Lajmet

​MAShTI vendos për kompensimin e orëve të humbura

MAShTI njofton se gjysmëvjetori i parë për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar do të përfundojë më datë 27.01.2023.

Published

on

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit sot ka nxjerrë vendim për plotësim-ndryshimin e kalendarit të vitit shkollor 2022-2023 sipas të cilit do të zëvendësohen 22 ditët e pambajtura të mësimit për shkak të grevës në shtator.

Në njoftimin e MAShTI-t thuhet se tetë ditë të mësimit të pambajtura për parafillorët dhe klasat (1-8) sipas udhëzimit administrativ për kalendarin e vitit shkollor 2022-2023 do të mbahen ditëve të shtune, si në vijim:

Në tetor 2022 mësimi mbahet më datat 15.10.2022, 22.10.2022 dhe 29.10.2022;

-Në muajin nëntor, 2022 mësimi mbahet më datat 12.11.2022 dhe 26.11.2022;

-Në muajin dhjetor, 2022 mësimi mbahet më datat 10.12.2022 dhe 24.12.2022;

-Në muajin janar, 2023 mësimi mbahet më datë 14.01.2023.

MAShTI njofton se gjysmëvjetori i parë për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar do të përfundojë më datë 27.01.2023. Ndërsa pushimi dimëror për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar do të fillojë më datë 30.01.2023 dhe mbarojë më 03.02.2023.

Gjysmëvjetori i dytë fillon me datë 06.02.2023. Në pesë ditë të planifikuara të pushimit pranveror sipas UA-05/2022, do të mbahet procesi mësimor në të gjitha nivelet e arsimit para-universitar. Përfundimi i gjysmëvjetorit të dytë do të jetë si në vijim:

-Për klasën e 12-të (maturantë) përfundon më datë 05.06.2023;

-Për klasat 9,10 dhe 11 përfundon me datë 27.06.2023;

-Për parafillor dhe klasat 1-8 përfundon më datë 30.06.2023

Institucionet e arsimit para-universitar të cilat kanë filluar mësimin para datës 03.10.2022 janë të obliguara që të bëjnë planifikimin dhe realizimin e ditëve të mësimit të përcaktuara me UA-05/2022.

Institucionet e arsimit para-universitar të cilat kanë filluar mësimin më 1 shtator, vazhdojnë punën sipas UA-05/2022.

Mësimdhënësit që kanë filluar mësimin para datës 03.10.2022 obligohen që të bëjnë planifikimin dhe realizimin e ditëve të mësimit në bashkëpunim me drejtorinë e shkollës në mënyrë që gjysmëvjetori i dytë të fillojë më datën 06.02.2023.

Institucionet e arsimit parauniversitar duhet të njoftojnë DKA-të për planifikimin e ditëve të mësimit.

Zbatimin e këtij vendimi do ta mbikëqyrë Inspektorati i arsimit.

MAShT-i shpreh bindjen se punëtorët e arsimit do të respektojnë vendimin e ri për kalendarin e vitit shkollor dhe do të kryejnë punën, dhe duke marrë parasysh faktin se shumë prej tyre janë vënë në lajthitje ose kanë pasur paqartësi rreth dispozitave ligjore, i kemi propozuar Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve që të shqyrtojnë mundësinë e pagesës në avans, ashtu që familjet e mësimdhënësve, të mos mbesin pa paga deri në fund të muajit, kur edhe dalin pagat për muajin tetor.

Lajmet

PDK i kërkon përseri Avni Deharit vazhdimin e seancës konstituive më 20 gusht

Published

on

By

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) i kanë dërguar kërkesë zyrtare kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, për të thirrur vazhdimin e seancës ditën e enjte, më 20 gusht.

Përmes një letre, PDK-ja ka theksuar se caktimi i seancës është një obligim kushtetues dhe procedural i kryesuesit, duke paralajmëruar se vonesat e mëtejshme thellojnë shkeljet ligjore.

“Moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar tashmë ka krijuar një situatë të rëndë të shkeljes së Kushtetutës dhe të mosrespektimit të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese. Mosrespektimi i afateve dhe procedurave të përcaktuara me Rregulloren e Kuvendit vetëm sa e thellon më tej këtë situatë”, ,thuhet në kërkesen e PDK-së.

Kjo kërkesë vjen në kuadër të aksioneve të vazhdueshme të PDK-së, deputetët e së cilës po protestojnë çdo mëngjes para Qeverisë dhe po mblidhen çdo dy ditë në sallën e Kuvendit.

Në anën tjetër, që nga vazhdimi i fundit më 8 gusht, kryesuesi Avni Dehari nuk ka thirrur seancë të re, duke mbështetur qëndrimin e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, se pa një marrëveshje politike seancat mbeten “shterpe”. Kurti ka kërkuar më shumë kohë për negociata, me arsyetimin se pa një dakordim për postin e presidentit, vendi do të shkojë pashmangshëm në zgjedhje të reja.

Përderisa PDK-ja dhe AAK-ja kanë refuzuar takimet me Kurtin, ky i fundit ka zhvilluar negociata me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), përfshirë një takim me liderin e saj, Lumir Abdixhiku, për të diskutuar rreth çështjes së presidentit. Ndërkohë, afati kushtetues 30-ditor për konstituimin e Kuvendit pas certifikimit të rezultateve tashmë ka kaluar. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Murici dhe Vojvoda shkëlqejnë në Kupën e Italisë: Zënë vend në formacionin e javës

Published

on

By

Dyshja e kombëtares së Kosovës, Arijanet Muric dhe Mërgim Vojvoda, kanë dhënë paraqitje të shkëlqyera në Kupën e Italisë, duke u përfshirë në formacionin më të mirë të javës sipas platformës së specializuar të statistikave, SofaScore.

Portieri Arijanet Muric dhuroi një paraqitje të nivelit të lartë në fitoren 3-0 të Sassuolos ndaj Cesenas, duke u vlerësuar me notën e lartë 8.7.

Nga ana tjetër, mbrojtësi Mërgim Vojvoda po ashtu ishte vendimtar në triumfin e Udineses kundër Padovas me rezultat 1-0, ku për performancën e tij u shpërblye me notën 8.3.

Përfshirja e të dy futbollistëve kosovarë në 11-shen më të mirë konfirmon formën e tyre të mirë në fillim të këtij edicioni në futbollin italian. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Milot Rashica drejt largimit nga Besiktashi

Published

on

By

Ylli i kombëtares së Kosovës, Milot Rashica, mund t’i japë fund aventurës së tij te Besiktasi, përkundër faktit se ka edhe një vit kontratë aktive me gjigantin nga Stambolli.

Sipas raportimeve nga mediat turke, përfshirë gazetën Milliyet, e ardhmja e anësorit kosovar varet direkt nga lëvizjet e radhës së klubit në afatin kalimtar. Besiktasi po shqyrton mundësinë e transferimit të një tjetër futbollisti në krahun e djathtë të sulmit. Nëse ky transferim realizohet, skuadra do të ketë tre lojtarë të huaj për të njëjtën pozitë, çka do të shtynte drejtuesit të konsiderojnë shitjen e Rashicës.

Drejtuesit e klubit turk janë të kënaqur me paraqitjet e Vaclav Cerny-t, i cili ka përparësi në këtë repart. Prandaj, ardhja e një përforcimi të ri do të rriste ndjeshëm gjasat për ndarjen e rrugëve me kosovarin.

Gjatë periudhës së tij te Besiktasi, Milot Rashica ka lënë gjurmë të rëndësishme duke shënuar 13 gola dhe duke dhuruar 25 asistime në 119 paraqitje zyrtare.

Continue Reading

Lajmet

Mbi 320 raste brenda 24 orëve në QKUK: Të lënduar nga aksidentet, përleshjet dhe armët e ftohta

Published

on

By

Në Qendrën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë trajtuar gjithsej 321 raste gjatë 24 orëve të fundit.

Sipas raportit të shërbimeve emergjente, nga numri i përgjithshëm i pacientëve, 90 raste janë

menaxhuar në Reanimim, 90 në Emergjencën Internistike, 53 në Emergjencën Kirurgjike dhe 60 pacientë kanë marrë trajtime në Emergjencën Ortopedike. Ndërkaq, në sallën e vogël janë kryer 19 ndërhyrje, kryesisht për qepje, përpunim dhe pastrim të plagëve.

Sa i përket natyrës së lëndimeve, gjatë kësaj periudhe janë regjistruar: 21 persona të lënduar në aksidente trafiku, 1 rast nga përdorimi i armëve të ftohta, 1 person i lënduar në përleshje fizike, 1 rast intoksikimi (helmim).

Përveç kësaj, gjatë këtij 24-orëshi janë realizuar 28 pranime për trajtim të mëtejshëm në klinika të ndryshme të QKUK-së, ndërsa është regjistruar edhe një rast vdekjeje. /A.M/

Continue Reading

Të kërkuara