Kulturë

​Mbi 1 mijë vizitorë gjatë korrikut në Muzeun Arkeologjik të Durrësit

Rritja e vizitorëve në Amfiteatrin e Durrësit ka qenë edhe më e madhe.

Published

on

Muzeu Arkeologjik Durrës ka bërë publike shifrat e vizitorëve gjatë muajit korrik, si për Muzeun ashtu edhe për Amfiteatrin Antik. Numri i vizitorëve vendas e turistëve të huaj, ka pësuar rritje të ndjeshme krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Vetëm gjatë muajit korrik, Muzeu Arkeologjik, është vizituar nga 1818 persona, duke pasur një rritje prej rreth 1000 vizitorësh më shumë se në vitin 2021. Ndërsa rritja e vizitorëve në Amfiteatrin e Durrësit ka qenë edhe më e madhe. Një vit më parë, në 2021, objekti u vizitua nga 586 persona, ndërsa këtë vit numri i vizitorëve arriti në 2573.

Muzeu Arkeologjik i Durrësit i ofron vizitorëve edhe shërbimin e audioguidave. Audioguida në këtë Muze ofrohet në 2 gjuhë. Vizitorët mund të shijojnë jo vetëm objektet arkeologjike që kanë udhëtuar përmes shekujve, por edhe historinë e tyre.

Muzeu i parë arkeologjik në Durrës është hapur më 13 mars të vitit 1951. Ishte nisma e intelektualit Vangjel Toçi, i cili deri në atë kohë ishte bërë mjaft i njohur në Durrës edhe si krijuesi i bibliotekës së qytetit më 10 shtator 1945 dhe që vendosi në eksponatet e muzeut të ri koleksionin e objekteve që kishte mbledhur me shumë kujdes dhe me mbështetjen e dhjetëra qytetarëve durrsakë.

Objektet e para qenë vendosur në një vilë 2-katëshe, që njëlloj si godina e muzeut të ri, ndodhej në shëtitoren “Taulantia”. Një emër që kujton banorët ilirë të cilët u bënë bërthama e qytetit, që fillimisht u thirr Epidamn e Dyrrah e në kohët e vona Durrës, ashtu siç e quajmë edhe ne tani.

Ndërtesa e muzeut të parë arkeologjik rrethohej nga dy oborre të mëdha, me dy portikë krejtësisht origjinalë.

Perimetrin e oborrit të parë e zbukuronte portiku i Xhamisë së Kavajës, që pas viteve 1990 u rikthye në qytetin ku ishte marrë 25 vjet më parë, ndërsa streha me monumente e oborrit tjetër mbante në mes një nga lulishtet më të bukura të qytetit. Një shembull për t’u admiruar.

Edhe projekti i muzeut aktual lidhet me emrin e arkeologut Vangjel Toçi. Planet për ndërtimin kishin nisur që në fillim të viteve 1980, por dalja e tij në pension dhe përkeqësimi i buxhetit financiar të shtetit e shtynë për një kohë mjaft të gjatë realizimin e tij.

Pas restaurimit dhe çeljes për publikun më 2015, vetëm në katin e parë të godinës janë riekspozuar rreth 2100 objekte, që i përkasin periudhës para themelimit të qytetit, deri në shekullin e 4-t pas erës sonë.

Në muzeun më të madh arkeologjik në Shqipëri paraqiten objekte arkeologjike të prehistorisë, periudhës arkaike dhe asaj të antikitetit. Përveç amforave dhe spirancave të zbuluara në fundin e detit, muzeu ka edhe një fond të pasur, që në të ardhmen do të jetë pjesë e pavijonit të mesjetës./ATSH/

Lajmet

Rrëfimi për luftën e UÇK-së mbush sallat me filmin “Sakrifica”

Published

on

By

Filmi vendor “Sakrifica”, me regji të Halil dhe Merita Budakovës, po vazhdon të tërheqë vëmendje të madhe dhe fluks të lartë shikuesish në Cineplexx Prishtina, pas premierës së tij të mbajtur dy ditë më parë.

