ukrainas. Ajo ka njoftuar gjithashtu se një qendër shpërndarjeje e shërbimit postar “Nova Poshta” u godit në qytetin jugor të Odesës. /BBC/

Continue Reading

Lajmet

Brukseli ia kujton Serbisë nevojën për zbatimin e sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë pas bisedës Vuçiq-Putin

Published

on

By

Një ditë pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, Komisioni Evropian ia ka kujtuar Beogradit se duhet t’i përshatë më shumë politikat e tij me ato të Bashkimit Evropian, përfshirë zbatimin e sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë.

“Si vend kandidat, nga Serbia pritet që politikat e saj t’i harmonizojë me objektivat e BE-së, përfshirë politikën energjetike dhe atë të jashtme, dhe të jetë një partnere e besueshme që ndjek të njëjtin drejtim strategjik”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier.

Ai tha se qëndrimi i BE-së ndaj marrëdhënieve të vendeve kandidate me Rusinë është “gjithmonë plotësisht i qartë”.

“Marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të zhvillohen sikur gjithçka të ishte si më parë me regjimin e Putinit, dhe kjo në hijen e luftës agresore, të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë kundër Ukrainës”, tha Mercier.

Deklaratat e tij pasuan bisedën telefonike të 26 shtatorit mes Vuçiqit dhe Putinit.

Biseda u zhvillua një ditë para se Vuçiqi të jepte dorëheqje nga posti i presidentit të Serbisë, pasi është bartës i listës së Partisë Përparimtare Serbe (SNS) për postin e kryeministrit në zgjedhjet e parakohshme të 25 tetorit.

Pas bisedës me Putinin, Vuçiq tha se beson se marrëveshja për furnizimin e Serbisë me gaz rus do të zgjatet.

Marrëveshja e tanishme afatshkurtër skadon më 30 shtator.

Serbia e importon nga Rusia më shumë se 80 për qind të gazit që konsumon.

Beogradi nuk ka arritur marrëveshje afatgjatë për furnizimin me gaz që nga skadimi i kontratës së mëparshme trevjeçare, në verën e vitit 2025. Që atëherë, marrëveshjet me Moskën janë zgjatur për periudha të shkurtra. Marrëveshja e tanishme u zgjat në qershor për tre muaj.

Komisioni Evropian tha se është në dijeni të bisedës mes Vuçiqit dhe Putinit.

Duke iu referuar deklaratës së Vuçiqit se presidenti i ardhshëm i Serbisë do të duhet të kujdeset për interesat e vendit dhe ta ruajnë një baraspeshë në raport me aktorët e rëndësishëm të politikës ndërkombëtare, Mercier rikujtoi detyrimet që Serbia i ka si vend kandidat për anëtarësim në BE.

Sipas tij, vendimi i Serbisë për të aplikuar për anëtarësim nënkupton zotimin për t’i harmonizuar politikat e saj me BE-në, përfshirë politikën e jashtme dhe të sigurisë.

“Përputhshmëria e Serbisë me Politikën tonë të Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë vazhdon të jetë dukshëm më e ulët sesa te vendet e tjera kandidate në Ballkanin Perëndimor”, tha Mercier.

Ai shtoi se Serbia duhet, si prioritet, t’i intensifikojë përpjekjet për një nivel “më të qëndrueshëm dhe dukshëm më të lartë” të harmonizimit me politikën e BE-së, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë.

“Duam të jemi në gjendje të llogarisim në Serbinë si një partnere të besueshme”, tha ai.

Komisioni Evropian tha se BE-ja po e rrit mbështetjen për vendet e Ballkanit Perëndimor në fushën e sigurisë energjetike, me synim uljen e varësisë nga lëndët djegëse fosile dhe diversifikimin e burimeve dhe rrugëve të furnizimit.

Sipas Mercier, kjo do t’u mundësonte vendeve të rajonit integrim më të mirë të rrjeteve energjetike dhe qasje në energji nga burime të ndryshme.

“Pas fillimit të luftës agresore të Rusisë kundër Ukrainës, pamë se sa e rëndësishme është kjo dhe çfarë problemesh mund të shkaktojë për çdo vend evropian, përfshirë Serbinë”, tha ai.

BE-ja synon që deri në fund të vitit të ardhshëm të ndërpresë gradualisht dhe në mënyrë efektive importin e gazit dhe naftës ruse, ndërsa nga vendet kandidate pret që t’i përshtatin politikat e tyre me këtë objektiv.

Negociatat e Serbisë për anëtarësim në BE kanë ngecur, ndër të tjera, edhe për shkak se ajo nuk e ka përshtatur mjaftueshëm politikën e saj të jashtme me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së.

Serbia nuk u është bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë pas pushtimit të Ukrainës.

