Lajmet

​Kuvendi nuk e voton raportin vjetor të ZRRE-së për 2020

Partitë opozitare kanë qenë kundër që ky raport të mos miratohet.

Published

on

Në mungesë të kuorumit në vendimmarrje nuk është votuar raporti vjetor i Zyrës së Rregullatorit për Energji për 2020, ku në votim kanë marrë pjesë vetëm 56 deputetë.

Mosmiratimin e këtij raporti e kanë rekomanduar Komisioni për Ekonomi, Ndërmarrësi dhe Tregti, si dhe Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Partitë opozitare kanë qenë kundër që ky raport të mos miratohet, madje e kanë quajtur si një arsye që pozita të shkarkojë Bordin e ZRRE-së.

Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, deputeti Ferat Shala tha se raporti i ZRRE-së duhet të miratohet pasi që i plotëson të gjitha kriteret ligjore.

“2020 ka qenë njëri ndër vitet më të suksesshme në pjesën legjislative dhe vendimmarrëse të Rregullatorit të Energjisë ku në këtë vit parimisht është bërë shkëputja dhe funksionalizimi i bllokut rregullues me Shqipërinë dhe sot vetëm ky fakt do të mjaftonte që ne të gjithë një zëri të ishim pro, sepse nuk është bërë pa punën dhe konsistencën profesionale të ekipeve të ZRRE-së do të duhej ky raport të miratohet… Mjafton të shihni pasqyrimin e të dhënave për humbjet në veri dhe mënyrën e menaxhimit të tyre, mjafton të shihni analizën dhe përgjigjet nga 200 lëndë që iu kanë dhënë konsumatorëve privat, 77 për qind prej tyre janë në favor të biznesit privat, mjafton të shihni tabelat ku parimisht janë dhënë sinjale për stabilizimin strategjik të sektorit të energjisë dhe interkoneksionin me Shqipëri”, tha Shala.

Edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, tha se ky raport duhet të miratohet pasi që ka qenë përmbajtjesor dhe i detajuar.

“Mund të them që ka qenë mjaftë përmbajtjesor, i detajuar dhe pasqyrat financiare kanë qenë mjaftë transparente dhe mund të them që mund ta vlerësoj ndër raportet e mira të një institucioni të pavarur. Nuk e di pse rekomandimi është që të mos votohet ky raport. Ne e kuptojmë deri diku përcaktimin politik dhe vizionin e qeverisë, mirëpo kur është diçka e shkruar ashtu siç duhet e sidomos kur te këto agjencione të pavarura ne përpara na del politika e jo profesionalizmi, unë nuk di si ta quaj këtë. Prandaj, ne e përkrahim në plotëni”, tha Lekaj.

Ushtruesja e detyrës së shefit të Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se është pasaktësi të thuhet se mos miratimi i raportit është për shkak se kërkojnë shkarkimin e Bordit të ZRRE-së.

“Pasaktësi është të thuhet se kërkojmë që mos të miratohet raporti pasi që kërkojmë shkarkimin e bordit. Rikujtoj deputetët që mundohen të na tregojnë diçka të paqenë se Bordi i ZRRE-së është votuar në këtë Kuvend në vitin 2021, do të thotë Bordi është i kompletuar, ky Kuvend ka kompletuar Bordin dhe nuk ka të bëjë me asnjë lloj shkarkimi apo tendence. E dyta, arsyet dhe argumentet për mos miratim të raportit kanë të bëjnë me mos zbatim të metodologjisë në rekomandimin për tarifat, llogaritjen e gabuar të tarifave, janë çështje përmbajtjesore të cilat sjellin vendimin tonë për mos miratim të raportit për vitin 2020”, tha Kusari-Lila.

Ndaj deklarimeve të Kusari-Lila ka reaguar deputeti Ferat Shala, i cili tha se e vetmja mundësi që i hap rrugë shkarkimit të bordit është mos miratimi i raportit.

“E vetmja mundësi që hap hapësirë për shkarkimin e bordit është mos miratimi i raportit në mënyrë që është praktikë e njohur tashmë e këtyre kolegëve që po e praktikojnë. Ky është qëndrimi jonë”, tha Shala.

