Lajmet

​LVV vendos në Korçë banderolën “Bregoviç dajre gjenocidi”

Published

on

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri ka organizuar sot një aksion simbolik ndërgjegjësues në qendër të qytetit të Korçës, duke vendosur një banderolë të gjatë me fjalët “Bregoviç dajre gjenocidi”, në bulevardin “Republika”.

LVV njofton se aksioni u organizua në solidaritet me 20 shoqatat e familjeve të personave të zhdukur gjatë gjenocidit që Serbia kreu në Kosovë, të cilat kanë kërkuar nga Bashkia e Korçës anulimin e ftesës në “Festën e Birrës” të muzikantit të shumëkontestuar, Goran Bregoviç.

“Aksioni u zhvillua gjithashtu në mbështetje të bojkotit që shumë artistë shqiptarë nga të gjitha trevat i kanë bërë kësaj feste, pasi Bashkia e Korçës ka refuzuar të anulojë ftesën për Bregoviçin. Kujtojmë se muzikanti i shumëkontestuar Bregoviç nuk e ngriti kurrë zërin gjatë aparteidit të Milosheviçit në Kosovë, por e gjeti kohën të organizonte një koncert kundër ndërhyrjës së NATO-s në krah të UÇK-së. Për më tepër, shqiptarët e Kosovës, që ishin viktima të gjenocidit të Serbisë, ende e mbajnë mend mirë se si ushtria dhe paramilitarët e Serbisë i kryenin masakrat e tyre ndaj shqiptarëve duke u frymëzuar me këngë të Bregoviçit. Koncerte të tij janë anuluar nga organizatorë edhe në shtete të tjera të botës, pas qëndrimeve të tij lavdëruese për Rusinë në koncertin e mbajtur në Krimenë e pushtuar nga Rusia. Bregoviçi, përmes muzikës dhe qëndrimeve të tij, ka shërbyer e shërben si lëkuara e deles me të cilën mbulohet nacionalizmi shoven serb. Serbia nuk është penduar për krimet e saj, drejtohet nga kriminelë lufte dhe vazhdon të ketë për qëllim ekspansionin e mëtejshëm në rajon me projekte si “Ballkani i Hapur”. Për më keq, Serbia kryen sot e kësaj dite spastrim etnik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Nuk mund të jetë rastësi që datat e Festës së Birrës në Beograd përputhen me datat e Festës së Birrës në Korçë (18-22 gusht). Ajo në Beograd u hap mbrëmë nga Bregoviç, ajo në Korçë pritet të mbyllet po nga Bregoviç. Është e vërtetë se jugonostalgjiku Bregoviç ka mbajtur edhe më herët koncert në Shqipëri në vitin 2006, dhe është nderuar nga kryeministri Edi Rama, në atë kohë kryebashkiak, me “Çelsin e Tiranës”. Bregoviç është nderuar me medalje këtë vit edhe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Mirëpo, prej vitit 2006, vetëdija kombëtare shqiptare është rritur më shumë në popull sesa te pushtetarët e korruptuar të Shqipërisë. Shqiptarët janë shumë më të informuar e të lidhur me njëri-tjetrin”, thuhet në njoftim.

LVV thekson se si komb, do të ishte hipokrite nëse ndajmë vetëm gëzimet, medalje dhe mirënjohje ndërkombëtare, pa u solidarizuar duke ndarë edhe vuajtjet.

“Bashkë i ndamë vuajtjet dhe iu gjendëm njëri-tjetrit gjatë luftës në Kosovë, por edhe më vonë pas tërmetit në Shqipëri e tani gjatë zjarreve që shkrumbuan më mijëra hektarë. Ne kërkojmë ndërgjegjësim e bashkëpunim kombëtar në të gjitha fushat, drejt bashkimit”, thuhet në njoftim.

Vendi

PDK kërkon seancë urgjente të Kuvendit sot për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar që sot, më 3 tetor, të mbahet seancë e Kuvendit të Kosovës për të votuar në dy lexime ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se vendimi i Qeverisë për të përcjellë në Kuvend plotësim-ndryshimin e këtij ligji është një hap i rëndësishëm dhe se procedurat parlamentare duhet të nisin pa vonesë.

“Ligji duhet të trajtohet dhe të votohet në të dy leximet. Prandaj, procedura duhet të nisë SOT në seancën e Kuvendit, duke pasur parasysh afatin prej 72 orësh ndërmjet dy leximeve“, ka thënë Musliu.

Ajo ka theksuar se Kosovës i nevojitet edhe një strategji e koordinuar juridike e diplomatike me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë për procesin e apelimit të vendimit të 16 shtatorit dhe mbrojtjen e luftës së UÇK-së. Sipas saj, çështja është mbi kalkulimet politike dhe përfaqëson interes shtetëror, posaçërisht para se vendi të shkojë në zgjedhje./E.A/

Continue Reading

lajme

Qeveria miraton ndryshimet për Dhomat e Specializuara

Published

on

By

Qeveria e Kosovës ka konstatuar se nuk ka asnjë shkelje apo pengesë ligjore në nismën legjislative të ndërmarrë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Përmes një mbledhjeje elektronike të mbajtur të premten në mbrëmje, Ekzekutivi ka miratuar vendimin me të cilin i ka përcjellë Kuvendit të Kosovës vlerësimin dhe përgjigjet e nevojshme zyrtare lidhur me këtë nismë.

Sipas njoftimit zyrtar, përgjigja e Qeverisë përfshin opinionin ligjor të përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së , vlerësimin e ndikimit buxhetor, si dhe opinionin ligjor mbi përmbajtjen e projektligjit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin me të cilin i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për Nismën legjislative për ‘Projektligjin Nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializua”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Me këtë vendim, procedura i kalon tashmë Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe procedim tëmëtejshëm ligjvënës. /E.A/

Continue Reading

lajme

Shkarkohet Blerim Isufaj nga posti i Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale

Published

on

By

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është shkarkuar të premten nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka mësuar KOHA.

Gjatë ditës ishte bërë e ditur se KPK-ja do të mblidhej në një takim të jashtëzakonshëm, ku në rend dite ishte diskutimi për performancën e Isufajt.

Isufaj ishte zgjedhur për herë të parë në krye të Prokurorisë Speciale në vitin 2019, ndërsa ishte rizgjedhur në këtë pozitë në vitin 2023.

Gjatë mandatit të tij, Isufaj ka qenë një prej figurave më të kritikuara në sistemin prokurorial nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai ishte votuar edhe nga Këshilli Prokurorial për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, por procesi kishte mbetur pezull dhe nuk ishte dekretuar nga ish-presidentja Vjosa Osmani.

Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar më herët se në sistemin prokurorial “shumica e problemeve kanë emër të përveçëm”, duke iu referuar Isufajt.

Më 2 shtator, Isufaj pati një përplasje me disa anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Përplasjet u zhvilluan gjatë shqyrtimit të raportit të punës së Prokurorisë Speciale për vitin 2025, i cili më pas u rrëzua nga KPK-ja.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Nis takimi mes Kurtit dhe Hamzës

Published

on

By

Ka nisur takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza.

Në takim pritet të diskutohen çështja e zgjedhjes së presidentit të ri dhe ndryshimet e mundshme në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Hamza është parë duke hyrë në objektin e Qeverisë i shoqëruar nga deputeti i PDK-së, Rrahman Rama.

Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 6 tetor për zgjedhjen e presidentit të ri. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon në zgjedhje të reja.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara