Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
Foto: Në ndërtesën e Institutit Albanologjik u vendos një fakultet e galeri serbe
25 qershor 1993
Vazhdon represioni i policisë serbe kundër shkollës shqipe në Kosovë
Në vazhdën e represionit të policisë serbe kundër shkollës shqipe në Kosovë, në shkollat fillore të komunës së Shtimes, policia plaçkiti vulat dhe dëftesat e nxënësve.
Në Shkollën fillore “Emin Duraku”, policia mori 37 dëftesa të nënshkruara dhe të vulosura, në kohën kur drejtori i kësaj shkolle, Ragip Eseti ishte në të ashtuquajturën bisedë informative. Po ashtu në Shkollën fillore “Lasgush Poradeci” të fshatit Muzeqinë, policia serbe konfiskoi vulat, kurse nga drejtori, Avni Fejzullahu, kërkoi dëftesat e paregjistruara dhe të pavulosura. Policët shkuan edhe në Shkollën fillore “Bajram Curri” në fshatin Petrovë, si dhe në shkollën “Abdullah Shabani” në fshatin Caralevë, por meqë shkollat ishin të mbyllura, policia u kthue.
Policia serbe dje ishte edhe në Shkollën fillore “Konstandin Kristoforidhi” në fshatin Balaj të Ferizajt dhe arrestoi drejtorin, Fehmi Kashtanjevën, pedagogun e shkollës, Shaban Rexhepin, kryetarin e pleqësisë, Sami Sadikun dhe shërbëtorin, Kadri Aliun, me ç’rast policia serbe plaçkiti dokumentacionin. Gjatë kësaj ndërhyrjeje, policia shtiu me armë në ajër dhe shqetësoi banorët e fshatit Balaj.
U bastis edhe Shkolla fillore “Halit Ibishi” e fshatit Cërnillë dhe bashkë me dokumentacionin në polici u dërgua edhe drejtori, Enver Grainca dhe sekretarja, Mirvete Tahiri-Grainca. Ndërkohë kjo e fundit u lirua nga policia.
Po ashtu dje paradite, policia ishte në Shkollën fillore të fshatit Gaçkë, por në saje të syqeltësisë, nuk arriti të plaçkis dokumentacionin. Policia disa herë kërkoi edhe drejtorin e shkollës “Ganimete Tërbeshi”.
25 qershor 1994
Në ndërtesën e Institutit Albanologjik u vendos një fakultet e galeri serbe
Gazetat serbe njoftojnë sot se në ndërtesën e Institutit Albanologjik të Prishtinës, u vendos dje një i ashtuquajtur Fakultet i Shkencavematematikore – natyrore të universitetit të krijuar nga pushtuesit serbë dhe se u hap një galeri e re arteve në të.
Ndërtesa e IA-së, siç dihet u mor me dhunë nga forcat serbe para më shumë se tre muajsh. Gjatë ndërhyrjes së policisë ishin goditur fizikisht shumica e shkencëtarëve dhe punëtorëve të tij.
Para më shumë se dhjetë ditëve dr. Millosh Simoviq, i instaluar si prefekt në të ashtuquajturin Qark të Kosovës, kishte urdhëruar me një shkresë që ndërtesa ë IA-së të sillej në gjendjen e mëparshme dhe që brenda tri ditëve t’i dorëzohej drejtorisë së IA-së.
Mirëpo, avokati përfaqësues i IA-së, Destan Rukiqi ka njoftuar me kohë se administrata e instaluar serbe në Kosovë nuk e përmbushte premtimin e saj.
Ndërkohë Simoviqi u shkarkua nga funksioni i prefektit.
Gazeta “Borba” citonte burime të paidentifikuara që thonin se gjoja shkarkimi i Simoviqit ishte bërë për shkak se ai e kishte dhënë urdhërin e pushtimit të ndërtesës së IA-së pa konsultuar eprorët e tij në Beograd.
Krahas komentimeve të ndryshme që nuk u demantuan, në fillim të kësaj jave propoganda serbe e dërgoi një mesazh të keq reth fatit të mëtutjeshëm të ndërtesës. Nëë një emision të televizionit serb u “zbuluan” kanalet e fshehta nëntokësore që lidhnin këtë ndërtesë me godinat e ish- Fakultetit Filozofik të UP-së.
Këtë farë zbulimi e bënte po ai gazetar që kishte zbuluar gjatë vitit të kaluar një kanal nëntokësor që gjoja lidhte Shqipërinë me Kosovën dhe për të cilin kishin kaluar nga Shqipëria në Kosovë hiq më pak se 100 000 shtetas të Shqipërisë!
Mirëpo krahas këtij mesazhi pothuaj zyrtar që u doli si i saktë, disa komantatorë serbë, për qëllime të ndryshme spkekulonin me shkresën dhe shkarkimin e të të ashtuquajturit prefekt, duke e parë këtë si në shenjë të vullnetit të mirë të Beogradit për shqiptarët në Kosovë, në prag të kinse fillimit të bisedimeve shqiptaro – serbe.