Në debat është përfshirë edhe deputeti i LDK-së, Arben Gashi, i cili tha se presin të shohin se si do të veprojë ZRRE në lidhje me licencimin e operatorit të shpërndarjes së energjisë eklektike në veri.

“Njëri prej problemeve që presim me kuriozitet ta shohim se si do të veprojë ZRRE, pra dora e zgjatur e qeverisë në këtë rast lidhur me licencimin e operatorit të shpërndarjes së energjisë elektrike në komunat e veriut. Pra, ka disa tema shumë delikate, shumë të ndjeshme të cilat duhet t’i trajtojë ZRRE, të cilat ne po presim t’i shohim dhe t’i japim vlerësimet tona… Pra, këto tri tema unë pres me kuriozitet maksimal që t’i shoh, si do të reflektohet inflacioni në çmimin e energjisë elektrike, si do ta trajtojë mbikëqyrjen e KEDS-it nga ana e ZRRE-së dhe si do ta trajtojë problemin me operatorin, i cili është dashur të licencohet që sa kohë dhe Kosova vazhdon të paguajë dhjetëra milionë euro për komunat në veri, të cilat nuk paguajnë energji elektrike, sepse ZRRE deri tash nuk ka pasur Bord për ta licencuar operatorin në bazë të marrëveshjes së arritur në Bruksel”, tha Gashi.

Në mungesë të kuorumit në vendimmarrje ka dështuar të votohet edhe raporti vjetor i Komisionit të Pavarur për Media për vitin 2020, ku vetëm 50 deputetë kanë marrë pjesë në votim.

Paraprakisht mos miratimin e këtij raporti e kanë rekomanduar dy komisione parlamentare, Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal dhe Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere.

lajme

United Hospital apelon: Mos e neglizhoni rënien e pashpjegueshme në peshë – diagnostikimi i hershëm mund të shpëtojë jetë

Published

on

By

Prishtinë – Shëndeti nuk matet vetëm me mungesën e dhimbjes, por edhe me aftësinë për të njohur në kohë sinjalet që organizmi dërgon. Një nga këto sinjale, që shpesh neglizhohet, është rënia e pashpjegueshme në peshë – një simptomë që mund të fshehë probleme serioze shëndetësore dhe që kërkon vlerësim të menjëhershëm nga specialistët.

Rënia e pashpjegueshme në peshë: Pse nuk duhet ta neglizhoni asnjëherë? Humbja e peshës trupore pa ndryshime në regjimin ushqimor apo pa rritje të aktivitetit fizik mund të perceptohet si një zhvillim pozitiv.

Megjithatë, nga këndvështrimi mjekësor, një ndryshim i tillë mund të përfaqësojë një sinjal të rëndësishëm biologjik, që kërkon vlerësim të kujdesshëm klinik. Në shumë raste, rënia e pashpjegueshme në peshë është një nga simptomat e para të çrregullimeve metabolike, sëmundjeve kronike ose patologjive serioze, ndaj nuk duhet nënvlerësuar apo lënë pa u ekzaminuar nga specialistët.

Me një qasje profesionale dhe të orientuar drejt parandalimit, United Hospital vazhdon të promovojë kulturën e diagnostikimit të hershëm, duke sensibilizuar qytetarët që të mos injorojnë ndryshimet e papritura në organizëm. Përmes këshillave të gastroenterologëve të tij, spitali thekson se humbja e konsiderueshme e peshës pa dietë apo aktivitet fizik, sidomos te personat mbi moshën 50-vjeçare, mund të jetë një shenjë alarmuese që kërkon ekzaminime të specializuara.

Sipas ekspertëve, situata bëhet edhe më serioze kur rënia në peshë shoqërohet me dhimbje barku, shqetësime pas ushqimit, fryrje të vazhdueshme apo simptoma të tjera të traktit gastrointestinal. Këto mund të jenë tregues të sëmundjeve që, nëse zbulohen në fazat e hershme, kanë mundësi shumë më të mëdha trajtimi dhe shërimi.

Në këtë drejtim, United Hospital vë në pah rëndësinë e kontrolleve të rregullta dhe konsultave me gastroenterologun, duke e konsideruar diagnostikimin e hershëm si një nga armët më të fuqishme në luftën kundër sëmundjeve të traktit tretës, përfshirë edhe ato malinje.

