Lajmet

​LVV kërkon garanci nga ndërkombëtarët: Zgjedhjet e reja duhet të nxjerrin kryetarë legjitimë

Kusari-Lila u shpreh se arrestimi i Milun Milenkoviç-Llune nuk është shtyrje në eskalim.

Published

on

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, deklaroi se pala kosovare është shumë e interesuar që qetësojë situatën në veri të vendit, por këtë nuk mund ta bëjnë njëanshëm. Pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Kusari-Lila u shpreh se arrestimi i Milun Milenkoviç-Llune nuk është shtyrje në eskalim.

Kusari-Lila u shpreh se sjellja e Serbisë është destruktive dhe me rrëmbimin e policëve kufitarë ka shprehur afër agresionin.

“Jemi të interesuar të qetësojmë situatën, nuk është në interes të askujt nga ne që Kosova të cilësohet si vatër e krizës ose të kemi një situatë të paqëndrueshme në veri të vendit, por këtë nuk mund ta bëjmë njëanshëm sepse vërehet se ajo çfarë ndodhi ditë më parë me rrëmbimin e tre policëve erdhi nga pala tjetër dhe deri në atë ditë ishte vetëm kërkesa ndaj palës së Kosovës, nuk kishte kërkesa ndaj palës së Serbisë, përderisa pamë se sjelljet dhe destruktiviteti edhe agresioni i tyre ndaj nesh ishte në nivel të paimagjinueshëm në raport me retorikën e tyre për qasjen në dialog”, tha Kusari-Lila.

Kusari-Lila u shpreh se arrestimi i Milun Milenkoviç – Llune është edhe në të mirë të serbëve në veri të cilët janë nën presion të tij.

“Arrestimi i kriminelit Llune nuk është shtyrje në eskalim, është hapësirë për deeskalim, për arsye sepse i njëjti nuk cenon vetëm sigurinë e shtetasve të Kosovës të etnisë shqiptare, i njëjti ka qenë dhe mbetet duke iu bërë presion tek qytetarët serbë. Ne i kemi parë se presioni ka qenë i hatashëm ndaj serbëve të mos marrin pjesë në procesin zgjedhor”, deklaroi ajo.

Në lidhje me kërkesën e ndërkombëtarëve për zgjedhje të reja në katër komunat veriore, Kusari-Lila ka thënë se duhet të marrin garanci që procesi i ri zgjedhor duhet të prodhojë kryetarë legjitim pasi nuk mund të organizojnë zgjedhje prapë.

“Tash nëse ne synojmë të hyjmë në këtë proces në hapat të cilat i kërkon bashkësia ndërkombëtare duhet të kemi garancinë e njëjtë që do të ketë proces zgjedhor i cili do të prodhojë kryetarë legjitim, me legjitimitet të plotë, ne flasim për legjitimitetin aktual të cilët kanë dalë si rezultat i një pjesëmarrje tepër të vogël të qytetarëve në këto komuna, 3-4%, ndërsa të tjerët që kërkojnë nuk kanë legjitimitet fare, fare s’kanë marrë pjesë në zgjedhje, fare s’janë certifikuar, legjitimiteti i tyre është i barabartë me zero, por në këtë situatë duhet të kemi qartësi në këtë rrugë sepse përvoja e deritashme ka treguar që se ka dallime dhe lëvizje të vazhdueshme e mosmbajtje në fjalë nga ana e palës serbe në këtë proces”, vijoi Kusari-Lila.

Kusari-Lila është ndalur edhe tek vendimi i MINT për pezullimin e licencës së regjistrimit të biznesit për televizionin Klan Kosova, duke thënë se procedura përfshin ankimin dhe nuk bëhet fjalë për vendim arbitrar.

“Kam vënë re reagime të cilat e prezantuan këtë si synim për humbje të drejtës së lirisë së shprehjes së mediave e kështu më radhë, mendoj se të gjithë në këtë Republikë i kemi përgjegjësitë tona, qoftë në aspekt të prezantimit të të dhënave, të ushtrimit të veprimtarisë apo ushtrimit të funksioneve të cilat i kemi marr me votë të popullit apo me emërime, në rrethana aktuale ne vendim paraqitet procedura ankimimit, nuk po flasim për vendime arbitrare të njëanshme të cilat nuk lënë hapësirë për tu rishikuar apo vlerësuar në periudhën kohore siç është e paraparë me ligj, e para dhe e dyta është gjithashtu të pyeten përgjegjësit e një mediumi kredibil që synon të ketë shikueshmëri dhe numër të madh të përcjellësve se në çfarë logjike dhe në çfarë rrethane Peja dhe Gjakova gjenden në Serbi”, tha Kusari-Lila.

Gjithashtu u bë e ditur se Kuvendi i Kosovës do të mblidhet të enjten e 22 qershorit për interpelancën me ministrin e Financave, Hekuran Murati.

Vendi

PDK kërkon seancë urgjente të Kuvendit sot për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar që sot, më 3 tetor, të mbahet seancë e Kuvendit të Kosovës për të votuar në dy lexime ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se vendimi i Qeverisë për të përcjellë në Kuvend plotësim-ndryshimin e këtij ligji është një hap i rëndësishëm dhe se procedurat parlamentare duhet të nisin pa vonesë.

“Ligji duhet të trajtohet dhe të votohet në të dy leximet. Prandaj, procedura duhet të nisë SOT në seancën e Kuvendit, duke pasur parasysh afatin prej 72 orësh ndërmjet dy leximeve“, ka thënë Musliu.

Ajo ka theksuar se Kosovës i nevojitet edhe një strategji e koordinuar juridike e diplomatike me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë për procesin e apelimit të vendimit të 16 shtatorit dhe mbrojtjen e luftës së UÇK-së. Sipas saj, çështja është mbi kalkulimet politike dhe përfaqëson interes shtetëror, posaçërisht para se vendi të shkojë në zgjedhje./E.A/

Continue Reading

lajme

Qeveria miraton ndryshimet për Dhomat e Specializuara

Published

on

By

Qeveria e Kosovës ka konstatuar se nuk ka asnjë shkelje apo pengesë ligjore në nismën legjislative të ndërmarrë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Përmes një mbledhjeje elektronike të mbajtur të premten në mbrëmje, Ekzekutivi ka miratuar vendimin me të cilin i ka përcjellë Kuvendit të Kosovës vlerësimin dhe përgjigjet e nevojshme zyrtare lidhur me këtë nismë.

Sipas njoftimit zyrtar, përgjigja e Qeverisë përfshin opinionin ligjor të përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së , vlerësimin e ndikimit buxhetor, si dhe opinionin ligjor mbi përmbajtjen e projektligjit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin me të cilin i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për Nismën legjislative për ‘Projektligjin Nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializua”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Me këtë vendim, procedura i kalon tashmë Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe procedim tëmëtejshëm ligjvënës. /E.A/

Continue Reading

lajme

Shkarkohet Blerim Isufaj nga posti i Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale

Published

on

By

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është shkarkuar të premten nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka mësuar KOHA.

Gjatë ditës ishte bërë e ditur se KPK-ja do të mblidhej në një takim të jashtëzakonshëm, ku në rend dite ishte diskutimi për performancën e Isufajt.

Isufaj ishte zgjedhur për herë të parë në krye të Prokurorisë Speciale në vitin 2019, ndërsa ishte rizgjedhur në këtë pozitë në vitin 2023.

Gjatë mandatit të tij, Isufaj ka qenë një prej figurave më të kritikuara në sistemin prokurorial nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai ishte votuar edhe nga Këshilli Prokurorial për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, por procesi kishte mbetur pezull dhe nuk ishte dekretuar nga ish-presidentja Vjosa Osmani.

Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar më herët se në sistemin prokurorial “shumica e problemeve kanë emër të përveçëm”, duke iu referuar Isufajt.

Më 2 shtator, Isufaj pati një përplasje me disa anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Përplasjet u zhvilluan gjatë shqyrtimit të raportit të punës së Prokurorisë Speciale për vitin 2025, i cili më pas u rrëzua nga KPK-ja.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Nis takimi mes Kurtit dhe Hamzës

Published

on

By

Ka nisur takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza.

Në takim pritet të diskutohen çështja e zgjedhjes së presidentit të ri dhe ndryshimet e mundshme në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Hamza është parë duke hyrë në objektin e Qeverisë i shoqëruar nga deputeti i PDK-së, Rrahman Rama.

Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 6 tetor për zgjedhjen e presidentit të ri. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon në zgjedhje të reja.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara