Lajmet

​Lajçak tregon se çka u bisedua në takim me Kurtin

Përveç me kryeministrin Kurti, Lajçak ka zhvilluar takim edhe me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

Published

on

I dërguar i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti tha se kanë biseduar për rrugën drejt normalizimit, çështjen e targave dhe energjinë. Duke përmendur afatin për targat që është 31 tetori, Lajcak tha se është e rëndësishme të dinë se cilat janë planet dhe të shmangin çdo situatë që mund të përshkallëzohet. Për dialogun, ai theksoi se ekziston një dritare mundësie deri në zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ato evropiane që mbahen në vitin 2024.

Përveç me kryeministrin Kurti, Lajçak ka zhvilluar takim edhe me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

“Pika numër një ishte rruga përpara për normalizimin dhe vazhdimin e diskutimit tonë që nisëm së fundmi, i cili vazhdoi edhe me ndërhyrjen e presidentit Macron dhe kancelarit Scholz dhe telefonatës së sekretarit Blinken dhe diskutojmë hapat e ardhshëm. Dhe pastaj ne kemi edhe pikën e dytë të rendit të ditës ku janë çështjet aktuale dhe veçanërisht çështja e energjisë, dhe çështja e targave, sepse për targat, siç e dini, afati është më 31 tetor dhe është shumë e rëndësishme për ju dhe që ne si Bashkim Evropian dhe Komuniteti Ndërkombëtar të dimë se cilat janë planet dhe të shmangim çdo situatë që mund të përshkallëzohet, sepse kjo nuk është në interesin e askujt”, tha Lajçak.

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi tha se ka një kalendar politik unik sa i përket normalizimit të marrëdhënieve në mes të dy vendeve. Ai tha se para zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian ka një mundësi të mirë, meqë sipas tij në periudhën e zgjedhjeve prioritetet janë diku tjetër dhe kjo nuk është e mirë për dialogun.

“Ne kemi Aleancën unike të Bashkimit Evropian-Shtetet e Bashkuara të mbështetur fuqishëm nga Mbretëria e Bashkuar, të fokusuar në dialog dhe të gjithë jemi të gatshëm të shohim dialogun duke prodhuar normalizim. Kjo është vërtet mirë sepse kur kemi zgjedhje evropiane dhe kemi zgjedhje në ShBA, atëherë prioritetet janë diku tjetër dhe nuk është mirë për dialogun. Prandaj nuk do të thosha se viti i ardhshëm është vendimtar, që kam thënë më shumë se një herë që kemi këtë dritare mundësie, e cila do të zgjasë deri në zgjedhjet evropiane dhe zgjedhjet në ShBA në vitin 2024. Dhe mendoj se është përgjegjësia jonë të mos e humbim këtë dritare të mundësive. Dhe e dyta, unë jam ai që jap vlerësimin e dialogut, kjo është pjesë e mandatit tim dhe e respektoj plotësisht mandatin e komisionerëve kur bëhet fjalë për vlerësimin e progresit dhe procesit të zgjerimit”, tha Lajcak.

Ai tha se të hënën do të jetë në Beograd për të diskutuar për çështjet që ai i quajti të hapura dhe për të cilat tha se synon të gjejë zgjidhje.

“Kur është fjala për energjinë, jemi në proces konsultimesh. Ekziston rreziku t’i tërhiqet licenca Electroserver-it, gjë që ne nuk duam të ndodhë, prandaj ftova të gjithë palët si KEDS e Electroserver në Bruksel të hënën, ku kemi kaluar gjithë ditën duke diskutuar situatën dhe përsëri ishte e rëndësishme për mua tani që këto përfundime, do të them, për këto diskutime t’ia sjell kryeministrit dhe të diskutoj rrugën përpara dhe të hënën do të jem në Beograd, pikërisht me të njëjtin synim me të njëjtën agjendë dhe me të njëjtat çështje, dhe unë me të vërtetë dua të gjej zgjidhje për çështjet që janë ende të hapura”, tha ai.

Ndërsa nga Qeveria e Kosovës nuk janë deklaruar pas këtij takimi.

Lajmet

Rënie e ndjeshme e temperaturave dhe reshje bore në Kosovë, autoritetet bëjnë thirrje për kujdes

Published

on

By

Që nga mbrëmja e së mërkurës, Kosova është përfshirë nga rënie e ndjeshme e temperaturave dhe reshje bore, pasi ditëve të fundit vendi u përball me vërshime të konsiderueshme që shkaktuan dëme në disa zona.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) paralajmëroi për krijimin e ngricave dhe kushte të rrezikshme në rrugë, duke u bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar gjatë qarkullimit. Apelit të IHMK-së iu bashkuan edhe institucione të tjera, përfshirë Policinë e Kosovës, e cila kërkoi respektimin e rregullave të trafikut dhe përdorimin e pajisjeve dimërore.

Ndërkohë, Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) bëri të ditur se situata me vërshime ka shënuar përmirësim të dukshëm pas ndërprerjes së reshjeve të shiut. Megjithatë, sipas AME-së, reshjet e borës dhe ngricat kanë krijuar vështirësi në qarkullimin rrugor në disa rajone të vendit.

“Disa rrugë mbeten ende të bllokuara për shkak të shembjeve të dheut. Apelojmë te qytetarët për kujdes të shtuar në këtë situatë”, thuhet në njoftimin e AME-së të publikuar më 8 janar.