Përmes teknologjisë moderne diagnostikuese, stafit të specializuar dhe përkushtimit ndaj pacientit, United Hospital vazhdon të jetë një adresë e besueshme për kujdes shëndetësor cilësor në Kosovë. Mesazhi i specialistëve është i qartë: mos prisni që simptomat të përkeqësohen. Një kontroll në kohën e duhur mund të bëjë dallimin mes një trajtimi të suksesshëm dhe një sëmundjeje të zbuluar me vonesë.

Në mjekësi, çdo ditë ka rëndësi. Kujdesi për shëndetin fillon me ndërgjegjësimin, ndërsa vendimi për t’u kontrolluar në kohë është investimi më i vlefshëm që secili mund të bëjë për jetën e vet./rajonipress/

Continue Reading

Vendi

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 18 korrik 1993-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 Foto: Luftë nëpër rrugë – Rahoveci sot

 18 korrik 1994

Një grup serbësh rrahën më 14 korrik së paku 15 shqiptarë në Fushë të Kosovës 

Kryesia e Nëndegës së LDK-së në Fushë Kosovë njoftoi sot se më 14 korrik, pak pas orës 20;15 disa persona civilë serbë, pa kurrëfarë shkasi rrahën sëpaku 15 shqiptarë që po shetisnin në atë kohë.

Njoftohet se rrahja zgjati rreth 30 min. ndërsa ajo u organizua dhe u ekzekutua nga disa policë serbë që në ato momente ishin pa uniformë.

Njëri prej të rrahurve, i riu Rrahim Tërholli (1975) nga Fushë Kosova i dërgua në spital, por mjekët serbë nuk i dhanë ndihmë.

Nëndega e LDK-së në Fushë të Kosovës ka identifikuar deri më tash këta të rrahur: Ramadan Blakçori (1976), Rrahim Tërholli (1975), Ismet Pireva (1973), Afrim Ismaili (1973), Ahmet Zogiani (1951), Feride Zogiani (1956), Zojë Osmani (1973), Feti Osmani (1954), Drita Osmani (1969), Zija Selimi (1975), Rabije Osmani (1958), Ismet Avdiu (1955), Nazmie Avdiu (1932), Fatmir Avdiu (1971), Hamdi Lahu (1969), që të gjithë nga Fushë Kosova.

Dy orë më vonë policia serbe doli në vendin ku u rrahën shqiptarët dhe nisi fushatën e arrestimeve të të gjithë atyre që njëherë ishin rrahur nga policët e civilët serbë.

Afrim Ismajli dhe Ismet Pireva u mbajtën në polici deri në orën 03:00. Policia u tha atyre se shqiptarët e rrahur kishin dalur në rrugë gjojë për të kremtuar mbajtjen e suksesshme të Kuvendit II zgjedhor të LDK-së. Ata treguan se gjatë marrjes në pyetje ishin ofenduar nga policët serbë.

Dëshmitarët thonë se Nazmije Avdiu (1932), derisa po qëndronte para shtëpisë së saj, u rrah nga njëfarë Milovanoviqi i mbathur me çizme ushtarake.

Sipas disa dëshmitarëve, si akterë kryesor në këtë rahje ishin Dragan Radulloviq, Pera Millovanoviq – polic me rroba civile, Dragan Llakusheviq, Marko kovaqeviq – i punësuar në postën e Fushë Kosovës, Radulle Radojqiq, e tjerë.

Vlen të përkujtohet në fund se jo shumë larg vendit ku u rrahën këta shqiptarë, po mbahej Kuvendi II zgjedhor i LDK-së.

 

 

 

18 korrik 1995

Dhuna e përditshme në Kosovë

Gllogoc: – Më 17 korrik, sipas thirrjes së policisë u paraqit Rifat Bilalli, arsimtar nga Tërsteniku i Gllogocit. Gjatë kohës sa ai u mbajt në polici, u pyet rreth aktivitetit të tij politik në LDK. Njoftohet se ai është keqtrajtuar fizikisht në stacionin e policisë në Gllogoc, ndërsa u lirua me porosinë e policisë se do të thirret sërish.

Vushtrri: – Më 1 korrik, policia me pretekst të kërkimit të armëve, ishte në shtëpinë e Niman Sadikut (61) në rr. “Sh.Galica” në Vushtrri

Skënderaj: – Më 7 korrik, policia serbe e postkomandës së Runikut, me pretekst të kërkimit të armëve mori në shtëpinë e tyre Musli dhe Shaban Latifin nga Kllodernica e Skënderajt. Ata janë keqtrajtuar rëndë dhe janë urdhëruar që të paraqiten sërish në polici më 10 korrik.

Më 16 korrik, polcia serbe ishte në fshatin Brojë dhe nga disa fshatarë kërkoi që t’ua tregojnë shtëpinë e Hashim Thaçit mësimdhënës i historisë. Njoftohet se policia njërin nga fshatarët e keqtrajtoi fizikisht pse nuk diti t’ua tregojë shtëpinë e tij, ndërsa bëhet me dije se Hashim Thaçi tash një kohë jeton në Perëndim.

Më 11 korrik, tre policë serbë, në autobusin që qarkullonte në relacionin Skënderaj-Banjë, morën Naser Zekajn (1969). Ai me pretekst të kërkimit të armës u dërgua në postkomandën e policisë në Runik ku u mbajt rreth 3 orë dhe u keqtrajtua rëndë. Ai është urdhëruar që edhe sot të paraqitet në polici. Njoftohet se Naser Zekaj ka pësuar lëndime trupore.

Prizren: – Komisioni për Informim i Nëndegës së LDK-së në Dushanovë, njofton se policia serbe me pretekst të kërkimit të armëve nga 14 korriku bastisi dhjetë familje shqiptare.

Më 15 korrik, policia bastisi shëpitë e Azem e Skënder Çollakut, Rexhep Ndrecajt dhe Latif Morinës, ndërsa në pyetje për të njëjtin pretekst u mor Faik Çollaku, Ramiz Bytyçi dhe Bahti Hoxha. Po këtë ditë në shtëpinë e tij u mor edhe Mehdi Balaj nga Prizreni. Atij iu la thirrja që të paraqitet sërish sot në polici.

Ndërkaq dje në organet e policisë është keqtrajtuar rëndë Osman Hodaj nga Gjonaj i Prizrenit. Ai është marrë në orët e mbrëmjes me të njejtin pretekst, ndërsa ende nuk është liruar.

 

 18 korrik 1997

Policia serbe pengon korrje-shirjet në Panorc të Malishevës

Pardje, në fshatin Panorc, njëfar Ceroviçi, zëvendëskomandant i policisë serbe në Rahovec, iu kërcënua autokombajnerit Sheremet Ibrahimi, që t’i ndërprejë korrje-shirjet, pasi ai nuk ka marrë lejen nga organet e instaluara serbe në Rahovec, njofton KI i Degës së LDK-së në Malishevë.

Ibrahimi u urdhërua që të paraqitet sot në stacionin e policisë serbe në Rahovec.

 

18 korrik 1998

Mbrëmë dhe sot luftë nëpër rrugët e Rahovecit

Dje në orën 17:30, forcat serbe provokuan një konflikt masiv në qytetin e Rahovecit. Në këtë kohë është gjetur një kufomë e paidentifikuar te vendi i quajtur Rrasat, në hyrje të Rahovecit te udhëkryqi për në Malishevë. Një patrullë e policisë, duke shkuar në drejtim të vendit ku ishte parë kufoma, provokoi njerëzit duke shtënë me armë. Krismat e armëve dhe shkëmbimi i zjarrit është përhapur në krejt qytetin dhe ka zgjatur deri në orën 23:00. Mbrëmë në orën 21:00 është ndërprerë rryma elektrike.

Banorët e Rahovecit i thanë QIK-ut se sot në mëngjes përsëri ka të shtëna të shumta me armë në pjesë të ndryshme të qytetit, ndërsa njerëzit janë strehuar nëpër bodrume.

Dëshmitarët e përshkruajnë gjendjen në këtë qytet si gjendje lufte nëpër rrugë. Deri më tash nuk ka të dhëna për të vrarë e të plagosur.

Komuna e Rahovecit ka rreth 60. 000 banorë, ndërsa 92% e popullsisë janë shqiptarë. Vetë qyteti ka 20 000 banorë. Shqiptarët përbëjnë mbi 80% të popullsisë së tij.

 

 

Në Zym të Opojës u vra Hashim Ejupi

Gjatë sulmit të mbrëmshëm serb mbi fshatin Zym të Opojës u vra i riu Hashim Halit Ejupi (19) nga ky fshat.

Ai u qëllua për vdekje nga forcat ushtarake serbe, derisa po qëndronte në ballkonin e shtëpisë së tij, rreth orës 22. 30.

KI i Degës së LDK-së në Dragash njofton se gjatë sulmit që zgjati rreth dy orë me predha u qëlluan dhe u dëmtuan shumë shtëpi.

Pas sulmit, gjatë orëve të natës, banorët e fshatit Zym u larguan nga shtëpitë e tyre dhe u vendosën në fshatra të tjera.

Fsahati vazhdon të mbahet në rrethim të plotë nga forcat serbe, të cilat janë vendosur edhe në varreza, ku kanë hapur llogore.

Për këtë shkak, tash për tash nuk dihet ku e kur do të bëhet varrimi i djaloshit të vrarë.

Në tërë rrethin e Opojës, ku ditëve të fundit janë stacionuar forca të mëdha policoro-ushtarake, është mjaft e rëndë.

 

Gjendje dramatike në kufirin Shqipëri – Kosovë, së paku 30 shqiptarë u plagosën nga granatat serbe që ranë në territorin e Shqipërisë

Ministria e punëve të brendshme e Shqipërisë ka njoftuar se prej orës 02 pas mesnatës deri sot në mesditë disa granata të shkrepura nga forcat serbe kanë rënë në territorin e Shqipërisë, duke plagosur 19 vetë. Në njoftim nuk saktësohet se a bëhet fjalë për refugjatë nga Kosova. Të plagosurit janë bartur me helikopter në Tiranë.

Ndërsa Përfaqësia e Republikës së Kosovës në Tiranë, duke iu referuar burimeve të spitalit në Bajram Curr, tha se janë plagosur së paku 30 shqiptarë. Disa njoftime, të peverifikuara, flasin për një numër edhe më të madh të të plagosurve.

 

 

Continue Reading

Lajmet

Qeveria mban mbledhjen e 29-të elektronike, miraton disa vendime

Published

on

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhjen e saj të 29-të në formë elektronike, ku ka miratuar disa vendime që lidhen me infrastrukturën, arsimin dhe mbështetjen e sektorit të inovacionit dhe teknologjisë.

Vendimet kryesore:

  • Miratohet projekti për furnizimin me ujë në Leposaviq – Qeveria ka miratuar dhënien në shfrytëzim afatgjatë pa kompensim të pronave të menaxhuara nga Agjencia Pyjore e Kosovës për KRU “Mitrovica”, me qëllim realizimin e projektit për sigurimin e furnizimit me ujë të pijshëm në Komunën e Leposaviqit.
  • 255 mijë euro për tekstet e nxënësve shqiptarë në Luginën e Preshevës – Janë ndarë 255,153.45 euro për pajisjen me tekste mësimore në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, për vitin shkollor 2025/2026.
  • 40 mijë euro për inovacionin dhe teknologjinë – Qeveria ka ndarë 40,000 euro për mbështetjen e organizimit të ngjarjeve ndërkombëtare në fushën e inovacionit, teknologjisë, ndërmarrësisë dhe transformimit digjital, me qëllim promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe forcimin e ekosistemit vendor.
    • 20,000 euro janë ndarë për FLOSSK – Free Libre Open Source Software Kosova.
    • 20,000 euro janë ndarë për Innovation Centre Kosovo (ICK)./A.K/

Continue Reading

Vendi

Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj gjashtë personave për krim të organizuar dhe vepra të tjera penale

Published

on

By

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj gjashtë personave të identifikuar me inicialet A.H., L.D., M.D., Q.E., A.G. dhe F.O.

Të pandehurit akuzohen për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”.

Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë, kjo akuzë ndërlidhet edhe me vepra të tjera penale, që përfshijnë “Veprimet përgatitore për vrasje të rëndë”, “Detyrimi”, “Zjarrvënia”, “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Continue Reading

Të kërkuara