Niveli i saj i përputhshmërisë me politikën e sanksioneve të BE-së është rreth 60 për qind. /REL/

 

Continue Reading

Lajmet

Interesim i jashtëzakonshëm i të rinjve për programin e Kimisë Aplikative në UBT

Published

on

By

Interesim i jashtëzakonshëm i të rinjve nga vendi dhe rajoni për të studiuar në nivelin bachelor Kimi Aplikative në UBT, një program që po tërheq vëmendjen e gjeneratës së re falë mundësive të shumta për zhvillim profesional dhe karrierë, si në Kosovë ashtu edhe jashtë vendit.

I konceptuar si program bashkëkohor dhe inovativ, Kimia Aplikative në UBT ndërthur njohuritë teorike me punën praktike laboratorike dhe kërkimin shkencor, duke u ofruar studentëve mundësinë të zhvillojnë aftësi të aplikueshme në industri dhe në sektorë të ndryshëm profesionalë.

Një nga veçoritë e programit është stafi akademik i përkushtuar dhe i kualifikuar, me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë në fushat kryesore të kimisë. Përmes angazhimit të tyre, studentët kanë mundësi të përfitojnë njohuri nga fusha të ndryshme, duke filluar nga kimia organike, inorganike, analitike dhe fizike, deri te kimia e nanomaterialeve, kimia mjedisore, teknologjia ushqimore, toksikologjia, proceset industriale dhe metodat instrumentale të analizës.

Puna laboratorike, praktika profesionale dhe kërkimi shkencor janë pjesë e rëndësishme e rrugëtimit akademik, duke u mundësuar studentëve të zhvillojnë aftësi në analizë, eksperimentim, interpretim të të dhënave dhe zgjidhje të problemeve reale.

Përmes infrastrukturës moderne dhe hapësirave laboratorike të UBT-së, studentët krijojnë mundësi për të fituar përvojë praktike dhe për t’u përgatitur për kërkesat e tregut bashkëkohor të punës. Programi synon të krijojë profesionistë të aftë për të kontribuar në fusha si industria farmaceutike, industria ushqimore, mbrojtja e mjedisit, teknologjia e ujit, energjia, inxhinieria e materialeve, laboratorët analitikë dhe institucionet kërkimore e shkencore.

Për të rinjtë që tashmë kanë nisur studimet në këtë fushë dhe dëshirojnë të vazhdojnë në një mjedis akademik modern, UBT ofron edhe mundësinë e transferimit të studimeve, duke krijuar mundësi për të vazhduar rrugëtimin akademik në një program të orientuar drejt praktikës, kërkimit dhe zhvillimit profesional.

Bëhu edhe ti pjesë e Kimisë Aplikative në UBT!

Zgjidh një program inovativ, zhvillo njohuritë dhe aftësitë e tua në laboratorë dhe me staf vendor e ndërkombëtar, dhe përgatitu për mundësi të shumta në tregun e punës.

Regjistrimet vazhdojnë të jenë të hapura.

Fillo ose transfero studimet në UBT.

 

Continue Reading

Lajmet

IKShPK me apeli për prindërit: Konfirmohen 180 raste me fruth, mbi 95% prej tyre të pavaksinuar

Published

on

By

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka apeluar sërish te qytetarët për vaksinimin e fëmijëve, duke e vlerësuar këtë proces si masën më të sigurt, më efikase dhe më të rëndësishme për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve dhe gjithë komunitetit.

Sipas të dhënave të publikuara nga IKShPK, nga 16 prilli deri më 27 shtator 2026 janë konfirmuar gjithsej 180 raste me fruth në Kosovë, prej të cilave tetë raste janë regjistruar vetëm gjatë javës së fundit. Mbi 95% e personave të prekur i përkasin kategorisë së të pavaksinuarve me vaksinën MMR, çka dëshmon rolin kyç të kësaj mbrojtjeje në parandalimin e përhapjes së sëmundjes.

Në kuadër të përpjekjeve për të parandaluar përhapjen e mëtejshme, krahas vaksinimit të rregullt sipas kalendarit kombëtar, IKShPK ka intensifikuar fushatën e vaksinimit të vonuar (catch-up) për fëmijët që e kanë shtyrë procesin. Si rezultat i këtij angazhimi, gjatë këtij viti janë vaksinuar mbi 3,176 fëmijë të grupmoshës 2–5 vjeç, duke dëshmuar ndërgjegjësimin e lartë të prindërve.

Instituti ka shprehur falënderime për prindërit, profesionistët shëndetësorë dhe institucionet për bashkëpunimin në rritjen e shkallës së imunizimit, duke nëvizuar se çdo fëmijë i vaksinuar përbën një hap më afër ndërprerjes definitive të transmetimit të fruthit.

 

Continue Reading

Të kërkuara