Duke trajtuar një temë të ndjeshme të historisë së Kosovës, realizimi kinematografik ka arritur të prekë publikun që nga nata e parë e shfaqjes, ku biletat u shitën me ritme të jashtëzakonshme.

“Sakrifica” sjell në ekranin e madh historinë e pesë vëllezërve, të cilët gjatë viteve 1997–1999 marrin vendimin t’i bashkohen Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke lënë pas familjen dhe gjithçka që kanë për të luftuar për lirinë e vendit.

Për shkak të kërkesave të vazhdueshme dhe interesimit të lartë për ta parë këtë histori të guximit dhe atdhedashurisë, adhuruesit e filmit ftohen t’i sigurojnë me kohë biletat përmes platformës zyrtare të Cineplexx-it ose në arkat e kinemasë në Albi Mall. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Orkestra Simfonike e RTSH-së mban koncert më 13 nëntor

Published

on

Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar do të mbajë më 13 nëntor një koncert të veçantë muzikor, nën drejtimin e dirigjentit Artan Liçaj.

Në këtë mbrëmje do të interpretojnë edhe solistët Lorenc Radovani në violinë dhe Fatma Spahiu në piano.

Programi artistik përfshin vepra të kompozitorëve Gara Garayev dhe Felix Mendelssohn Bartholdy, si dhe premierën e veprës “Echoes of Spring” nga kompozitori Shpëtim Saraçi.

Koncerti do të nisë në orën 19:00, në sallën “Ferdinand Deda”, ku publiku do të ketë mundësinë të shijojë një mbrëmje me muzikë klasike dhe interpretime artistike.

/ A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ekspozita “Imazhe Migrues” e Bora Baboçit qëndron e hapur deri më 11 dhjetor

Published

on

Galeria Kombëtare e Kosovës QAFA ka njoftuar se ekspozita “Imazhe Migrues” e artistes Bora Baboçi do të jetë e hapur për publikun deri më 11 dhjetor 2026.

Ekspozita mund të vizitohet nga e marta deri të premten, në orarin 10:00–18:00, ndërsa të shtunën dhe të dielën nga ora 10:00 deri në 17:00.

Të gjithë të interesuarit mund ta vizitojnë ekspozitën në hapësirat e Galerisë Kombëtare të Kosovës QAFA, në Prishtinë.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Filmi kosovar “Shame and Money” prezantohet në mbrëmjen hapëse të festivalit në Hagë

Published

on

Filmi kosovar “Shame and Money”, me regji të Visar Morinës, është prezantuar në mbrëmjen hapëse të festivalit Eastern Neighbours Film Festival (ENFF), në Hagë të Holandës, duke sjellë kinematografinë kosovare para publikut ndërkombëtar.

Mbrëmja u mbështet nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Hagë, e cila kontribuoi në organizimin dhe promovimin e kulturës kosovare gjatë këtij aktiviteti.

Programi nisi me fjalën përshëndetëse të drejtoreshës së festivalit, Kostana Banovic, ndërsa u pasurua me një performancë muzikore nga pianisti kosovar Arben Ramadani, muzika e të cilit ndërthuri ndikime nga folklori shqiptar.

Të pranishmit patën mundësinë të ndiqnin filmin “Shame and Money”, i cili trajton historinë e një familjeje nga Kosova, përballë vështirësive ekonomike dhe pasojave të një tradhtie brenda familjes, që rrezikon jetesën e saj.

Në mesin e të pranishmëve ishte edhe Veton Nurkollari, drejtor artistik dhe bashkëthemelues i DokuFest-it në Prizren, i cili në këtë edicion ishte pjesë e jurisë së festivalit në kategorinë e talenteve të rinj.

Mbrëmja u përmbyll me një pritje për të ftuarit, ku u prezantuan edhe ushqime tradicionale dhe verëra nga Kosova.

Përmes këtij aktiviteti, kinematografia dhe kultura kosovare u prezantuan para publikut në Hagë, ndërsa pjesëmarrja e profesionistëve nga Kosova në festival kontribuoi në forcimin e lidhjeve me skenën ndërkombëtare të filmit.

/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara