Platforma suedeze e ankandeve të automjeteve Kvdbil ka kryer një hulumtim mbi gjendjen e baterive të më shumë se 1300 veturave elektrike dhe hibride plug-in të përdorura.
Rezultatet tregojnë se tetë nga dhjetë automjete janë ende në gjendje të shkëlqyer, sipas testimeve të “gjendjes së shëndetit të baterisë” (SOH – State of Health), që mat se sa kapacitet ka mbetur në krahasim me një bateri të re.
Sipas raportit të publikuar nga Göteborgs-Posten, shumica e makinave elektrike të përdorura ruajnë mbi 90% të kapacitetit fillestar të baterisë, edhe pas disa vitesh përdorimi.
Drejtuesi i testimit, Martin Reinholdsson, theksoi se ky rezultat është meritë e teknologjisë së përparuar të ftohjes dhe menaxhimit të temperaturës, që përdoret në paketat moderne të baterive.
Sipas tij, këto të dhëna rrëzojnë mitin se makinat elektrike të përdorura janë të pasigurta apo jo të qëndrueshme.
Për blerësit potencialë të automjeteve elektrike të përdorura, raporti thekson se Kia del si marka më e besueshme, duke arritur rezultatet më të larta si në kategorinë e hibrideve plug-in ashtu edhe në atë të veturave elektrike.
Hulumtimi konkludon se frika për degradimin e shpejtë të baterive është në masë të madhe e pabazuar. Në fakt, makinat elektrike të përdorura mund të jenë një zgjedhje e mençur ekonomike dhe ekologjike.
Reinholdsson shton se, përveç markës dhe modelit, zakonet e drejtuesit, kushtet klimatike dhe mosha e automjetit janë faktorë kyç për jetëgjatësinë e baterisë. Ai këshillon që:
të shmanget karikimi i shpeshtë mbi 80%,
të ruhet automjeti nga temperaturat ekstreme,
dhe të përdoren me kujdes karikuesit e shpejtë.
Nëse këto rregulla respektohen, kapaciteti i baterisë humbet vetëm disa për qind çdo vit.
Kvdbil nuk ka zbuluar listën e plotë të modeleve pas dhjetëshes më të mirë, por ka publikuar renditjet kryesore:
Top 10 hibride plug-in me bateritë më të mira:
Kia Sportage
Kia Optima
Volvo XC60
Kia Ceed
Volvo V60
Peugeot 3008
BMW 530e
Volkswagen Passat GTE
BMW X1
BMW 330e
Top 10 makina elektrike me bateritë më të mira
Kia EV6
Kia e-Niro
Tesla Model Y
Opel Mokka-e
Mazda MX-30
Audi Q4 e-tron
Fiat 500
Volvo XC40 Recharge
Citroën ë-C4
Volkswagen ID.4
Duke u bazuar në këto të dhëna, Kia del si lider i qartë në besueshmëri dhe qëndrueshmëri të baterive, ndërsa rezultatet në përgjithësi tregojnë se automjetet elektrike të përdorura janë shumë më të qëndrueshme sesa mendohej më parë. /A.Z/UBT News/