Sa i përket rrezikut nga vërshimet, AME-ja njoftoi se niveli i ujit në lumenjtë kryesorë ka nisur të bjerë dhe se aktualisht nuk ka rrezik të menjëhershëm për vërshime të reja. Sipas agjencisë, janë kryer disa intervenime në komuna të ndryshme, ndërsa situata vlerësohet si e menaxhueshme.

Si masë parandaluese, në Mitrovicë të Jugut dhe në Istog janë evakuuar përkohësisht disa familje. Ndërkohë, për shkak të vërshimeve, në disa zona të Kosovës janë shënuar probleme në furnizimin me ujë dhe energji elektrike.

Autoritetet, po ashtu, kanë vendosur të shtyjnë rinisjen e mësimit pas pushimit dimëror deri më 12 janar, me qëllim garantimin e sigurisë së nxënësve dhe stafit arsimor./REL

Continue Reading

Lajmet

Deri në një orë e gjysmë pritje për dalje nga Kosova

Published

on

By

Ministria e Punëve të Brendshme ka përditësuar të dhënat për gjendjen në pikat kufitare.

Aty bëhet e ditur se pritjet për të dalë nga Kosova po zgjasin deri në 90 minuta. Kjo situatë është në pikën kufitare në Jarinjë.

Pritje deri në 1 orë ka edhe në Merdarë, ndërsa 40 minuta janë pritjet tek Dheu i Bardhë.

Continue Reading

Lajmet

Sot nis numërimi i fletëvotimeve të fundit nga diaspora

Published

on

By

Sot në Kosovë pritet të arrijnë edhe 3,185 pako të fundit me fletëvotime të ardhura nga diaspora, të tërhequra nga kutitë postare në Paris, Berlin, Hagë, Podgoricë dhe Otavë.

Lajmi është konfirmuar për Ekonomia Online nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili bëri të ditur se numërimi i tyre pritet të nisë sonte rreth orës 19:00, pas procesit të verifikimit.

“Fillimisht, këto pako do të përfshihen në procesin e vlerësimit dhe verifikimit, me qëllim të vërtetimit nëse të njëjtat janë dërguar nga votuesit e regjistruar jashtë Kosovës dhe pastaj, fletëvotimet e aprovuara do të numërohen. Planifikojmë që numërimi të fillojë sonte rreth orës 19:00”, tha Elezi.

Sipas tij, “numërimi i këtyre fletëvotiimeve shënon përfundimin e procesit të numërimit të të gjitha fletëvotimeve nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025”.

Elezi ka treguar se me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, KQZ është e gatshme të shpall rezultatin përfundimtar, por ky institucion duhet të presë të kalojë afati për ankesa të mundshme në administrimit e numërimit.

“Me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, KQZ është e gatshme për të shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor. Por, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, palët mund të parashtrojnë ndonjë ankesë në PZAP lidhur me administrimin e numërimit në QNR brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar”, tregoi Elezi./EO

Continue Reading

Lajmet

Arrestime nëpër Kosovë, BKS thotë se denoncoi shkeljet e dyshuara

Published

on

By

Krimet ekonomike të Policisë së Kosovës, të udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Prizren, janë duke realizuar një aksion në disa rajone të Kosovës.

Byroja Kosovare e Sigurimeve tha se sa i përket këtij aksioni ai është iniciuar nga vetë byroja në cilësinë e palës së dëmtuar “rezultat i konstatimeve të identifikuara në raportin e Auditimit të Brendshëm”.

Ish-zyrtar të kësaj byroje është raportuar se janë arrestuar gjatë aksionit të sotëm.

Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm të Byrosë për transparencë, integritet institucional dhe mbrojtje të interesit publik, pas evidentimit të shkeljeve serioze dhe dyshimeve për keqpërdorime, BKS ka ndërmarrë veprime të menjëhershme ligjore, duke i adresuar gjetjet përkatëse tek organet kompetente të rendit dhe drejtësisë”, tha BKS-ja.

BKS-ja shtoi se ka vënë në dispozicion autoriteteve të gjithë dokumentacionin dhe informacionin e nevojshëm për zhvillimin e hetimeve.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, tha më herët për Radion Evropa e Lirë se cak i këtij aksioni janë “mbi 40 të dyshuar, në pothuajse të gjitha rajonet e Kosovës”.

Betimi për Drejtësi – ueb-faqe e specializuar për fushën e sundimit të ligjit – duke u thirrur në burime raportoi se gjatë aksionit janë arrestuar disa persona në rajonet e Prizrenit, Prishtinës, Pejës, Gjilanit, Ferizajt, Mitrovicës dhe Gjakovës.

Në mesin e të arrestuarve, sipas Betimit për Drejtësi, janë Sami Mazreku, ish-drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimeve dhe ish-drejtori i Financave i kësaj byroje, Valon Berisha. Ata dyshohen se u kanë lëshuar para qytetarëve të ndryshëm në emër të sigurimeve, në vlerë prej mijëra eurosh. Ky medium mëson se nga këto para, qytetarët një pjesë të tyre dyshohet t’ua kenë dhënë vetë atyre në para të gatshme.

Raportohet se aksioni po zhvillohet lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale: “keqpërdorim i besimit”, “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomike”, “ndihmë në keqpërdorim të besimit” dhe “falsifikim të dokumentit”.

Në këtë aksion thuhet se janë përfshirë një numër i madh i prokurorëve dhe policëve./REL

Continue Reading

Të kërkuara