Ndërsa komentatorët shqiptarë, si edhe udhëheqja e IA-së kanë shfaqur rezerva të mëdha lidhur me realizimin e evntual të vendimit për rivendosjen e punëtorëve në institutin e tyre.
Rezerva të këtilla shfaqi në një konferencë për gazetarë edhe nënkryetari i LDK-së Fehmi Agani.
Përkundër kësaj atmosfere që u kirjua, dje, siç njoftojnë gazetat “Borba” dhe “Jedinstvo”, në një ceremini rasti, ku mori pjesë edhe i ashtuquajturi rektor Papoviq, në ndërtesën e IA- së u vendos katedra e bilogjisë dhe u hap një galeri e arteve!
Prof. dr. Zoran Karalejiq, i ashtuquajtur dekan i Fakultetit të Arteve, duke e shpallur të hapur galerinë tha se ndërtesa “përfundimisht iu mor nga dora shovenistëve shqiptarë dhe iu dha kulturës serbe, dhe se nga ajo që ishte dikur, mbeti vetëm ëndërra e keqe”, njofton “Borba”.
Ndërsa gazeta “Jedinstvo” citon edhe këtë pjesë të fjalës së tij: “Le të shërbejë ky pushtim i hapësirave të reja kulturore për të ardhur në vete dhe për ta njohur në një mënyrë të re njëri tjetrin”.
Hapja e asaj farë galerie u bë në kuadër të manifestimeve serbe për të ashtuquajturin përvjetor i Vidovdanit.
25 qershor 1997
Keqtrajtime të shqiptarëve për shkak të vizitës së presidentit serb në Prizren
Nga Prizreni njoftohet se policia serbe keqtrajtoi pronarët e dyqaneve shqiptare para arritjes së presidentit serb Millosheviq. Policia serbe u soll me vandalizëm kundër pronarëve shqiptarë të dyqaneve në këtë qytet, pasi në vitrinat e dyqaneve të tyre u vendosën me dhunë pankartat dhe fotografitë e S. Millosheviqit.
Njoftohet se sot, policia serbe ka keqtrajtuar rëndë Meriman Krasniqin (27) nga Prizreni, në dyqanin e të cilit u vendos me dhunë portreti i Millosheviqit. Pasi Merimani tentoi ta hiqte portretin e presidentit serb nga vitrina, disa civilë të sigurimit serb atë e keqtrajtuan rëndë. Me të arritur në dyqan pronari Musli Krasniqi, atë e vërshuan policët e uniformuar serbë, të cilit ia lanë thirrjen që të paraqitet sot në orën 12:00 në stacionin e policisë serbe në Prizren, ndërsa z. Krasniqi në shenjë proteste ka mbyllur dyqanin e tij.
Njoftohet se policia serbe njësoj ka vepruar edhe kundër pronarit të dyqanit “Neni” në Prizren, emrin e të cilit nuk arritëm ta mësojmë. Ai pasi kundërshtoi vënien e fotografisë së Millosheviqit, u keqtrajtua fizikisht nga një polic serb. Njoftohet se në shenjë proteste adhe ai ka mbyllur dyqanin e tij, ndërsa para dyqanit vazhdojnë të qëndrojnë katër policë serbë.
Gjendja në qytetin e Prizrenit ishte e tendosur dhe secila rrugë e qytetit e vërshuar nga policë serbë. Rrugët e qytetit në Prizren janë të zbrazura, ndërsa bina e ngritur në qendër të qytetit, para së cilës pritet të flasë Millosheviqi, po e pret një masë e vogël serbësh.
Në Prizren është ndaluar edhe tregu, pasi siç dihet e mërkura është ditë tregu në këtë qytet.
25 qershor 1998
Ushtria serbe solli në morgun e spitalit të Gjakovës trupin e pajetë të një shqiptari
Sot rreth orës 12, ushtria serbe nga drejtimi i fshatrave të Rekës së Keqe, solli trupin e pajetë të një shqiptari të cilin e vendosën në morgun e spitalit të Gjakovës.
Ende nuk ka njoftime për identitetin e tij.
Në morgun e spitalit të Gjakovës dy të vrarë
Sot rreth orës 12, ushtria serbe nga drejtimi i fshatrave të Rekës së Keqe, solli trupin e pajetë të një shqiptari të cilin e vendosën në morgun e spitalit të Gjakovës. Ende nuk ka njoftime për identitetin e tij. Po sot në këtë morg u soll edhe një shqiptar tjetër i vrarë.
Njoftimi nga Gjakova bën me dije se fjala është për dy shqiptarë nga fshatrat e Rekës së Keqe, njëri i moshës 26 vjeçe e tjetri i moshës 45 vjeçe.