Një hetim i gazetës britanike The Guardian ka ngritur pikëpyetje serioze rreth mënyrës se si kontrata energjetike me vlerë mbi 1 miliard dollarë në Ballkan po i jepen një kompanie pak të njohur amerikane me lidhje me presidentin amerikan Donald Trump.
Sipas raportimit, kompania AAFS Infrastructure and Energy është pranë sigurimit të një koncesioni për ndërtimin dhe operimin e një gazsjellësi në Bosnje dhe Hercegovinë, projekt që synon të zëvendësojë furnizimin me gaz rus me gaz të importuar nga Shtetet e Bashkuara. Vlera totale e investimeve të lidhura me projektin, përfshirë termocentrale të reja, mund të kalojë 1 miliard dollarë
The Guardian thekson se kompania nuk ka histori të mëparshme në realizimin e projekteve të kësaj madhësie, por ka lidhje të afërta me figura të rrethit politik të Trumpit. Në mesin e përfaqësuesve të saj përmenden avokati Jesse Binnall, i njohur për mbrojtjen ligjore të Trumpit, si dhe Joe Flynn, vëllai i ish-këshilltarit për siguri kombëtare Michael Flynn. Të dy kanë qenë të përfshirë në përpjekjet për të kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale amerikane të vitit 2020.
Raporti ngre shqetësime edhe për mungesën e një procesi konkurrues të tenderimit. Sipas dokumenteve të siguruara nga gazeta, autoritetet në Bosnje kanë ndryshuar legjislacionin për t’i hapur rrugë përfshirjes së AAFS në projekt, pa një garë të hapur ndërkombëtare. Kjo ka nxitur kritika nga organizata kundër korrupsionit dhe zyrtarë evropianë.
Sipas The Guardian, Bashkimi Evropian e sheh projektin si pjesë të përpjekjeve për të ulur varësinë e rajonit nga energjia ruse, por zyrtarë evropianë kanë paralajmëruar se shmangia e procedurave standarde mund të dëmtojë procesin e integrimit evropian të Bosnjës dhe Hercegovinës.
Artikulli vë në dukje gjithashtu se projekti ka dimension të fortë gjeopolitik, pasi përfshin figura të afërta me liderin serb të Bosnjës, Milorad Dodik, i cili më parë është përballur me sanksione amerikane dhe është konsideruar aleat i Rusisë. Analistët e cituar nga gazeta paralajmërojnë se ndërthurja e interesave private me politikën e jashtme amerikane mund të krijojë tensione të reja në një rajon që vazhdon të mbetet politikisht i brishtë. /The Guardian/